Edukimi financiar, AMF takim në një tjetër universitet, Koçi: Studentët fokusi ynë

Fushata ndërgjegjësuese, për mbrojtjen e konsumatorit dhe rritjen e informimit mbi tregjet nën mbikëqyrje të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, është zhvendosur sot (8 nëntor), pranë Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, ku u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi nënvizoi se iniciativa e Autoritetit për të rritur edukimin financiar ka nisur nga studentët duke e konsideruar këtë një nga target grupet më të rëndësishme në zhvillimin e vendit.

“Qëllimi ynë është që të rinjtë të njohin Autoritetin, tregjet që ai mbikëqyr, në mënyrë që më pas t’i përdorin njohuritë e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, duke qenë aktorë të rëndësishëm të tregjeve financiare” tha Koçi.

Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Anastas Angjeli theksoi se “marrëveshja do të shërbejë jo thjesht për të shkëmbyer eksperienca, por edhe për të përfituar praktikë mësimore nga studentët pranë AMF-së.” Sipas tij, “marrëveshja ka në thelb shkëmbimin e informacionit, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, konferencave, për rolin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të sjellë përfitime reciproke, si për stafin e universitetit, studentët dhe pedagogët, ashtu edhe për vetë Autoritetin me qëllim rritjen e informacionit financiar”.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese që AMF ka nisur për edukimin financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe informacionit në funksion të mbrojtjes më të mirë të konsumatorit, por edhe zhvillimit të mëtejshëm të këtyre tregjeve.