Banka e Shqipërisë miraton rregulloren për instrumentet financiare që do të pranohen si kapital rregullator i bankave

Banka e Shqipërisë miratoi të mërkurën rregulloren “Mbi kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara”. Kjo rregullore plotëson kuadri rregullativ të Bankës së Shqipërisë në zbatim të ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”.

Rregullorja përcakton disa rregulla të reja lidhur me kushtet që duhet të duhet të plotësojnë obligacionet e emetuara nga bankat për t’u njohur si kapital rregullator i nivelit të dytë. Me rregulloren e re, shitja e instrumenteve të pranuara tek klientët jo profesionistë do të mbështetet në kërkesat e ligjit “Për tregjet e kapitalit”.

Këto instrumente do të pranohen si kapital rregullator vetëm kur banka ka kryer dhe dokumentuar testin e përshtatshmërisë, në bazë të të cilit ka rezultuar se instrumenti është i përshtatshëm për klientin joprofesionist. Kategorizimi i klientëve dhe mënyrat sesi kryhet testi i përshtatshmërisë rregullohen nga dispozitat e seksionit të dytë të ligjit “Për tregjet e kapitalit”.

Veç testit të përshtatshmërisë, rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë kërkon që instrumentet e detyrimeve të pranuara të cilat blihen nga klientët joprofesionistë duhet të përmbajnë dispozita  detyruese, me anë të së cilave blerësit e obligacioneve bien dakord që të pranojnë çdo zvogëlim të principalit apo shumës së disbursuar e të papaguar, si dhe çdo konvertim apo anulim që kryhet gjatë ushtrimit të detyrës nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme Kjo nënkupton se këta kreditorë duhet të jenë të gatshëm të pranojnë humbje, në rast se banka bëhet subjekt i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.

Në versionin fillestar, projektrregullorja përcaktonte se obligacionet e shitura te klientët joprofesionistë do t’iu njiheshin bankave si kapital rregullator i nivelit të dytë, vetëm në rast se vlera nominale e instrumentit do të ishte paktën pesë milionë lekë. Një kufizim i tillë kishte qëllim të mbronte investitorët e vegjël, të paspecializuar, nga investimi në borxhin e varur të bankave. Pas vërejtjeve të shprehura nga bankat, Banka e Shqipërisë e ka hequr vlerën dysheme prej pesë milionë lekësh që do t’iu kufizonte individëve apo investitorëve të tjerë joprofesionistë investimin në obligacione të bankave tregtare.

Bankat kanë qenë promotorët kryesorë të instrumenteve të borxhit privat në Shqipëri, përmes obligacioneve me ofertë private. Qëllimi i emetimit të këtyre instrumenteve zakonisht është përdorimi si kapital rregullator i nivelit të dytë, sipas kërkesave të rregullores përkatëse të Bankës së Shqipërisë.

Deri më sot, tre banka tregtare në Shqipëri kanë emetuar obligacione me ofertë private. Credins Bank është emetuesi më i madh dhe më i hershëm, me një portofol prej 6.15 miliardë lekësh në 30 shtator 2020. Fibank dhe Union Bank kanë kryer nga një emetim obligacionesh, për një vlerë prej dy milionë eurosh secila.

Bankat janë ndër subjektet me potenciale më të mëdha për të emetuar tituj në bursë, për shkak të traditës së krijuar në vitet e fundit, por rritjes graduale të kërkesave rregullatore për kapital.

Burimi: MONITOR