HISTORIKU
Sistemi financiar në Shqipëri
Shqipëria ka një sistem financiar të zhvilluar në mënyrë asimetrike me shtyllën e zhvilluar të sektorit bankar, dhe një sektori jo-bankar të zhvilluar në mënyrë modeste. Kështu, si pjesë e sektorit financiar jobankar, Shqipëria ka një treg ku pothuajse mungon tregu i kapitalit, edhe pse shumë operatorë të tregut janë të licencuar (firma brokerimi, kujdestarë, fondet e investimeve, fondet e pensioneve, jeta-sigurimit, etj). Nga ana tjetër, pavarësisht nga një prani e qartë e skemave të kursimit kolektiv (fondet e investimeve dhe fondet e pensioneve, skemat e sigurimit të jetës) gjatë 10 viteve të fundit, zhvillimi i tyre i mëtejshëm është penguar në mënyrë rigoroze nga mungesa e tregut të brendshëm të kapitaleve dhe investimeve alternative.
Bursa e Tiranës
Për vite me radhë, Bursa e Tiranës (BT) ishte e vetmja bursë e krijuar ndonjëherë në Shqipëri. Fillimisht, ajo u krijua si një departament i Bankës së Shqipërisë (BSH) me synim shkëputjen pas një periudhe të caktuar kohore. Aktiviteti kryesor i BT-së përfshinte organizimin e tregut primar dhe sekondar për letrat me vlerë të borxhit afatshkurtër qeveritar (bonot e thesarit). BT u shkëput përfundimisht nga BSH në muajin Korrik 2002, për t’u krijuar e më pas funksionuar si një shoqëri e pavarur aksionere me kapital shtetëror. BT mori nga Komisioni i Letrave me Vlere (sot AMF) licencën përfundimtare për të operuar si një treg i rregulluar letrash me vlerë në vitin 2003 dhe e rinovoi atë përsëri në vitin 2005. Megjithatë, BT për arsye nga më të ndryshmet nuk arriti kurrë të bëhej një partner i besueshëm për biznesin shqiptar duke mbetur thjesht një koncept juridik. Për këtë arsye, në muajin Prill 2015, AMF vendosi të pezullojë licencën e këtij tregu në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me vendimin e aksionarit nr. 16 datë 07.04.2015.
Bursa Shqiptare e Titujve
Bursa Shqiptare e Titujve ALSE sh.a. nisi në vitin 2014 si një projekt ambicioz me mbështetjen e Bankës Credins, me një ekip ekspertësh të specializuar në letrat me vlerë dhe tregjet e kapitalit, me qëllim krijimin e një platforme elektronike tregtimi në pronësi private, që do të bëjë të mundur përputhjen e ofertës dhe kërkesës për letra me vlerë në Shqipëri. Kjo platformë elektronike do të mbushte mungesën e tregut të organizuar (bursës), ku biznesi vendas mund të rrisë kapitalin në mënyrë alternative nga sektori bankar. Projekti u lobua tek palët e interesuara (institucione financiare brenda e jashtë vendit) me qëllim sigurimin e mbështetjes financiare. Më pas u kalua tek studimi i tregut, identifikimi i sistemeve elektronike të tregtimit, përgatitja e rregulloreve dhe dosjes së licencës pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Duke parë potencialin e lartë të zhvillimit të këtij projekti si dhe kushtet e favorshme për zhvillimin e tregut vendas të kapitaleve, në vitin 2016 kësaj iniciative iu shtuan edhe dy institucione të tjera financiare: AK Invest dhe Banka Amerikane e Investimeve.
Licensimi i ALSE
Me vendimin e tij nr. 88, datë 03.07.2017, Bordi i AMF licencoi shoqërinë “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a., si bursa e parë shqiptare me kapital privat e licencuar në vend. Vendimi i Bordit të AMF-së erdhi pas vlerësimit në përputhshmëri me kërkesat e legjislacionit të të gjithë dokumentacionit lidhur me objektin e aktivitetit, kapitalin, organet drejtuese të shoqërisë, infrastrukturën dhe sistemet teknologjike të nevojshme për realizimin e aktivitetit të saj. Tregtimi zyrtar i Titujve të Borxhit Qeveritar (Bono Thesari dhe Obligacione Thesari) në Bursën ALSE, ka nisur për herë të parë në Shkurt 2018.