Qeveria e ka shpenzuar pjesën më të madhe të eurobondit të qershorit, shlyhet ai i vitit 2015

Shqipëria ka shlyer gjatë muajit nëntor 250 milionë euro të eurobondit të vitit 2015 dhe që maturohej këtë vit, ashtu siç ishte parashikuar. Në fund të muajit nëntor, gjendja e likuiditetit në valutë e qeverisë shqiptare është pakësuar ndjeshëm dhe ndikimin kryesor e ka dhënë pikërisht shlyerja e pjesës së mbetur nga eurobondi i vitit 2015.

Në nëntor të vitit 2015, Shqipëria emetoi një Eurobond me maturim 5-vjeçar, për një shumë totale prej 450 milionë eurosh, me një kupon prej 5.75%. Prej tyre, 200 milionë ishin shlyer nëpërmjet eurobondit të mëparshëm, emetuar në vitin 2018, ndërsa diferenca u shlye muajin e kaluar, me fondet e eurobondit të siguruar në qershor të këtij viti.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka shfrytëzuar gjendjen e mirë të likuiditetit në tregjet e huaja për të siguruar financime me norma interesi në rënie. Vende si Shqipëria kanë shfrytëzuar oreksin e investitorëve ndërkombëtarë për kthime më të larta, në kushtet kur letrat e borxhit sovran të shteteve më të zhvilluara kanë zbritur pranë zeros. Në qershor të këtij viti, Shqipëria siguroi me sukses një Eurobond 7-vjeçar prej 650 milionë eurosh me një kupon prej 3.5%. Ky çmim mund të jetë i kënaqshëm për Shqipërinë, por edhe për investitorët, në kushtet kur alternativat për të siguruar kthime të mira në tregjet financiare janë të pakta.

Gradualisht, qeveria shqiptare po e shpenzon tepricën e likuiditetit në valutë të krijuar në muajin qershor. Në fund të nëntorit, likuiditeti në valutë i mbajtur në llogarinë e Bankës së Shqipërisë ra në shumën e barasvlershme të 25 miliardë lekëve, rreth 42.6 miliardë lekë më pak krahasuar me muajin tetor. Pjesa më e madhe shkuan për shlyerjen e eurobondit (rreth 31 miliardë lekë), ndërsa diferenca është shpenzuar për të mbuluar deficitin në rritje të buxhetit të shtetit. Mbulimi i deficitit me paratë e eurobondit uli kërkesën për huamarrje të brendshme dhe ndihmoi në ruajtjen e interesave të qëndrueshme në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë. Këto fonde krijuan gjithashtu një shtesë të ofertës për euro në tregun valutor dhe ndikuan në stabilitetin e kursit të këmbimit mes euros dhe lekut.

Në muajin nëntor, deficiti buxhetor u zgjerua me 7 miliardë lekë të tjera dhe arriti vlerën rekord të 73 miliardë lekëve. Pjesa më e madhe e deficitit prej 35 miliardë lekësh të krijuar në periudhën qershor-nëntor u mbulua pikërisht përmes fondeve të eurobondit.

Nga 650 milionë euro hua të siguruara nga eurobondi i qershorit, 400 milionë euro kishin qëllim të përdoreshin pikërisht për mbështetje buxhetore, me qëllim mbulimin e deficitit buxhetor. Pandemia krijoi një thellim drastik të deficitit buxhetor, sidomos për shkak të të ardhurave të munguara. Në 11 muajt e këtij viti, qeveria shqiptare arkëtoi rreth 310 milionë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./E.Shehu

Burimi: MONITOR