Instrumente Financiarë
Një “instrument financiar” është një kontratë me vlerë monetare midis palëve e nisur nga një institucion financiar për të përmbushur më mirë nevojat e palës (klientit) tjetër. Palët në këto kontrata mund t’i tregtojnë, modifikojnë ose t’i shlyejnë ato mes njeri-tjetrit. Si një kontratë, instrumenti financiar mund të jetë vërtetim i pronësisë së një aseti të veçantë (si në rastin e aksioneve). Gjithashtu, instrumentet financiare mund të rregullojnë marrëdhenien e huasë midis huadhënësit dhe huamarrësit. Me fjalë të tjera, instrumentet e borxhit, si obligacionet ose letrat me vlerë të borxhit afatshkurtër (Bonot e Thesarit, Letrat Tregtare etj.), janë instrumente borxhi që kanë të drejta kontraktuale për të marrë para hua ( huamarrësi i parave dhe njëkohësisht emetuesi i instrumenteve financiare) si dhe të drejtën për ta marrë paratë e tij mbrapsht (huadhënësi i parasë dhe njëkohësisht investitori i instrumentave financiare) së bashku me fitimin si shpërblim për angazhim dhe marrjen e rrezikut.
Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar të Miratuar (ACCA) i përkufizon instrumentat financiarë si më poshtë:
“Një instrument financiar është çdo kontratë që krijon një aset financiar të një entiteti dhe një detyrim financiar ose instrument kapitali të një entiteti tjetër. Këto përkufizime janë të gjëra dhe përfshijnë para (vlera monetare), depozita në entitete të tjera, të arkëtueshme të tregtueshme, kredidhënie entiteteve të tjera, investime në instrumente borxhi, investime në aksione dhe instrumente të tjera kapitali.”
Sidoqoftë, është i rëndësishëm fakti që ekziston një përkufizim i ndryshëm i instrumenteve financiare në kontabilitet dhe në mbikëqyrjen e tregut financiar.
Ekziston një ndryshim midis një titulli dhe një instrumenti financiar. Jo të gjithë instrumentet financiare janë tituj, por të gjithë titujt janë instrumente financiare. Në përgjithësi, këto instrumente financiare quhen “Tituj” nëse u japin pronarëve të tyre të drejtën për të qenë lehtësisht të transferueshme dhe të tregtueshme pa asnjë kufizim. Thënë më thjeshtë, një titull është një instrument financiar që përfaqëson një aset ose një pjesë të kapitalit që mund të tregtohet. Kryesisht, titujt (instrumentet) janë krijuar për t’u tregtuar në tregun sekondar (ose siç njihen ndryshe Bursat e Titujve).
Historikisht, titujt kanë ekzistuar përpara se të prezantoheshin instrumentat financiare. Titujt kanë qenë institucioni juridik që lejonte transferimin e parave (cash) në këmbim të të drejtave dhe pagesave të ardhshme ose aseteve të mbetura. Ndryshimi midis titujve dhe borxhit të zakonshëm ishte mundësia për të krijuar një treg sekondar me tituj dhe kthyer ato në likuide. Sidoqoftë, nga një këndvështim më teknik, me qëllim krijimin e tij, çdo titull fillimisht duhej të projektohej si një instrument ligjor, në mënyrë që rreziku i ekspozohej publikut i cili mund të investonte në këmbim të pritshmerive për norma kthimi më të larta.
Në thelb, instrumentet financiare grupohen në tre kategori bazuar në organizimin e tregut dhe riskut që paraqesin: instrumente me të ardhurat fikse, instrumentet e kapitalit, dhe instrumentet derivative.
Tabela e mëposhtme përmban klasifikimin e instrumenteve financiare (asetet financiare ose detyrimet) bazuar në parametra të ndryshëm:
Ekzistojnë lloje të ndryshme të instrumenteve financiare:
-
- Tituj të Transferueshëm;
- Instrumente të Tregut të Parave;
- Kuota të Ndërmarrjeve të Investimeve Kolektive;
- Derivativet:
4-a. Kontratat e opsioneve(options), kontratat e së ardhmes (futures), marrëveshjet e shkëmbimit (swap), kontratat që paracaktojnë normën e interesit në të ardhmen dhe çdo kontratë tjetër derivative lidhur me tituj, valuta, norma interesi ose kthimi (yields), kuotat e lejuara për çlirimin e gazeve serrë ose instrumente të tjera derivative, indekse financiare ose njësi financiare të cilat mund të shlyhen fizikisht ose me para;
4-b. Kontratat e opsioneve(options), kontratat e së ardhmes (futures), marrëveshjet e shkëmbimit (swap), kontratat e shitjes në të ardhmen me çmim të paracaktuar (forwards) dhe çdo kontratë tjetër derivative në lidhje me mallra (commodities) që duhet të shlyhen në para ose që mund të shlyhen në para me zgjedhjen e njërës prej palëve,duke përjashtuar rastet e zgjidhjes së kontratës për mospërmbushje ose për ndonjë arsye tjetër;
4-c. Kontratat e opsioneve(options), kontratat e së ardhmes (futures), marrëveshjet e shkëmbimit (swap) dhe kontrata të tjera derivative në lidhje me mallra (commodities) që mund të shlyhen fizikisht me kusht që të tregtohen në një treg të rregulluar, në një platformë shumëpalëshe tregtimi;
4-d. Kontratat e opsioneve, kontratat e së ardhmes, marrveshjet e shkëmbimit, dhe çdo kontrate tjetër derivative që lidhet me të mirat që mund të shlyhen fizikisht, të cilat nuk përmenden në pikën e mëparshme dhe nuk janë për qellime tregtare që kanë karakteristikat e instrumenteve të tjera financiare, duke marrë parasysh nëse ato klerohen dhe shlyhen nëpërmjet shtëpive kleruese;
4-e. Instrumente derivative për transferimin e riskut te krediti;
4-f. Kontratat financiare për diferencë (CFD);
4-g. Kontratat e opsioneve(options), kontratat e së ardhmes (futures), marrëveshjet e shkëmbimit (swap), dhe cdo kontratë tjetër derivative që lidhet me faktorët klimatike, tarifat e mallrave, lejimet e emetimeve, normat e inflacionit, ose statistikat e tjera ekonomike zyrtare që mund të shlyhen në para në favor të njerës nga palët (me përjashtim të ndonjë ngjarje të caktuar ose rasti dështimi), si dhe çdo kontrate tjetër derivative që lidhet me astetet, të drejtat, detyrimet, indekset dhe masat që nuk përcaktohen ndryshe dhe që kanë karakteristikat e instrumenteve të tjerë financiar derivativ, duke marrë parasysh nëse, ndër të tjera ato tregohet në një treg të rregulluar ose në një MTF, janë kleruar dhe shlyer nëpermjet një shtëpie klerimi të licensuar, ose i nënshtrohen thirrjeve të vazhdueshme për të shlyer detyrimin (margin calls).
Llojet e përmendura mësipër janë përkufizim i instrumenteve financiare të përdorura për rregullat e mbikëqyrjes së tregut në Europë (siç janë direktivat e BE-së MIFiD I dhe II).