Procesi i Anëtarësimit dhe Hapat
- Aplikantët depozitojnë pranë ALSE aplikimin me shkrim për Anëtarësim, duke përdorur formularin standard të miratuar nga ALSE dhe gjithë dokumentacionin e kërkuar.
- ALSE mund t’i kërkojë Aplikantit informacione dhe dokumente shtesë dhe mund të nisë hetimet për verifikimin e informacionit të dërguar prej tij, nëse e gjykon të nevojshme. ALSE mund t’i kërkojë njërit apo disa përfaqësuesve të Aplikantit që të paraqiten për intervistë pranë ALSE.
- ALSE pasi merr një aplikim për Anëtarësim dhe çdo informacion shtesë të kërkuar prej saj, e miraton ose e refuzon aplikimin sipas gjykimit të saj të vetëm ose e miraton me disa kushte dhe/ose kufizime që i gjykon të përshtatshme. ALSE e njofton Aplikantin me shkrim për vendimin e saj, duke dhënë edhe arsyet e këtij vendimi. ALSE duhet ta miratojë vendimin e saj dhe t’ia bëjë atë të ditur Aplikantit brenda një afati prej tridhjetë (30) ditësh pune pas datës në cilën ka marrë të gjithë informacionin, që në gjykimin e saj, e ka konsideruar të nevojshëm për vlerësimin e aplikimit.
- Në rastin e miratimit të Anëtarësimit, vendimi i ALSE duhet të përfshijë edhe autorizimin që lejon Brokerin/at e Anëtarit të veproj(n)ë si përdorues i/të Sistemit ETS.
- ALSE do të ruajë konfidencialitetin e informacionit të dërguar nga një Anëtar ose një Aplikant në lidhje me një aplikim për Anëtarësim ose të marrë prej saj gjatë shqyrtimit të aplikimit.
- ALSE njofton AMF-në dhe, sipas rastit, Institucionin/et e Klerimit dhe Shlyerjes, për pranimin e Anëtarëve të rinj dhe të Brokerave të tyre, si dhe për datën e miratimit të tyre dhe /ose datën kur do të fillojnë të tregtojnë.
- Në rast se ALSE vendos të refuzojë një aplikim, ajo njofton menjëherë Aplikantin me shkrim. Aplikanti në fjalë mund ta apelojë vendimin e ALSE për refuzimin e Anëtarësimit pranë AMF, në përputhje me Ligjet Shqiptare në fuqi.