Pajtim Melani*

Edukimi financiar u referohet proceseve qeveritare të rregullatorëve dhe të biznesit, nëpërmjet të cilave të ardhurat e siguruara nga taksat, tatimet, pagesat dhe filantropitë shpërndahen dhe shpenzohen për mbështetjen financiare dhe operacionale të shkollave dhe universiteteve në praktikimin e njohurive financiare, që i lejojnë individët të marrin vendime të informuara dhe efektive me burimet e tyre financiare.

Rritja e interesit për financat personale është tashmë në axhendën e shumë qeverive, përfshirë dhe atë shqiptare, me fokus të kuptuarit e koncepteve bazë të financës, që u mundëson individëve të kenë më shumë akses në tregjet financiare dhe të menaxhojnë më mirë financat e tyre personale. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë marrja e vendimeve të duhura për kursimet, investimet në Bursa apo Fonde Investimesh, kredinë, planin e pensionit apo depozitat që do të na mundësonin përmirësimin e pozicionit financiar në kushtet e rritjes së rreziqeve dhe sofistikimit të produkteve/shërbimeve financiare.

Por edukimi financiar është i rëndësishëm jo vetëm për financat personale, por për ekonominë në tërësi pasi e bën shpërndarjen e burimeve më eficiente në funksion të rritjes ekonomike dhe reduktimit të varfërisë. Ndërkohë që ekonomia shqiptare po rritet me 3.8 -4 % në vit, edukimi në përgjithësi dhe ai financiar në veçanti, mendoj se janë indikatorët kryesorë të cilësisë së rritjes ekonomike dhe mirëqenies së vendit në rrugën e reformave drejt Bashkimit Europian.

Tema e edukimit financiar po përsëritet shpesh kohët e fundit, ndoshta për të plotësuar një vakum të thellë në mungesën e njohurive për tregjet financiare në Shqipëri, e sidomos ato jobankare. Fondet e investimeve, fondet e pensioneve private, Bursa e Letrave me Vlerë, Tregu sekondar i Bonove të Thesarit dhe Obligacioneve të qeverisë kanë qenë në qendër të strategjisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për edukimin financiar. AMF ka realizuar projekte konkrete në drejtim të edukimit financiar. Hapja e një dege masteri profesional për Menaxhim në Sigurime riktheu në bankat e universitetit privat “Luarasi” më shumë se 50 profesionistë të tregjeve të sigurimeve.

Për vitin e ardhshëm, besoj drejtimi do të ndryshojë, studentët që do të zgjedhin një master për Menaxhim në Sigurime do të orientohen nga bankat e shkollës drejt tregut të sigurimeve. Investimet financiare dhe sigurimet si mënyrë për t’u mbrojtur nga të papriturat vlerësohen si faktorë themelorë për një ekonomi të orientuar nga dijet dhe janë të rëndësishme në të gjitha fazat e zhvillimit, pavarësisht nga format dhe mënyrat e ndryshme të tyre. Kapacitetet për të zhvilluar, përshtatur dhe zbatuar teknologjitë e sigurimeve në struktura ekonomike, si dhe për t’i përhapur ato në shoqëri, për të zhvilluar në mënyrë krijuese produkte dhe shërbime të reja, duke përdorur fondet dhe kapitalet për investime janë themelore për ekonominë kombëtare.

Qëllimi është të kombinohen njohuritë teorike me aftësitë profesionale, që mund të arrihet me anë të stazheve profesionale të Sigurimeve tradicionale dhe me trajnime në laboratorë informatike si dhe me veprimtari specifike në kompani të ndryshme. Ideja ime është që mastera të ngjashme të tregjeve financiare mund të zhvillohen nga universitet publike dhe ato private jo vetëm për industrinë e sigurimeve, por edhe për Bursën, Fondet e Investimeve, Fondet e Pensioneve Private, letrat me vlerë të qeverisë e obligacionet bashkiake.

Përveç draftimit dhe miratimit në Bord, të strategjisë së edukimit financiar, e cila është përkthyer në një plan konkret projektesh dhe programesh, viti 2017 shënoi zhvillime pozitive reale në rritjen e interesit për të studiuar tregjet financiare që mbikëqyr AMF. Studentët iu përgjigjën me shumë pasion ftesës së AMF-së për të konkurruar për çështje të ndryshme të edukimit financiar, si dixhitalizimi në tregun e sigurimeve; fondet e investimit, Bursa dhe faktorët që ndikojnë në funksion të saj; arbitri mbi mosmarrëveshjet financiare: një model i ri për mbrojtjen e investitorëve; zhvillimi i fondeve të pensioneve private vullnetare etj.

Çmimet për studentët fitues lidheshin me kontrata punësimi në shoqëritë që veprojnë në tregjet nën mbikëqyrje, mundësinë e intershipeve etj. Sigurisht që autoriteti për rritjen e edukimit financiar ka gjetur mbështetjen e industrive financiare dhe Ministrisë së Arsimit. Shoqatat e tregjeve nën mbikëqyrje, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve Private dhe Fondeve të Investimit, si dhe Shoqata e Tregtimit të Titujve duhet të luajnë rolin e tyre në rritjen e edukimit financiar.

Strategjia e edukimit financiar duhet të demonstrojë se ka një lidhje të fortë mes edukimit financiar, me kostot që duhet të përballojnë institucionet financiare, detajim it të programeve të qarta dhe praktike, rritjes cilësore dhe sasiore të mësimdhënësve të lëndëve financiare dhe zhvillimit të produkteve si kreditë për shkollim, të cilat sigurojnë kthimin e investimit për studentët dhe bankat. Elementët dhe komponentët e strategjisë të japin rezultate në nivele mikro, për gjithë investitorët dhe institucionet financiare të përfshira, por edhe makro, për të siguruar një zhvillim dhe rritje ekonomike cilësore. Por edukimi financiar është i lidhur ngushtë edhe me stabilitetin financiar të ekonomisë.

Është e qartë që njohuritë financiare do të ndryshonin shumë vendime tonat lidhur me kontratat e punës, blerjen e një apartamenti, sigurimin e pronës apo investimin në një plan pensioni privat. Por është edhe një faktor kyç për reduktimin e pabarazisë dhe për këtë arsye investimi në arsim e sidomos në edukimin financiar mund t’u japë një shans më të mirë të gjithë nxënësve dhe studentëve.

Duhet të jemi të sigurt që asnjë trup social, asnjë nxënës apo student nuk duhet të ketë mungesë aksesi në edukimin financiar. Së fundmi, në kushtet e dixhitalizimit, edukimi financiar dhe shmangja e risqeve të larta, merr një rëndë- si të madhe sepse mund të shkatërrojë në pak minuta gjithë shëndetin financiar të një familje dhe në afatgjatë të rikthejë krizat financiare. Investimet në platforma online të palicencuara apo kriptomonedhat(ende pa njohje nga Rregullatorët), përmbajnë risqe të konsiderueshme dhe për këtë arsye AMF ka qenë proaktive në ndërgjegjësimin e investitorëve, mbrojtjen e tyre dhe diskutimin në Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë për ndërgjegjësimin e investitorëve.

Kryetar i Bordit të AMF-së

Gjatë datës 24.05.2018 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE u raportuan këto të dhëna:

  • U raportua 1 transaksion jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange)
  • Transaksioni i raportuar jashtë orarit zyrtar të tregtimit (off-exchange ose tregun me pakicë) u krye jashtë burse në datë 24.05.2018 dhe u raportua në Sistemin ETS të Bursës ALSE më datë 24.05.2018
  • Transaksioni i ekzekutuar jashtë burse ishte në Obligacion Thesari 5 Vjeçar
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 140 Obligacione Thesari me një vlerë totale tregtimi në 14,259,000 LEK

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të raportimet e tregtimit të datës 24.05.2018 klikoni këtu.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi të enjten konferencën kombëtare për edukimin financiar. Në aktivitet u prezantuan punime të studentëve dhe profesionistëve rreth çështjeve që lidhen me tregjet nën mbikëqyrjen e AMF. Në fjalën e tij, kryetari i Bordit Drejtues, Pajtim Melani, tha se edukimi financiar është investimi në i sigurt për një rritje ekonomike afatgjatë. Ai iu bëri thirrjeve kompanive të sistemit financiar të investojnë më shumë te promovimi i edukimit.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Ervin Koçi, nënvizoi edhe njëherë se edukimi financiar është një nga prioritetet e punës së Autoritetit. Njohja më e mirë e tregjeve financiare është parakusht për zhvillimin, por edhe për stabilitetin e tyre. Që prej vitit të kaluar, AMF ka miratuar dhe ka nisur zbatimin e strategjisë “Për rritjen e besimit të konsumatorit dhe investitorit te tregjet nën mbikëqyrje” Kjo strategji po synon sidomos zgjerimin e njohurive të studentëve dhe të rinjve rreth tregjeve financiare.

Gjatë ditës së tregtimit të datës 22.05.2018 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutuan gjithsej 2 transaksione
  • Një transaksion u ekzekutua gjatë orareve zyrtare të tregtimit (on-exchange) dhe një transaksion u ekzekutua jashtë orareve zyrtare të tregtimit (off-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar gjatë orarit zyrtar ishte në Bono Thesari 12 Mujore
  • Transaksioni i ekzekutuar jashtë burse ishte në Obligacion Thesari 5 Vjeçar
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 100 Bono Thesari dhe 115 Obligacione Thesari;
  • Vlera totale e tregtimit në Bono Thesari ishte 983,700 LEK dhe në Obligacione Thesari ishte 11,707,000 LEK,

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 22.05.2018 klikoni këtu.

Duke dalë nga rruga tradicionale e zhvillimit përmes kreditimit në banka apo riinvestimit, tashmë korporatat po kërkojnë rrugë të reja financimi përmes emetimit të obligacioneve në treg. E fundit ka qenë kompania “Digitialb”, prospekti i të cilës është miratuar nga AMF dhe për drejtorin ekzekutiv të Bursës Shqiptare, Artan Gjergji ky hap është një zgjedhje më pak e kushtueshme dhe brenda kuadrit ligjor.

Por a mund të flitet për risk me këtë formë financimi? Sipas legjislacionit në fuqi, kompania private në fjalë, por edhe të tjera që shprehin interes, kanë të drejtë të ofertojnë për deri në 99 investitorë potencialë. Në momentin që një investitor bën vlerësimin e asaj që i është ofruar dhe shpreh pëlqimin për të investuar ky i fundit i drejtohet bankës depozitarë dhe nënshkruan ofertën. Dhe sipas Gjergjit, një invesitor që hyn në këtë treg, sigurisht që përballet me risk, pavarësisht se prospekti përmban të gjitha planet e përdorimit të parave.

Vlera që do të vihet në dispozicion është dy milionë euro dhe do të ketë një normë fikse interesi, ndërsa rruga drejt kuotimit në bursë është hapur edhe nga 5 kompani të tjera që operojnë në tregun shqiptar.

Pak ditë më parë, qeveria shqiptare ndërmori shtyrjen e afatit ligjor të vlefshmërisë së bonove të privatizimit deri në fund të vitit 2020. Kjo është shtyrja e 7 e afatit të përdorimit të tyre. Në nismën e depozituar në Kuvend, qeveria jep arsyet duke shpjeguar domosdoshmërinë e marrjes së një vendimi të tillë.

“Meqenëse në procesin e privatizimit të pronës shtetërore vazhdon të mos jenë përfshirë ende një numër i konsiderueshëm objektesh, kryesisht në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo dhe të organeve të pushtetit vendor etj., si dhe duke gjykuar se shumë prej këtyre objekteve shtrihen në pronat e ish-pronarëve të njohur apo kthyer me vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave, mendohet se duhet të vazhdojnë lehtësirat për ish-pronarët, duke e likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve në rast parablerjeje me bono privatizimi (lekë privatizimi).

Llogaritja e aksioneve për punonjësit në shoqëritë aksionare, ku punonjësit e këtyre shoqërive përfitojnë aksione në këmbim të bonove të privatizimit, e bën të domosdoshme shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit (lekë privatizimi).

Gjithashtu, përdorimi i bonove të privatizimit dhe i lekëve të privatizimit në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje nëpërmjet ALUIZNI-t, ndërkohë që ky proces është në vazhdimësi dhe vazhdojnë të jenë në proces legalizimi një numër i konsiderueshëm objektesh apo banesash, gjykohet se edhe ky proces e bën të domosdoshëm shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit dhe lekëve të privatizimit” shkruhet në relacion.

Më tej, relacioni evidenton se gjatë tri viteve të fundit, në procesin e privatizimit të pronës shtetërore me të drejtën e parablerjes për ish-pronarët e truallit dhe për subjektet me kontratë enfiteoze apo qiraje, rezulton të jenë arkëtuar rreth 705 000 000 (shtatëqind e pesë milionë) lekë bono privatizimi.

Për më shumë lexoni këtu

Sot me datë 16.05.2018, Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, Z. Artan Gjergji pati një takim me Presidentin e Shoqatës së Tregtimit të Letrave me Vlerë në Shqipëri, z. Blodi Çuçi. Takimi u fokusua në problematikat që karakterizojnë aktualisht industrinë e titujve në vend si dhe mungesat që ka arkitektura e tregut financiar. Gjithashtu një vëmendje e veçantë iu kushtua problematikave konkrete që kanë firmat e brokerimit në industrinë e titujve në vend, si dhe hapat që ato duhet të ndërmarrin për anëtarësimin në Bursën ALSE. Së fundmi, u bisedua mbi sfidat që shoqërojnë industrinë dhe mbi nevojën e koordinimit dhe bashkërendimit të punës në funksion të zhvillimit sa më të shpejtë të tregut në vend.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të enjten gjatë raportimit vjetor në Kuvendin e Shqipërisë se rritja më e lartë ekonomike do të kërkojë përmirësim të klimës së biznesit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare.

Guvernatori përsëriti optimizmin se në vitet në vazhdim përmirësimi i kërkesës do të nxisë një rritje më të lartë të prodhimit, punësimit dhe pagave në ekonomi.

Por, sipas tij, në një horizont më afatgjatë është e domosdoshme që klima e biznesit të përmirësohet, sidomos në drejtim të garantimit të konkurrencës së ndershme.

Ai vuri një theks të veçantë në nevojën për të zgjeruar tregjet financiare. Nëse deri më sot kreditimi është mbështetur pothuajse tërësisht te sistemi bankar, rritja dhe dinamizmi i mëtejshëm i ekonomisë do të kërkojë domosdoshmërish zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe instrumenteve të Bursës.

Banka e Shqipërisë vlerëson se normat e ulëta të interesit kanë kontribuar me 0.7 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vitit të kaluar, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në rimëkëmbjen e rritjes ekonomike.

Sipas statistikave zyrtare, vitin e kaluar, ekonomia shqiptare u rrit me 3.84% dhe u krijuan 79 mijë vende të reja pune.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prezantoi këtë javë strategjinë për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje për periudhën 2018-2022. Aktorët e tregut vlerësojnë në tërësi strategjinë dhe angazhimin e AMF për t’i dhënë shtysë tregut financiar jo-bankar, që në Shqipëri ngelet i nënzhvilluar dhe me potenciale shumë të mëdha ende të pashfrytëzuara. Artan Gjergji, drejtor i përgjithshëm i Bursës Shqiptare të Titujve, thotë se megjithatë, kjo strategji ka nevojë për një theks më të madh në zhvillimin e tregut të kapitalit, si themeli kryesor për të pasur një treg financiar të zhvilluar.

Sipas tij, promovimi i fondeve të investimit dhe në veçanti atyre të pensioneve në këtë strategji është për t’u përshëndetur; por, ai nënvizon se pa një treg të mirëfilltë kapitali nuk mund të ketë zhvillim as të këtyre fondeve, për arsyen e thjeshtë sepse ato nuk kanë alternativa për të investuar kursimet që mbledhin. Ai mendon se një nga arsyet pse fondet e pensionit nuk kanë zhvillimin e duhur është kthimi modest që ato ofrojnë, për shkak se fondet investohen të gjitha në letrat e borxhit të qeverisë. Pikërisht bursa do të ofrojë mundësinë për investime alternative, që do të rrisnin përfitueshmërinë nga investimet në këto fonde dhe do t’i bënin ato më joshëse për publikun.

Në prezantimin e strategjisë, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Ervin Koçi, tha se zhvillimi i tregjeve financiare është i domosdoshëm për ta ngjitur rritjen ekonomike mbi kufirin prej 5%, të synuar nga qeveria shqiptare.

Strategjia për zhvillimin e tregjeve mbështetet në peshë kolona kryesore, që do të jenë eliminimi i kufizimeve që pengojnë zhvillimin e tyre, forcimi i mbikëqyres, promovimi i tregjeve, edukimi financiar dhe teknologjia. Për sa i përket promovimit, strategjia vendos një fokus të veçantë tek fondet e pensioneve, për shkak të impaktit pozitiv që rritja e këtij tregu do të jepte në rrfshin ekonomik dhe social.

Tregu i sigurimeve, siç pranohet shpesh nga drejtuesit e AMF, ngelet më problematiku nën mbikëqyrjen e këtij institucioni. Në këtë rast, problemet nuk lidhen vetëm me shkallën e ulët të zhvillimit, por edhe me funksionimin e tregut dhe në veçanti të segmentit më të rëndësishëm , atij të sigurimeve të detyrueshme motorike. Strategjia synon të bëjë aktiv sistemin bonus-malus, të ulë numrin e mjeteve të pasiguruara, të parandalojë mashtrimet në sigurime dhe të forcojë mbikëqyrjen e kompanive.

Lëvizje te postimet