Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të ketë në strukturën e re organizative një njësi të posaçme që do të monitorojë brokerat në sigurime. Detajet i bëri të ditura kreu i AMF, Ervin Koçi gjatë një takimi me brokerat e licencuar.

“Në strukturën e re organizative, do të ketë një njësi të posaçme për monitorimin e brokerave, e cila do të realizojë edhe inspektimet on-site dhe off-site për të mbikëqyrur veprimtarinë e brokerimit, duke pasur në vëmendje praktikat më të mira të vendeve të rajonit dhe të Evropës. Qëllim parësor i saj do të jetë mbrojtja sa më mirë e interesave të konsumatorëve” mësohet të jetë shprehur Koçi.

Sipas AMF nga veprimtaria e brokerimit, gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, janë realizuar më shumë se 1.95 miliardë lekë prime të shkruara bruto, kryesisht të realizuara në sigurimin e detyrueshëm motorik.

Nga ana tjetër kreu i AMF ka vënë theksin tek synimi kryesor të AMF-së, për zgjerimin e pasurimin e tregut të sigurimeve me produkte sa më të përshtatshme për konsumatorin dhe punën që po bën AMF për hartimin e një strategjie afatgjatë për zgjerimin e tregjeve nën mbikëqyrje. Ai i ftoi shoqëritë e brokerimit për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin më tej të tregut të sigurimeve.

Gjatë takimit shoqëritë e brokerimit prezantuan problematikat dhe këndvështrimet e tyre në realizimin e punës së përditshme. Ata u shprehën të gatshëm për të rritur bashkëpunimin e mëtejshëm me Autoritetin, duke sjellë edhe propozime për ndryshime dhe shtesa në legjislacionin ekzistues, që do të ndikojë në funksionimin sa më të mirë të tregut dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Ndër propozimet përfshiheshin edhe:

  • Klasifikimi i brokerave që veprojnë në treg, për kapacitetin dhe funksionimin e tyre, bazuar në raportimet periodike që ata sjellin në AMF;
  • Plotësimi i akteve nënligjore në mënyrë që të vendoset përfaqësimi i brokerit në kontratën e sigurimit, duke e krijuar kështu mundësinë për një mbrojtje më të mirë të konsumatorit.

Veprimtaria e brokerimit në Shqipëri, deri tani, është e drejtuar kryesisht tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat zënë mbi 98% të veprimtarisë së tyre dhe një përqindje fare të vogël e zë brokerimi për sigurimin e Jetës. Në treg janë të licencuar dhe operojnë 34 broker fizikë dhe 15 shoqëri brokerimi, duke përfshirë edhe 3 banka.

Hapja e bursës së parë private në Shqipëri do të jetë një dritare për gjithë investitorët e huaj. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, u shpreh në një intervistë për TV SCAN, se efektet e hapjes se bursës do të jenë pozitive për biznesin, por do të ndryshojnë edhe mentalitetin e publikut. Sipas tij, edhe qeveria mund të kontribuojë në ngritjen e bursës, duke listuar së pari shoqëritë aksionere.

“Ne ishim duke luajtur futboll në një fushë, nuk ishim duke përdorur të gjitha opsionet që janë normale për një ekonomi kapitaliste. Nëse ke para, ke likuiditet, duhen disa mjete për ta mobilizuar këtë. Ndërsa mjetet në Shqipëri janë të kufizuara vetëm tek bankat, atëherë ekonomia nuk do të lulëzojë. Besoj që qeveria mund të ndihmojë duke listuar një pakicë të disa kompanive”, u shpreh Crawford për SCAN.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi bursën e parë private ALSE, në muajin korrik, ndërsa hapja e saj pritet të jetë në muajt në vijim. Ajo shihet si një zhvillim shumë i rëndësishëm për tregun financiar shqiptar, pasi iu mundëson bizneseve të rrisin kapitalin duke tërhequr aksionerë të rinj. Nga ana tjetër, investitorët do të kenë mundësinë të investojnë në një treg të rregulluar, që ofron besim dhe transparencë të plotë.

Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare licencoi të hënën bursën e parë private në Shqipëri “Bursa shqiptare e titujve – ALSE”.

Ky është një ndër zhvillimet më të rëndësishme në historinë e tregut financiar jobankar në Shqipëri. ALSE është e para bursë titujsh që vjen si nismë e sipërmarrjes private dhe me një projekt të qartë për të qenë funksionale dhe e suksesshme.

“SCAN” do të japë më shumë hollësi rreth bursës së parë private, pasi vendimi të jetë publikuar zyrtarisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në vitet e fundit, po shfaqen sinjale të shumta se në tregun financiar ekziston një ofertë dhe kërkesë potenciale për instrumentet e bursës.

Shtrëngimi i kreditimit gjatë periudhës së krizës ka rritur te biznesi nevojën për të siguruar financime me instrumente alternative. Tashmë, janë disa kompani private që po aplikojnë huamarrjen përmes titujve të borxhit, si obligacionet apo dëftesat tregtare.

Nga ana tjetër, tregu kërkon alternativa me kthim më të lartë investimi, duke pasur parasysh se politika monetare stimuluese që po mbizotëron gjithë ekonominë europiane i ka ulur interesat e depozitave dhe titujve qeveritarë në minimumet historike.

Në mungesë të një burse, shumë individë kanë ndërmarrë investime në bursat online, duke punuar me ndërmjetës që jo gjithmonë kanë rezultuar të besueshëm. Hapja e bursës së parë private do të plotësojë më në fund boshllëkun e një tregu kapitalesh në ekonominë shqiptare.

Grupi Balfin, më i madhi në vend, do të ofrojë për herë të parë instrumente financiare afatshkurtër (dëftesa tregtare borxhi), me interes 2 pikë përqindjeje më të lartë se bonot e thesarit të qeverisë. First Investment Bank është banka kujdestare dhe agjenti, që do të kryejë mbledhjen dhe pagesën e fondeve. BKT ka blerë dëftesat e para me vlerë 70 milionë lekë. Si funksionon dhe sa është risku

Ashtu si qeveria emeton bono thesari apo obligacione për të mbuluar nevojat e saj për likuiditet, edhe kompanitë private në Shqipëri kanë filluar të emetojnë dëftesat e tyre tregtare të borxhit. Grupi Balfin, më i madhi në vend, do të ofrojë për herë të parë instrumente financiare afatshkurtër, çka nënkupton se grupi do të japë premtim për pagesa afatshkurtra, ndërsa blerësi do të marrë në momentin e maturimit paratë e investuara dhe një interes që është 2 pikë përqindjeje më i lartë se ai i bonove të thesarit (aktualisht interesat e bonove 12-mujore janë 1.2%; 6-mujore 0.95% dhe 3-mujore 0.9%). Strategjia është që Balfin të lëshojë instrumente borxhi afatgjatë dhe në një të ardhme të afërt të listohet edhe në bursë, ku do të ketë mundësi edhe më të mëdha për sigurimin e mjeteve alternative jo vetëm të financimit, por edhe të investimit. Më të mundshëm grupi shikon listimin në një bursë rajonale. Grupi Balfin kishte një xhiro vjetore rreth 500 milionë euro në 2015-n, me investime në mbi 10 vende të botës.

Në botë instrumentet financiare janë mjaft të zhvilluara për kompanitë, ndërsa në Shqipëri nuk përdoren për një sërë faktorësh si mungesa e një tregu të zhvilluar kapitalesh, informaliteti i lartë, niveli relativisht i ulët i zhvillimit të kompanive etj. Por, teksa kredia në banka është shtrënguar nga njëra anë dhe disa grupe të mëdha po zhvillohen dhe kërkojnë më shumë alternativa nga ana tjetër, fazat e para të tregut të kapitaleve po formësohen në Shqipëri, ndonëse bursa ende mungon.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi javën e kaluar prospektin për emetimin e radhës të obligacioneve nga Credins Bank.

Sipas vendimit, Credins do të emetojë obligacione të reja për shumat 2 milionë euro, 500 mijë dollarë amerikanë dhe 400 milionë lekë.

Sipas prospektit të emetuesit, obligacionet do të jenë të konvertueshme në aksione të Credins Bank. Kjo nënkupton që blerësi mund të zgjedhë që të përfitojë aksione të bankës në vend të shlyerjes së obligacionit.

Emetimi i obligacioneve është një praktikë që Credins Bank e ndjek prej pesë vitesh tashmë, duke u bërë kompania e parë e parë në tregun shqiptar që aplikon huamarrjen përmes instrumenteve të tregut financiar.

Deri tani, emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private, duke ua ofruar blerësve të përzgjedhur nga banka. Kjo ndodh kryesisht sepse në Shqipëri ende nuk ka një bursë, që do të mundësonte emetimin e titujve me ofertë publike dhe tregtimin e lirë të tyre.

Por, rritja e emetimit të instrumenteve të borxhit koorporativ është sinjal se bursa po bëhet gjithnjë e më shumë një nevojë e tregut financiar. Në vitet e fundit, përveç Credins Bank, edhe fondi Besa dhe grupi Balfin kanë emetuar instrumente borxhi me ofertë private.

Tregu është në pritje të licencimit të bursës së parë private në Shqipëri, pasi aplikimi është paraqitur afro një vit më parë pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Fusha e veprimtarisë së Autoritetit është rregullimi dhe mbikëqyrja e tregut të titujve, tregut të sigurimeve dhe tregut të pensioneve vullnetare.

Publiku duhet të sigurohet që ofrimi i shërbimeve financiare vjen nga shoqëri të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në çdo rast, çdo i interesuar duhet të konsultojë faqen zyrtare të AMF-së.

Çdo investim apo blerje produkti financiar pranë një shoqërie, apo subjekti të palicencuar mund të jetë objekt mashtrimi dhe spekulimi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin e radhës për Shqipërinë ku analizohet situata ekonomike përgjatë vitit 2016, përmbushja e detyrimeve të palës shqiptare në programin e rimëkëmbjes ekonomike dhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit.  Sa i përket situatës ekonomike të vendit, FMN në raport evidenton se janë bërë hapa të rëndësishëm dhe se rritja ekonomike po përshpejtohet ndërsa borxhi publik vijon të shkojë në rënie.  Avancimi me reformat strukturore në sektorin e energjisë apo pensioneve nga qeveria vleresohen si hapa pozitivë ndërsa nuk lihet jashtë vëmendjes as miratimit i reformës në drejtësi që konsiderohet si një moment i rëndësishëm në avancimin e vendit në procesin integrues.  Megjithatë, në raport theksohet se prioritetet e radhës mbeten zbatueshmëria e reformave dhe ulja e nivelit të kredive joperformuese, që vlerësohen si risqet kryesore për ekonominë.   Sa i përket kreditimit të ekonomisë, në raport evidentohet se sistemi bankar mbetet solid dhe likuid megjithatë kreditimi i ekonomisë është ende nën potencial.  “Vështirësitë me zbatimin e kontratave dhe ekzekutimin e kolateralit në sistemin gjyqësor pengojnë kreditimin e ri, ndërkohë që kreditë joperformuese, edhe pse në rënie mbeten sërish në nivel të lartë duke arritur në 19.5 për qind të nivelit të kredive”. Veç analizimit të gjendjes ekonomike, Fondi Monetar Ndërkombëtar bën në këtë raport edhe disa parashikime. Sa i përket rritjes ekonomike,projeksionet janë që ajo të jetë në nivelin 3.4 për qind.  Kjo rritje pritet të mbështetet nga fluksi i investimeve të huaja direkte dhe nga kërkesa e brendshme. Sa i përket inflacionit, pritshmëritë janë që të ketë një rritje në gjysmën e dytë të vitit e mbështetur nga një rimëkëmbje graduale e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve.

Grupi Balfin sjell për herë të parë në tregun shqiptar Dëftesat Tregtare si një mundësi alternative për investime afatshkurtra dhe afatmesme, duke i dhënë një shtysë tepër të madhe tregut financiar në Shqipëri.

Blafin Group, si Grupi më inovator në vend, i pari për zhvillimin e ideve të reja, bëhet pararojë e risive duke ofruar instrumenta financiare të cilat shoqërohen me kthim të shpejtë të vlerës së investuar. Balfin Group falë ideve të suksesshme të investimeve po revolucionarizon tregun shqiptar dhe sjelljen e konsumatorëve.

Dëftesat Tregtare afatshkurtra mbështeten plotësisht në fuqinë investuese të Grupit Balfin, i cili për vitin 2015, shënon edhe vitin më të suksesshëm të Grupit duke e identifikuar atë plotësisht si një nga grupet më të mëdha të investimeve në Ballkan, me një xhiro vjetore rreth 500 milion euro dhe me investime në mbi 10 vende të botës.  Çdo Dëftesë Tregtare do të ofrohet në shumën 10 Milion (lekë të reja) dhe shuma maksimale në qarkullim do të jetë 560 mln Lekë.  Kjo shumë përbën më pak se 3% të kapitalit neto të Grupit. Natyra e tyre afatshkurtër lejon investitorët që të marrin fondet e tyre shpejt ose ta rinovojnë këtë investim.  Dëftesat tregtare do të përdoren për mbështjetjen e projekteve të Grupit Balfin si dhe për plotësimin e nevojave afatshkurtër për kapital qarkullues.

Bursat e tregtimit  online, edhe pse një invesim me rrisk të lartë, arritën një vlerë tregu gjatë vitit të kaluar në rreth 1 milionë dollarë nëpërmjet 250 investitorëve. Lajmi bëhet i ditur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i cili sqaron se kjo xhiro është realizuar vetëm nga dy shoqëritë e licensuara të brokerimit. Aksioner Insternational me licencë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Stock International Albania me licencë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Por ndërkohë në tregun shqiptar ka të paktë 10 subjekte të indifikuara që ofrojnë aktivitetin në mënyrë informale.  AMF sqaron se, investimi nëpërmjet platformave të tregtimit online përbën një risi në tregun shqitar. Por duke vlerësuar rrezikun që mbartin këto platforma , Autoriteti po synon rregullimin e  e veprimtarisë së subjekteve të licensuara.

Autoriteti sqapo seka rritur nivelin e bashkëpunimit me institucionet e huaja për shkëmbimin e informacionit.

Tani kur interesi real i depozitave në banka është në vlera negative, individët gjithnjë e më shumë po joshen nga forma të reja investimesh jo shumë të sigurta.

Shumë biznese dhe qytetarë po shohin bursat matanë vendit, si një mundësi për të shtuar vlerat e kursimeve të tyre, teksa pesimizmi për zhvillimet ekonomike në vend i ka larguar ata nga konsumi dhe investimet, duke nxitur edhe më tej prirjet për kursim.

Kompanitë që ndërmjetësojnë investimet në bursa dy vitet e fundit janë shtuar shumë. Duke ofruar produkte krejt të panjohura për shqiptarët me kulturë financiare që lë për të dëshiruar, shoqëritë e brokerimit me leje dhe pa leje me një treg ende të pazyrtarizuar dhe të parregulluar po ofrojnë në merimangën e tyre të marketingut qindra qytetarë, të cilët nuk janë të qartë ku po investojnë kursimet e tyre.

 

Kjo tendencë për të kanalizuar kursimet në forma të reja investimi vjen në një moment të papërshtatshëm, pasi tregu ndërkombëtar i kapitaleve është ndërlikuar nga ulja e çmimeve dhe paraqet më shumë risk se sa fitim.

Duke e parë investimin në bursë vetëm si fitim dhe jo si risk, shumë individë janë përfshirë në skemat e reja të ndërmjetësimit pa qenë të ndërgjegjshëm për atë që i pret.

Shoqëritë e brokerimit që po ndërmjetësojnë investimin e depozitave të shqiptarëve në bursa janë shtuar shumë, por vetëm tre të tilla kanë leje, Aksioner insternational Securites Brokerage sha., Stock international Albania dhe Platinium investment që ka marrë licencë si institucion financiar jo bankë nga Banka e Shqipërisë dhe dy të parat kanë marrë leje nga AMF, si shoqëri brokerimi në tituj për blerjen dhe shitjen e titujve me porosi të klientit në tregun e licencuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Por ndërsa vetëm tri kompani janë të licencuara, dhjetëra të tjera e kryejnë këtë shërbim pa asnjë autorizim të autoriteteve shqiptare. Risku i investimit në këto lloj skemash është 100% dhe për humbjen askush nuk mban përgjegjësi.

Këto forma investimi në botën e zhvilluar janë shumë të njohura, por tregjet e tyre të kapitaleve janë të zhvilluara, të mbikëqyrura dhe të rregulluara.

Ndërsa vetëm tri kompani janë të licencuara, dhjetëra të tjera e kryejnë këtë shërbim pa asnjë autorizim të autoriteteve shqiptare. Risku i investimit në këto lloj skemash është 100% dhe për humbjen askush nuk mban përgjegjësi.

BBordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në mbledhjen e datës 30 Maj, ka shqyrtuar dhe më pas miratuar licencimin e “Credins Invest”, Shoqëri Administruese e Fondeve të Pensionit dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive, si dhe miratoi Fondin e Investimit “Credins Premium”.

Credins Invest është shoqëria e dytë në tregun Shqiptar që licencohet për të administruar sipërmarrje investimesh kolektive dhe fonde pensioni vullnetar. Ndërsa “Credins Premium” është fondi i tretë i investimeve që licencohet në nivel kombëtar.

Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank, Maltin Korkuti, shprehet se “miratimi i Fondit të investimit Credins Premium, shënon një zhvillim të rëndësishëm në tregun financiar shqiptar, duke zgjeruar alternativat e investimeve për qytetarët shqiptarë.

Fondi Credins Premium do t’i ofrojë investitorëve shqiptarë mundësinë për të investuar kursimet në Lekë, duke përfituar menaxhim profesional të portofolit të aseteve, likuiditet të garantuar të fondeve dhe kthim të kënaqshëm nga investimi.

Credins Bank zotëron 76% të aksioneve të Shoqërisë Administruese. Fondi do të ofrohet nëpërmjet rrjetit të degëve të Credins Bank, që do të veprojë si agjent i Credins Invest.

Shoqëria, që do të administrojë Fondin e Investimit “Credins Premium” operon në treg që në vitin 2011 dhe ka nën administrim Fondin e Pensioneve “SiCRED Pensions”.

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2016, “SiCRED Pensions” kishte 5,242 anëtarë, me një total asetesh prej 162 milionë Lekë, duke u renditur si fondi i dytë në treg, përsa i përket numrit të anëtarëve. Zgjerimi i aktivitetit të Shoqërisë Administruese është një siguri e shtuar për anëtarët e fondit të pensioneve në drejtim të mirëadminsitrimit të fondit të tyre.

Lëvizje te postimet