Rritja e Kapitalit për Bizneset ose Financimi i Aktivitetit
Me qëllim zgjerimin e tij dhe përmbushjen e kërkesave që vijnë nga tregu një sipërmarrje private duhet patjetër që të ketë mjete të mjaftueshme financiare për të financuar aktivitetin e saj por edhe për të realizuar investimet e nevojshme që do të sillnin rritjen e volumit të biznesit dhe përshtatjen me nevojat e tregut.
Janë dy mënyra kryesore për financimin e biznesit, ajo nëpërmjet kapitalit dhe huamarrjes. Sic shihet edhe në skemën e mësipërme, të dyja këto mënyra janë përdorur në variantet e tyre më tradicionale: kapitali (ri-investim fitimi, kapital shtesë nga aksionerët) dhe huamarrja (kredi nga bankat). Ndërsa përdorimi i tregut të kapitaleve nëpërmjet emetimit të titujve të kapitalit (aksioneve) dhe/ose titujve të borxhit privat (dëftesave tregtare dhe obligacioneve të koorporatave) është pothuaj në fazat fillestare të lulëzimit.
Në periudhën e tranzicionit 25 vjecar (1990-2015), mjetet më të përdorur për financimin e biznesit në Shqipëri ishin financimi nëpërmjet ri-investimit të fitimeve, apo kapitali i ri i vënë nga aksionerët. Gjithashtu një element jo pak i rëndësishëm ka qenë edhe financimi nëpërmjet huamarrjes nga bankat e nivelit të dytë në vend. Vitet e fundit subjektet private kanë filluar të përdorin edhe mjetet e tjera si emetimi i titujve të borxhit privat.
Gjithsesi, mungesa e një tregu kapitalesh të zhvilluar dhe prania e një Burse titujsh të zhvilluar kanë penguar biznesin që t’i përdorin këto alternativa të financimit të aktivitetit të tyre. Nga praktikat më të mira ndërkombëtare rezulton se përdorimi i këtyre instrumenteve financiarë (aksioneve dhe obligacioneve), për të financuar aktivitetin e një biznesi është shumë më pak i kushtueshëm se kredimi nga sistemi bankar apo kapitali i vendosur nga aksionerët.
Në anën tjetër, duhet thënë që në Shqipëri ekziston kuadri i plotë ligjor dhe institucional për të bërë të mundur përdorimin e këtyre instrumenteve nga ana e biznesit vendas si mënyrë për financim.
Për informacion më të detajuar në lidhje me Hapat dhe Kriteret e Listimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE klikoni këtu