Pas rënies së fortë në muajin prill, yield-et e bonove të thesarit me maturim 12 mujor u rritën lehtë në ankandin e parë të majit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e të martës, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.7%, nga 1.63% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Kërkesa e investitorëve financiarë ishte sërish e lartë, me një shumë totale të paraqitur në ankand prej 14.1 miliardë lekësh, nga 9.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave. Megjithatë, prorata e ofertave konkurruese u rrit ndjeshëm në 79%, nga vetëm 23% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Në ankandin e datës 20 prill, yield-i mesatar i ponderuar pati zbritur nga 2.04% në 1.63%, i ndikuar me shumë të ngjarë nga një pjesëmarrës i rëndësishëm në ankand, ndoshta një nga bankat tregtare. Ankandi i parë i majit ka sjellë një normalizim të yield-eve, por megjithatë në thelb ato ngelen në nivele relativisht të ulëta. Bonot me maturim 12-mujor janë instrumenti me frekuencën më të madhe të emetimeve dhe ngelen instrumenti më indikativ në ecurinë e tendencave të tregut për titujt e borxhit.

Yield-et ngelen ndërkohë të ulëta edhe në bonot me me afat më të shkurtër maturimi. Në ankandin e të martës, yield-i i bonove me maturim 6-mujor ra në 1.25%, nga 1.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, që ishte mbajtur në fillim të muajit mars. Kërkesat totale arritën në 3.1 miliardë lekë, nga 1 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave.

Shëndeti i mirë i sektorit financiar dhe gjendja likuide e tregut janë faktorë përcaktues në ruajtjen e normave të ulëta të interesit në tregun primar të instrumenteve të qeverisë shqiptare.

Që nga marsi i vitit 2020, Banka e Shqipërisë e thelloi më shumë se kurrë politikën monetare lehtësuese, duke ulur normën bazë të interesit në 0.5% dhe duke iu garantuar bankave akses të pakufizuar në likuiditet. Kjo solli një zgjerim të ofertës së parasë në ekonomi dhe likuiditet të lartë në tregun financiar. Yield-et e letrave të borxhit të qeverisë qëndruan pranë niveleve më të ulëta historike dhe kjo tendencë vazhdon të mbizotërojë edhe sot. Niveli i ulët i yield-eve dëshmon një funksionim të mirë të mekanizmit të transmetimit. Në mbledhjen e fundit, të muajit mars, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka konfirmuar orientimin se politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, në funksionin të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv.

Burimi: Revista Monitor

Tirana Bank njofton emetimin e obligacioneve korporative afatgjata në vlerën 5 milionë Euro. Këto obligacione kanë një afat 7 vjeçar me një normë fikse interesi prej 3,30% në vit, të pagueshme çdo gjashtë muaj. Fondet e realizuara nga emetimi i obligacioneve do të rrisin kapitalin shtesë të Bankës, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe miratimeve nga autoritetet rregullatore.
Drejtuesja e Departamentit të Financës të Tirana Bank, Znj. Elvira Kapoli deklaroi:

“Me kënaqësi njoftojmë emetimin me sukses, për herë të parë, të obligacioneve korporative të Bankës sonë. Ky emetim u prit shumë mirë nga komuniteti i investitorëve dhe u finalizua me kushte të favorshme, duke konfirmuar situatën e konsoliduar financiare të Bankës sonë dhe besnikërinë e klientëve tanë. Vizioni ynë është që të rrisim mbështetjen financiare për klientët tanë dhe për ekonominë lokale, si dhe të implementojmë strategjinë tonë të rritjes së qëndrueshme të aktivitetit.”

Ky obligacion përfaqëson një nga emetimet më të mëdha, në kuadër të një transaksioni të vetëm, të këtij lloj instrumenti në tregun lokal, i nënshkruar plotësisht nga klientë individë dhe klientë premium. Kërkesa ishte më e madhe krahasuar me ofertën fillestare të këtij obligacioni, që konfirmon nivelin e lartë të besimit të investitorëve tek Tirana Bank dhe Grupi Balfin për të ndërmarrë investime afatgjata, madje edhe në këto kohë plot sfida.

Burimi: Marrë me shkurtime nga Revista Monitor

Gjatë datës 04.05.2021 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutuan 2 transaksione në 1 titull;
  • Transaksionet u ekzekutuan jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksionet e ekzekutuara ishin në Obligacion Thesari 5 Vjecar në LEK;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 125 njësi Obligacion Thesari 5 Vjecar në LEK;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 5 Vjecar ishte 12,717,500 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 04.05.2021 klikoni këtu

Shërbimi i borxhit këtë vit u vu nën presion prej stokut të lartë dhe rritjes së interesave në tregun e brendshëm për instrumentet afatshkurtra.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në tremujorin e parë të vitit normat e interesit u rriten për bonot e thesarit te të gjitha maturimeve dhe obligacioneve dy dhe tre vjeçare në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Rritja më e madhe e normës së interesit u vu re në obligacionet dyvjeçare, të cilat u maturuan gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 me një interes mesatarisht 0.37 pikë përqindje më e lartë se e njëjta periudhe e një viti më parë.

Rritja ishte e ngjashme edhe për obligacionet tre vjeçare. Gjatë janar-mars 2021 ato u emetuan me një normë interesi mesatare 3.04 për qind, e cila ishte 0.36 pikë përqindje më lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Bonot e thesarit 12 mujore u emetuan me një normë interesi 0.18 pikë përqindje më të lartë se e njëjta periudhe e vitit 2020 dhe ato me maturim 6 mujor me një normë interesi 0.34 pikë përqindje më të lartë se tremujori i parë 2020. Rritja ishte më e lehtë për maturimin tremujor me vetëm 1.16 pikë përqindje. Ky instrument nisi riemetimin gjatë vitit të kaluar pas disa vitesh mospërdorimi, për shkak të nevojave që gjeneroi për likuiditet kriza pandemike.

Rritja e interesave në tregun e brendshëm këtë vit u nxit nga financimi i deficitit buxhetor me të brendshëm.

Financimi i deficitit nga burimet e brendshme ishte në vlerën e 17 miliardë lekëve nga vetëm 10 miliardë lekë që ishte financimi në vitin 2020.

Efektet negative të rritjes së borxhit vitet e fundit u amortizuan nga interesat e ulëta dhe nga kursi favorizues i këmbimit. Në se këto dy elementë shfaqin ndryshime me tendence rritje kostot e shërbimit të borxhit do të ishin një “termet” për financat shqiptare.

Borxhi publik i vendit pësoi një rritje jo të zakonte në tremujorin e parë të vitit 2021. Sipas të dhënave të zyrtare stoku i borxhit publik u rrit ne janar-mars me 45,7 miliardë lekë ose rreth 372 milionë euro. Kjo ishte rritja më e fortë për një periudhe kaq të shkurtër dhe është rreth 41 për qind të gjithë borxhit të ri që qeveria mori gjatë vitit pandemik 2020.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se, rritja e borxhit në këtë periudhe është stimuluar nga dy kredia të mëdha. Njëra me vlerë 90 milionë euro nga Komisioni Europian për zbutjen e pasojave të rënda ekonomiko-sociale që krijoi pandemia Covid -19 dhe tjetra kredi prej 82 milionë euro e IBRD për mbështetjen e turizmit dhe infrastrukturës./ B.Hoxha

Burimi: Revista Monitor

Yield-et e bonove 12 mujore pësuan një rënie të fortë në ankandin e të martës.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 1.63%, nga 2.04% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të zhvilluar në fund të muajit mars.

Rënia me rreth 20% e rendimentit të bonove 12 mujore nga njëri ankand në tjetrin është një zhvillim i pazakontë. Kjo dëshmon likuiditetin e lartë të lirë në tregun financiar dhe kërkesën e madhe nga investitorët për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë. Nga 9.7 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, kërkesat totale të paraqitura në ankand kishin vlerën e 14.5 miliardë lekëve. Prorata ose e pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese në ankand ishte vetëm 23.14%. Nga 31 kërkesat konkurruese në ankand u pranuan vetëm 8, çka tregon se ulja e fortë e yield-eve mund të jenë ndikuar nga disa aktorë të mëdhenj të tregut, me shumë të ngjarë banka.

Kërkesa e lartë e tregut për letrat e borxhit të qeverisë u konfirmua sërish këtë javë edhe në rihapjen e ankandit të obligacioneve 10 vjeçare, që ishte zhvilluar në muajin janar. Nga 4.6 miliardë lekë obligacione të nxjerra në shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale për një vlerë afro 8.9 miliardë lekësh.

Që nga marsi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë e thelloi më shumë se kurrë politikën monetare lehtësuese, duke ulur normën bazë të interesit në 0.5% dhe duke iu garantuar bankave akses të pakufizuar në likuiditet. Kjo solli një zgjerim të ofertës së parasë në ekonomi dhe likuiditet të lartë në tregun financiar. Yield-et e letrave të borxhit të qeverisë qëndruan pranë niveleve më të ulëta historike dhe kjo tendencë vazhdon të mbizotërojë edhe sot.

Edhe pas mbledhjes së fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konfirmoi orientimin se politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, në funksionin të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv. Nga ana tjetër, gjatë tremujorit të dytë volumi total i huamarrjes së brendshme së qeverisë pritet të ulet me rreth 7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Kjo mund të thellojë më shumë hendekun mes kërkesës dhe ofertës, duke favorizuar ruajtjen e normave të ulëta të interesit ose edhe një rënie të mëtejshme, të lehtë, të tyre.

Në kuptimin e qëllimit të politikës monetare, niveli i ulët i yield-eve dëshmon një funksionim të mirë të mekanizmit të transmetimit. Interesat e titujve qeveritarë janë benchmark kryesor që përdoret edhe në përcaktimin e interesave të huave afatgjatë në lekë edhe për sektorin privat. Kjo është një premisë që edhe normat e interesit të kredisë për sektorin privat të qëndrojnë të ulëta, edhe duke pasur parasysh që kostot e rrezikut duken të kontrolluara dhe raporti i kredive me probleme është i qëndrueshëm./ E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Gjatë datës 20.04.2021 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishter në Obligacion Thesari 10 Vjecar në LEK;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 31 njësi Obligacion Thesari 10 Vjecar në LEK;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 10 Vjecar ishte 3,323,510 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 20.04.2021 klikoni këtu

Banka Evropiane e Investimeve ka në plan të shfrytëzojë fuqinë e bllokut për të shitur bono, duke rritur potencialisht përdorimin e teknologjisë dixhitale si një mjet për tregun e borxhit të rajonit.

Krahu i investimeve i Bashkimit Evropian punësoi Goldman Sachs Group Inc., Banco Santander SA dhe Societe Generale AG për të eksploruar një të ashtuquajtur ‘lidhje dixhitale në euro’, e cila do të regjistrohej dhe zgjidhej duke përdorur blockchain, sipas informacionit që disponon Bloomberg nga burime brenda BEI.

Takimet e investitorëve për shitjen fillestare, që do ‘inagurojë’ procesin, do të fillojnë më 15 prill dhe do të vazhdojnë për disa javë.

BEI ka qenë shpesh pjesë e inovacionit në tregjet e kapitalit të borxhit të Evropës, duke qenë ndër të parët që ka emetuar borxhin e krahasuar me një normë të re euro afatshkurtër të quajtur ESTR.

Masa vjen pasi Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde tha se institucioni që ajo drejton mund të nisë një monedhë dixhitale rreth mesit të kësaj dekade./Bloomberg News

Burimi: Revista Monitor

Ministria e Financave e Shqipërisë shiti 3 miliardë lekë (29 milion dollarë / 24.4 milion euro) Obligacione Thesari tre vjecare në një ankand në 12 Prill 2021, të dhënat këto të marra nga banka qendrore e vendit.

Kuponi për emetimin e Obligacionit të Theasarit u percaktua në 2.80%, i pandryshuar krahasuar me ankandin e mëparshëm të letrave me vlerë tre vjecare të qeverisë të mbajtur në shkurt, sipas shifrave të botuara nga Ministria e Financave.

Ky emetim i ri i letrave me vlerë të Qeverisë do të maturohet në 23 Shkurt 2024.

Detajet si më poshte:

Data e Ankandit 12 Prill 19 Shkurt
Shuma e ofruar (miliarde lek) 3 4
Shuma e shitur (miliarde lek) 3 4
Totali i ofertave (miliarde lek) 5.6 4.49
Raporti i Mbulimit te Shumes se Ofruar 1.87 1.12
Yeldi maksimal i kërkuar 3.34% 3.30%
Yeldi minimal i kërkuar 2.79% 2.70%
Kuponi 2.80% 2.80%

Burimi: SeeNews

Në mbledhjen e datës 30 Mars 2021, Bordi Drejtues i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri (AmCham), ka miratuar kërkesën e Bursës Shqiptare të Titujve ALSE për aderimin si Anëtar i Asociuar i këtij organizmi të rëndësishëm në fushën e mbrotjes së interesave të komunitetit të biznesit në vend.

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE është i vetmi treg i rregulluar i titujve në Shqipëri i licensuar në vitin 2017 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili në thelb të aktivitetit të saj ka mundësimin e përputhjes së kërkesës me ofertën për kapitale afatgjate në tregun vendas. Ajo do t’i shërbejë biznesit në përgjithësi dhe korporatave të mëdha në veçanti, si një alternativë serioze dhe më pak e kushtueshme për rritjen e kaptialit dhe financimin e aktivitetit të tyre, nëpërmjet listimit të titujve në bursë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) është një organizatë biznesi që operon prej 20 vitesh dhe gëzon reputacion të mirë në komunitetin e biznesit, falë punës dhe bashkëpunimit me anëtarët e saj. AmCham është në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët dhe punon fort për identifikimin dhe adresimin e problematikave të tyre, duke i bërë rekomandimet e duhura institucioneve shtetërore dhe Qeverisë Shqiptare. Gjithashtu, AmCham është mjaft aktive në proceset lobuese që prekin çështjet fiskale dhe ligjet e reja të cilat rregullojnë veprimtarinë e biznesit, duke qenë një avokat i fortë i bizneseve të saj anëtare, por edhe faktor në proceset rregullative të ekonomisë së tregut dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Nëpërmjet anëtarësimit në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Bursa ALSE synon të jetë më afër bizneseve korporatë të cilat plotësojnë kriteret e listimit në tregun zyrtar. Si pjesë e aktivitetit të përvitshëm në funksion të trajnimeve profesionale që AmCham organizon për anëtarët e saj, Bursa ALSE do të organizojë takime informuese në lidhje mbi mundësitë që ofron tregu i kapitaleve për financimin afatgjatë të biznesit, si dhe do të ofrojë asistencën e saj teknike për t’ia lehtësuar sa më shumë këtë proces korporatave më të mëdha në vend.

Lëvizje te postimet