ALSE së bashku me SCAN TV organizojnë forumin ndërkombëtar ekonomik “Future Balkans”. Ky forum i përvitshëm kaq i rëndësishëm do të mbahet në Tiranë gjatë dates 24 Janar, 2018.

Forumi është i organizuar në 3 panele kryesore të cilat përfshijnë politikë-bërësit, tregjet e kapitalit dhe komunitetin e biznesit.

Paneli i parë do ketë të ftuar nga politika dhe ekonomia si Presidenti i Republikes dhe Guvernatori i Bankës Shqipërisë, në të do flitet për udhëheqjen, institucionet dhe konvergjencën e politikave gjatë viteve 2017 – 2020

ALSE është bashkë-prezantuese e panelit të dytë që mban titullin “Investment, Financial Expansion and Inclusion: Capital Markets Development in Western Balkans”. Në këtë event do jenë të ftuar dhe do mbajnë fjalën 6 CEO te bursave te rajonit si Slloveni, Kroaci, Bullgari, Maqedoni, Mal i Zi dhe bursës rajonale SEE Link. Do diskutohen problematikat e ecurisë së tregjeve të kapitalit në vendet e Ballkanit Perëndimor e më gjërë si dhe sfidat e zhvillimit të tregut rajonal në të ardhmen.

Paneli i tretë do ketë të ftuar komunitetin e Biznesit ku do të jenë të ftuar dhomat e tregtisë shqiptare dhe rajonale, në të do flitet për zonën ekonomike rajonale dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

Klikoni këtu për të shkarkar axhendën.

ALSE njofton të gjithë ndermjetesit financiare Firma Brokerimi të licensuara nga AMF per të ushtruar aktivitet në industrinë e tiutjve që ne datat 10-11 Janar 2018 do të organizojë trajnimin “Tregtimi si Broker në Bursën Shqiptare të Titujve ”.

Siç mund ta dini Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE) është e vetmja bursë në Shqipëri, e licensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) më 3 Korrik, 2017 dhe pritet që të hapë dyert (të fillojë aktivitetin) në Janar 2018, pasi të kryhet integrimi i sistemit tonë të tregtimit me  depozitarin qendror të titujve (AFISaR), i cili menaxhohet nga Banka e Shqipërisë. Si pjesë e punës sonë, po organizojmë trajnimin për brokerat fizikë të institucioneve financiare të licensuara nga AMF. Trajnimi me temë “Tregtimi si Broker në Bursën Shqiptare të Titujve”, do të mbahet në godinën e ALSE gjatë datave 10-11 Janar 2018, nga ora 9.00 – 12.00 a.m. Duke patur parasysh faktin se Institucionet tuaja janë ndërmjetës  financiare të licensuar nga Autoriteti i Mbikeqyrjes Financiare për të ofruar shërbime brokerimi, kemi kënaqësinë të ftojmë brokerat tuaj fizikë në këtë  trajnim ku mund të mësojnë në praktikë si të përdorin platformën tonë të tregtimit.

ALSE njofton të gjithë ndermjetesit financiare banka te licensuar nga AMF per te ushtruar aktivitet ne industrine e tiutjve që ne datat 12-14 Dhjetor 2017 do të organizoje trajnimin “Tregtimi si Broker në Bursën Shqiptare të Titujve”.

Siç mund ta dini Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE) është e vetmja bursë në Shqipëri, e licensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) më 3 Korrik, 2017 dhe pritet që të hapë dyert (të fillojë aktivitetin) në Janar 2018, pasi të kryhet integrimi i sistemit tonë të tregtimit me depozitarin qendror të titujve (AFISaR), i cili menaxhohet nga Banka e Shqipërisë. Si pjesë e punës sonë, po organizojmë trajnimin për brokerat fizikë të institucioneve financiare të licensuara nga AMF. Trajnimi me temë “Tregtimi si Broker në Bursën Shqiptare të Titujve”, do të mbahet në godinën e ALSE gjatë datave 12-13-14 Dhjetor 2017, nga ora 9.00 – 12.00 a.m. Duke patur parasysh faktin seiInstitucionet tuaja janë ndërmjetës financiare të licensuar nga Autoriteti i Mbikeqyrjes Financiare për të ofruar shërbime brokerimi, kemi kënaqësinë të ftojmë brokerat tuaj fizikë në këtë trajnim ku mund të mësojnë në praktikë si të përdorin platformën tonë të tregtimit.

Në mbledhjen e tij të datës 6 dhjetor 2017, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

Miratimin e rregullores “Mbi planet e rimëkëmbjes së bankave”
Rregullorja vjen si rishikim tërësor i kuadrit rregullativ në fuqi të Bankës së Shqipërisë për planet e rimëkëmbjes, me qëllim plotësimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të tij. Rregullorja nxirret në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”. Planet e rimëkëmbjes hartohen nga vetë bankat dhe përcaktojnë tërësinë e masave që duhet të ndërmerren për të rivendosur pozicionin financiar, në rast të një përkeqësimi të konsiderueshëm të gjendjes financiare të tyre. Këto plane konsiderohen si pjesë e rëndësishme e administrimit të rrezikut dhe e procesit të vlerësimit e të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë.

Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloret “Mbi parimet bazë të drejtimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre” dhe “Për sistemin e kontrollit të brendshëm”
Qëllimi kryesor i rishikimit të dy rregulloreve është plotësimi dhe përmirësimi i kuadrit rregullativ të drejtimit efektiv të bankave. Ndryshimet përmirësojnë kriteret e miratimit të administratorëve, procesin e vlerësimit të tyre nga vetë bankat dhe autoriteti mbikëqyrës, si dhe sistemin e kontrollit të brendshëm, si një hallkë shumë e rëndësishme e për adresimin e rreziqeve me të cilat përballen bankat.

Ndryshimet kanë marrë shtysë kryesisht në kuadër të përafrimit të akteve rregullative të Bankës së Shqipërisë me kërkesat më të reja të Bashkimit Evropian në fushën e mirëqeverisjes së institucioneve të kreditit, si dhe të disa rekomandimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në projektin për vlerësimin e kuadrit ligjor, rregullativ dhe të praktikave mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë.

Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloret për funksionimin e sistemit qendror të regjistrimit dhe shlyerjes së titujve (AFISaR)
Ndryshimet synojnë përshtatjen e rregulloreve, në kushtet e anëtarësimit të Bursës Shqiptare të Titujve në këtë sistem.

Miratimin e tematikës së kartëmonedhës shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë
Vendimi miratoi tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si HIMNI I FLAMURIT “ Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim”. Krahas kësaj, u miratuan tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.

ALSE njofton të gjithë anëtarët që në periudhën 01/12/2017 – 31/12/2017 do të realizohet testimi i modulit t ri të software-it të sistemit të tregtimit. Për këtë qëllim, subjektet anëtare duhet të marrin kontakt me Departamentin e IT pranë ALSE.

 

Pavarësisht zhvillimeve pozitive në ekonominë shqiptare sistemi financiar, ende mbetet i dominuar nga sistemi bankar dhe zhvillimet e tij. Në raportin e fundit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë, citohet se bankat përfaqësojnë ende rreth 90% të totalit të aktiveve të sistemit financiar, ekuivalent me 92% të PBB-së, ndërkohë që pjesa tjetër e sektorit financiar është e vogël dhe përbën vetëm 10% të totalit të aktiveve të sistemit financiar, u shpreh Guvernatori Gent Sejko ne Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë.

Ai tha se Vlerësimet dhe studimet e Bankës së Shqipërisë, por edhe studimet krahasuese të palëve të treta si Fondi Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se tregu financiar në Shqipëri ka përhapje dhe shtrirje financiare afër nivelit ekuilibër të diktuar nga ekonomia dhe konsumatorët shqiptarë. Gjithashtu, treguesit e ndërmjetësimit financiar të shprehur si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, janë në nivele të përafërta me ato të vendeve të tjera të rajonit.

Guvernatori referoi se, mbizotërimi i segmentit bankar, natyrshëm ka çuar në një shkallë të lartë përqendrimi të produkteve dhe shërbimeve financiare në favor të tij. Mbi 80% e investimeve të rezidentëve në sistemin financiar janë në formën e depozitave dhe llogarive rrjedhëse. Vetëm pak mbi 12% janë në formën e letrave me vlerë të qeverisë ndërkohë që pjesa e mbetur, rreth 6.5% janë investuar në fondet e investimeve dhe ato të pensioneve private. Kjo e fundit përbën vetëm 0.1% të totalit të aktiveve të sistemit financiar. Statistikat tregojnë se numri i kompanive që operojnë në segmentet e tjera të sektorit financiar mbetet i ulët, ndërkohë që aktiviteti i tyre në terma të Prodhimit të Brendshëm apo të tregut financiar mbetet i papërfillshëm.

Përsa më sipër, konkluzioni logjik është se arkitektura e tregut financiar ende nuk mund të konsiderohet e plotë. Instrumentet financiare me maturitet afatgjatë janë të rralla, ndërkohë që ato afatshkurtra jashtë sistemit bankar, janë apatike dhe të fragmentuara, si në produkte ashtu dhe në tregje. Fryt i kësaj arkitekture financiare është një lloj presioni i shtuar mbi sistemin bankar, duke privuar ekonominë nga alternativat e tjera të financimit përtej atyre që ofrojnë bankat, tha Guvernatori.

Vrojtimet e Bankës së Shipërisë tregojnë se njësitë mikro, ballafaqohen me pamjaftueshmëri burimesh financiare dhe me akses të kufizuar në kredi. Konkretisht, më shumë se 1/3 e ndërmarrjeve të intervistuara e vlerëson aksesin e ulët në financim dhe koston që shoqëron atë si shkakun kryesor të moszgjerimit të veprimtarisë. Këto njësi mikro që janë kryesisht biznese familjare, kanë më shumë nevojë të bashkëpunojnë me institucionet financiare jobanka, pasi ato hasin vështirësi në përmbushjen e kërkesave që lidhen me kolateralin apo dokumentacionin e hollësishëm financiar, kushte këto që kërkohen nga bankat. Ky është një tjetër argument që të çon në konkluzionin logjik, se përveç kapitaleve të veta dhe kredisë bankare, këto ndërmarrje do të përfitonin shumë nga segmente të tjera të tregut financiar.

Një element tjetër që penon thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar në Shqipëri, lidhet me shkallën e ulët të përfshirjes financiare të popullatës. Të dhënat më të fundit nga Ëorld Development Indicators tregojnë se vetëm 38% e të rriturve kanë një llogari pranë një institucioni financiar, ndërkohë që vetëm 6% dhe 22% e të rriturve kanë përkatësisht një kartë krediti dhe kartë debiti. Rritja e përfshirjes financiare nuk mund të bëhet vetëm dhe përmes sistemit bankar. Sistemi financiar, veçanërisht tregu i kapitaleve dhe i letrave me vlerë të korporatave, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e përfshirjes financiare.

Përfitoj nga rasti të theksoj, se krahas nevojës për zgjerimin dhe thellimin e tregut financiar është e nevojshme të kujdesemi gjithmonë e më shumë për administrimin e rrezikut që na shoqëron çdo herë kur bëjmë një investim financiar.

Sot jemi dëshmitarë të një evolucioni të shpejtë teknologjik, i cili paraprakisht ka eliminuar kufijtë fizikë, ka lehtësuar aksesin në platforma elektronike investimi, ka vështirësuar shumë mbikëqyrjen dhe rregullimin e shumë prej instrumenteve financiare inovative që tregtohen në këto platforma.

Fenomeni i informalitetit, i kombinuar me shpejtësinë e inovacionit në fushën e instrumenteve financiare, është një rrezik real për çdo investitor që priret në mënyrë naive nga fitimi pa u thelluar më shumë në masën dhe natyrën e rrezikut ndaj të cilit ai ekspozohet. Në çdo rast, përfshirja duhet bërë me kujdes, duke i besuar ndërmjetësve dhe ndihmësve financiarë të specializuar, veprimtaria e të cilëve është e rregulluar dhe e mbikëqyrur nga një autoritet i ligjshëm në Shqipëri apo jashtë vendit.

Thellësia dhe shtrirja e tregjeve financiare përcakton bashkësinë e instrumenteve financiare të vlefshme për t’u tregtuar, në një spektër të gjerë nga këndvështrimi i maturitetit. Këto instrumente nuk janë gjë tjetër veçse hallkat e njëpasnjëshme të zinxhirit përmes së cilit transmetohen vendimet e politikes monetare. I gjithë procesi i tregtimit të instrumenteve shërben për të përcaktuar vlerën e aktiveve, çmimin e rrezikut dhe të kursimeve, e në fund të fundit preferencat drejt konsumit, kursimeve apo investimeve. Në këtë kuptim ekzistenca, plotësia dhe efikasiteti i tregut financiar luan një rol të rëndësishëm në transmetimin e politikës monetare. Është kjo arsyeja pse vëmendja e bankës qendrore fokusohet në këto tregje dhe në mirëfunksionimin e tyre.

Bazuar në këtë arsye specifike, Banka e Shqipërisë, prej kohësh ka iniciuar një seri lëvizjesh për të ndikuar me të gjitha mundësitë që ajo ka, në krijimin e një tregu financiar më të zhdërvjellët.

Masat e karakterit makroprudencial të marra në drejtim të likuiditetit dhe të kapitalizimit; kufizimet e vendosura mbi pozicionet me bankat jorezidente, provigjionet dhe kolateralin; paketa e masave të ndërmarra për uljen e kredive me probleme, të gjitha këto janë hapa të hedhur për të korrektuar problematika të lidhura me cektësinë dhe ngushtësinë e tregut, me shkallën e ulët të përfshirjes financiare dhe edukimin financiar jo adekuat.

Studimet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë mbështesin përfundimin logjik se zhvillimi i tregut financiar është një faktor i rëndësishëm për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e mirëqenies në përgjithësi. Ne në Bankën e Shqipërisë besojmë se struktura aktuale e tregut bankar stimulon konkurrencën në lidhje me produktet dhe shërbimet bankare.

Megjithatë, zgjerimi dhe thellimi i mëtejshëm i tregut është një sfidë që shtrohet para nesh, ku nënkuptoj të gjithë aktorët e përfshirë pa përjashtim.

Industria bankare, Banka e Shqipërisë, segmentet e tjera të tregut financiar si në rang aktorësh edhe në rang rregullatorësh, qeveria, bota akademike dhe ekspertët e fushës, të gjithë duhet të përfshihemi në këtë përpjekje. Ambiciet tona duhet të synojnë një treg financiar të zhdërvjellët, likuid, me vëllim tregtimi në rritje, ku spektri i instrumenteve të zgjerohet, përfshirë dhe zgjatje të horizonteve të maturitetit dhe administrim të kujdesshëm të rrezikut. I gjithë ky kuadër duhet të shoqërohet me transparencë të shtuar në të gjitha hallkat e tregtimit ku një rol të veçantë duhet të zërë dhe edukimi financiar. Vetëm kështu do të mundësonim thellimin dhe zgjerimin real të tregut financiar dhe përmes tij një eficiencë më të madhe në zbatimin e politikave ekonomike dhe financiare, në mobilizimin dhe në përdorimin e kursimeve kombëtare, në përfshirjen financiare dhe në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe në mirëqenien e popullatës në terma afatgjatë.

Fushata ndërgjegjësuese, për mbrojtjen e konsumatorit dhe rritjen e informimit mbi tregjet nën mbikëqyrje të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, është zhvendosur sot (8 nëntor), pranë Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, ku u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi nënvizoi se iniciativa e Autoritetit për të rritur edukimin financiar ka nisur nga studentët duke e konsideruar këtë një nga target grupet më të rëndësishme në zhvillimin e vendit.

“Qëllimi ynë është që të rinjtë të njohin Autoritetin, tregjet që ai mbikëqyr, në mënyrë që më pas t’i përdorin njohuritë e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, duke qenë aktorë të rëndësishëm të tregjeve financiare” tha Koçi.

Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Anastas Angjeli theksoi se “marrëveshja do të shërbejë jo thjesht për të shkëmbyer eksperienca, por edhe për të përfituar praktikë mësimore nga studentët pranë AMF-së.” Sipas tij, “marrëveshja ka në thelb shkëmbimin e informacionit, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, konferencave, për rolin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të sjellë përfitime reciproke, si për stafin e universitetit, studentët dhe pedagogët, ashtu edhe për vetë Autoritetin me qëllim rritjen e informacionit financiar”.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese që AMF ka nisur për edukimin financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe informacionit në funksion të mbrojtjes më të mirë të konsumatorit, por edhe zhvillimit të mëtejshëm të këtyre tregjeve.

Agjencia e lajmeve, Reuters, i ka bërë jehonë bursës së parë private shqiptare. “Bursa e parë private shqiptare duhet të fillojë punën brenda këtij viti, pasi të ketë marrë “Ok” e bankës qendrore”, deklaron në intervistën për Reuters kreu ekzekutiv i Albanian Stock Exchange, Artan Gjergji.

Ai sqaroi për prestigjiozen se, qëllimi i kësaj burse është që të krijojë një treg kapitalesh në Shqipëri, vend që po has vështirësi me modernizimin çerek shekulli pas daljes nga izolimi i diktaturës.

Reuters shkruan se, pas pezullimit të Tirana Stock Exchange, ALSE u krijua nga një grup profesionistësh të tregut financiar në Shqipëri, të cilët morën mbështetjen e tre institucioneve financiare shqiptare, me në krye Credins.

“Ne duhet të jemi ligjërisht dhe teknikisht gati brenda Nëntorit dhe duhet të bëhemi operativ, me shpresë, brenda këtij viti, duke filluar të ftojmë bankat dhe brokerat që të tregtojnë, si fillim vetëm bono thesari”, deklaron Gjergji për Reuters.

“Duke filluar prej muajit Mars, pra përpara verës së ardhshme, ne do ti mirëpresim ata që të fillojnë të tregtojnë të gjitha llojet e tjera të aseteve në tregun e kapitaleve, përfshirë bonot korporative të kompanive shqiptare, të cilat do të kenë potencialin të listohen”, shtoi ai.

Sa i përket dështimeve të mëparshme të bursave në vendin tonë, Gjergji fajësoi mos tregtimin e aksioneve të kompanive që zotëroheshin nga shteti, sidomos në fillim të viteve 90-të.

Sipas tij, aktualisht, është koha më e mirë për të filluar me bursën, pasi paraja po kërkon alternativa të reja për tu investuar, duke qenë se normat e interesit për depozitat janë mjaft të ulta, bankat kanë likuiditet të tepërt dhe bizneset kanë nevojë  për financime të freskëta në një ekonomi që rritet.

“Të gjithë elementët ishin aty, vetëm bursa mungonte. Nuk do të jetë e lehtë, por ne kemi bërë pjesën më të madhe të punës, dhe bizneset kanë filluar të shfaqin interes për bursën”, deklaron Artan Gjergji për Reuters.

 

Bursa e parë private në Shqipëri mbështet zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të ketë një impakt pozitiv për investimet afatgjata nga ana e biznesit. Deklarata vjen nga drejtoresha e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik, pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Pranvera Kastrati, e cila në një intervistë për ‘Scan Magazine’ komenton licencimin e bursës shqiptare të titujve ‘ALSE’. Bursa pritet të hapë dyert në vjeshtë të këtij viti, ndërsa sipas Kastratit, kjo shoqërohet me një sërë sfidash për shoqatat e biznesit dhe institucionet shtetërore, të cilët janë përgjegjës për të ndihmuar dhe rritur dijet e biznesit shqiptar në këtë fushë.

Znj. Kastrati, në datën 3 korrik Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar hapjen e bursës së parë private në Shqipëri. Në këndvështrimin tuaj, sa i rëndësishëm është ky vendim për biznesin dhe ekonominë shqiptare?

Padiskutim që krijimi i bursës është një hap shumë i rëndësishëm në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe padiskutim në mbështetje të bizneseve dhe sipërmarrjes. Kjo parë edhe nga fakti që në të gjitha vendet, qoftë të zhvilluara, qoftë në zhvillim, bursa u ka dhënë shumë vlerë të shtuar burimeve afatgjata të investimit. Përsa kohë që bizneset kanë nevojë që të kenë mundësi dhe alternativa për të investuar në një periudhë afatgjatë, bursa në vlerësimin tonë do të japë patjetër një impakt pozitiv. Nuk ka diskutim që ky proces, ka sfida. Është një sipërmarrje e re, e cila do të kërkojë ndër të tjera dhe ndërmarjen e shumë aktiviteteve dhe iniciativave ndihmëse, si nga ana e qeverisë, por edhe nga ana e vetë biznesit, për vetë faktin se krijimi i bursës në vetvete do të mundësojë edhe listimin e kompanive, do të mundësojë kuotimin e aksioneve të tyre dhe do të krijojë mundësi që shoqëritë tregtare të tregtojnë aksionet e veta në bursë.

Cilat janë këto sfida sipas jush?

Ka nevojë që bursa të ketë imazhin e besimit për të gjitha shoqëritë tregtare në Shqipëri, ndaj krijimi i besimit midis bursës së parë private dhe shoqërive tregtare është shumë i rëndësishëm. Është një proces dhe një ndërmarrje që nuk mund ta bëjë bursa e vetme. Padiskutim është një iniciativë, që duhet ta mbështesin institucionet shtetërore, vetë bizneset dhe shoqatat e biznesit, në mënyrë që të krijohet klima e bashkëpunimit, midis bursës dhe shoqërive tregëtare. Kuptohet që jo gjithmonë do të jetë e thjeshtë. Jo të gjitha kategoritë e bizneseve që ka në Shqipëri, do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë pozitivisht bursën për investimet e tyre. Por kuptohet, si gjithë proceset e tjerë që kanë një fillim në procesin e zhvillimit, edhe bursa do të ketë nevojë për mbështetje, deri sa ajo të kthehet në një mbështetje më të konsoliduar për bizneset shqiptare.

Ju folët për sfidat dhe për rolin që duhet të kenë institucionet shtetërore në zgjidhjen e tyre. Më konkretisht, cili duhet të jetë pozicioni i këtyre strukturave, në zgjidhjen e tyre?

Ajo që kam parasysh, lidhet me faktin që bizneset vetë duhet ta kuptojnë se çfarë është bursa. Duhet të kenë më shumë informacion, në mënyrë që ta besojnë atë. Mjafton që të kujtojmë se në vitin 1996 u krijua bursa e parë. Pati një rigjallërim në vitin 2002 (Bursa e Tiranës), por që nuk rezultoi një sipërmarrje e suksesshme dhe nuk dha atë impakt, që pritej të jepej në atë kohë. Unë nuk mund të them që shkaku se ajo nuk dha impaktin e pritur ishte fakti që mungonte edukimi për bursën, por duhet pranuar që edukimi ka patur rolin e vet. Dhe unë besoj që institucionet shqiptare, të cilat janë përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe në këtë rast roli Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është shumë i rëndësishëm, por së bashku me institucionet e tjerë që monitorojnë tregjet financiare në Shqipëri duhet të ndihmojnë për të trajnuar dhe për të ngritur dijet që biznesi ka për bursat.

Çfarë do të sillte kjo sipas jush?

Kuptohet që bursa, fillimisht do të jetë më e pranueshme dhe më shpejt e përdorshme nga bizneset elitare, por nëse rritet shkalla e ndërgjegjësimit dhe shkalla e njohurive për të, mundet që ajo të kthehet në një mundësi të mirë përfitimi si për bizneset e mesme ashtu edhe për qytetarët. Duke qenë se mundësia që edhe vetë qytetarët të kenë mundësi nëpërmjet bursës, me kursimet e veta, të marrin pjesë në bursë, besoj që sa më shumë të rritet njohuria dhe informacioni rreth bursës, aq më e lehtë do të jetë për bursën që të japë efektet e pritshme.

Po vetë biznesi si mund të kontribuojë në ‘edukimin’ e sipërmarrjes rreth bursës?

Sigurisht që edukimi rreth bursës nuk është detyrë vetëm e institucioneve shtetërore. Padiskutim që bizneset elitare duhet që të marrin pjesë gjithmonë e më shumë në shpërndarjen e dijes dhe njohurive rreth bursës. Shoqatat e biznesit duhet të luajnë një rol, qoftë kjo nëpërmjet dhomave të tregtisë apo dhe shoqatave të tjera me karakter financiar, në mënyrë që informacioni të shpërndahet dhe pritshmëritë e biznesit ndaj bursës të rriten.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prej dy ditësh ka qenë i angazhuar në trajnime intensive lidhur me mbikëqyrjen e tregjeve te kapitalit. Në një njoftim të vetë AMF bëhen me dije edhe detajet e ketij trajnimi dyditor që vjen si pjesë e projektit me Banken Boterore dhe mbështetjen e Sekretariatit Zviceran për Çështjet Ekonomike për forcimin e kapaciteteve.

Projekti ka nisur që në vitin 2016 dhe gjatë këtij viti ka pasur një vëmendje të veçantë tek tregjet e kapitalit për vetë zhvillimet e tij dinamike edhe në vendin tonë.

Sipas njoftimit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në datat 19-20 shtator organizoi një workshop në nisje të trajnimeve të fazës së tretë të projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”. Kjo fazë e tretë e projektit ka si objektiv kryesor kualifikimin profesional të specialistëve dhe ekspertëve në mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregut të kapitaleve.

Në fjalën e mbajtur në këtë workshop, Nëndrejtorja Ekzekutive e AMF-së, Znj. Mimoza Kaçi theksoi se kjo fazë ka rëndësi të veçantë, pasi i ofron punonjësve të Autoritetit mundësinë për të thelluar njohuritë e tyre në rregullimin dhe mbikëqyrjen e një tregu me zhvillime dinamike në Shqipëri, siç është ai i letrave me vlerë dhe fondeve të investimeve. Gjithashtu Znj. Kaçi vlerësoi ekspertizën e dhënë nga dy ekspertët Znj. Sally Buxton dhe Z. Mark St. Giles, si edhe bashkëpunimin e frytshëm mes Bankës Botërore, Sekretariatit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe ekipit pranë Ministrisë së Financave, për mbarëvajtjen e këtij projekti.

Nëndrejtorja Ekzekutive u shpreh se kjo fazë e kualifikimeve  profesionale për stafin e AMF-së vjen në momentin e duhur, paralelisht me ndryshimet strukturore në Autoritet, që synojnë të adresojnë më mirë zhvillimet në tregun e fondeve të investimeve dhe letrave me vlerë. Ky projekt, i nisur në vitin 2016, mbështetet nga Banka Botërore dhe financohet nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

Lëvizje te postimet