Tregu i kapitaleve, BB: Pengesat nga numri i ulët i investitorëve tek infrastruktura

Banka Botërore mori në analizë tregun e kapitaleve në vendin tonë duke vënë theksin tek një seri pengesash që mbajnë këtë treg në nivele ende të papërfillshme.

Sipas BB si tregu primar edhe ai sekondar i letrave me vlerë të korporatave janë të pazhvilluara dhe stoku i obligacioneve është rreth 67.2 milion dollarë, ose 0.5 për qind e PBB-së (krahasuar me 30 për qind të PBB-së vërejtur në mesataren e BE).

“Pengesat kryesore në përmirësimin e funksionimit të tregjeve të borxhit të korporatave përfshijnë (i) likuiditetin e përgjithshëm të tregut për shkak të numrit të kufizuar i investitorëve institucionalë dhe nivelit të tyre të ulët të zhvillimit, që gjithashtu ndalon tregun e letrave me vlerë të qeverisë që të shërbejë si lidhja kryesore e tregjeve më efikase të kapitalit në përgjithësi; (ii) dispozita të papërshtatshme ligjore për emetimin publik të obligacioneve të korporatave; (iii) mungesa e edukimit financiar tek investitorët dhe emetuesit; (iv) nivele të ulëta të kulturës së korporatave kombinuar me nivele të larta të kërkesës për transparencë dhe publikim; (v) mungesa e stimujve në taksa për letrat me vlerë të korporatave; (vi) asnjë agjenci vlerësimi për të vendosur vlerësimin e këtyre letrave me vlerë” vlerën BB.

Kjo e fundit gjykon se tregu i derivateve financiare është shumë i kufizuar për shkak të kërkesës së kufizuar për instrumente mbrojtëse. Në raportin e saj banka sjell në vëmendje se gjatë shtatëve viteve të fundit vetëm dy banka bënë disa këmbime valutore me klientë. “Pengesa shihen edhe në nivelin e ulët të edukimit financiar, tregje të pazhvilluar të likuiditetit dhe kapitalit, mangësitë në infrastrukturën e tregut CCP (një entitet që ndihmon në lehtësimin e tregtisë dhe që operohen nga bankat) që do lehtësonte shlyerjen e derivateve ose lehtësonte shkëmbimet e mallrave” thuhet në raport.

I njëjti nënvizon se sot ka hendeqe në infrastrukturën e tregjeve financiare. “Banka e Shqipërisë operon një sistem të shlyerjes dhe regjistrimit të titujve(AFISaR) për letrat me vlerë të qeverisë. Nuk ka ÇP apo një entitet që në mënyrë qendrore mbledh dhe mban të dhënat për derivatet. Bursa Shqiptare e Titujve ka krijuar një operator të vetin për sistemin e shlyerjes së titujve (ALREG). Gjithsesi, tregu është shumë i vogël për të mbështetur aktivitete të ndara depozitimi dhe ka nevojë për krijimin e një depozitari qendror që do të merret me shlyerjen e të gjithë letrave me vlerë të tregtuara” thuhet në dokument.

Këto vlerësime mbi tregun e kapitaleve u dhanë në raportin e fundit të Bankës Botërore që bënte një diagnozë të financimit për përballimin e dëmit nga katastrofat./N.Maho

Burimi: Revista Monitor