Rënia e interesave të bonove të thesarit nuk u ndal as në ankandin e kësaj jave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan të martën me një interes mesatar të ponderuar 1.65%, me një tjetër rënie nga niveli 1.71% që ishte regjistruar në ankandin e mëparshëm. Ndryshe nga ankandet e mëparshme, ofertat në ankande nuk plotësuan të gjithë shumën prej 8.7 miliardë lekësh të shpallur për financim nga Ministria e Financave.

Sidoqoftë, interesat shënuan rënie për të trembëdhjetin ankand radhazi dhe që nga fillimi i këtij viti ato kanë rënë me mbi 1 pikë përqindje. Interesat e bonove kanë prekur nivelin më të ulët në dy vitet e fundit. Tregu financiar duket mjaft likuid, edhe sepse kreditimi i sektorit privat po ecën me ritme të ngadaltë. Bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare janë alternativa e vetme e investimit për fondet e lira në lekë kreditimi i pakët e ka rritur kërkesën e bankave në ankandet e bonove.

Banka e Shqipërisë dha gjithashtu një sinjal të rëndësishëm në muajin qershor, duke ulur sërish normën bazë të interesit në minimumin historik prej 1%. Ulja e interesave të bonove nënkupton ulje të kostos së shërbimit të borxhit, për instrumentet që qeveria shqiptare ka emetuar ose rifinancuar gjatë pjesës së parë të këtij viti. Duke qenë se interesi i titujve qeveritarë ngelet një normë reference në tregun financiar, ajo reflektohet edhe në interesat e kredive afatgjata në lekë, që ndërtohen mbi bonot e thesarit plus një marzh fiks. Në rivlerësimin periodik të kësteve mbështetur në ecurinë e bonove, kredimarrësit që kanë hua me interesa të ndryshueshëm në lekë paguajnë këste më të ulët.

Raiffeisen Invest sh.a është shoqëria që hodhi bazat e tregut të fondeve të investimit në Shqipëri dhe e zhvilloi atë, falë bashkëpunimit dhe mbështetjes nga AMF. Pas suksesit të Fondit Prestigj dhe fondit Raiffeisen Invest Euro, RIAL i ofron investitorit shqiptar edhe një mundësi tjetër investimi në lekë, me qëllim diversifikimin e portofolit financiar nëpërmjet investimeve më afatgjata.

Objektivi i Fondit Raiffeisen Vizion është të maksimizojë kthimin total afat-mesëm për investitorët, duke synuar të ruajë kapitalin e tyre dhe të sigurojë likuiditet të mjaftueshëm.

Ky fond është i përshtatshëm për të gjithë investitorët, qofshin persona fizikë apo juridikë, të cilët kanë nevoja të ulëta likuiditeti dhe horizont investimi afatgjatë, të përgatitur të marrin përsipër rreziqet e listuara në prospektin e fondit kundrejt potencialit të një kthimi të kënaqshëm nga investimi.

Të gjithë investitorët e interesuar mund të drejtohen pranë degëve të Raiffeisen Bank për të investuar në fondin e ri. Shuma minimale e investimit fillestar në Fond është 30,000 Lekë. Kjo shumë mund të rritet me një vlerë e cila është minimalisht 10,000 Lekë.

“Krijimi i fondit Raiffeisen Vizion tregon angazhimin tonë të vazhdueshëm për ti ofruar publikut shqiptar një gamë të gjerë produktesh investimi, jashtë spektrit të produkteve bankare, në përputhje me profilin e tyre të rrezikut. Ky është fondi i tretë i investimit nën administrim të Raiffeisen Invest, i krijuar paralelisht me rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurisë mbi fondet e investimeve në Shqipëri. Si shoqëria lider në këtë treg, ne do të vazhdojmë të menaxhojmë asetet e investitorëve me profesionalizëm, integritet dhe transparencë, duke zbatuar praktikat më të mira të menaxhimit të aseteve dhe kontribuojmë për sofistikimin e tregut në tërësi. Në një mjedis normash të ulëta interesi, Raiffeisen Vizion do të jetë një alternativë shumë e mirë investimi” tha Edlira Konini, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Invest sh.a.

Gjatë ditës së tregtimit të datës 16.08.2018 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua gjithsej 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua gjatë orareve zyrtare të tregtimit (on-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Bono Thesari 12 Mujore;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 2090 Bono Thesari;
  • Vlera totale e tregtimit në Bono Thesari ishte 20,816,400 LEK,

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 16.08.2018 klikoni këtu.

Kuponet e obligacioneve pësuan sërish rënie, duke thelluar tendencën e uljes së interesave të borxhit të instrumenteve të qeverisë shqiptare. Obligacionet me maturim dyvjeçar u emetuan me një kupon prej 2.15%. Ky është niveli më i ulët që regjistrohet që nga shtatori i vitit 2016.

Në rënie rezultuan edhe obligacionet 5 vjeçare, që javën e kaluar u emetuan me një kupon prej 5.3%, nga 5.45% që kishte qenë në ankandin paraardhës.

E njëjta tendencë po verifikohet edhe me instrumentet afatshkurtra, ku interesat e bonove gjithashtu kanë prekur nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, oferta e qeverisë për letra me vlerë në gjysmën e parë të këtij viti ka qenë e përmbajtur. Në këto kushte, ecuria e interesave është përcaktuar nga kërkesa konkurruese e bankave, e cila ka qenë e lartë.

Në ankandet e kësaj jave, kërkesa arriti në mbi 5 miliardë lekë, nga 4 miliardë lekë që ishte vlera e obligacioneve të ofruara nga qeveria shqiptare. Bankat, që janë financuesi kryesor i borxhit të brendshëm qeveritar, vazhdojnë të kenë kërkesë të lartë për instrumentet e borxhit qeveritar. Tregu ka likuiditete të bollshëm, ndërsa kreditimi i sektorit privat ende po rritet me ritme të ngadaltë.

Një stimul i mëtejshëm për uljen e interesave erdhi nga vendimi i Bankës së Shqipërisë, që në muajin qershor e uli normën bazë në minimumin e ri historik prej 1%. Transmetimi i sinjaleve të politikës monetare në tregun primar të borxhit të qeverisë ndihmon në mbajtjen e interesave të ulët edhe në financimin e sektorit privat.

Bankat lokale po rriten më tej gjatë vitit 2018, duke u faktorizuar akoma më shumë brenda sistemit financiar, ndërsa bankat më të mëdha me kapital nga vendet e Eurozonës po e ulin ende pjesën e tyre të tregut. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti Banka Kombëtare Tregtare dhe Credins vazhduan rritjen me ritme të larta, ndërsa Raiffeisen dhe Intesa Sanpaolo u tkurrën më tej.

Në fund të qershorit, BKT zotëronte 402 miliardë lekë aktive ose sa 27.96% e totalit të aktiveve të sistemit bankar. Në një vit, pjesa e tregut të BKT është rritur me 1 pikë përqindje. Ndërkohë, Raiffeisen dikur banka e parë më e madhe në vend, është tkurrur më shumë dhe në mesin e këtij viti zotëronte 16.38% të aseteve të tregut, nga 17.93% që kishte një vit më parë.

Pas krizës dhe forcimit të kërkesave rregullatore për kapital nga rregullatorët e Eurozonës, Raiffeisen ka nisur një proces të reduktimit të përmasave të aktivitetit të saj në Shqipëri. Credins Bank ka forcuar më shumë pozitën si banka e tretë më e madhe në ved, me një total aktivesh prej 185 miliardë lekësh, ose sa 12.91% e aktiveve të sistemit.

Në një vit, Credins e ka rritur pjesën e saj të tregut me 1.1 pikë përqindje. Me ritmet e viteve të fundit, ka shumë të ngjarë që brenda një horizonti afatmesëm Credins të arrijë të bëhet banka e dytë më e madhe në vend. Më mbrapa gjendet Intesa Sanpaolo, që mban një pjesë tregu prej 10.92%, nga 11.25% që kishte një vit më parë.

Ndër bankat e Eurozonës, të vetmet që janë rritur në 12 muajt e fundit të mbuluar nga statistikat janë Societe Generale, që ka arritur në 5.92% të tregut dhe Alpha Bank, që zotëron 5.31% të aktiveve. Megjithatë, banka franceze ka vendosur të lërë Shqipërinë dhe sapo ka zyrtarizuar marrëveshjen për shitjen e kuotave të saj te banka hungareze OTP.

Union Bank, ABI Bank dhe Fibank vazhduan të rrisin pjesën e tyre të tregut, duke u konfirmuar secila me ambicie në rritje për të marrë një peshë më të madhe brenda sektorit bankar.

Ndërkohë, në rënie janë bankat që kanë transferuar pronësinë dhe janë drejt bashkimit me blerësit e rinj. Veneto Banka, që së shpejti do të shkrihet me Intesa Sanpaolo, ra në 1.38% të tregut, nga 1.8% që mbante një vit më parë. Edhe NBG Bank, e sapo blerë nga ABI Bank, e uli pjesën e saj të tregut në 2.54%, nga 2.83% që zotëronte vitin e kaluar.

Gjatë ditës së tregtimit të datës 09.08.2018 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua gjithsej 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua gjatë orareve zyrtare të tregtimit (on-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Obligacion Thesari 10 Vjeçar;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 217 Obligacione Thesari;
  • Vlera totale e tregtimit në Obligacione Thesari ishte 22,064,560 LEK,

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 09.08.2018 klikoni këtu.

Qeveria shqiptare po bën hapa konkrete në drejtim të emetimit të Eurobondit me vlerë 500 milionë euro këtë vit, teksa ka nisur faza paraprake për prezantimin e karakteristikave tek investitorët (roadshow), sipas njoftimeve zyrtare në agjencitë e lajmeve të tregjeve të kapitalit.

Të dhënat themelore janë prezantuar tek investitorët potencialë nëpërmjet të cilave qeveria synon të emetojë  Eurobondin kundrejt një afati maturimi 5-10 vjet me gjasë për të siguruar së paku shtatë vite, ashtu si edhe Maqedonia veproi në fillim të këtij viti.

Pas kësaj faze investitorët do të shprehen në lidhje me shumat që do të ofrojnë me interesat përkatëse.

Ministria e Financave ka përzgjedhur edhe bankat që do të udhëheqin procesin e emetimit të eurobondit në tregjet e kapitalit. Komisioni i posaçëm i ngritur për këtë proces ka përzgjedhur Citi, Banka IMI dhe Societe Generale si skuadrën rregulluese të përbashkët të transaksionit. Për herë të fundit Shqipëria doli në tregjet e kapitalit në vitin 2015 kur emetoi 450 milionë euro për 5 vjet me një kupton prej 5.75%,  ndërkohë që në 2010 emetoi eurobondin e parë me vlerë 300 milionë euro.

Shqipëria është e fundit në Rajon që del në tregjet e kapitalit këtë vit, ndërkohë që më herët me sukses kanë përfunduar këtë proces Maqedonia, Mali i Zi dhe Republika Serbe e Bosnjës (njëra nga dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës, tjetra është Federata e Bosnjës). Të treja kanë siguruar eurobonde me vlera të konsiderueshme.

Siparin e ngriti Maqedonia në janar e cila emetoi një Eurobond me vlerë 7 vjeçare ntë këtij viti dhe me një normë interesi prej 3 për qind.  Kjo është norma më e ulët me të cilin ky shtet që doli për herë të shtatë në tregje ka siguruar ndonjëherë borxhin. Më herët interesat janë luhatur mes 3.9 dhe 9.8 për qind. Kërkesa e investitorëve për euroboondin maqedonas ishin 3.5 miliardë euro apo 7 herë më e madhe se oferta. Me këtë emetim Maqedonia në një deklaroi se do të plotësonte një pjesë të eurobondit të vjetër të saj që maturohej në dhejtor 2020 dhe që kishte një interes 4.8 për qind. Kjo u cilësua si një lëvizje e zgjuar e qeverisë për të ulur borxhin dhe riskun e rifinancimit.

S&P vlerësoi Shqipërinë me notën në B +/ B të analizës së renditjes së borxhit sovran afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë, me perspektivë të qëndrueshme.

I njëjti vlerësim ishte edhe për Maqedoninë, por Shqipëria ka borxhin publik rreth 71 % e PBB, ndërsa Maqedonia me vetem 38.7 për qind të PBB-së. Por gjatë 2017 Shqipëria pati një rritje ekonomike 3.8 %, ndërsa Maqedonia 0.1 për qind.

Shqipëria do të dalë zyrtarisht për herë të tretë në tregjet e kapitalit këtë vit për të siguruar një Eurobond në vlerën 500 milionë euro duke provuar veten para investitorëve pas tre vitesh. Kuponi me të cilin vendi ynë siguroi borxhin e fundit në këto tregje ishte me një interes 5.75 për qind.

Boshti që shërben për caktimin e interesit për borxhet në tregjet e kapitalit është besimi që transmeton vendi emetues që zakonisht është derivat i raporteve të rëndësishme. Së pari në analizë merren raportet e insitucioneve financiare ndërkombëtare si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar. Po kështu merren raportet e agjencive të vlerësimit të kreditit Moody’s, Standard and Poor’s apo Fitch Rating e në vazhdim edhe një sërë elementësh të tjerë të kombinuar.

Vendet e tjera  të Rajonit më herët këtë vit kanë emetuar Eurobonde. Pas Maqedonisë i dyti në treg ishte Mali i Zi që në prill të këtij viti njoftoi daljen në tregjet e kapitalit për 500 milionë euro. Investitorët e interesuar për ketë Eurobond ofruan një total prej 1.48 miliardë euro pra rreth 3 herë më shumë se interesi i Malit të Zi. Në fund qeveria vendosi të blinte vetëm 362 milionë euro me një interes mestatar 3.37 për qind dhe për të cilat ripagesa nis në 2019, 2020 dhe 2021.

Edhe për Malin e Zi ky ishte interesi më i ulët me të cilin u sigurua një Eurobond në tregun e kapitalit.

Republika Serbe e Bosnjës nga ana tjetër njoftoi se në qershor mbylli daljen e saj në tregjet e kapitalit ku emetoi një Eurobond me vlerë 168 milionë euro për një afat 5 vjeçar. Kuponi me të cilin u sigurrua ky borxh ishte 4.75 për qind. Kjo ishte hera e parë që Republika Serbe e Bosnjës debutante në tregjet e kapitalit dhe një peshë të konsiderueshme të përqindjes së saj e mban pikërisht ky fakt. Kërkesa fillestare ishte për të paktën 200 milionë euro në bursën e Vjenës.

Interesat e bonove të thesarit ranë sërish në ankandet e kësaj jave. Bonot me maturim 12 mujor u emetuan të martën me një interes mesatar të ponderuar 1.71%.

Ky është niveli më i ulët i regjistruar që nga gushti i vitit 2016. Interesat shënuan rënie për të dymbëdhjetin ankand radhazi dhe që nga fillimi i këtij viti ato kanë rënë me rreth 1 pikë përqindje.

Bonot me maturim 6-mujor u emetuan me një interes mesatar prej 1.36%, nga 1.92% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm. Rënia e interesave është kuptueshme duke parë raportet mes kërkesës dhe ofertës në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë.

Në ankandin e të martës, kërkesat arritën vlerën e 13.3 miliardë lekëve, ndërsa shuma e shpallur për financim nga qeveria ishte 10.4 miliardë lekë. Tregu dhe kryesisht bankat kanë likuiditete të bollshme, edhe sepse kreditimi i ekonomisë po ecën me ritme të ngadaltë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të muajit qershor kredia ra me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar rezultatin më negativ për këtë vit.

Instrumentet e borxhit qeveritar janë alternativa e vetme e investimit për fondet e lira në lekë dhe rënia e kredisë mund të ketë rritur kërkesën e bankave në ankandet e bonove.

Gjithashtu, ulja e normës bazë të interesit në muajin qershor i ka dhënë një sinjal të mëtejshëm tregut për vazhdimin e ciklit të interesave të ulëta në ekonomi.

Banka e Pireut në Greqi ka njoftuar zyrtarisht sot se ka hyrë në një marrëveshje me Grupin Balfin dhe Komercijalna Banka, për shitjen e aksioneve të degës së saj në Shqipëri, Tirana Bank.

Transaksioni thuhet në njoftim, është subjekt i kushteve, duke përfshirë miratimet rregullatore dhe të tjera nga autoritetet përkatëse në Komisionin Europian, Greqi dhe Shqipëri, si dhe Fondin Helenik të Stabilitetit Financiar.

Shuma totale në konsideratë arrin në 57.3 milionë euro për 98.83% të aksioneve të Bankës Piraeus në Tirana Bank.

Unicredit ka vepruar si këshilltar ekskluziv financiar i Pireut për transaksionin. Norton Rose veproi si këshilltar ligjor ndërkombëtar i Piraeus dhe Boga & Associates si këshilltar ligjor lokal i Pireut për Transaksionin, përfundon njoftimi zyrtar i bankës së Pireut.

Tirana Bank është banka e gjashtë më e madhe në vend. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, totali i aktiveve të bankës ishte rreth 80 miliardë lekë në fund të vitit 2017, ose rreth 5.3% e totalit të aktiveve në sistem. Banka ka 4.2% të stokut të kredive dhe 5.2% të depozitave dhe e kishte mbyllur vitin 2017 me një fitim prej 69 milionë lekësh. Numri i punonjësve ishte 439 në fund të vitit 2017, teksa banka ka 39 degë.

Kjo është banka e dytë me kapital grek që shitet, pasi NBG u ble në muajt e parë të këtij viti nga Abi bank. Abi Bank kishte shprehur interes edhe për blerjen e Tirana Bank.

Blerësit

Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, është më i madhi në vend. Pjesë e Grupit Balfin janë Qendrat Tregtare TEG dhe QTU, kompania AlbChrome, Mane TCI, Green Coast Luxury Resort, Vala Mar Residences, Tirana Logistic Park, AgroCon Albania, si dhe rrjeti i dyqaneve Neptun në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni; Jumbo në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë; rrjeti i dyqaneve SPAR Albania, Fashion Group etj.

Të ardhurat e Grupit në Shqipëri në 2016-n ishin rreth 250 milionë euro, ndërsa në total arrijnë në rreth 600 milionë euro (jashtë vendit aktiviteti kryesor ështe në Vjenë, Maqedoni, Kosovë, Bosnjë – Hercegovinë etj.), sipas burimeve zyrtare nga grupi.

Pak kohë më parë, presidenti i saj, z. Samir Mane kishte shprehur interesin për tu diversifikuar në sektorin financiar. “Po qe se do të vijë një ofertë e mirë, dhe jemi duke parë, natyrisht që mund ta mendojmë edhe investimin në këtë fushë”, ka pohuar ai në një intervistë për Monitor rreth një vit më parë.

Komercijalna Banka, sipas faqes së saj të internetit u themelua në vitin 1955, si Bankë Komunale e qytetit të Shkupit, e specializuar për kredi për shtëpi dhe financim të veprimtarive ndërtimore. Në vitin 1965 u hap Dega e parë e Bankës në Shkup. Nga 1.1.1966, Banka Komunale u transformua në një lloj të përzier të bankës dhe morri një emër të ri: Komercijalna Banka –Investuese Shkup. Në vitin 1971, tre bankat kryesore në Republikën e Maqedonisë edhe atë Banka Ekonomike Shkup, Komercijalna Banka –Investuese në Shkup dhe Manastir, u integruan në një bankë e cila vepronte nën emrin Banka Ekonomike – Filiali Shkup. Kjo bankë ishte banka e parë që prezantoi llogaritë rrjedhëse për qytetarët. Në vitin 1989, u soll Ligji për bankat dhe institucionet tjera financiare dhe në vitin 1990 Banka u transferua në shoqërinë e parë aksionere në vend duke mbajtur emrin e tanishëm Komercijalna Banka AD Skopje.

Komercijalna Banka AD Skopje sot është një bankë universale me një gamë të gjerë të aktiviteteve bankare, duke filluar nga depozitat, dhënien e kredive për personat juridikë dhe fizikë, shërbime dhe mundësi për qarkullimin e pagesave në vend dhe jashtë vendit, ndërmjetësim në blerjen dhe shitjen e valutës së huaj, të letrave me vlerë, forfetime, etj, thuhet në faqen e saj.

Balfin: Tirana Bank do të vijojë të operojë e pavarur 
Në një njoftim zyrtar, Grupi Balfin tha se “Balfin dhe Komercijalna kanë një histori të gjatë bashkëpunimi në Maqedoni, por ky është rasti i parë kur ky bashkëpunim shtrihet edhe në Shqipëri.
Transaksioni po i nënshtrohet proceseve të miratimit të rregullave në fuqi në legjislacionet përkatëse.
Tirana Bank do të vijojë të operojë e pavarur dhe e menaxhuar nga profesionistë me përvojë dhe e udhëhequr nga një bord ndërkombëtar, si dhe do t’i zgjerojnë më tej veprimtaritë e saj bankare në Shqipëri.
Tirana Bank ka qenë gjithnjë një bankë e rëndësishme në zhvillimet financiare të Shqipërisë, dhe është banka e parë private që u shfaq në tregun vendas. Me një reputacion dhe staf të shkëlqyer, Tirana Bank është një prej bankave më të mira në Shqipëri. Balfin dhe Komercijalna do të mbështeten te ky reputacion dhe te besimi i shfaqur nga klientët për t’i zgjeruar më tej veprimtaritë e bankës.
Grupi Balfin është një ndër grupet më inovatore dhe me të mëdha në rajonin e Ballkanit dhe ka një portofol të gjerë investimesh në shtete si Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi, Austri, Holandë, Britani e Madhe dhe më gjerë.
Komercijalna është një bankë që ka fituar çmime në Maqedoni dhe zotëron një pjesë dominuese në sektorin e kredidhënies ndaj biznezeve të shitjes me pakicë si dhe në zhvillimin e produkteve të reja përmes internetit dhe platformave dixhitale. Me asete që kapin një vlerë totale prej 1.737 miliardë eurosh, Komercijalna është një prej bankave më të mëdha në Evropën Jug Lindore”, përfundon njoftimi i Balfin.

Lëvizje te postimet