Njoftim Publik – Përfundon anëtarësimi i ICB Bank dhe i Tirana Bank pranë Bursës ALSE

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE njofton publikun dhe subjektet e interesuara se për shkak të procesit të transformimit të kapitalit dhe ndryshimit të strukturës së aksionerëve, ICB Bank dhe Tirana Bank kanë vendosur të mos rinovojnë anëtarësimin në ALSE deri në momentin që aksionerët e rinj do të përcaktojnë objektivat e zhvillimit të këtyre institucioneve në tregun vendas.

ICB Bank u anëtarësua pranë Bursës ALSE në 15.01.2018 për të ushtruar aktivitietin si shoqëri komisionere që operon për llogari të vet, ndërsa Tirana Bank u anëtarësua pranë Bursës ALSE në 23.03.2018 për të ushtruar aktivitetin si shoqëri komisionere që operon për llogari të vet dhe të klientëve të saj.

Më herët, në Dhjetor të vitit 2018 të dy këto institucione kishin kërkuar një periudhë zgjatje të anëtarësimit pranë Bursës ALSE pa marrë përsipër angazhimet financiare dhe juridike që sjell ky proces, deri në ndyrshimin e strukturës së tyre aksionere. Me vendimin e tij nr. 28, datë 26.12.2018, Këshilli Mbikëqyrës i ALSE kishte zgjatur anëtarësimin e tyre deri më datën 31.03.2019, për t’u dhënë mundësinë këtyre subjekteve të akomodojnë politikat zhvillimore të aksionerëve të rinj.

Duke filluar që nga 01.04.2019, subjektet ICB Bank dhe Tirana Bank nuk janë më anëtarë të Bursës Shqiptare të Titujve ALSE.

Për më shumë informacion në lidhje me anëtarët e ALSE klikoni këtu