Rezerva valutore mund të investohet edhe në instrumente të reja financiare

Banka e Shqipërisë parashikon të investojë rezervën valutore dhe në instrumente të reja financiare.

Sipas strategjisë afatmesme të zhvillimit 2021-2023, Banka e Shqipërisë planifikon që të shtojë gamën e instrumenteve ku kjo rezervë investohet, si për shembull tituj borxhi të mbuluar me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme, obligacione të lidhura me normën e inflacionit apo kontrata të së ardhmes.

Qëllimi i Bankës së Shqipërisë është diversifikimi i strukturës së investimit të rezervës, por edhe sigurimi i të ardhurave më të larta nga rezerva valutore, në një periudhë kur normat e interesit ngelen në nivelet më të ulëta historike.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se realizimi i objektivit të investimit në instrumente të reja do të kërkojë vijueshmërinë e trajnimit të personelit dhe shkëmbimin e përvojës me institucionet homologe dhe bankat tregtare partnere, si edhe rritjen e kapaciteteve të sistemeve aktuale, ose blerjen e një sistemi të ri, për të mbështetur zgjerimin e klasave të instrumenteve ku rezerva investohet. Aktualisht, rezerva valutore konsiston në pjesën dërrmuese në depozita dhe instrumente borxhi me rrezik të ulët. Një pjesë më e vogël konsiston në ar dhe të drejta tërheqjeje në Fondin Monetar Ndërkombëtar (SDR).

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, rezerva valutore e vendit arriti në 3.87 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 17.2%. Në vlerë absolulte, në harkun e një viti rezerva valutore është zgjeruar me 568 milionë euro. Që nga fundi i vitit 2013, rezerva valutore e Shqipërisë është rritur me rreth 93%.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit. Një shembull i tillë ishte ndërhyrja në fund të Marsit 2020, kur Banka e Shqipërisë shiti mbi 20 milionë euro nga rezervat e saj për të frenuar nënçmimin e shpejtë të lekut në kursin e këmbimit me monedhën europiane.

Sipas Bankës së Shqipërisë, objektivit strategjik i mbajtjes së rezervës valutore përkthehet në sigurimin e një niveli rezervash të mjaftueshëm për të mbuluar të paktën 4 muaj importe dhe në vlerën e 100% të borxhit afatshkurtër të vendit. Banka e Shqipërisë në fund të vitit 2020 publikoi programin e ankandeve për blerje valute në funksion të objektivit të rritjes së rezervës së saj valutore për vitin 2021. Gjatë këtij viti janë parashikuar të organizohen 14 ankande me shumë të shpallur 4-6 milionë euro secili./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor