Duke dalë nga rruga tradicionale e zhvillimit përmes kreditimit në banka apo riinvestimit, tashmë korporatat po kërkojnë rrugë të reja financimi përmes emetimit të obligacioneve në treg. E fundit ka qenë kompania “Digitialb”, prospekti i të cilës është miratuar nga AMF dhe për drejtorin ekzekutiv të Bursës Shqiptare, Artan Gjergji ky hap është një zgjedhje më pak e kushtueshme dhe brenda kuadrit ligjor.
Por a mund të flitet për risk me këtë formë financimi? Sipas legjislacionit në fuqi, kompania private në fjalë, por edhe të tjera që shprehin interes, kanë të drejtë të ofertojnë për deri në 99 investitorë potencialë. Në momentin që një investitor bën vlerësimin e asaj që i është ofruar dhe shpreh pëlqimin për të investuar ky i fundit i drejtohet bankës depozitarë dhe nënshkruan ofertën. Dhe sipas Gjergjit, një invesitor që hyn në këtë treg, sigurisht që përballet me risk, pavarësisht se prospekti përmban të gjitha planet e përdorimit të parave.
Vlera që do të vihet në dispozicion është dy milionë euro dhe do të ketë një normë fikse interesi, ndërsa rruga drejt kuotimit në bursë është hapur edhe nga 5 kompani të tjera që operojnë në tregun shqiptar.
