Banka e Shqipërisë do të krijojë bazë të dhënash për titujt e bankave

Së shpejti, Banka e Shqipërisë do të ndërtojë një bazë të dhënash për titujt e mbajtur nga bankat dhe institucionet e tjera kredituese.

Sipas Bankës Qendrore, kjo do të mundësojë të dhëna më të detajuara dhe cilësore për titujt, duke thelluar ekspertizën në zbatim të objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar. Krijimi i bazës së të dhënave dhe shfrytëzimi i saj do të mbështetet në rregulloren e Bankës Qendrore Europiane mbi statistikat e titujve. Përshtatja e kësaj rregulloreje pritet të bëhet brenda vitit 2021.

Një informacion më i hollësishëm rreth titujve është i rëndësishëm, po të kemi parasysh se ato përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme në bilancin e sektorit bankar në vend. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2020, sektori bankar në Shqipëri zotëronte letra me vlerë për shumën totale të 487 miliardë lekëve ose pothuajse katër miliardë eurove. Me bazë vjetore, portofoli i titujve është zgjeruar ndjeshëm, me rreth 27%. Rritja ka ardhur sidomos për shkak të rritjes së ekspozimit të sektorit bankar ndaj qeverisë shqiptare. Në përgjithësi, bëhet fjalë për instrumente borxhi me të ardhura fikse.

Bankat jo vetëm që ngelen financueset më të mëdha të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, por ishin edhe ndër blerësit kryesorë të eurobondit të emetuar nga qeveria shqiptare në qershorin e vitit të kaluar. Aktualisht, letrat me vlerë përbëjnë më shumë se 31% të totalit të aktiveve të sektorit bankar shqiptar dhe së bashku me kredinë janë komponentët kryesorë të bilancit të tyre. Megjithatë, deri tani statistikat nuk ofrojë të dhëna të detajuara për titujt e mbajtura në bilance nga bankat tregtare në Shqipëri. Një informacion i tillë do të ishte shumë i rëndësishëm në radhë të parë për autoritetin mbikëqyrës, për të pasur një informacion të detajuar dhe periodik rreth llojit dhe strukturës së ekspozimit, shkallës së rrezikut, emetuesve të titujve, etj.

Krijimi i bazës së të dhënave për titujt do të pasojë përmirësimet që Banka e Shqipërisë ka bërë në Regjistrin e Kredive, pas rregullores së re të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar. Regjistri i Kredive do të përditësohet brenda vitit 2021. Informacioni i grumbulluar për qëllime mbikëqyrëse e statistikore do të standardizohet, në funksion të politikave makroprudenciale, operacioneve monetare dhe procesit kërkimor në Bankën e Shqipërisë. Edhe në këtë rast do të implementohet rregullorja e Bankës Qendrore Europiane për mbledhjen e të dhënave të detajuara për kredinë dhe rrezikun e kredisë, që do të jetë në funksion të kërkesave të reja raportuese nga sistemi bankar për Regjistrin e Kredive dhe ndërtimit të një bazë të dhënash për kreditë ndaj personave fizikë dhe juridikë. /E.Shehu

Burimi: Revista Monitor