Në vitet e fundit, bankat kanë rritur ndjeshëm investimet në letra me vlerë jashtë vendit.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të nëntorit 2020, vlera e titujve të jorezidentëve në bilancin e bankave arritën vlerën e 136.2 miliardë lekëve, ose rreth 1.1 miliardë eurove.

Që nga fillimi i vitit, këto investime janë zgjeruar me 30% ose afërisht 32 miliardë lekë. Por, rritja e investimeve të bankave në tituj jashtë vendit është një tendencë edhe më e hershme.

Krahasuar me fundin e vitit 2018, këto investime janë rritur me 56%, ndërsa krahasuar me fundin e vitit 2017 kjo rritje është 86%. Statistikat nuk ofrojnë detajim të mëtejshëm për llojin e titujve, megjithatë sipas ekspertëve të sektorit bankar këto investime konsistojnë kryesisht në obligacione me të ardhura fikse dhe me rrezik të ulët.

Rritja e investimit të bankave në tituj jashtë vendit është ndikuar nga disa faktorë, duke filluar nga rritja e qëndrueshme e depozitave në valutë të huaj, që përbëjnë 54% të depozitave totale të sektorit bankar shqiptar. Por, ndërkohë që depozitat në valutë janë rritur, kredia në valutë të huaj vitet e fundit është ngadalësuar, sepse bankat po japin më shumë hua në lekë. Gjatë vitit 2020, pesha specifike e kredisë në lekë u rrit me rreth 2.2 pikë përqindje dhe ajo përbënte më shumë se 52% të portofolit total të huasë për ekonominë.

Kjo tendencë ka shtuar fondet e lira në valutë të huaj dhe tregu shqiptar nuk ofron alternativa të tjera investimi për këto fonde. Në këto kushte, rritja e depozitave në valutë ka shkuar kryesisht për të mbështetur zgjerimin e investimit në letra me vlerë nga emetues të huaj.

Një faktor tjetër me ndikim janë normat e ulëta historike të interesit, që po ndikojnë në zhvendosjen e fondeve në valutë prej vendosjeve (depozitave) në banka të huaja drejt investimit në tituj. Në fund të nëntorit 2020, depozitat në valutë që bankat i mbajnë jashtë vendit ranë në rreth 170 miliardë lekë, nga pothuajse 205 miliardë lekë që kishin qenë në fillim të vitit. Kjo vlerë është më e ulët krahasuar me fundin e vitit 2018 dhe pothuajse në të njëjtat nivele me fundin e vitit 2017.

Në prani të normave reale negative të interesit për mbajtjen e depozitave, bankat kanë preferuar që të tentojnë rritjen e përfitimeve duke investuar më shumë prej fondeve të tyre të lira në tituj. Rritja e investimit në letra me vlerë është favorizuar edhe frenimi afatgjatë i tendencës së kreditimit jashtë vendit. Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, portofoli i kredisë jashtë vendit ishte rreth 48 miliardë lekë.

Megjithëse në rritje gjatë vitit 2020, ky portofol ishte larg nivelit prej 84 miliardë lekësh të vitit 2017. Rënia në pjesën më të madhe u ndikua nga ndarja e degës së BKT-së në Kosovë, por edhe nga një ngadalësim i ndjeshëm i tendencës rritëse të periudhës 2015-2017.

Duke filluar nga ky vit, Banka e Shqipërisë do të nisë punën për të ndërtuar një bazë të mirëfilltë të dhënash për titujt e mbajtur nga bankat dhe institucionet e tjera kredituese. Sipas Bankës Qendrore, kjo do të mundësojë të dhëna më të detajuara dhe cilësore për titujt, duke thelluar ekspertizën në zbatim të objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar. Krijimi i bazës së të dhënave dhe shfrytëzimi i saj do të mbështetet në rregulloren e Bankës Qendrore Europiane mbi statistikat e titujve. Përshtatja e kësaj rregulloreje pritet të bëhet brenda vitit 2021./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Shoqëritë administruese të fondeve të investimeve kanë përmirësuar performancën e tyre financiare gjatë vitit 2020.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se kompania më e madhe, Raiffeisen Invest për 9-mujorin e vitit 2020 arriti një fitim neto prej 153 milionë lekësh, në rritje me 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shoqëria tjetër, Credins Invest, këtë vit ka kaluar në rezultat financiar pozitiv prej 15 milionë lekësh, nga një humbje e lehtë prej 787 mijë lekësh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kompania e tretë, WVP Fund Management Tirana, ka reduktuar humbjet në rreth 350 mijë lekë, nga 1.3 milionë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shoqëria më e re në treg, Albsig Invest, është me humbje në vlerën e 12.6 milionë lekëve, por kjo kompani e nisi aktivitetin vetëm në fund të vitit të kaluar dhe humbja është pjesë normale e ciklit të aktivitetit në vitet e para.

Performanca e shoqërive administruese është përmirësuar, pavarësisht se kriza ka ndikuar negativisht tregun, duke sjellë një rënie të normave të kthimit dhe stanjacion të vlerës së aktiveve neto nën administrimin e fondeve.

Burimi kryesor i të ardhurave të këtyre shoqërive janë tarifat e administrimit të fondeve të pensionit dhe investimit, që konsistojnë në një përqindje fikse kundrejt totalit të aktiveve. Gjatë vitit 2020, të ardhurat e shoqërive administruese janë tkurrur, për shkak të ecurisë në rënie të fondeve. Megjithatë, në vitin e krizës shoqëritë administruese kanë ulur shpenzimet, me rezultat përmirësimin e performancës financiare.

Mbështetur në të dhënat e AMF, në fund të shtatorit 2020, këto kompani administronin rreth 70 miliardë lekë asete të fondeve të investimit dhe pensioneve. Vitin e kaluar, në këtë treg u licencua edhe një shoqëri e re, ABI Invest, që pritet të nisë aktivitetin gjatë vitit 2021, me administrimin e fondit të investimeve ABI EIA. Rritja e numrit të shoqërive administruese dhe fondeve të investimit në vitet e fundit krijon premisa për zhvillim dhe diversifikim të mëtejshëm të tregut.

Deri tani, fondet në lekë investohen kryesisht në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare. Në dhjetor 2020, shoqëria Credins Invest është e para që u licencua edhe për menaxhimin e fondeve alternative të investimit, që mund të përfshijë edhe investime me rrezik më të lartë ose më pak likuide, si për shembull pasuritë e paluajtshme. Megjithatë, kuadri ligjor lejon që investimet alternative të mund t’iu ofrohen vetëm investitorëve të specializuar./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi në mbledhjen e datës 27 janar 2021 Rregulloren “Për funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive të themeluara në Republikën e Shqipërisë, nga shoqëritë administruese të fondeve dhe depozitarët”.

Rregullorja e re parashikon detyrimin ligjor për të gjitha shoqëritë administruese të cilat tregtojnë instrumenta financiarë për fondet e investimit, të ekzekutojnë urdhëra të cilat japin rezultatin më të mirë të mundshëm në përfitim të investitorit. Rregullat e atij që njihet si “ekzekutimi më i mirë”, një standard i vendosur nga direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, tashmë do të aplikohen edhe në Shqipëri, në përputhje me kërkesat e ligjit të ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

Në marrjen e rezultatit më të mirë të mundshëm për një sipërmarrje ose nën-fond, faktori “çmim” ka një rëndësi domethënëse. Megjithatë, në disa rrethana, për disa urdhra, për disa instrumente financiare ose tregje, politika e përshtatshme e ekzekutimit të urdhrave mund të përcaktojë faktorë të tjerë të ekzekutimit që janë më të rëndësishëm sesa çmimi në marrjen e rezultatit më të mirë të ekzekutimit. P.sh shpejtësia, mundësia e ekzekutimit dhe shlyerjes, madhësia dhe natyra e urdhrit, marzhi i tregut dhe çdo kosto tjetër e fshehur e transaksionit, mund të kenë përparësi mbi çmimin dhe koston e atij momenti, vetëm nëse ato japin rezultatin më të mirë të mundshëm në lidhje me sipërmarrjen dhe në fund investitorin.

Rregullorja kërkon që shoqëria administruese e fondeve jo vetëm të krijojë dhe zbatojë një politikë të ekzekutimit të urdhrave që të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm, por edhe të japë informacion të detajuar dhe të qartë në lidhje me të gjitha hapat që ndërmerren.

Rregullorja përcakton gjithashtu kriteret për përcaktimin e konfliktit të interesit, që mund të bëhet pengesë për arritjen e ekzekutimit më të mirë në favor të investitorit. Kjo rregullore është hartuar nga Autoriteti me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore, si edhe është konsultuar me të gjithë aktorët e tregut të fondeve të investimeve.

Burimi: Revista Monitor

Banka e Shqipërisë parashikon të investojë rezervën valutore dhe në instrumente të reja financiare.

Sipas strategjisë afatmesme të zhvillimit 2021-2023, Banka e Shqipërisë planifikon që të shtojë gamën e instrumenteve ku kjo rezervë investohet, si për shembull tituj borxhi të mbuluar me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme, obligacione të lidhura me normën e inflacionit apo kontrata të së ardhmes.

Qëllimi i Bankës së Shqipërisë është diversifikimi i strukturës së investimit të rezervës, por edhe sigurimi i të ardhurave më të larta nga rezerva valutore, në një periudhë kur normat e interesit ngelen në nivelet më të ulëta historike.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se realizimi i objektivit të investimit në instrumente të reja do të kërkojë vijueshmërinë e trajnimit të personelit dhe shkëmbimin e përvojës me institucionet homologe dhe bankat tregtare partnere, si edhe rritjen e kapaciteteve të sistemeve aktuale, ose blerjen e një sistemi të ri, për të mbështetur zgjerimin e klasave të instrumenteve ku rezerva investohet. Aktualisht, rezerva valutore konsiston në pjesën dërrmuese në depozita dhe instrumente borxhi me rrezik të ulët. Një pjesë më e vogël konsiston në ar dhe të drejta tërheqjeje në Fondin Monetar Ndërkombëtar (SDR).

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, rezerva valutore e vendit arriti në 3.87 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 17.2%. Në vlerë absolulte, në harkun e një viti rezerva valutore është zgjeruar me 568 milionë euro. Që nga fundi i vitit 2013, rezerva valutore e Shqipërisë është rritur me rreth 93%.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit. Një shembull i tillë ishte ndërhyrja në fund të Marsit 2020, kur Banka e Shqipërisë shiti mbi 20 milionë euro nga rezervat e saj për të frenuar nënçmimin e shpejtë të lekut në kursin e këmbimit me monedhën europiane.

Sipas Bankës së Shqipërisë, objektivit strategjik i mbajtjes së rezervës valutore përkthehet në sigurimin e një niveli rezervash të mjaftueshëm për të mbuluar të paktën 4 muaj importe dhe në vlerën e 100% të borxhit afatshkurtër të vendit. Banka e Shqipërisë në fund të vitit 2020 publikoi programin e ankandeve për blerje valute në funksion të objektivit të rritjes së rezervës së saj valutore për vitin 2021. Gjatë këtij viti janë parashikuar të organizohen 14 ankande me shumë të shpallur 4-6 milionë euro secili./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Së shpejti, Banka e Shqipërisë do të ndërtojë një bazë të dhënash për titujt e mbajtur nga bankat dhe institucionet e tjera kredituese.

Sipas Bankës Qendrore, kjo do të mundësojë të dhëna më të detajuara dhe cilësore për titujt, duke thelluar ekspertizën në zbatim të objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar. Krijimi i bazës së të dhënave dhe shfrytëzimi i saj do të mbështetet në rregulloren e Bankës Qendrore Europiane mbi statistikat e titujve. Përshtatja e kësaj rregulloreje pritet të bëhet brenda vitit 2021.

Një informacion më i hollësishëm rreth titujve është i rëndësishëm, po të kemi parasysh se ato përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme në bilancin e sektorit bankar në vend. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2020, sektori bankar në Shqipëri zotëronte letra me vlerë për shumën totale të 487 miliardë lekëve ose pothuajse katër miliardë eurove. Me bazë vjetore, portofoli i titujve është zgjeruar ndjeshëm, me rreth 27%. Rritja ka ardhur sidomos për shkak të rritjes së ekspozimit të sektorit bankar ndaj qeverisë shqiptare. Në përgjithësi, bëhet fjalë për instrumente borxhi me të ardhura fikse.

Bankat jo vetëm që ngelen financueset më të mëdha të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, por ishin edhe ndër blerësit kryesorë të eurobondit të emetuar nga qeveria shqiptare në qershorin e vitit të kaluar. Aktualisht, letrat me vlerë përbëjnë më shumë se 31% të totalit të aktiveve të sektorit bankar shqiptar dhe së bashku me kredinë janë komponentët kryesorë të bilancit të tyre. Megjithatë, deri tani statistikat nuk ofrojë të dhëna të detajuara për titujt e mbajtura në bilance nga bankat tregtare në Shqipëri. Një informacion i tillë do të ishte shumë i rëndësishëm në radhë të parë për autoritetin mbikëqyrës, për të pasur një informacion të detajuar dhe periodik rreth llojit dhe strukturës së ekspozimit, shkallës së rrezikut, emetuesve të titujve, etj.

Krijimi i bazës së të dhënave për titujt do të pasojë përmirësimet që Banka e Shqipërisë ka bërë në Regjistrin e Kredive, pas rregullores së re të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar. Regjistri i Kredive do të përditësohet brenda vitit 2021. Informacioni i grumbulluar për qëllime mbikëqyrëse e statistikore do të standardizohet, në funksion të politikave makroprudenciale, operacioneve monetare dhe procesit kërkimor në Bankën e Shqipërisë. Edhe në këtë rast do të implementohet rregullorja e Bankës Qendrore Europiane për mbledhjen e të dhënave të detajuara për kredinë dhe rrezikun e kredisë, që do të jetë në funksion të kërkesave të reja raportuese nga sistemi bankar për Regjistrin e Kredive dhe ndërtimit të një bazë të dhënash për kreditë ndaj personave fizikë dhe juridikë. /E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Banka Botërore mori në analizë tregun e kapitaleve në vendin tonë duke vënë theksin tek një seri pengesash që mbajnë këtë treg në nivele ende të papërfillshme.

Sipas BB si tregu primar edhe ai sekondar i letrave me vlerë të korporatave janë të pazhvilluara dhe stoku i obligacioneve është rreth 67.2 milion dollarë, ose 0.5 për qind e PBB-së (krahasuar me 30 për qind të PBB-së vërejtur në mesataren e BE).

“Pengesat kryesore në përmirësimin e funksionimit të tregjeve të borxhit të korporatave përfshijnë (i) likuiditetin e përgjithshëm të tregut për shkak të numrit të kufizuar i investitorëve institucionalë dhe nivelit të tyre të ulët të zhvillimit, që gjithashtu ndalon tregun e letrave me vlerë të qeverisë që të shërbejë si lidhja kryesore e tregjeve më efikase të kapitalit në përgjithësi; (ii) dispozita të papërshtatshme ligjore për emetimin publik të obligacioneve të korporatave; (iii) mungesa e edukimit financiar tek investitorët dhe emetuesit; (iv) nivele të ulëta të kulturës së korporatave kombinuar me nivele të larta të kërkesës për transparencë dhe publikim; (v) mungesa e stimujve në taksa për letrat me vlerë të korporatave; (vi) asnjë agjenci vlerësimi për të vendosur vlerësimin e këtyre letrave me vlerë” vlerën BB.

Kjo e fundit gjykon se tregu i derivateve financiare është shumë i kufizuar për shkak të kërkesës së kufizuar për instrumente mbrojtëse. Në raportin e saj banka sjell në vëmendje se gjatë shtatëve viteve të fundit vetëm dy banka bënë disa këmbime valutore me klientë. “Pengesa shihen edhe në nivelin e ulët të edukimit financiar, tregje të pazhvilluar të likuiditetit dhe kapitalit, mangësitë në infrastrukturën e tregut CCP (një entitet që ndihmon në lehtësimin e tregtisë dhe që operohen nga bankat) që do lehtësonte shlyerjen e derivateve ose lehtësonte shkëmbimet e mallrave” thuhet në raport.

I njëjti nënvizon se sot ka hendeqe në infrastrukturën e tregjeve financiare. “Banka e Shqipërisë operon një sistem të shlyerjes dhe regjistrimit të titujve(AFISaR) për letrat me vlerë të qeverisë. Nuk ka ÇP apo një entitet që në mënyrë qendrore mbledh dhe mban të dhënat për derivatet. Bursa Shqiptare e Titujve ka krijuar një operator të vetin për sistemin e shlyerjes së titujve (ALREG). Gjithsesi, tregu është shumë i vogël për të mbështetur aktivitete të ndara depozitimi dhe ka nevojë për krijimin e një depozitari qendror që do të merret me shlyerjen e të gjithë letrave me vlerë të tregtuara” thuhet në dokument.

Këto vlerësime mbi tregun e kapitaleve u dhanë në raportin e fundit të Bankës Botërore që bënte një diagnozë të financimit për përballimin e dëmit nga katastrofat./N.Maho

Burimi: Revista Monitor

Shqipëria ka shlyer gjatë muajit nëntor 250 milionë euro të eurobondit të vitit 2015 dhe që maturohej këtë vit, ashtu siç ishte parashikuar. Në fund të muajit nëntor, gjendja e likuiditetit në valutë e qeverisë shqiptare është pakësuar ndjeshëm dhe ndikimin kryesor e ka dhënë pikërisht shlyerja e pjesës së mbetur nga eurobondi i vitit 2015.

Në nëntor të vitit 2015, Shqipëria emetoi një Eurobond me maturim 5-vjeçar, për një shumë totale prej 450 milionë eurosh, me një kupon prej 5.75%. Prej tyre, 200 milionë ishin shlyer nëpërmjet eurobondit të mëparshëm, emetuar në vitin 2018, ndërsa diferenca u shlye muajin e kaluar, me fondet e eurobondit të siguruar në qershor të këtij viti.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka shfrytëzuar gjendjen e mirë të likuiditetit në tregjet e huaja për të siguruar financime me norma interesi në rënie. Vende si Shqipëria kanë shfrytëzuar oreksin e investitorëve ndërkombëtarë për kthime më të larta, në kushtet kur letrat e borxhit sovran të shteteve më të zhvilluara kanë zbritur pranë zeros. Në qershor të këtij viti, Shqipëria siguroi me sukses një Eurobond 7-vjeçar prej 650 milionë eurosh me një kupon prej 3.5%. Ky çmim mund të jetë i kënaqshëm për Shqipërinë, por edhe për investitorët, në kushtet kur alternativat për të siguruar kthime të mira në tregjet financiare janë të pakta.

Gradualisht, qeveria shqiptare po e shpenzon tepricën e likuiditetit në valutë të krijuar në muajin qershor. Në fund të nëntorit, likuiditeti në valutë i mbajtur në llogarinë e Bankës së Shqipërisë ra në shumën e barasvlershme të 25 miliardë lekëve, rreth 42.6 miliardë lekë më pak krahasuar me muajin tetor. Pjesa më e madhe shkuan për shlyerjen e eurobondit (rreth 31 miliardë lekë), ndërsa diferenca është shpenzuar për të mbuluar deficitin në rritje të buxhetit të shtetit. Mbulimi i deficitit me paratë e eurobondit uli kërkesën për huamarrje të brendshme dhe ndihmoi në ruajtjen e interesave të qëndrueshme në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë. Këto fonde krijuan gjithashtu një shtesë të ofertës për euro në tregun valutor dhe ndikuan në stabilitetin e kursit të këmbimit mes euros dhe lekut.

Në muajin nëntor, deficiti buxhetor u zgjerua me 7 miliardë lekë të tjera dhe arriti vlerën rekord të 73 miliardë lekëve. Pjesa më e madhe e deficitit prej 35 miliardë lekësh të krijuar në periudhën qershor-nëntor u mbulua pikërisht përmes fondeve të eurobondit.

Nga 650 milionë euro hua të siguruara nga eurobondi i qershorit, 400 milionë euro kishin qëllim të përdoreshin pikërisht për mbështetje buxhetore, me qëllim mbulimin e deficitit buxhetor. Pandemia krijoi një thellim drastik të deficitit buxhetor, sidomos për shkak të të ardhurave të munguara. Në 11 muajt e këtij viti, qeveria shqiptare arkëtoi rreth 310 milionë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./E.Shehu

Burimi: MONITOR

Banka e Shqipërisë miratoi të mërkurën rregulloren “Mbi kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara”. Kjo rregullore plotëson kuadri rregullativ të Bankës së Shqipërisë në zbatim të ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”.

Rregullorja përcakton disa rregulla të reja lidhur me kushtet që duhet të duhet të plotësojnë obligacionet e emetuara nga bankat për t’u njohur si kapital rregullator i nivelit të dytë. Me rregulloren e re, shitja e instrumenteve të pranuara tek klientët jo profesionistë do të mbështetet në kërkesat e ligjit “Për tregjet e kapitalit”.

Këto instrumente do të pranohen si kapital rregullator vetëm kur banka ka kryer dhe dokumentuar testin e përshtatshmërisë, në bazë të të cilit ka rezultuar se instrumenti është i përshtatshëm për klientin joprofesionist. Kategorizimi i klientëve dhe mënyrat sesi kryhet testi i përshtatshmërisë rregullohen nga dispozitat e seksionit të dytë të ligjit “Për tregjet e kapitalit”.

Veç testit të përshtatshmërisë, rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë kërkon që instrumentet e detyrimeve të pranuara të cilat blihen nga klientët joprofesionistë duhet të përmbajnë dispozita  detyruese, me anë të së cilave blerësit e obligacioneve bien dakord që të pranojnë çdo zvogëlim të principalit apo shumës së disbursuar e të papaguar, si dhe çdo konvertim apo anulim që kryhet gjatë ushtrimit të detyrës nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme Kjo nënkupton se këta kreditorë duhet të jenë të gatshëm të pranojnë humbje, në rast se banka bëhet subjekt i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.

Në versionin fillestar, projektrregullorja përcaktonte se obligacionet e shitura te klientët joprofesionistë do t’iu njiheshin bankave si kapital rregullator i nivelit të dytë, vetëm në rast se vlera nominale e instrumentit do të ishte paktën pesë milionë lekë. Një kufizim i tillë kishte qëllim të mbronte investitorët e vegjël, të paspecializuar, nga investimi në borxhin e varur të bankave. Pas vërejtjeve të shprehura nga bankat, Banka e Shqipërisë e ka hequr vlerën dysheme prej pesë milionë lekësh që do t’iu kufizonte individëve apo investitorëve të tjerë joprofesionistë investimin në obligacione të bankave tregtare.

Bankat kanë qenë promotorët kryesorë të instrumenteve të borxhit privat në Shqipëri, përmes obligacioneve me ofertë private. Qëllimi i emetimit të këtyre instrumenteve zakonisht është përdorimi si kapital rregullator i nivelit të dytë, sipas kërkesave të rregullores përkatëse të Bankës së Shqipërisë.

Deri më sot, tre banka tregtare në Shqipëri kanë emetuar obligacione me ofertë private. Credins Bank është emetuesi më i madh dhe më i hershëm, me një portofol prej 6.15 miliardë lekësh në 30 shtator 2020. Fibank dhe Union Bank kanë kryer nga një emetim obligacionesh, për një vlerë prej dy milionë eurosh secila.

Bankat janë ndër subjektet me potenciale më të mëdha për të emetuar tituj në bursë, për shkak të traditës së krijuar në vitet e fundit, por rritjes graduale të kërkesave rregullatore për kapital.

Burimi: MONITOR

Sektori bankar i zgjeroi më tej fitimet gjatë muajit tetor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të 10-mujorit, fitimi neto i sektorit bankar arriti në 12.6 miliardë lekë. Në muajin tetor, fitimi progresiv është rritur me 1.9 miliardë lekë.

Megjithatë, fitimi i sektorit bankar për periudhën është në nivelin më të ulët të katër viteve të fundit. Krahasuar me 10-mujorin 2019, fitimi i bankave është ndjeshëm më i ulët, me 26% më pak. Edhe treguesit e rentabilitetit këtë vit paraqiten në rënie. Kthimi nga kapitali deri në fund të tetorit llogaritej në 9.66%, nga 14.05% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përgjithësisht, faktori që shkakton më shumë luhatje në rezultatet financiare të bankave është ecuria e provigjioneve, e lidhur me përkeqësimin e cilësisë së aktiveve në bilanc. Në fakt, deri në fund të tetorit, raporti i kredive me probleme nuk ka shënuar rritje, duke qëndruar pranë nivelit 8.3%. Por, pavarësisht nga kjo, bankat duket se kanë vendosur të rrisin provigjionet për t’iu paraprirë goditjeve të pritshme që mund të japë kriza në cilësinë e portofolit të kredisë.

Për tetorin, shpenzimet e detajuara të sektorit nuk janë të disponueshme (Banka e Shqipërisë i publikon me bazë tremujore), por deri në fund të 9-mujorit, shpenzimet për provigjione ishin rritur me tre herë e gjysmë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Deri tani, raporti i kredive me probleme ngelet i qëndrueshëm, i ndihmuar edhe nga vijimësia e kredidhënies së re. Që nga mesi i këtij viti, kredia e re i është kthyer rritjes. Për intervalin kohor qershor-tetor, kredia e re arriti në 113 miliardë lekë, në rritje me afërsisht 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, teprica e kredisë për ekonominë është në rritje vjetore me rreth 5%.

Megjithatë, raporti i kredive me probleme deri tani është mbuluar nga moratoriumi i kredive që ishte në fuqi deri në fund të gushtit. Do të duhen të paktën tre muaj para se problemet e aftësisë paguese të huamarrësve të reflektohen në kredi të këqija. Bankierët parashikojnë që ky tregues të shënojë rritje, duke filluar nga viti i ardhshëm dhe ka arsye të mendohet se rritja e provigjioneve është masë kujdesi paraprak.

Por, ndërkohë, rritja e kreditimit të ekonomisë mund të jetë një sinjal se bankat kanë vlerësime pozitive për bilancet e huamarrësve dhe se nuk presin keqësim dramatik të portofolit të kredisë./E.Shehu

Burimi: MONITOR

Shqipëria do të detyrohet të dalë në tregjet ndërkombëtare sërish, me një Eurobond relativisht të madh, parashikon Fondi Monetar Ndërkombëtar. Parashikimi nuk mjaftohet me kaq, pasi institucioni projekton që në 2022 të jetë dalja e radhës në tregjet ndërkombëtare të qeverisë shqiptare, për të lëshuar eurobondin me vlerë 500 milionë euro në mënyrë që të mbulojë nevojat e mëdha për financim në kohë aspak të lehta për financat publike të vendit. Për eurobondin e 2025-ës ndërkohë nuk ka asnjë parashikim konkret.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo, ky parashikim është ai i skenarit më optimist, pra në kushtet aktuale. Në skenarin më negativ, pra në rast se pandemia dhe kriza ekonomike që e shoqëron do të përkeqësohej, Shqipëria do të kishte shumë të vështirë të dilte në tregjet ndërkombëtare, e po ashtu do të ishte i kufizuar edhe financimi nga tregu i brendshëm, nënvizon institucioni me bazë në Washington.

Pra, në rastin më të mirë, Shqipëria do të detyrohet të marrë sasi të tjera të mëdha borxhi, duke rritur për rrjedhojë borxhin publik e duke vendosur nën presion të mëtejshëm financat publike, ndërsa në skenarin më të keq, s`do ketë nga ku të marrë borxh, ndërkohë që kërkesa për financim do të jetë mjaft e lartë.

Kujtojmë se qeveria shqiptare gjatë këtij viti doli në tregjet ndërkombëtare me një Eurobond prej 650 mln eurosh, për të financuar pagesën e eurobondit të vjetër, prej 450 mln eurosh, por dhe për të ndihmuar disi financat në një kohë që vendi ishte në mes të dy krizave, asaj të tërmetit të 26 nëntorit, dhe asaj të pandemisë. Kujtojmë se raporti i post monitorimit të FMN vjen pas konsultimeve të vazhdueshme edhe me qeverinë shqiptare dhe institucionet kryesore të financave në vend.

Roel Korkuti / SCAN

Lëvizje te postimet