INVESTITORË KUJDES!!

Paralajmërim për aktivitetin e FXShqip.com dhe IQOption.al

Autoriteti i Mbikëqyrjes  Financiare (AMF) tërheq vemendjen e investitorit shqiptar mbi faqen e internetit https://www.fxshqip.com ku ofrohen këshilla dhe informacione jo vetëm për tregun forex, por për të gjitha fushat e tregjeve financiare. Gjithashtu, FXShqip pretendon të ofrojë menaxhim të portofolove të investitorit. Paralajmërojmë të gjithë investitorët, se FXShqip nuk është e licencuar, regjistruar apo e njohur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes  Financiare.

Mbështetur në Ligjin nr. 9879 datë 21.2.2008 “Për Titujt”, asnjë shoqëri nuk mund të ofrojë apo promovojë shërbime të lidhura me investime në tituj, si këshillime, konsultime apo menaxhim portofoli brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pa u licencuar, apo regjistruar më parë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Për më tepër, FXShqip nëpërmjet faqes së saj nuk e informon qartazi investitorin për lidhjen e saj me platformën e tregëtimit online të ofruar nga shoqëria e huaj e  brokerimit IQOption, me një gamë të gjerë produktesh financiare komplekse, jo të përshtatshme për cdo investitor dhe me rrezik të lartë, sic janë Kontratat për Diferencë (CFD) etj.

Në momentin që Ju regjistroheni për të hapur një llogari për të tregëtuar nëpërmjet faqes së internetit të FXShqip, ju automatikisht bëheni klientë të platformës online të tregëtimit www.iqoption.comNë këto kushte FXShqip, promovon produktet financiare të kësaj platforme duke vepruar si një agjent i paregjistruar/i panjohur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Gjithashtu, Ju paralajmërojmë se shoqëria e brokerimit IQOption,  e paautorizuar apo njohur për të ofruar produkte dhe shërbime në Republikën e Shqipërisë, disponon edhe një adresë interneti në gjuhën shqipe www.iqoption.ale dedikuar në mënyrë të paligjshme për investitorin shqiptar.

Sipas legjislacionit në fuqi, një shoqëri brokerimi e huaj mund të ofrojë shërbimet e saj në territorin e Republikës së Shqipërisë përmes një agjenti të njohur dhe të regjistruar nga AMF.

Publiku duhet të jetë i qartë se Autoriteti nuk mund të mbrojë interesat e të gjithë atyre, që investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara/regjistruara/njohura nga AMF.

Gjithmonë duhet të verifikoni identitetin e shoqërisë që po ofron produktet financiare dhe duhet të konsultoheni me listën e subjekteve të licencuara, që ndodhet në rubrikën Regjistri i të Licencuarëve të faqes zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: www.amf.gov.al

AMF është duke bashkëpunuar me autoritetet e tjera ligjzbatuese për të ndaluar aktivitetin e shoqërive të palicencuara/të paregjistruara/të panjohura nga Autoriteti.

Burimi: Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare