Më datë 16.05.2019, në ambientet e Bursës Shqiptare të Titujve ALSE u organizua leksion i hapur me temë “Tregu Financiar dhe Bursa Shqiptare e Titujve”. Në këtë event morën pjesë përfaqësues të stafit akademik dhe studentë të programit master të Universitetit Marin Barleti. Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE Z. Artan Gjergji bëri një përmbledhje të tregut financiar në vend dhe më pas shpjegoj më gjërësisht rreth tregut të kapitaleve dhe më në detaje rreth Bursës ALSE.

Më tej pjesmarrësit e këtij leksioni u njohën me infrastrukturën që bën të mundur procesin e përputhjes së kërkesës me ofertën për tituj. Specialistja e mbikëqyrjes dhe menaxhimit të riskut Znj. Erinda Fiku i prezantoi sistemin Elektronik të Tregtimit (ETS), platform që  mundëson tregtimet në bursë. Studentët patën një reagim pro-aktiv me pyetje praktike lidhur me rastet e ekzekutimit të transaktioneve, mundësive për abuzim me tregun dhe masave që merr Bursa ALSE për të parandaluar situata të tilla dhe garantuar një treg të shëndetshëm dhe transaparent.

Pas vonesave të vazhdueshme qeveria ka miratuar më në fund vendimin e fundit që mbante pezull krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë. Në një dalje para mediave ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh se vendimi i miratuar në 15 maj i hap rrugë një tjetër hallke të rëndësishme të sektorit që plotëson atë që u nis pak vite më parë me modelin e ri të tregut.

“Bursa si instrumenti më i rëndësishëm i këtij tregu do të operojë dhe organizohet në bazë të një platforme elektronike të tregut në avancë  “day ahead” dhe të  së njëjtës ditë “intra day”.  Krijimi i bursë së energjisë shënon një standard të ri të operimit dhe transparencës së  këtij sektori dhe do të jetë një nxitje për hapjen dhe derregullimin e  tregut të energjisë që në vetvete do inkurajojë instalimin e burimeve të reja elektroenergjetike në vend, rritjen e sigurisë së  energjisë elektrike dhe integrtimin rajonal dhe më gjerë të këtij tregu, rritjen e investimeve dhe standarde të reja  përgjegjësie judirike dhe tregtare. Operatori i ri në treg Bursa Shqiptare e Energjisë do të operojë në fushën e shkëmbimit të energjisë në formën e një  shoqërie aksionere të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga OST sha. Ky operator ka për synim mbulimin rajonal të energjisë eklektike dhe mirëpret pjesëmarrje në kapital të atyre operatorëve të sistemit të  transmetimit të vendeve me të cilat Shqipëria ka memoranume mirëkuptimi dhe aktivitet tregtar të qëndrushëm. Kjo vihet re edhe tek kriteret përzgjedhëse të aksionerëve të mundshëm” sqaroi Balluku.

Ajo nënvizoi se vendimi i qeverisë sanksionon se shoqëria e cila do të operojë bursën e energjisë do të themelohet ng OST. “Do të nisë më pas dhe procesi i  pjesëmarrjes në bursë në cilësinë e aksioneve edhe i operatorëve të tjerë OST që operojnë në vende të Bashkimit Europian ose vende të tjera të komunitetit të energjisë, subjekte të tjera të tregut të energjisë elektrike që operojnë në BE ose në vende anëtare  të BE ose në Komunitetin e Energjisë, subjekteve juridike që kanë përvojë në operimin e  tregut të shkëmbimit të energjisë elektrike në bazë të rregullave të ngjashme me modelin e tregut në Shqipëri. Hapja e bursës ndaj gjithë operatorëve të tregut si dhe  qasja në krijimin e saj do të sigurojë funksionim të shpejtë të tregut, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve shqiptarë, transparencë financiare në sektor si dhe përmbushjen e angazhimeve të  ndërmarra kundrejt komunitetit europian” tha Balluku.

Revista Monitor

Fondet e investimit që gjatë vitit 2018 patën një tkurrje si në numër anëtarësh edhe në vlerën e aseteve neto kanë nisur sërish rritjen në fillim të 2019. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në 31.03.2019, vlera neto e aseteve të Fondeve, arriti rreth 69.48 miliardë lekë me një rritje prej 2.47 miliardë lekë ose 3.68%, krahasuar me 31.12.2018. E shprehur në euro, totali i aseteve neto është 554 milionë euro.

“Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 64.25% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 5.41% krahasuar me 31.12.2019.

Numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit më 31.03.2019 është 30,226 me një rritje prej 2.74% krahasuar me 31.12.2018” vlerëson AMF.

Aktualisht në vend ushtrojnë aktivitetin pesë fonde investimi. Fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro”, fondi i investimeve “Raiffeisen Vizion” të cilat administrohen nga shoqëria “Raiffeisen Invest”, fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest” dhe fondi “WVP Top Invest” e cila administrohet nga shoqëria “ËVP Fund Management Tirana sh.a”.

Viti 2019 sipas përfaqësuesve të fondeve pritet që të jetë një vit me ecui pozitive dhe rritje të vlerës së aseteve neto dhe anëtarëve. Rënia e vitit të shkuar sipas tyre shpjegohet me faktin që një pjesë e mirë e investimeve u maturuan dhe shumë prej investitorët zgjodhën që ti kapitalizonin ato ndërkohë që edhe rënia e interesave ishte një shtysë më shumë për të tërhequr investimet për t’i aktivizuar ato në një moment të dytë kur të kishte interesa më të larta.

Revista Monitor

Në vijim të punës për plotësimin e kuadrit rregullativ, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE publikon rregullore dhe udhëzues që kanë hyrë automatikisht në fuqi sipas vendimit datë 24.04.2018, Nr. 80 “ Për miratimin e shtesës dhe disa ndryshimeve në Rregulloren Nr.120 datë 02.10.2010 “Për licensimin dhe mbikëqyrjen e Bursës së Titujve”, e ndryshuar të Bordit të Autoritetit të Mikëqyrjes Financiare.

Në këto rregullore dhe udhëzues përfshihen:

  1. Rregullorja e Kodifikimit (i ndryshuar) – Kjo rregullore përcakton mënyrën e kodifikimit (identifikimit) në bursë të emetuesve, anëtarëve, titujve si dhe pjesmarrësve të tjerë të tregut;

(Për më shumë klikoni këtu)

  1. Udhëzuesi mbi mënyrën e Tregtimit, Klerimit dhe Shlyerjes së Transaksioneve në Bursë (i ndryshuar) – Ky udhëzues përcakton mënyrën e tregtimit në bursën ALSE, ditët dhe oraret e tregtimit, ciklet e tregtimit, llojet e transaksioneve, kufijtë e cmimeve si edhe mënyrën e klerimit dhe shlyerjes së titujve Qeveritarë;

(Për më shumë klikoni këtu)

  1. Udhëzuesi i procedurave mbi Dështimin e Shlyerjes së Transaksioneve në ALSE – Ky udhëzues përcakton procedurat që do të ndiqën nga Bursa ALSE, kujdestarët e titujve, shoqëritë komisionere si dhe palët e tjera në lidhje me rastet e dështimit të klerimit dhe shlyerjes së transaksioneve në vlera monetare (cash) dhe/ose në tituj.

(Për më shumë klikoni këtu)

Gjithashtu kanë hyrë në fuqi edhe Rregullorja e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit së bashku me Rregulloren e Informacionit Konfidencial në Bursën ALSE.

Gjatë datës 14.05.2019 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion ne 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua gjatë orarit zyrtar të Bursës (on-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Bono Thesari 12 Mujore;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 30,000 njësi Bono Thesari;
  • Vlera e tregtimit në Bono Thesari 12 Mujore ishte 299,370,000 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 14.05.2019 klikoni këtu

Shkëputja e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë nga banka mëmë në Shqipëri ka sjellë ndryshime domethënëse në shifrat e sistemit bankar shqiptar gjatë tremujorit të parë të vitit.

Totali i aktiveve ka rënë, përfshi këtu totalin e huasë bankare për ekonominë. Por, njëkohësisht, ndarja ka sjellë edhe uljen e portofolit të kredisë jorezidente, rënien e pjesës së tregut të brendshëm të BKT-së dhe një përqendrim më të ulët të tregut te bankat më të mëdha.

Dega e BKT-së në Kosovë nisi aktivitetin si bankë më vete që nga 1 janari i këtij viti, pasi ishte rritur në përmasa të tilla që nuk e lejonin më të vepronte si degë e bankës shqiptare. Rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës përcaktojnë që subjektet të cilat arrijnë në 10% pjesë tregu duhet të veprojnë si banka të pavarura.

Shkëputja e degës së Kosovës e ka ri dimensionuar disi bilancin individual të BKT-së në Shqipëri, duke sjellë një ulje të totalit të aktiveve me 43 miliardë lekë. Kjo është reflektuar edhe në shifrat sistemike. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars totali i aktiveve të sistemit bankar shqiptar ra në

1427 miliardë lekë, me një rënie prej 1.8% që nga fillimi i vitit. Ndërkohë, totali i aktiveve jo rezidente ra me afërsisht 11% ose 41 miliardë lekë, afërsisht në përmasën BKT-Kosovë. Në totalin e kredisë, efekti i ndarjes së BKT-së ka qenë më i kufizuar, për shkak të rritjes së kënaqshme të huadhënies në tremujorin e parë të vitit. Në fund të marsit, huaja për ekonominë shqiptare zbriti në 523 miliardë lekë, 2.8% më pak krahasuar me fundin e vitit 2018.

Ndarja në fjalë ka sjellë edhe një ulje të përqendrimit të sistemit bankar në tre bankat më të mëdha. Pjesa e tyre e ndaj totalit të aktiveve ka zbritur në 57.2%, nga 58.4% që ishte në fund të vitit të kaluar. Ndërsa pesha ndaj totalit të depozitave ka rënë edhe më shumë në 45.5%, nga 47.2% që kishte qenë në fund të dhjetorit.

Ersuin Shehu/SCAN

 

Banka e Shqipërisë vlerëson se viti 2018 ishte një vit progresi për ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar. Aktiviteti ekonomik dhe punësimi vijuan të zgjerohen, pagat dhe presionet e brendshme inflacioniste erdhën në rritje, treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar shënuan përmirësim, dhe një sërë treguesish të balancave të brendshme dhe të jashtme ekonomike erdhën drejt forcimit, tha sot guvernatori Gent Sejko në kuvend ku raportoi zhvillimet në poltikën monetare për vitin 2018.

Duke ju referuar të dhënave të iNSTAT Sejko tha se, ritmi i rritjes ekonomike u përshpejtua në 4.1% gjatë vitit 2018. Rritja ekonomike pati bazë të gjerë. Ajo pasqyroi kontribute pozitive nga zgjerimi i konsumit familjar, investimeve të biznesit dhe eksporteve.

Po sipas të dhënave të iNSTAT-it, punësimi në ekonomi u rrit me 1.6% gjatë vitit të shkuar, ndërsa norma e papunësisë në fund të vitit u ul në nivelin 12.3%, nga 13.4% një vit më parë.

Pozicioni i jashtëm i ekonomisë u përmirësua: deficiti i llogarisë korrente zbriti në 6.7% të PBB-së gjatë vitit 2018, ndërsa treguesit e qëndrueshmërisë së borxhit të jashtëm u forcuan.

Deficiti buxhetor dhe borxhi publik vijuan të shënojnë një tendencë rënëse, duke pasqyruar si kursin konsolidues të politikës fiskale, ashtu dhe rritjen ekonomike e forcimin e kursit të këmbimit.

Treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar, e në veçanti ai i likuiditetit, i përfitueshmërisë dhe i kapitalizimit, mbetën në nivele të kënaqshme.

Guvernatori tha se, kjo dinamikë zhvillimesh pasqyron, në një masë jo të vogël, efektin e politikave, masave dhe instrumenteve, të adoptuara në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë. Në vijim të fjalës time do të ndalem më në detaje në masat e marra nga Banka e Shqipërisë në drejtim të politikës monetare, të rregullimit e të mbikëqyrjes bankare, si dhe të zhvillimit të tregut financiar.

Me gjithë ecurinë pozitive të ekonomisë, inflacioni i vitit 2018 rezultoi mesatarisht 2.0%, duke mbetur në nivel të njëjtë me vitin paraardhës dhe poshtë objektivit tonë prej 3%. Ecuria e inflacionit pasqyroi veprimin e dy efekteve me kahe të kundërta: rritja e presioneve të brendshme inflacioniste, e gjeneruar nga rritja e punësimit, pagave dhe kostove të prodhimit, u neutralizua nga mbiçmimi i shpejtë i monedhës vendase.

Përtej faktorëve fondamentalë, ky mbiçmim pasqyroi efektin e goditjeve specifike, të cilat sollën zhbalancimin e përkohshëm të kërkesës dhe ofertës për valutë, dhe ndikuan në ndryshimin e sjelljes së disa operatorëve të ekonomisë. Ato iniciuan një spirale të shpejtë forcimi të kursit të këmbimit të lekut në tremujorin e dytë dhe u shoqëruan me çrregullim të funksionimit të tregut të brendshëm valutor.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se ritmi i shpejtë i forcimit të kursit rrezikonte përmbushjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm. Rrjedhimisht, në përputhje të plotë me objektivin e stabilitetit të çmimeve dhe pa cenuar regjimin e lirë të kursit të këmbimit, në muajin qershor, Këshilli vendosi:

Reduktimin e normës bazë të interesit, nga niveli 1.25% në nivelin 1.00%, duke synuar lehtësimin e mëtejshëm të kushteve monetare në ekonomi; dhe,

Fillimin e një programi blerjesh valute, me synim frenimin e ritmit të forcimit të kursit të këmbimit dhe krijimin e premisave për një aktivitet normal tregtimi në tregun e brendshëm valutor. Ky program, i përqendruar në periudhën e verës, ishte një instrument i përkohshëm dhe i jashtëzakonshëm i politikës monetare. Me përmbushjen e objektivave, Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë më në treg dhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit ka pasqyruar ekuilibrin e tregut.

Politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka rezultuar e suksesshme në nxitjen e rritjes ekonomike, në shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese dhe në rritjen e presioneve inflacioniste në ekonomi. Përcjellja e stimulit monetar vërehet në disa drejtime.

  • Së pari, stimuli monetar ka ndihmuar zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, nëpërmjet uljes së kostove të financimit dhe nxitjes së kreditimit. Kredia në lekë për sektorin privat u rrit mesatarisht me 6.7% gjatë vitit 2018.
  • Së dyti, politika monetare lehtësuese ka sjellë uljen e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues, duke lehtësuar bilancet e bizneseve dhe familjeve kredimarrëse dhe duke inkurajuar më tej zgjerimin e kërkesës agregate.
  • Së treti, politika monetare lehtësuese ka mbështetur stabilitetin financiar të vendit, nëpërmjet përmirësimit të aftësisë paguese të sektorit privat dhe inkurajimit të ristrukturimit të kredive.

Në këtë mënyrë, masat e politikës monetare të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë kanë kontribuuar në nxitjen e rritjes ekonomike. Vlerësimet tona sugjerojnë se politika monetare lehtësuese ka kontribuar pozitivisht, mesatarisht me 0.5 pikë përqindje, në rritjen ekonomike të dy viteve të fundit. Gjithashtu, kursi stimulues i politikës monetare ka kontribuar në qëndrueshmërinë e monedhës vendase. Të dy këto kanale transmetimi, kanë ndihmuar e do të vijojnë të ndihmojnë stabilitetin e çmimeve në vend.

Stabiliteti bankar i qëndrueshëm

Veprimtaria e sektorit bankar gjatë vitit 2018 u paraqit e qëndrueshme dhe me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare. Rezultati financiar i sistemit ishte pozitiv: norma e kthimit nga aktivet (RoA) rezultoi në nivelin 1.3% dhe norma e kthimit nga kapitali (RoE) arriti në nivelin 13%. Po ashtu, nivelet e kapitalizimit dhe të likuiditetit rezultuan mbi kërkesat rregullatore përkatëse.

Banka e Shqipërisë vlerëson se aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet është e lartë. Rreziku i kredisë vijon të përfaqësojë rrezikun kryesor të aktivitetit të sektorit bankar, por cilësia e kredisë është rritur në krahasim me një vit më parë. Në fund të vitit 2018, raporti i kredive me probleme shënoi 11.1% nga 13.2% një vit më parë, ndërkohë që teprica e kredive me probleme u zvogëlua me 20%.

Gjatë vitit 2018 kanë ndodhur disa ndryshime strukturore të pronësisë në sistemin bankar, të cilat e çuan numrin e bankave në sistem në 14 në fund të vitit. Duke faktorizuar dhe ndryshimet e pronësisë të ndodhura në vitin 2019, ky numër është aktualisht 12. Banka e Shqipërisë vlerëson se konsolidimi i sistemit bankar është një zhvillim i mirëpritur, i cili do të sjellë gjallërimin e aktivitetit, do të rrisë eficiencën e industrisë bankare, si dhe do të mbështesë politika zhvilluese dhe inovative kreditimi e pagesash.

Drejtimet kryesore të punës për ruajtjen e stabilitetit financiar kanë qenë: forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit bankar, rritja e rezistencës së tij në përballimin e goditjeve, si dhe adoptimi i standardeve ndërkombëtare në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullimit. Më konkretisht:

Banka e Shqipërisë ka punuar për përmbushjen e detyrimeve të saj në kuadër të planit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme. Në funksion të këtij qëllimi, ne: (i) kemi hartuar projektrregulloren për adresimin jashtëgjyqësor të kredimarrësve; (ii) kemi shtrirë kërkesat për përdorimin e pasqyrave financiare zyrtare në vlerësimin e rrezikut të kredisë për të gjitha kategoritë e huamarrësve; (iii) kemi marrë masa për përmirësimin e Regjistrit të Kredive; si dhe, (iv) kemi nisur punën për harmonizimin e raportimit të kredive në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa konkrete për inkurajimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin tonë financiar, si dhe ka vijuar punën për zhvillimin e instrumenteve të politikës makro-prudenciale dhe për ndërtimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm të rreziqeve sistemike.

Një vëmendje të madhe ka marrë mbikëqyrja e zbatimit të masave për parandalimin e pastrimit të parave, e kryer në bashkëpunim me DPPPP. Në raportin përfundimtar të vlerësimit të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL), subjektet financiare u vlerësuan në nivelin “substantial” (i konsiderueshëm) të efektivitetit. Veçanërisht, bankat paraqesin një njohje të mirë të detyrimeve të tyre ligjore dhe të rreziqeve, si dhe kanë marrë përgjithësisht masat e duhura, në raport të drejtë me nivelin e rrezikut. Procesi i vlerësimit u shoqërua me një plan masash për adresimin e problematikave kryesore, përmbushja e të cilave do të vijojë dhe gjatë vitit 2019.

Në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë ka hartuar kuadrin rregullator dhe procedural për planifikimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, si dhe ka filluar hartimin e planeve individuale të ndërhyrjes. Gjithashtu, gjatë vitit 2018, është themeluar Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe është ngritur procedura për administrimin e tij.

Në mbyllje, gjej me vend të theksoj dhe një herë se ruajtja e stabilitetit financiar është detyrë e përgjegjësi jo vetëm e Bankës së Shqipërisë, por edhe e agjencive të tjera rregullatore dhe e qeverisë shqiptare. Politikat dhe masat për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe forcimin e rezistencës së sistemit bankar, kërkojnë vijimin e përpjekjeve të koordinuara, ndërinstitucionale dhe multidimensionale.

Tregjet financiare dhe sistemet e pagesave

Në përmbushje të detyrave dhe angazhimeve të saj, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për nxitjen e zhvillimit të tregut financiar dhe për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave.

Më konkretisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ka vijuar me sukses projekti për nxitjen e përmirësimit të tregut primar dhe sekondar të letrave me vlerë të qeverisë. Ky projekt synon t’i hapë rrugë thellimit të tregut financiar, zgjerimit dhe diversifikimit të bazës së investitorëve në borxhin qeveritar, si dhe uljes së kostos së tij në afatin e gjatë.

Po ashtu, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë garantimit të sigurisë dhe efikasitetit të infrastrukturës bazë të pagesave në lekë, si nëpërmjet rolit të saj si operator i sistemit, ashtu edhe nëpërmjet rolit si mbikëqyrës dhe katalizator. Një nga arritjet kryesore në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor është finalizimi i projektligjit “Për shërbimet e pagesave”, i cili realizon transpozimin e direktivës përkatëse të Bashkimit Evropian (PSD2). Miratimi dhe zbatimi i tij pritet të nxisë konkurrencën dhe inovacionin në fushën e pagesave me vlerë të vogël, të ulë kostot, të rrisë transparencën e këtyre shërbimeve, si dhe të ofrojë një kuadër për mbrojtjen e konsumatorit.

Paralelisht me të, Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave, i cili kryesohet nga Banka e Shqipërisë dhe mbledh aktorë publikë e privatë me interesa në fushën e pagesave, miratoi Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Shqipëri për periudhën 2018-2023. Qëllimi i strategjisë është përmirësimi i tregut të pagesave me vlerë të vogël, nxitja e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave dhe zgjerimi i përfshirjes financiare të popullsisë.

Revista Monitor

Sot më datë 08.05.2019, në ambientet e Universitetit “Metropolitan Tirana” u organizua leksion i hapur me temë “Tregjet Financiare dhe Bursa Shqiptare e Titujve”. Në këtë event morën pjesë anëtarë të stafit akademik dhe shkencor universitar si dhe studentë të Fakultetit Ekonomik pranë këtij universiteti.
Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, z. Artan Gjergji bëri një përmbledhje makro të zhvillimeve më të fundit në tregun financiar në vend, si dhe u fokusua tek premisat e zhvillimit të tregut të kapitaleve dhe bursës së titujve. Pjesmarrësit ishin të interesuar rreth tregtimeve të bursës gjatë vitit si dhe rreth shoqërive komisionere si pjesmarrës në bursë.
Pas përfundimit të leksionit u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim midis z. Artan Gjergji dhe presidentit të universiteti z. Arjan Çukaj. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të sjellë bashkëpunimin midis dy institucioneve lidhur me edukimin e studentëve rreth tregjeve të kapitalit.

Tregu i pensioneve private vullnetare ka përvijuar tendenca të shpejta rritje nga viti në vit, si në drejtim të rritjes së numrit të anëtarëve pjesëmarrës në fondet e pensionit, ashtu edhe për vlerën e aseteve neto në administrim të fondeve të pensioneve.

Rritja e numrit të anëtarëve është trefishuar në krahasim me fillimet në vitin 2011. Por rritja më e ndjeshme shihet pas vitit 2014. Në fund të vitit 2018 numri i anëtarëve pjesëmarrës në fondet e pensionit është 25,298 pothuajse i trefishuar krahasuar me vitin 2014.  Kjo tendencë rritje e pjesëmarrjes në fondet e pensioneve tregon një ndërgjegjësim më të lartë të publikut për potencialin që ofron ky treg.

Paralelisht me këto ritme të larta rritje ka ecur edhe volumi i aseteve neto nën administrim. Analiza e të dhënave tregon edhe rritjen e totalit të aseteve neto të fondeve të pensionit. Vlera e aseteve neto ishte 2,289 milionë lekë në fund të vitit 2018 duke treguar një rritje prej 264% krahasuar me fundin e vitit 2014.

Grafikët më poshtë pasqyrojnë rritjen e numrit të anëtarëve dhe aseteve neto të Fondeve të pensioneve gjatë periudhës 2011-2018.

 

Gjatë datës 07.05.2019 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua gjatë orarit zyrtar të Bursës (on-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Obligacion Thesari 10 Vjecar;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 3 njësi Obligacione Thesari;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 10 Vjecar ishte 347,730 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 07.05.2019 klikoni këtu

Lëvizje te postimet