Gjatë datës 02.04.2019 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion ne 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Obligacion Thesari 3 Vjecar;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 98 njësi Obligacione Thesari;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 3 Vjecar ishte 9,951,900 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 02.04.2019 klikoni këtu

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka dërguar për konsultim publik projektligjin “Për tregjet e kapitalit” dhe projektligjin “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

Projektligjet reflektojnë praktikat më të mira evropiane dhe janë bazuar në legjislacionin dhe standardet e BE-së, konkretisht Direktivën MiFID II, Direktivën UCITS dhe Direktivën e AIFM. Hartimi i projekltligjeve i shërben objektivit të Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Projektligjet janë hartuar në kuadër të Projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi në Zhvillimin e Tregut të Kapitalit”, i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe mbështetur nga Banka Botërore.

Burimi: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE njofton publikun dhe subjektet e interesuara se për shkak të procesit të transformimit të kapitalit dhe ndryshimit të strukturës së aksionerëve, ICB Bank dhe Tirana Bank kanë vendosur të mos rinovojnë anëtarësimin në ALSE deri në momentin që aksionerët e rinj do të përcaktojnë objektivat e zhvillimit të këtyre institucioneve në tregun vendas.

ICB Bank u anëtarësua pranë Bursës ALSE në 15.01.2018 për të ushtruar aktivitietin si shoqëri komisionere që operon për llogari të vet, ndërsa Tirana Bank u anëtarësua pranë Bursës ALSE në 23.03.2018 për të ushtruar aktivitetin si shoqëri komisionere që operon për llogari të vet dhe të klientëve të saj.

Më herët, në Dhjetor të vitit 2018 të dy këto institucione kishin kërkuar një periudhë zgjatje të anëtarësimit pranë Bursës ALSE pa marrë përsipër angazhimet financiare dhe juridike që sjell ky proces, deri në ndyrshimin e strukturës së tyre aksionere. Me vendimin e tij nr. 28, datë 26.12.2018, Këshilli Mbikëqyrës i ALSE kishte zgjatur anëtarësimin e tyre deri më datën 31.03.2019, për t’u dhënë mundësinë këtyre subjekteve të akomodojnë politikat zhvillimore të aksionerëve të rinj.

Duke filluar që nga 01.04.2019, subjektet ICB Bank dhe Tirana Bank nuk janë më anëtarë të Bursës Shqiptare të Titujve ALSE.

Për më shumë informacion në lidhje me anëtarët e ALSE klikoni këtu

Banka e Shqipërisë hapi të hënën aktivitetet në kuadrin e Javës së Parasë. Për të gjashtin vit radhazi, kjo javë do t’iu dedikohet aktiviteteve që synojnë të promovojnë edukimin financiar, sidomos te fëmijët dhe tek të rinjtë.

Zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, tha se këtë vit aktivitetet do të përqendrohen sidomos te shmangia e përdorimit të gabuar në gjuhën e përditshme të termave “lek i vjetër” dhe “lek i ri”. Në përfundim të aktivitetit, u shpërndanë edhe çmimet e konkurseve të organizuar me nxënësit e shkollave, çmime të sponsorizuara nga bankat tregtare.

Java e Parasë synon të jetë është një festë mbarë botërore e ndërtuar për të frymëzuar fëmijët dhe të rinjtë për të mësuar rreth çështjeve të parasë, mjeteve të jetesës dhe sipërmarrjes. Këtë vit, java e parasë do të shtrihet në 169 vende të botës dhe do të përfshijë mbi 32 milionë fëmijë dhe të rinj.

Ersuin Shehu/SCAN

Rënia e interesave të bonove të thesarit ka prekur një rekord të ri këtë javë. Sipas  Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i ponderuar për bonot 12-mujore zbriti në 1.12%, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kërkesa e investitorëve për të blerë bono edhe këtë herë ishte më e lartë se shuma prej 9 miliardë lekësh e ofruar nga qeveria shqiptare.

Që nga viti i kaluar, raportet mes kërkesës dhe ofertës në tregun e letrave të borxhi qeveritar sollën një tendencë të vazhdueshme në rënie të interesave. Likuiditeti i lartë në sistemin financiar bëri që kërkesa për bono dhe obligacione të jetë e lartë. Ndërkohë, qeveria e uli ndjeshëm ofertën e këtyre letrave në treg, sidomos pas emetimit të eurobondit në muajin tetor. Kjo situatë ka bërë që interesat të zbresin në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.

Mungesa e alternativave të investimit financiar në monedhën vendase bën që shumica e investitorëve institucionalë t’i drejtohen bonove qeveritare. Madje, në tregun primar të borxhit një peshë gjithnjë e më të madhe po zënë edhe individët. Sipas Ministrisë së Financave, individët mbajnë tashmë mbi 15% të borxhit të brendshëm qeveritar. Interesat e ulëta të bonove, si normë orientuese, ndikojnë në ruajtjen e interesave të ulëta edhe në kreditimin e sektorit privat, veçanërisht për individët.

Ersuin Shehu/SCAN

Gjatë datës 20.03.2019 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE u raportuan këto të dhëna:

  • U ekzekutuan 2 transaksione ne 2 tituj;
  • Transaksionet u ekzekutuan jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksionet e ekzekutuara ishin në Obligacion Thesari 5 Vjecar dhe Obligacion Thesari 10 Vjecar;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 11 njësi Obligacione Thesari;
  • Vlera totale e tregtimit në Obligacion Thesari ishte 1,292,390 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 20.03.2019 klikoni këtu

Një ofertë e pazakontë e bankave për të blerë obligacionin 7-vjecar të qeverisë së fundmi e çoi normën e interesit në pikiate, duke rrezikuar t’i kthejë me risk investimet e bankave në këtë instrument.
Obligacioni 7- vjeçar u tregtua me 13 mars kundrejt një interesi fiks prej 3.75 %, me një rënie 1.27 pikë përqindje në raport me ankandin e mëparshëm, që u zhvillua në dhjetor të 2018-ës.
Interesi i obligacionit 7-vjecar ra nën nivelin e obligacionit 5 vjeçar (3.8%) dhe ju afrua nivelit të bondit 7 vjeçar në euro (3.55%).
Ekspertët nga bankat tregtare në vend shpjegojnë se shkak për këtë rënie drastike të interesit u bë oferta e pazakonte e bankave.
Qeveria kërkoi të financohej nëpërmjet obligacionit 7 vjeçar me 3 miliardë lekë, teksa bankat ofruan 8.1 miliardë lekë, me një raport mbulimi 2.7. Raportimi i mbulimit ishte mbi 2 edhe në dhjetor 2018 për të njëjtin obligacion, por në ankandet e mëparshme oferta e bankave ka qenë në nivele të ngjashme më kërkesën e qeverisë ose pak më e lartë.
Ekspertët pohojnë se nxitja e bankave për të investuar në borxhin e qeverisë lajmëron projeksionet e tyre të zymta për të kredituar ekonominë.
Drejtimet kryesore ku bankat shqiptare i investojnë kursimet e qytetarëve janë huaja për ekonominë dhe blerja e borxhit të qeverisë. Për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme dhe kërkesës së vakët të ekonomisë për kredi bankat kanë limituar huanë teksa kanë rritur interesin për të blerë borxhin e qeverisë.
Rritja e ofertës në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë ka shkaktuar uljen e interesave. Ekspertët e bankave vlerësojnë me mjaft risk blerjen e një obligacioni 7 vjeçar me interes fiks 3.75%.
Në pritje të uljes së mëtejshme te normave të interesit, bankat po nxitojnë të investojnë duke ndikuar të përshpejtojnë në uljen e mëtejshme të interesave në letrat me vlerë të qeverisë.
Sipas një analize të Ministrisë së Financave në tregun primar të titujve shtetërorë, normat e interesit për pothuajse të gjithë titujt shtetërorë kanë ndjekur një trajektore rënëse përgjatë vitit 2018. Në periudhën afatmesme parashikimet e normave të interesit flasin për një rritje graduale duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 2019.
Ministria e Financave synon të financojë borxhin e ri nga tregu i brendshëm në nivelin 20-22 miliard lekë. Përtej kësaj shume gjykohet se mund të ushtrohet presion rritës mbi normat e interesit dhe në të njëjtën kohë do të rritet më tej ekspozimin ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të likuiditetit.

REVISTA MONITOR

Sot datë 19.03.2019, në seancën e tregtimit të titujve në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE filloi zyrtarisht tregtimin anëtari i ri, Triumf Grup sh.a.

Triumf Grup është e para Shoqëri Brokerimi e licensuar nga AMF për tregtimin e letrave me vlerë të Qeverisë ne Bursë me vendimin nr. 2 datë 25.06.2009.

Më pas, Triumf Grup u anëtarësua pranë ALSE me vendimin nr. 30 datë 30.01.2019 të Këshillit Mbikëqyrës, për tregtimin e letrave me vlerë (Bono Thesari) të Qeverisë. Duke filluar nga data 19.03.2019 Triumf Grup është anëtari i pestë  i Bursës ALSE dhe tregton me të drejta të plota së bashku me Credins Bank, Bankën Amerikane të Investimeve, Bankën Ndërkombëtare Tregtare dhe Tirana Bank.

Anëtarësimi i Triumf Grup është një risi për tregun e titujve pasi është e para Shoqëri Brokerimi që ndërlidh, Firmat e Brokerimit, Kujdesarët e Titujve dhe Depozitarin e Titujve, vetëm nëpërmjet platformës së tregtimit të Bursës ALSE. Për më shumë informacion në lidhje me anëtarët e ALSE klikoni këtu

Lëvizje te postimet