AmCham organizoi tryezën e rrumbullakët “Tregu i Kapitaleve dhe Listimi në Bursën Shqiptare si një alternativë financimi për Korporatat”

 

Sot në 2 Qershor 2021, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) në bashkëpunim me Bursën Shqiptare të Titujve (ALSE) dhe Grant Thornton Albania organizuan me anëtarët e AmCham tryezën e rrumbullakët me temën: “Tregu i Kapitaleve dhe Listimi në Bursën Shqiptare si një alternativë financimi për Korporatat ”.

Eventi u përshëndet nga Z. Enio Jaço, Presidenti i AMCham si dhe nga Z. Ervin Mete, Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Shqiptare (AMF). Z. Jaço diskutoi rëndësinë e tregjeve të kapitalit për një zhvillim më të shpejtë të ekonomisë, si një mjet efektiv për t’u eksploruar nga bizneset shqiptare, ndërsa Z. Mete shprehu vullnetin e tij dhe filozofinë e organit rregullator të drejtuar prej tij, për zhvillimin e tregut të brendshëm të kapitalit. Gjithashtu, Z. Mete bëri një ekspozim të reformave ligjore dhe infrastrukturore të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare dhe AMF për të përmirësuar legjislacionin e tregut të kapitalit duke e afruar atë me Direktivat e BE si dhe informoi pjesëmarrësit mbi strategjinë për zhvillimin e tregut të kapitalit vendas, e cila po përgatitet nga AMF me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore.

Me pas u vijua me prezantimet e folësve kryesorë që përfaqësojnë operatorët e tregut të kapitalit. Z. Mark Crawford, presidenti i Aksioner Securities Brokerage tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e tregut të kapitalit në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë duke e krahasuar me shembuj nga vendet fqinje të Ballkanit. Ai gjithashtu e konsideroi shumë të rëndësishme përfshirjen e projekteve të mëdha të investimeve të brendshme dhe të huaja në procesin e tregut të kapitalit dhe listimin në bursë si një mjet i mirë jo vetëm për të rritur kapital, por edhe për të mobilizuar burimet lokale të kapitalit.

Artan Gjergji, Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve i informoi pjesëmarrësit në lidhje me modelet e financimit të biznesit përmes emetimit të aksioneve dhe/ose obligacioneve të korporatave, duke u përqëndruar në përfitimet e biznesit për të përdorur tregjet e kapitalit si mënyra më efektive e financimit për veprimtarinë e tyre. Ai gjithashtu informoi pjesëmarrësit mbi kriteret dhe kostot e procesit të listimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE.

Kledi Kodra, Partner Menaxhues i Grant Thornton Albania u dha pjesëmarrësve një pasqyrë të parimit të qeverisjes së korporatave dhe detyrimeve financiare që duhet të përmbushen nga bizneset që do të emetojnë aksione dhe obligacione në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE. Ai theksoi rëndësinë e transparences financiare dhe procedurave të auditimit si faktorë kryesorë për korporatat e listuara të cilat konsiderohen nga ligji si Njësi me Interes Publik (PIE).

Në fund të takimit, të gjithë folësit e ftuar iu përgjigjën pyetjeve nga pjesëmarrësit.