Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesat e titujve qeveritarë kanë arritur një fazë stabilizimi, që ka përfshirë edhe titujt me afatin më të gjatë të maturimit. Obligacionet 10 vjeçare të qeverisë shqiptare u emetuan këtë javë me një kupon prej 6.8% dhe rezultoi i njëjtë me ankandin paraardhës, që ishte zhvilluar në fillim të muajit korrik.

Vlera e obligacioneve të emetuara këtë javë ishte 2 miliardë lekë, ndërsa shuma e kërkuar në ankande ishte ndjeshëm më e lartë, me 3.56 miliardë lekë. Kërkesa e investitorëve për titujt e qeverisë është e lartë, sidomos për ata më afatgjatë, që sigurojnë edhe kthime më të larta nga investimi.

Tregu rezultoi me interesa të qëndrueshme edhe për titullin me frekuencë më të shpeshtë emetimi, bonot 12 mujore. Në ankandin e kësaj jave, bonot 12 mujore u emetuan me një interes mesatar prej 1.7%, në rritje të papërfillshme nga niveli 1.67% i ankandit paraardhës.

Në veçanti, sistemi bankar është mjaft likuid dhe ngelet i interesuar për investime në titujt e qeverisë, edhe duke pasur parasysh ecurinë e dobët të kreditimit. Obligacionet janë gjithashtu një mundësi e mirë edhe për individët që nuk kanë planifikuar investime në një afat të gjatë dhe janë të interesuar kryesisht për përfitime sa më të larta nga kursimet e tyre. Në një mjedis me norma shumë të ulëta interesi, obligacionet qeveritare ngelen instrumenti ku investitorët mund të sigurojnë kthimet më të kënaqshme.

SCAN

Lajmi për një shitje të mundshme të Telekom Albania nga Deutsche Telekom zgjoi shume interes dhe polemika. Megjithëse kompanitë e telekomunikacionit mobil në vend kanë qenë gjithmonë në duar të kompanive të huaja, mundësia e shitjes së Telekom Albania tek një kompani Serbe apo Bullgare shkaktoi një paranojë rreth problemit të sigurisë kombëtare duke qenë se kompanitë telefonike përveçse zotërojnë një bazë të dhënash të popullsisë kanë gjithashtu në dorë instrumentet e përgjimit dhe gjurmimit të personit. Duke mos dashur të zgjeroj analizën drejt një fushe që është jashtë ekspertizës time profesionale dhe duke i marrë deri në një masë seriozisht shqetësimet e mësipërme, unë do të ndalesha tek oportuniteti që shfaqet në këtë skenar për të rikthyer një investim strategjik në duart e shqiptarëve apo thënë në terma ekonomik për të mbajtur këtë kapital brenda vendit. Kjo mund të realizohej nëpërmjet një IPO-je pra e thënë më thjeshtë nëpërmjet një shitje të aksioneve në publik, gjë që do të mundësonte edhe një shpërndarje më të madhe të pronësisë dhe do të lejonte shumë investitorë vendas të përfshiheshin në këtë investim. Rikthimet nga ky investim në këtë mënyrë do të siguronin një shpërndarje më të gjerë të pasurisë që padyshim do të ndikonte në rritjen e kërkesës agregate në vend. Gjithashtu mundësia për të investuar në një kompani të madhe të kësaj natyre do të ishte e mirëpritur nga shumë investitorë vendas të cilët në mungesë të ideve dhe mundësive për investime atraktive shkojnë dhe i hedhin kursimet e tyre në investime joproduktive. Për këtë mjafton të shohim ndërtimet që shtohen edhe pse kërkesa për to është në rënie, kafenetë, qendrat tregtare dhe modelet e ngjashme të bizneseve të tipit copy-paste, të cilat dëshmojnë gjithmonë e më shumë konfuzionin e ekonomisë vendase. Shitjet e aksioneve në publik bëhen në bursë, por siç dihet nga të gjithë Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka një treg funksional të kapitalit apo siç njihet nga të gjithë një Bursë. Theksoj funksional pasi në 20 vitet e fundit kemi pasur në fillim Bursën e Tiranës e cila mbas 12 vjetësh aktivitet i mbylli dyert në vitin 2014 pa regjistruar asnjë kompani dhe pa shitur asnjë aksion dhe ndërkohë kemi Bursën e Shqipërisë (ALSE) e cila u licencua në 2017, por për momentin tregton vetëm Bono të thesarit por jo aksione korporative. Një ndër arsyet që bursat në Shqipëri nuk kanë funksionuar është edhe humbja e shansit të kanalizimit të privatizimeve nëpërmjet tyre, mënyrë kjo që rezulton të ketë qenë faktor i suksesit të bursave të Kroacisë, Hungarisë, Polonisë, etj. Nisur nga kjo eksperiencë e suksesshme e këtyre vendeve shoh një oportunitet për të korrigjuar një gabim të së shkuarës që na ka kushtuar dhe do të na kushtojë shtrenjtë nëse nuk e rregullojmë.

Për këtë arsye në këtë rast kërkohet ndërhyrja e shtetit i cili duhet ta kanalizojë këtë transaksion nëpërmjet bursës, por në të njëjtën kohë duke mos lejuar përqendrim të pronësisë në duart e një investitori të vetëm. Për të siguruar këtë qeveria mund të ndërmarrë qasje të ndryshme duke mos përjashtuar edhe përfshirjen e saj në blerjen e një pjese të këtij kapitali. Në këtë mënyrë do të arriheshin dy qëllime njëkohësisht, do të sigurohej kontroll mbi kompaninë për sa i përket rëndësisë së kontrollit mbi influencën dhe sensivitetin e të dhënave që ai administron dhe nga ana tjetër do të krijohej precedenti dhe eksperienca e një tregu funksional i kapitalit që do të mundësonte një alternative të munguar për financim duke ulur në këtë mënyrë dhe pozitat dominuese të sektorit bankar në ekonominë e vendit.

Gazeta Telegraf

Eurobondi i emetuar nga qeveria shqiptare në tregjet ndërkombëtare është blerë nga grupe të njohura ndërkombëtare si JP Morgan, Goldman Sachs, Aberdeen apo fondet e pensioneve të Finlandës e Francës.

Në daljen për mediat, ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se kjo është dëshmi se këto kompani të njohura apo fondet e pensioneve të vendeve të zhvilluara europiane kanë besim te ekonomia shqiptare përderisa investojnë te eurobondi i Shqipërisë.

Ndërsa e konsideroi si sukses emetimin e eurobondit dhe nivelin e ulët të interesave, ministri tha se ky emetim do të ketë efekte pozitive edhe në tregun e brendshëm, përmes pasjes së likujditetit që sjell si efekt uljen e interesave, të bonove të thesarit e potencialisht edhe të kredisë. Sipas Ahmetajt, kursimi nga kjo lëvizje është potencialisht 10 miliard lekë.

SCAN

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE ka kënaqësinë t’ju njoftojë mbi publikimin e Raportit Statistikor 3-mujor për periudhën Korrik-Shtator 2018 (T3-2018). Për informacion më të detajuar rreth raportit, ju lutem klikoni këtu

 

 

 

 

 

 

 

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare. Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.00%
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0.10%
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 1.90%.

SCAN

Banka Botërore vlerëson si të suksesshëm emetimin e eurobondit nga qeveria shqiptare. E pyetur nga mediat, kryeekonomistja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Hilda Shijaku, tha se tregjet financiare po tregojnë një besim në rritje te ekonomia shqiptare.

Sipas saj, ky emetim ishte në përputhje me strategjinë e menaxhimit të borxhit, përmes sigurimit të interesave më të ulët, me një maturitet më afatgjatë.

Në daljen e tretë në tregjet financiare ndërkombëtare, Shqipëria emetoi me sukses eurobonde në vlerën e 500 milionë eurove.

Maturiteti i eurobondeve të emetuara arriti në 7 vjet, nga pesë vjet që kishte qenë në emetimet e mëparshme, ndërsa kuponi ishte 3.55% në rënie të ndjeshme krahasuar me dy emetimet e mëparshme.

Ersuin Shehu/SCAN

Rritja e lartë në gjysmën e parë të vitit ka përmirësuar pritshmëritë e Bankës Botërore rreth ekonomisë shqiptare për këtë vit. Sipas raportit ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria, së bashku me Kosovën, priten të kenë rritjen më të lartë ekonomike në rajon për vitin 2018, me 4%. Në analizën e Bankës Botërore, rritja ekonomike është shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës dhe nxiti pjesëmarrjen në forcën e punës.

Megjithatë, edhe raporti nënvizon se gjysma e rritjes ekonomike erdhi nga prodhimi i lartë i energjisë elektrike. Rënia e kontributit të këtij sektori, por edhe mbyllja e projektit TAP, do të kenë ndikime në ritmet e rritjes ekonomike për vitet në vijim. Në fakt, Banka Botërore ngelet e qëndrimit se rritja e ekonomisë shqiptare do të bjerë në afatin e mesëm, deri në 3.5% në vitin 2020.

Për të siguruar një rritje të lartë afatgjatë, Banka Botërore vendosi edhe njëherë theksin te reformat afatgjata që rrisin kapitalin njerëzor dhe fizik, reduktojnë barrierat e pjesëmarrjes në forcën e punës dhe promovojnë konkurrencën në treg. Në raport nënvizohet edhe njëherë se qëndrueshmëria fiskale është parakusht për rritjen ekonomike dhe kërkon mbajtjen e fokusit tek konsolidimit fiskal dhe ulja e borxhit publik.

Në kontekstin e menaxhimit buxhetor, Banka Botërore kërkoi sërish përmirësim të cilësisë së shpenzimeve publike, si edhe përmirësimi e kuadrit rregullues të koncesioneve dhe partneritetit publik-privat.

SCAN

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko e ka vlerësuar pozitivisht emetimin e eurobondit, duke e cilësuar si një sukses atë që është arritur por edhe si një vlerësues për gjendjen e ekonomisë shqiptare. Në daljen për mediat për vendimmarrjen e politikës monetare, Guvernatori tha se vlera e ofruar përtej kërkesës dhe interesat e ulëta për eurobondin e Shqipërisë janë një tregues tjetër i situatës ekonomike që vjen nga tregjet ndërkombëtare e që i bashkëngjitet edhe vlerësimeve të organizmave ekonomikë ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo Komisioni Europian.

Në vijim të përgjigjes, Guvernatori Sejko evidentoi se përfitimet janë të shumta ndërsa theksoi se nga ky emetim nuk do të ketë rritje të nivelit të borxhit publik.

“Ne u informuam përfundimisht për emetimin e eurbondit. Në fakt ky është një sukses nisur si nga vlera e eurobondit. U ofruan mbi 1 miliard euro për emetimin e eurobondit pavarësisht se nevoja ishte për 500 milionë euro pasi ne këtë synonim, qeveria shqiptare këtë synonte.

Po ashtu edhe norma e interesit është tregues i një mbyllje me sukses. Ky është tregues i vlerësimit të ekonomisë shqiptare nga tregjet e huaja ndërkombëtare. Pra ne tani kemi edhe një tregues, edhe një element tjetër, përveç vlerësimeve që ekonomisë shqiptare i jep FMN, BB apo KE. Pra ekonomia shqiptare vlerësohet pozitivisht për sa kohë eurobondi u emetua në nivelin dyfish të asaj që ishte e kërkuar.

Natyrisht që eurobondi ka disa elemente pozitivë. Në radhë të parë liron likujditetin në tregje për ta afruar në sistemin bankar kundrejt kreditimit, pra krijon likujditete të lira për bankat për të nxitur kredidhënien në vend. Gjithashtu është edhe një sinjal pozitiv për investitorët e huaj pasi është një tregues i vlerësimit të ekonomisë shqiptare. Ne e vlerësojmë një transaksion të suksesshëm.

E rëndësishme është që të theksohet se, nga kontaktet që ne kemi edhe me Ministrinë e Financave dhe nga shikimi i pasqyrave financiare të buxhetit të shtetit, eurobondi nuk do të ndikojë në rritjen e borxhit të Shqipërisë. Pra eurobondi është kalkuluar për një pjesë të shërbimit të borxhit të vjetër dhe do të përdoret gjithnjë në kontekstin e konsolidimit fiskal” tha Sejko.

Qeveria shqiptare ka realizuar me sukses eurobondin e tretë në tregjet ndërkombëtare. Referuar të dhënave të Thomson Reuters, oferta ka qenë mjaft e lartë, në rreth 1.25 miliardë euro, nga 500 milionë euro që kërkonte qeveria shqiptare.

Yieldi përfundimtar i këtij eurobondi është 3.55%, shumë më i ulët krahasuar me interesin prej 5.75% të paguar për eurobondin 450 milionë euro, të emetuar në vitin 2015. Përpara se ankandi të mbyllej interesi i pritshëm ishte nga 3.6%-3.7%.

Data e maturimit të këtij eurobondi të tretë prej 500 milionë euro, është 9 nëntori i vitit 2025. Huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer përpara kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.

SCAN

Lëvizje te postimet