Prospekti dhe Aprovimi i Tij

Hapat që do të ndiqen deri në finalizimin e suksesshëm të emetimit të titujve të shoqërisë do të jenë si vijon:


  1. Analiza financiare e subjektit dhe analiza e normave të interesit të tregut. Analiza financiare e subjektit do të mbështetet në informacionin financiar të tri viteve të fundit dhe atij korrent (tremujorit të fundit) si dhe parashikimit të akivitetit për të paktën afatin e titullit.
    Analiza e normave të interesit të produkteve të financimit si dhe atyre të investimit në treg do të shërbejë për orientimin e shoqërisë lidhur me normën e interesit të titullit.
    Norma e përshtatshme e interesit të titujve do të caktohet duke mbajtur gjithnjë në konsideratë shëndetin financiar të shoqërisë, riskun që ajo mbart dhe njëkohësisht normat e tregut.
  2. Përgatitja e prospektit. Pas analizës financiare, përcaktimit të interesit/kuponit, vlerës nominale të titujve, afatit dhe elementëve të tjerë të titujve, do të hartohet prospekti i titujve.

 

Prospekti duhet të përmbajë (sipas nenit 29 të Ligjit për Titujt):

  • Llojin dhe karakteristikat e titujve, numrin e përgjithshëm të tyre, si dhe përshkrimin e të drejtave që mbartin.
  • Një përmbledhje, që përcakton shkurtimisht karakteristikat dhe risqet kryesore të mbajtësit të titullit, garantuesit dhe titujve të ofruar.
  • Datën e fillimit të nënshkrimit, periudhën e nënshkrimit dhe pagesës.
  • Përshkrimin e mënyrës së shpërndarjes së titujve, nëse nënshkruhen më shumë tituj nga sa emetohen.
  • Emërtimin, selinë dhe adresën e veprimtarisë së personit që garanton, nëse ka të tillë.
  • Emërtimin, selinë dhe adresat e veprimtarisë së personave, që garantojnë detyrimet e emetuesit për titullin.
  • Emrat dhe adresat e institucioneve, përmes të cilave emetuesit do t’i përmbushin detyrimet që kanë ndaj pronarëve të titujve.
  • Çmimin ose mënyrën e përcaktimit të çmimit të titujve.
  • Procedurën e ushtrimit të së drejtës së parablerjes, si dhe pagesën.
  • Qëllimin, për të cilin synon t’i përdorë fondet emetuesi.
  • Emri i shoqërisë, selia dhe adresa e veprimtarisë, data e themelimit të personit juridik, forma ligjore, numri i regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
  • Vlera e kapitalit të nënshkruar dhe e kapitalit të paguar dhe, në rastin e një shoqërie anonime, të dhëna të hollësishme për kapitalin themeltar.
  • Nëse është filial ose shoqëri e kontrolluar nga një shoqëri tjetër, të dhëna për këtë shoqëri.
  • Listën e aksionerëve, që zotërojnë mbi 5 për qind të numrit gjithsej të votave të asamblesë së përgjithshme, duke përcaktuar përqindjen e votave që zotëron secili.
  • Përshkrimi i objektit të veprimtarive të emetuesit dhe i rrethanave të mundshme, të jashtëzakonshme, të cilat kanë ndikuar apo ndikojmë në rezultatet e disa prej këtyre veprimtarive.
  • Varësinë te patentat apo licencat, që u përkasin të tjerëve, apo kontrata me palë të treta, të cilat janë kusht i domosdoshëm për zhvillimin e veprimtarive të emetuesit.
  • Të dhëna për investime të mëdha në realizim e sipër.
  • Të dhëna bazë për konflikte gjyqësore ose ekzekutime të vendimeve gjyqësore, që mund të kenë efekt të ndjeshëm në gjendjen financiare të emetuesit.
  • Faktorët e riskut, ndaj të cilëve është i zbuluar emetuesi, që mund të ndikojnë në ushtrimin e të drejtave mbi titujt, për të cilët është përgatitur prospekti, si dhe çmimin e tyre në treg.
  • Pasqyrat individuale dhe pasqyrat e konsoliduara financiare, kur ekzistojnë dhe nëse emetuesi përgatit vetëm pasqyra të konsoliduara, ato përfshihen në prospekt, nëse emetuesi përgatit pasqyra individuale dhe pasqyra të konsoliduara, i përfshin ato në prospekt. Të dhënat e pasqyrave të ndryshme duhet të jepen në tabela, të cilat mundësojnë krahasimin e zërave të ndryshëm gjatë viteve financiare të njëpasnjëshme.
  • Emrin e ekspertit kontabël, që ka certifikuar bilancin dhe nëse ky nuk ka pranuar ta nënshkruajë atë, ose nëse ka dhënë, me shkrim, mendimin profesional, ky informacion përfshihet në prospekt, së bashku me arsyet përkatëse.
  • Emrat e plotë të anëtarëve të organeve vendimmarrëse, mbikëqyrëse apo ekzekutive të emetuesit ose të organeve të tjera të emetuesit, pavarësisht nga emërtimi që mbajnë në strukturën e tij, si dhe pozicionet që ata mbajnë në këto organe.
  • “Me besimin tonë maksimal dhe në bazë të të gjitha informacioneve dhe të dhënave, për të cilat jemi në dijeni, deklarojmë se të gjitha të dhënat, që përmbahen në këtë prospekt, përbëjnë paraqitje të plotë dhe të vërtetë të mjeteve dhe detyrimeve, fitimeve dhe humbjeve, gjendjes financiare dhe operacioneve të emetuesit, të të drejtave të lidhura me titujt, për të cilët është përgatitur ky prospekt dhe se nga ai nuk janë hequr fakte dhe të dhëna, të cilat mund të ndikojnë në plotësinë dhe vërtetësinë e këtij prospekti”.
  • Prospekti nënshkruhet nga përfaqësuesi apo përfaqësuesit ligjorë të emetuesit ose nga të gjithë anëtarët e organit drejtues përkatës të emetuesit. Në prospekt deklarohen arsyet, për të cilat anëtarë të caktuar nuk kanë nënshkruar. Prospekti mund të nënshkruhet edhe nga persona të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në nxjerrjen apo përgatitjen e të dhënave për prospektin.

Për informacion më të detajuar në lidhje me Hapat dhe Kriteret e Listimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE klikoni këtu

Prospekti dhe Aprovimi i Tij