Mbikëqyrja e tregjeve të kapitalit, AMF trajnime intensive me ekspertë ndërkombëtarë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prej dy ditësh ka qenë i angazhuar në trajnime intensive lidhur me mbikëqyrjen e tregjeve te kapitalit. Në një njoftim të vetë AMF bëhen me dije edhe detajet e ketij trajnimi dyditor që vjen si pjesë e projektit me Banken Boterore dhe mbështetjen e Sekretariatit Zviceran për Çështjet Ekonomike për forcimin e kapaciteteve.

Projekti ka nisur që në vitin 2016 dhe gjatë këtij viti ka pasur një vëmendje të veçantë tek tregjet e kapitalit për vetë zhvillimet e tij dinamike edhe në vendin tonë.

Sipas njoftimit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në datat 19-20 shtator organizoi një workshop në nisje të trajnimeve të fazës së tretë të projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”. Kjo fazë e tretë e projektit ka si objektiv kryesor kualifikimin profesional të specialistëve dhe ekspertëve në mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregut të kapitaleve.

Në fjalën e mbajtur në këtë workshop, Nëndrejtorja Ekzekutive e AMF-së, Znj. Mimoza Kaçi theksoi se kjo fazë ka rëndësi të veçantë, pasi i ofron punonjësve të Autoritetit mundësinë për të thelluar njohuritë e tyre në rregullimin dhe mbikëqyrjen e një tregu me zhvillime dinamike në Shqipëri, siç është ai i letrave me vlerë dhe fondeve të investimeve. Gjithashtu Znj. Kaçi vlerësoi ekspertizën e dhënë nga dy ekspertët Znj. Sally Buxton dhe Z. Mark St. Giles, si edhe bashkëpunimin e frytshëm mes Bankës Botërore, Sekretariatit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe ekipit pranë Ministrisë së Financave, për mbarëvajtjen e këtij projekti.

Nëndrejtorja Ekzekutive u shpreh se kjo fazë e kualifikimeve  profesionale për stafin e AMF-së vjen në momentin e duhur, paralelisht me ndryshimet strukturore në Autoritet, që synojnë të adresojnë më mirë zhvillimet në tregun e fondeve të investimeve dhe letrave me vlerë. Ky projekt, i nisur në vitin 2016, mbështetet nga Banka Botërore dhe financohet nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).