Tregtimi në Tituj
Tregtimi i titujve është procesi i ndërrimit të pronësisë së titujve para afatit të tyre të maturimit për shkak të shitjes dhe blerjes ndërmjet investitorëve të ndryshëm në tregjet sekondare.
Tregtimi në tituj është një alternativë më përfituese investimi krahasuar me format tradicionale duke menaxhuar riskun e normës së (mos)kthimit nëpërmjet diversifikimit të portofolit në varësi të qasjes që vetë investitori ka ndaj tij (riskut).
Investimi në tituj i sjell investitorëve të mira si:
- Fitim nga Kapiali i Investuar;
- Fitim nga Dividendi;
- Fitim nga Interesat e Obligacioneve;
- Pronësi në Kompanitë e Listuara etj.
Instrumentat Financiare ndahen në 3 klasa kryesore:
- Letra me Vlerë me të Ardhura Fikse – janë kryesisht instrumenta borxhi dhe sigurojnë flukse të ardhurash (cash – flow) periodike ose fikse për një përiudhë të caktuar kohore (Bono Thesari, Obligacione Thesari, Letra Tregtare, Obligacione Korporaash, Obligacione Bashkiake);
- Instrumentat e Kapitalit Neto – përfaqësojnë pronësi mbi asetet e subjektit juridik (Aksionet e Zakonshme, Aksionet Preferenciale, Të Drejta Parablerjeje etj.);
- Derivativët Financiare – janë kontrata çmimi i të cilave derivon nga çmimet e një aseti tjetër (Forward, Futures, Options, Swaps).
Investitorët që tregtojnë tituj në bursë përballen me riskun e humbjes së vlerës së titujve për shkak të faktorëve që mund të vijnë nga ndryshimet ekonomike, politike etj. Në këto risqe përfshihen:
- Risku i Kapitalit – i cili ka të bëjë me investimet në aksione. Investimet në aksione mbartin riskun e rënies së çmimit të tyre.
- Risku i Normave të Interesit – i cili ka të bëjë me investime në titujt e borxhit. Investimet në titujt e borxhit mbartin riskun e ndryshimit të normave të interesit pasi në rast rritjeje të këtyre normave, vlera (çmimi) e obligacioneve bie.
- Risku i Valutës – i cili ka të bëjë me investimin në valuta të huaja. Investimet në valutë të huaj mbartin riskun e luhatshmërisë së normave të kursit të këmbimit. Një zhvlerësim i papritur i valutës në të cilën janë investuar kursimet, mund të bëjë praktikisht zero edhe fitimin që vjen nga ky investim.
- Risku i Inflacionit – i cili ka të bëjë me humbjen e fuqisë blerëse për shkak të rritjes së nivelit të çmimeve në ekonomi (inflacionit). Inflacioni është një dukuri ekonomike që gërryen fuqinë blerëse të parasë me kalimin e kohës. Ky fakt nënkupton se me kalimin e kohës e njejta sasi parash do të blejë me pak të mira dhe shërbime.
Menaxhimi i portofolit nënkupton menaxhimin në mënyrë profesionale të titujve ose aseteve të tjera nga institucione të specializuara në këtë fushë bazuar në qasjen e investitorëve ndaj riskut (sa e duan apo sa e shmangin atë). Menaxhimi i portofolit përfshin një gamë shërbimesh të specializuara që kanë si funksion të menaxhojnë titujt e individëve ose kompanive si: aksione, obligacione, ose asete të tjera si pasuri të patundshme.