SOFJE (Bullgari), 21 maj (SeeNews) – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tha të enjten se një raport i ri i porositur nga huadhënësi bën thirrje për reforma thelbësore të tregjeve të borxhit të kapitalit në tetë vende në Europën Qendrore dhe Juglindore.

Raporti shqyrton tregjet në Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Malit te Zi, Maqedonine e Veriut, Rumani, Serbi dhe Republiken Sllovake përmes modeleve të standardizuara duke gjykuar efektivitetin e kostos dhe efikasitetin e emetimeve të obligacioneve, tha BERZH në një deklaratë.

Ndër tregjet e hulumtuara, Rumania u rendit e para për sa i përket efektivitetit të kostos, ndërsa Bullgaria performoi më së miri në drejtim të efikasitetit të emetimit.

Raporti bën disa sugjerime për përmirësimin e tregjeve lokale të borxhit, duke përfshirë vendosjen e limiteve maksimale per komisionet e pershkallezuara, stimujt e taksave për investime në letrat me vlerë të borxhit, dhe shembujve të prospektit që mund të përdoren si udhezues.

Raporti gjithashtu rekomandon kufizimin e përdorimit të sistemeve të kushtueshme te tregtimit dhe u bën thirrje organeve qeveritare të administrimit të borxhit ose bankave qendrore të marrin në konsideratë sigurimin e konsistencës së vazhdueshme dhe shperndarjes se informacionit në treg për të lehtësuar nje pjesëmarrje me te madhe te investitorit me pakicë.

Konsulenca ne Mbreterine e Bashkuar Investor Connected shkroi raportin bazuar ne te dhenat e vitit 2018.

Burimi: SeeNews

Në seancën e sotme plenare, Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin mbi “Tregjet financiare të mbështetura në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” osë e thënë ndryshe, tregjet që operojnë përmes teknologjisë ‘blockchain’.
E konsideruar si shpikja me e madhe teknologjike pas internetit, blockchain është implementuar për herë të parë pas krizës financiare në vitin 2008. Blockchain-i fillestar u krijua si një mënyrë pagesash alternative për të shmangur përdorimin e institucioneve tradicionale financiare, që asokohe prej papërgjegjshmërisë së tyre, e kishin çuar të gjithë botën drejt kolapsit financiar.

Cfarë është ‘blockchain’?

Teknologjia Blockchain vjen si rezultat i bashkimit të parimeve të hershme të kriptografisë dhe bashkëpunimit kolektiv në zgjidhjen e algoritmeve.
Në thelb, ‘blockchain’ është një regjistër i shpërndarë i cili mund të inspektohet nga të gjithë, por nuk mund të kontrollohet nga askush, duke mundësuar kështu transaksione ekonomike të besueshme që verifikohen nga bashkëpunimi masiv i përdoruesve dhe jo nga ndonjë autoritet publik ose privat.
Për ta bërë më të kuptueshme këtë teknologji, po marrim një krahasim mes mënyrës së operimit të pagesave me kartë krediti dhe pagesave në ‘blockchain’.
Kur një person paguan për nje picë përmes kartës së kreditit, procesi duket i thjeshtë: personi kalon kartën në aparatin lexues, shtyp pinin, merr picën dhe në fund të muajit i vjen një faturë prej 500 lekësh për produktin në fjalë.
Megjithatë, prapaskena e kësaj pagese është shumë më e ndërlikuar. Kur personi kalon kartën e kreditit, piceria i bën kërkesë bankës së klientit për të aprovuar transaksionin. Pasi banka e aprovon, piceria i bën kërkesë bankës së saj për të depozituar 500 lekë në llogarinë e saj ndërsa vetë banka i bën kërkesë procesuesit VISA ose Mastercard për të transferuar 500 lekëshin. Pastaj VISA/Mastercard ia kërkon atë bankës së klientit. Në fund, banka e klientit aprovon kërkesën the i transferon VISA 500 lekë minus tarifën e shkëmbimit (2%), ose e thënë ndryshe 490 lekë. VISA i transferon bankës ku ka llogarinë piceria 490 lekë minus një komision prej 0.1, e thënë ndryshe 489 lekë, ndërsa kjo e fundit i kalon picerisë në llogarinë e saj 489 lekë. Pra në fund të transaksionit, piceria merr 489 lekë ndërsa blerësi faturohet për 500 lëkë. Kostoja e ndërmjetësve në këtë shembull transaksioni fare të vogël është 11 lekë.
Nëse i njëjti transaksion do të kryhej përmes teknologjisë blockchain, blerësi do ti kalonte shumën e përcaktuar nga portofoli i tij digjital në portofolin e shitësit në mënyrë direkte. Verifikimi dhe aprovimi i këtij transaksioni do të kryhej automatikisht përmes fuqisë kompjuterike të të gjithë përdoruesve të blokchain dhe më pas do të publikohej në një regjistër të sigurt dhe të pandryshueshëm. Në fund të procesit, shitësi B do të merrte të gjithë shumën e përcaktuar pa përfshirë asnjë palë të tretë në këtë transaksion.

Një tjetër inovacion që mund të implementohet përmes teknologjisë blockchain, është ai i përdorimit të kontratave smart. Kontratat smart janë kontrata digjitale që përmbajnë një set rregullash e kushtesh, të cilat vënë në lëvizje reagime të paracaktuara dhe që vetëzbatohen automatikisht në rast të përmbushjes së kushteve të përcaktuara në to. Për ta bërë më të kuptueshme, kontratat smart mund të konsiderohen si pasardhësit e automateve për blerjen e pijeve si coca-cola etj, ku personi fuste nje monedhë, shtypte numrin e pijes dhe sistemi automatikisht e procesonte atë.
Përdorimi i kontratave të zgjuara (smart) kanë një potencial të jashtëzakonshëm në uljen e kostove të transaksioneve ekonomike, duke zëvendësuar ndërmjetësuesit tradicionalë të transaksioneve, si: noterët ose sistemet e pagesave me programe të automatizuara.
Këto janë disa nga aspektet e kësaj teknologjie që mendohet se mund të ndryshojnë rrënjësisht sektorin financiar në vecanti dhe atë të shërbimeve në përgjithësi.

Mundësitë e reja që ofron kjo teknologji në Shqipëri

Disa nga sektorët që mbartin potencialin më të madh të aplikueshmërisë së kësaj teknologjie në Shqipëri janë si më poshtë :
Fillimisht, sektori i remitancave, një treg masiv me një fluks prej rreth 2 miliardë eurosh në vit, është i pari që pritet të preket pozitivisht nga ky zhvillim i ri. Përmes teknologjisë blockchain komisionet marramendese të bankave ose kompanive të trasnfertave të parave, të cilat shkojne deri në 10% të shumës, mund të reduktohen masivisht duke shkuar deri në 0.1% të shumës së dërguar.
Së dyti, financimi i sipërmarrjeve te vogla dhe të mesme përmes ICO-ve (metoda digjitale të grumbullimit te fondeve, të përafërta me ofertat publike në bursa) i lejon shoqëritë tregtare shqiptare të kenë akses në më shumë mundësi për të grumbulluar kapital duke diversifikuar kështu metodat e financimit të projekteve, duke mos ngelur thjesht në mëshirë të kredive bankare.
Përtej shërbimeve financiare, kjo teknologji ofron mundësi të jashtëzakonshme edhe për ofrimin e shërbimeve shtetërore të sakta dhe të sigurta.
Kjo teknologji mund të implementohet në përmirësimin e sistemit të administrimit të pasurive të paluajtshme duke mundësuar kështu që cdo person të jetë i qartë dhe i sigurt që një pronë e caktuar i përket vetëm atij dhe se zyrtari në hipoteke nuk mund të ndryshojë certifikatën e pronësisë me një të rënë të lapsit.
Më tej, teknologjia blockchain mund të përdoret edhe për të ofruar një regjistër zgjedhor të saktë, të besueshëm dhe të pandryshueshëm si dhe votim dhe numërim të sigurt votash.
Shërbime të tjera qeveritare që mund të përfitojnë nga kjo teknologji janë sistemet e doganave, sistemet e menaxhimit të fatkeqësive natyrore etj…
Gjatë pandemisë së COVID-19 ,shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare i kanë kthyer sytë pikërisht tek kjo teknologji blockchain për të ngritur sisteme gjurmimi të sigurta duke respektuar gjithashtu të drejtën e privatësisë së individëve si dhe për të monituruar zinxhirin e shpërndarjes dhe furnizimit të pajisjeve mjekësore.
Teksa blockchain sjell potenciale të jashtëzakonshme për të transformuar ekonomitë botërore, sikurse interneti në fillimet e tij, edhe kjo teknologji ka ngritur një sërë dyshimesh lidhur me anonimitetin që ajo ofron në një treg të parregulluar. Në mungesë të rregullave të qarta për identifikimin dhe raportimin e transaksioneve, përdorimi i kësaj monedhe mund të ndihmojë subjektet kriminale për të kryer transferta parash në mënyrë anonime. Ndaj dhe rregullimi i këtij sektori nga qeveria shqiptare duke përcaktuar kushte dhe kritere për operimin në këto lloj tregjesh shihet si një hap i mirëpritur për të parandaluar llojet e aktiviteteve të mësipërme.

Blockchain: Flluskë apo Revolucion?

Vetëm koha do të mund të tregojë nëse blockchain do të arrijë ndonjëherë të zevendësojë ndërmjetësuesit tradicionalë me sisteme të pakontrolluara nga askush. Risku për të nxjerrë jashtë loje ndërmjetësues historikë si institucione financiare ose autoritete publike kanë bërë që këto të fundit ta shohin me skepticizëm këtë industri si dhe ta frenojnë përhapjen e saj.
Nga ana tjetër, operimi përmes skemave mashtruese në tregje të parregulluara ka ngritur gjithashtu hije dyshimi rreth besueshmërisë ndaj kësaj tekonologjie.
Ndonëse monedhat si Bitcoin, Ethereum etj mund të mos mbijetojnë gjatë duke marrë parasysh volatilitetin e tyre dhe riskun që mbartin, teknologjia që i mundëson ato (blokchain) ka potencialin të ngulitet në mënyrë të përhershme në sistemet financiare dhe qeverisëse.

Burimi: Gazeta Tema

Credins Bank dhe Fibank do të kryejnë një emetim të ri të obligacioneve me ofertë private. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka njoftuar se në mbledhjen e ardhshme të Bordit Drejtues do të shqyrtojë prospektin e ofertës së obligacioneve afatgjatë të dy bankave të mësipërme.

Credins Bank kryen rregullisht prej më shumë se shtatë vitesh emetim të obligacioneve me ofertë private, të konvertueshme në aksione të zakonshme të bankës. Qëllimi kryesor është përdorimi i tyre si kapital rregullator i nivelit të dytë. Mbështetur në informacionin e pasqyrave financiare të Credins Bank, në 31 mars 2020 borxhi i varur i bankës kishte vlerën e rreth 6.9 miliardë lekëve.

Vitin e kaluar, edhe Fibank realizoi për herë të parë emetimin e obligacioneve me ofertë private, për një vlerë totale prej dy milionë eurosh. Në rastin e Fibank, huamarrja përmes obligacioneve nuk lidhet shumë me nevojat për kapital rregullator, sesa me synimet për zgjerim të aktivitetit të bankës. Sipas të dhënave të raportuara në muajin mars, Fibank ka një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit në nivelin 16.71%, ndërsa është gjerësisht sipër kërkesave rregullatore edhe me kapitalin e nivelit të parë.

Një tjetër bankë që nisi emetimin e obligacioneve me ofertë private këtë vit ishte edhe Union Bank. Ashtu si në rastin e Credins, emetimi i Union Bank kishte si qëllim kryesor shtimin e kapitalit rregullator.

Në të gjitha rastet, shitja e obligacioneve është bërë me ofertë private, te investitorë të përzgjedhur nga vetë emetuesi. Megjithatë, rritja e numrit të institucioneve financiare që po adoptojnë përdorimin e instrumenteve të borxhit mund të vlerësohet si një zgjerim i premisave për të pasur një treg funksional kapitali në Shqipëri. Prej këtij viti, bursa ALSE është e gatshme të tregtojë edhe titujt e kompanive private.

Burimi: Paraja.net

Investimi në bursën ALSE, i parave të qytetarëve shqiptare që aktualisht janë depozita në bankat tregtare, do t’i jepte hov zhvillimit ekonomik në vend. Deputeti socialist Ervin Bushati, gjatë fjalës së tij në parlament lidhur me projektligjin “Për tregjet e kapitalit, theksoi se tashme është një instrument funksional që mund të çojë përpara financat e Shqipërisë dhe të rrisë perfomancën ekonomike.

Deputeti scoialist, propozon që kompanitë publike, si OSHEE, OST, UKT, etj, të jenë të parat që të kuotohen në bursë, pasi kështu do të përmirësoheshin ndjeshëm shërbimet që ofrojnë.

Pak ditë më parë, grupet e interesit kanë kërkuar nga qeveria që të ndërmarrë një iniciativë ligjore konkrete që të bëjë të mundur kuotimin e institucioneve publike në bursën ALSE.

Burimi: SCAN

Kuvendi miratoi sot me datë 14.05.2020 në seancë plenare projektligjin “Për Tregjet e Kapitalit”. Projektligji përmirëson kuadrin aktual ligjor dhe i përgjigjet dinamikës së zhvillimit të tregjeve të kapitalit në vend. Ai synon nxitjen e zhvillimit dhe integritetit të tregjeve të kapitalit, rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e investitorit përmes vendosjes së standardeve më të larta. Hartimi i ligjit të ri u realizua me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore, si pjesë e Projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”.

Projektligji është në përputhje me:

  • Direktivën për Tregjet e Instrumenteve Financiare (MIFID II) si dhe rregullore të tjera të Bashkimit Evropian në fushën e tregjeve të kapitalit;
  • Parimet e Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO) dhe me udhëzimet e Autoritetit Evropian të Letrave me Vlerë dhe Tregjeve (ESMA).

Objektivat kryesore të projektligjit janë:

  • Mbrojtja e interesave të investitorëve, nëpërmjet vendosjes së standardeve më të larta apo klasifikimit të tyre në investitorë profesionistë, investitorë të kualifikuar, palë e pranueshme apo investitorë jo profesionistë;
  •  Vendosja e kërkesave më strikte për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e shoqërive komisionere dhe operatorëve të tjerë të tregut të kapitaleve;
  • Nxitja e investimeve të huaja përmes afrimit të shoqërive të huaja komisionere për të vepruar në tregun vendas të kapitaleve;
  •  Vendosja e rregullave për mirëfunksionimin e tregut, përfshirë dhe Bursën;
  • Njohja dhe rregullimi i veprimtarisë së platformave të tjera të tregtimit, duke nxitur njëkohësisht konkurrueshmërinë ndërmjet tyre;
  • Krijimi dhe rregullimi i veprimtarisë së institucioneve me rëndësi në infrastrukturën e tregut, siç janë Depozitari Qendror i Titujve apo Shtëpia e Klerimit;
  • Nxitja e integritetit të tregut nëpërmjet rritjes së kërkesave për transparencë për emetuesit dhe shoqëritë e listuara, si dhe për operatorët dhe institucionet e tregut.

Ligji i ri parashikon edhe rritjen e kompetencave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të kryer hetime në funksion të forcimit të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator të tij.

Burimi: Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare

Tregu financiar po i përgjigjet mirë kërkesës së qeverisë për financim edhe në ankandet e para të muajit maj. Këtë javë qeveria realizoi me sukses ankandin e emetimit të bonove 12 mujore, për një shumë prej 10.7 miliardë lekësh, ndërkohë që kërkesat në ankand arritën shumën e 13.5 miliardë lekëve.

Yield-i mesatar ponderuar u rrit lehtë në 2.25%, nga 2.16% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Në fund të muajit mars, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në minimumin e ri historik prej 0.5%, ndërsa mori përsipër furnizimin e pakufizuar të likuiditetit për të mbuluar nevojat afatshkurtra të bankave.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Pavarësisht nga kjo, normat e interesit në tregun e borxhit të qeverisë janë rritur, çka lidhet me shtimin e ndjeshëm të kërkesë së qeverisë shqiptare për financim, por edhe me rritjen e petceptimit të rrezikut, pas shpërthimit të krizës së Covid-19.

Rritja e interesave duket e kontrolluar dhe e justifikueshme nga rrethanat, megjithatë Banka e Shqipërisë është e vetëdijshme se shtrëngimi i ofertës për financim dhe rritja e çmimit të parasë është një rrezik real, siç deklaroi dje Guvernatori Sejko.

Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës parajmëroi se lehtësimi monetar mund të vazhdojë më tej, duke përfshirë edhe skenarin e përdorimit të herë të parë të instrumenteve jokonvencionale. Kjo nënkupton një program të blerjes së titujve qeveritarë në tregun dytësor, sipas modelit të ndjekur vitet e fundit nga Banka Qendrore Europiane.

Burimi: Paraja.net

Paralajmërim për aktivitetin e FXShqip.com dhe IQOption.al

Autoriteti i Mbikëqyrjes  Financiare (AMF) tërheq vemendjen e investitorit shqiptar mbi faqen e internetit https://www.fxshqip.com ku ofrohen këshilla dhe informacione jo vetëm për tregun forex, por për të gjitha fushat e tregjeve financiare. Gjithashtu, FXShqip pretendon të ofrojë menaxhim të portofolove të investitorit. Paralajmërojmë të gjithë investitorët, se FXShqip nuk është e licencuar, regjistruar apo e njohur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes  Financiare.

Mbështetur në Ligjin nr. 9879 datë 21.2.2008 “Për Titujt”, asnjë shoqëri nuk mund të ofrojë apo promovojë shërbime të lidhura me investime në tituj, si këshillime, konsultime apo menaxhim portofoli brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pa u licencuar, apo regjistruar më parë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Për më tepër, FXShqip nëpërmjet faqes së saj nuk e informon qartazi investitorin për lidhjen e saj me platformën e tregëtimit online të ofruar nga shoqëria e huaj e  brokerimit IQOption, me një gamë të gjerë produktesh financiare komplekse, jo të përshtatshme për cdo investitor dhe me rrezik të lartë, sic janë Kontratat për Diferencë (CFD) etj.

Në momentin që Ju regjistroheni për të hapur një llogari për të tregëtuar nëpërmjet faqes së internetit të FXShqip, ju automatikisht bëheni klientë të platformës online të tregëtimit www.iqoption.comNë këto kushte FXShqip, promovon produktet financiare të kësaj platforme duke vepruar si një agjent i paregjistruar/i panjohur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Gjithashtu, Ju paralajmërojmë se shoqëria e brokerimit IQOption,  e paautorizuar apo njohur për të ofruar produkte dhe shërbime në Republikën e Shqipërisë, disponon edhe një adresë interneti në gjuhën shqipe www.iqoption.ale dedikuar në mënyrë të paligjshme për investitorin shqiptar.

Sipas legjislacionit në fuqi, një shoqëri brokerimi e huaj mund të ofrojë shërbimet e saj në territorin e Republikës së Shqipërisë përmes një agjenti të njohur dhe të regjistruar nga AMF.

Publiku duhet të jetë i qartë se Autoriteti nuk mund të mbrojë interesat e të gjithë atyre, që investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara/regjistruara/njohura nga AMF.

Gjithmonë duhet të verifikoni identitetin e shoqërisë që po ofron produktet financiare dhe duhet të konsultoheni me listën e subjekteve të licencuara, që ndodhet në rubrikën Regjistri i të Licencuarëve të faqes zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: www.amf.gov.al

AMF është duke bashkëpunuar me autoritetet e tjera ligjzbatuese për të ndaluar aktivitetin e shoqërive të palicencuara/të paregjistruara/të panjohura nga Autoriteti.

Burimi: Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare

Qeveria shqiptare siguroi 100 milionë euro borxh nga tregu i brendshëm nëpërmjet emetimit të obligacionit 2 vjeçar, në ankandin që u zhvillua sot, nga 120 milionë euro, që kishte kërkuar.

Bankat ofruan financim përtej kërkesë së qeverisë me një shumë prej 163,9 milionë euro, por për shkak të interesit të lartë të kërkuar qeveria ka pranuar të financohet më së paku 20 milionë euro më pak se kërkesa fillestare.

Shuma 100 milionë euro u mor kundrejt një kuponi indikativ 1,96 %, teksa qeveria synonte pagesën e interesit jo më shumë se 1,8%.

Oferta e bankave ka qenë për një interes gati 0,16% më të lartë se planifikimi i qeverisë. Për rrjedhojë nga shuma prej rreth 163,9 milionë eurosh që ofruan bankat qeveria pranoi vetëm 100 milionë euro.

Nga 37 kërkesa për të blerë obligacionin në euro u  pranuan gjithsej 32.

Burimet nga tregu pohojnë se qeveria ka nevojë të financohet se paku me 200 milionë euro, por zgjodhi të mos e emetojë të gjithë shumën menjëherë për të mos krijuar presion tek normat e interesit.

Ankandi u zhvillua për llogari të qeverisë shqiptare e cila këtë herë po e merr borxhin në euro, duke tentuar ta sigurojë atë nga institucionet financiare, apo dhe individë e të tjerë.

Kjo është hera e shtatë që Banka e Shqipërisë zhvillon ankand për shitjen e obligaciot në euro. Ankandi i fundit, po obligacion dy vjeçar me kupon fiks, ishte zhvilluar në 17 gusht të vitit 2017 dhe ishte për një shumë prej 45 milionë eurosh, me një kupon indikativ prej 0.7%.

Në të gjashtë obligacionet e mëparshme në valutë, shuma e shpallur ka variuar mes 25 dhe 50 milionë euro, duke e bërë ankandin e të hënës më të madhin në histori, sa i përket obligacioneve të emetuar në euro.

Ky ankand nuk ishte planifikuar në ankandet e radhës së Bankës së Shqipërisë, e cila i publikon ato sipas një kalendari të caktuar.

Ndërkohë, qeveria ka bërë të ditur nevojat e saj për valutë, por nuk ka specifikuar destinacionet se si do përdoret ky borxh, i cili po merret në një kohë që ekonomia dhe buxheti po kalojnë një situatë të vështirë për shkak të pezullimeve që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Gjithsesi, ekspertët paralajmërojnë se rritja e borxhit në valutë duhet bërë me kujdes, pasi mbulimi ka ardhur kryesisht nga tregu i brendshëm, që ka burime të kufizuara në këtë monedhë.

 

Burimi: Revista Monitor

 

Në një letër botuar të martën në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, disa presidentë rajonalë dhe kryetarë bashkish të Italisë i bëjnë thirrje Gjermanisë të tregojë solidaritet me Italinë. Ata i kujtojnë Gjermanisë se me Marrëveshjen e Londrës së vitit 1953, Gjermanisë iu falën borxhet e Luftës së Dytë Botërore, dhe në shtetet nënshkruese të deklaratës ka qenë edhe Italia.

Kjo thirrje nga Italia është e fundit në debatin e hapur në Bashkimin Evropian për mënyrën se si duhen mbështetur shtetet më të varfra të jugut të Evropës për të përballuar pasojat ekonomike e shëndetësore të virusit Corona.

Është fakt i pamohueshëm që Italia dhe Spanja po përjetojnë tragjedi përsa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve me Covid-19 brenda një kohe kaq të shkurtër. Dhe përsa u përket pasojave të pritshme në ekonomi, nga ndërprerja masive e jetës publike.  Deri tani në Itali ka rreth 111.000 të infektuar dhe mbi 13.000 të vdekur. Ndërsa në Spanjë ka mbi 110.000 të infektuar dhe mbi 10.000 të vdekur. Që këto shtete kanë nevojë për mbështetje evropiane, këtë nuk e kundërshton askush në BE.

Debati ka të bëjë me faktin se a duhet të hyjnë për këtë në borxh të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, apo mbështetja të jepet me forma të tjera. E thënë ndryshe: a duhet të mbështeten këto shtete me Euro-bonde, të quajtura në këtë rast Corona-bonde, me të cilat për borxhet që do të merrte p.sh. Italia do të hynin në borxh të gjitha shtetet e BE. Këtë e kërkojnë kryesisht vendet e “Klubit të Mesdheut”: Italia, Spanja, Franca, gjithsej nëntë shtete të BE.

Apo duhet të ndihmohen shtetet në nevojë me kredi shumë të favorshme tepër afatgjata nga ombrella e Euros, Mekanizmi Evropian i Stabilitetit, ESM. Me ESM-në shtetet mbajnë përgjegjësi vetëm për depozitat e tyre, jo për ato të tjerëve. Rrugën përmes ESM e mbështesin vendet më të pasura të Veriut të Evropës: Holanda, Gjermania, Austria e Finlanda.

Thirrjet për Corona-bonde nuk pushojnë

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte nuk arriti t’i bindë të enjten e javës që shkoi për Corona-bondet homologët e tij të BE në një videokonferencë gjashtëorëshe. Megjithatë thirrjet për Corona-bonde nuk kanë pushuar. Në mënyrë të pazakontë Corona-bondet nuk janë tabu në këtë situatë edhe për një pjesë të ekonomistëve në Gjermani e në Holandë.

“Të fortët duhet t’i ndihmojnë të dobëtit”, shkruanin këto ditë ekonomistë të njohur gjermanë. Ndërsa shefi i Bankës Qendrore të Holandës u shpreh se po pësoi kolaps Jugu i BE, Veriu merr fund.

Kritikat për Veriun josolidar me Jugun e BE u ndez që në momentet e para të shpërthimit të epidemisë. Kjo sepse reagimet e para pas sulmit të virusit, gati në të gjitha shtetet e BE, qenë reagime të mbylljes në vetvete. Disa shtete, midis tyre Gjermania, ndaluan për shembull eksportin e veshjeve mbrojtëse mjekësore. Vështirësia për të parashikuar nevojat nacionale çoi në mbyllje.

Pak pas kësaj, ky qendrim u korrigjua. “Ne nuk i lëmë në baltë miqtë tanë italianë”, deklaroi në Berlin kancelarja Merkel. Eksporti i ndihmave mjekësore rinisi. Në spitalet gjermane ndërkohë mbërrijnë rregullisht shumë pacientë italianë e francezë, që kanë ecuri të rëndë të virusit.

Pse i kundërshton Veriu i Evropës Corona-Bondet?

Franca, si njëra nga vendet më të mëdha të BE (dhe vetë e prekur rëndë nga Covid-19) sipas së përditshmes “Le Monde” ka marrë rol organizues: për të tërhequr sa më shumë mbështetës edhe jo mesdhetarë për Corona-bondet: veç Luksemburgut, përpjekje po bëhen për të tërhequr edhe tri shtetet baltike. Kjo bëhet edhe për të larguar përshtypjen e përsëritur: Jugu përballë Veriut, që përsëritet çdo herë kur hapet diskutimi i Euro-bondeve.

Italia e Spanja kërkojnë që shtete si Gjermania t’i ndihmojnë tani jo ndryshe, por duke hyrë edhe ato në borxh me letra me vlerë me interesa fikse, pra me Corona-bonde. Në fund të fundit  përballë “rrezikut simetrik” nga virusi për të gjitha vendet, askush nuk mund t’i akuzojë italianët se ndodhen në krizë prej keqmenaxhimit të tyre.

Kjo është e vërtetë, por këtu ndërhyn konstrukti i papërfunduar i shtëpisë evropiane. Gjermania dhe shtete të tjera nuk kanë të drejtë të kontrollojnë mënyrën si do të përdoren paratë e Corona-bondeve. Sepse politika financiare e një shteti anëtar të BE është kompetencë nacionale. Dhe përbetimet që vijnë nga Jugu i Evropës se paratë e Corona-bondeve, një masë e një hershme, do të përdoren vetëm për pasojat e virusit, në Veri respektohen, por mbeten fjalë. Frika është se Italia preferon Corona-bonde pikërisht pasi kur me to për borxhet përgjigjen shumë shtete, Italia nuk do të “kryqëzohej” nga tregjet, po të mos e kthente dot më pjesën e saj.

E madhe duket më tej në Veriun e BE droja nga kundërreagimi në opinionin publik vendas: raste të tilla janë të mirëpritura për ekstremet politike të djathta. Më e zëshmja në kundërshtimin për Corona-bondet është Holanda. Por disa kritikë i thonë kryeministrit holandez Mark Rutte se me kundërshtimin e fortë ai bën lojën e gjermanëve.

Njëkohësisht, një situatë e jashtëzakonshme si pandemia botërore e virusit Corona mund të justifikonte edhe hapa të jashtëzakonshëm. Diskutimi për Corona-bondet në parim nuk është mbyllur, por gjasat për realizim duken të vogla.

Me një sërë masash të tjera, shtetet e Veriut të Evropës po nxitojnë t’u ofrojnë ndihmë Italisë,  Spanjës e shteteve të tjera jugore. Komisioni Evropian vuri dje në dispozicion 100 miliardë euro, që mund të merren kredi nga vende si Italia. Një rrugë tjetër për ta mbështetur Italinë dhe vende si ajo shihet miratimi në një vëllim shumë të madh të buxhetit të ri afatgjatë të BE. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se buxheti i ardhshëm i BE duhet t’i ngjajë planit Marshall të amerikanëve pas Luftës së Dytë Botërore.

Në tryezë është gjithashtu dhe ndihma përmes ESM. ESM mund të financojë 410 miliardë euro kredi, duke i marrë ato me kushte të favorshme në tregjet botërore. ESM është treguar i gatshëm t’i vërë në dispozicion një kredi çdo vendi të Eurozonës, pa nevojë për aplikim nga shteti. Pra të japë fonde për masa të menjëhershme të lidhura me krizën.

Por kjo nuk preferohet nga italianët. Italianët e shohin si stigmatizues për ta Mekanizmin e Stabilitetit Evropian. Pasi kreditë që merr për t’ua përcjellë shteteve nevojtare mbrella e Euros, ESM, i shoqëron me kontrolle të thella të ekonomisë, si në rastin e Greqisë. Do të pasojë kërkesa për ristrukturimin e borxhit italian dhe kursime drastike, thonë politikanët italianë. Premtimet nga ESM se kërkesat ndaj italianëve në rastin konkret do të ishin shumë më të buta nuk dëgjohen në Itali.

Ndihmën për Italinë dhe shtetet më të goditura nga virusi Corona do ta diskutojnë në 7 prill ministrat e financave të BE. Ndërkohë pandemia e virusit vazhdon të shuajë në botë jetë njerëzish.

Burimi: DeutcheWelle (perkthyer nga SCAN)

Banka e Shqipërisë ka njoftuar se në ankandin e radhës do të emetojë një obligacion me vlerë 120 milionë euro, me afat maturimi 2 vjeçar. Obligacioni emetohet për llogari të qeverisë shqiptare e cila këtë herë po e merr borxhin në euro, duke tentuar ta sigurojë atë nga institucionet financiare, apo dhe indivdë e të tjerë. Ankandi është jashtë radhës dhe shuma e kërkuar përbën një rekord sa i përket obligacioneve në euro.

Ankandi është parashikuar që të mbahet në datën 6 prill dhe ka një kupon indikativ prej 1.8%.

Kjo është hera e shtatë që Banka e Shqipërisë emeton një obligacion në euro. Ankandi i fundit ishte zhvilluar në 17 gusht të vitit 2017 dhe ishte për një shumë prej 45 milionë eurosh, me një kupon indikativ prej 0.7%.

Në të gjashtë obligacionet e mëparshme në valutë, shuma e shpallur ka variuar mes 25 dhe 50 milionë euro, duke e bërë ankandin e të hënës më të madhin në histori, sa i përket obligacioneve të emetuar në euro.

Ky ankand nuk ishte planifikuar në ankandet e radhës së Bankës së Shqipërisë, e cila i publikon ato sipas një kalendari të caktuar.

Ndërkohë, qeveria ka bërë të ditur nevojat e saj për valutë, por nuk ka specifikuar destinacionet se si do përdoret ky borxh, i cili po merret në një kohë që ekonomia dhe buxheti po kalojnë një situatë të vështirë për shkak të pezullimeve që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Rezultatet e ankandeve të deritanishme të obligacioneve në euro

Burimi : Revista Monitor

Lëvizje te postimet