Klerimi dhe Shlyerja
Klerimi dhe Shlyerja është procesi i llogaritjes së detyrimeve reciproke të tregtimeve të kryera nga Shoqëritë Komisionere në Bursë ose jashtë saj dhe transferimi i pronësisë së titujve kundrejt pagesës.
Klerimi dhe Shlyerja lidhen me fazën e pas-tregtimit.
Klerimi
Klerimi është faza e parë e pas-tregtimit, e cila ndodh pasi transaksioni është ekzekutuar dhe para shlyerjes finale të transaksionit. Klerimi është procesi i kontrollit dhe përditësimit të llogarive të palëve në transaksion dhe përgatitjen e tyre për transferimin e titujve dhe cash-it. Gjatë procesit të klerimit bëhet përlogaritja e detyrimeve neto (netizimi) i llogarive për palët në transaksion.
Shlyerja
Shlyerja është faza e fundit e procesit të pas-tregtimit dhe ka të bëjë me transferimin e cash-it dhe titujve (pozicionet neto) ndërmjet palëve në transaksion në ditën e përcaktuar për shlyerje.
Parimi që zbatohet për klerimin dhe shlyerjen e transaksioneve është parimi “dorëzim kundrejt pagesës” (DVP). Ekzistojnë 3 modele të DVP si më poshtë:
- Modeli 1 (gross-gross) – model shlyerje, i cili kryen shlyerjen finale të titujve dhe cashi-it sipas instruksioneve të dërguara një e nga një për çdo tregtim. Parimi është që në të njejtin moment që transferohet titulli te blerësi në atë moment transferohet dhe cash-i te shitësi.
- Modeli 2 (net-gross) – model shlyerje, i cili kryen shlyerjen finale sipas instruksioneve të dërguara pas “netizimit” (klerimit) të titujve ndërsa cash-i shlyhet në mënyrë të njëpasnjëshme për çdo transaksion.
- Modeli 3 (net-net) – model shlyerje i cili kryen shlyerjen pas netizimit të llogarisë së titujve dhe cash-it.
Institucionet e Klerimit dhe Shlyerjes në Shqipëri janë si më poshtë:
- AFISaR – për transaksionet me Titujt e emetuar nga Qeveria (bonot e thesarit, obligacionet e thesarit, bonot e Bankës së Shqipërisë) klerimi dhe shlyerja bëhët nga Sistemi Qendror i Regjistrimit dhe Shlyerjes së Titujve (AFISaR), që është shtëpia e klerimit e caktuar për këtë qëllim nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë.
- ALREG – për transaksionet me Tituj të emetuar nga subjekte të ndryshme nga Qeveria (tituj të emetuar kryesisht nga kompanitë), klerimi dhe shlyerja kryhet nga Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG, që është shtëpia e klerimit e caktuar për këtë qëllim.
- Sistemi Shqiptar i Pagesave Ndërbankare AIPS – për shlyerjen e mjeteve monetare (cash).