Gjatë ditës së tregtimit të datës 02.10.2018 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutuan gjithsej 2 transaksione në 2 tituj të ndryshëm;
  • Një transaksion u ekzekutua jashtë orareve zyrtare të tregtimit (off-exchange) dhe një transaksion u ekzekutua gjatë orareve zyrtare të tregtimit (on-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar jashtë orarit zyrtar të tregtimit (off-exchange) u krye dje më datë 01.10.2018 dhe u raportua sot para orarit zyrtar të bursës ora 12:00;
  • Transaksioni i ekzekutuar në off-exchange ishte në Obligacion Thesari 7 vjecar ndërsa Transaksioni i ekzekutuar në on-exchange ishte në Bono Thesari 12 Mujore;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 56 Obligacione Thesari dhe 3600 Bono Thesari;
  • Vlera totale e tregtimit në Obligacion Thesari ishte 6,056,960 LEK, ndërsa Vlera totale e tregtimit në Bono Thesari ishte 35,899,200 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 02.10.2018 klikoni këtu.

Operacioni i emetimit të Eurobondit deri më tani po jep sinjale pozitive, të paktën nëse analizojmë ofertat që kanë ardhur për kërkesën e blerjes e pjesës së pashlyer të borxhit të marrë nga emetimi i mëparshëm.

Në fund të muajit të kaluar, Shqipëria u listua zyrtarisht në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për operacionin e blerjes mbrapsht (buy-back) të Eurobondit të lëshuar në vitin 2015. Afati përfundimtar për paraqitjen e ofertave për blerjen pas të borxhit ishte data 1 Tetor 2018.

Sipas dokumenteve të Bursës së Londrës, të zbardhura nga SCAN, qeveria synonte të blinte një shumë maksimale prej 200 milionë eurosh, me një ofertë prej 109.75% të vlerës së principalit që maturohet në vitin 2020. Po në fakt, oferta që i ka ardhur palës shqiptare është për 311 milionë euro.

Në këto kushte, pala shqiptare që ka vendosur të blejë vetëm 200 milionë euro nga borxhi i eurobondit ekzistues, mund të negociojë për kushte më të favorshme, duke përfituar në këtë mënyrë edhe për emetimin e eurobondit të ri, proces që ka nisur sot e mbyllet me 9 tetor 2018. Manaxherët e autorizuar nga shteti shqiptar të kësaj marrëveshjeje janë Banca IMI, Citigroup dhe Societe Generale.

SCAN

Shqipëria do të dalë për herë të tretë këtë të martë për të siguruar hua në tregjet financiare ndërkombëtare. Emetimi i të martës do të jetë më i madhi i tentuar ndonjëherë nga Shqipëria, për një vlerë totale prej 500 milionë eurosh.

Në vitin 2010, qeveria shqiptare emetoi me sukses eurobonde në vlerën e 300 milionë eurove, me një kupon prej 7.5%, ndërsa në vitin 2015 shuma e emetuar arriti në 450 milionë euro dhe kuponi zbriti në 5.75%. Tendenca e normave të interesit për obligacionet shqiptare ka qenë pozitive, edhe falë rënies së përgjithshme të normave të interesit në tregjet financiare. Pritshmëritë e Ministrisë së Financave janë për të siguruar norma më të ulëta interesi në emetimin e të martës. Vendimi për të dalë sërish në tregjet financiare lidhet sidomos me qëllimin për të siguruar huamarrje të re para se normat e interesit t’i kthehen rritjes, çka pritet të ndodhë në vitet në vijim. Risia tjetër e emetimit është përpjekja për zgjatjen e pjesshme të maturitetit në shtatë vjet, nga pesë vjet që kanë qenë dy emetimet e para.

Obligacionet në euro apo eurobondet janë letra borxhi afatgjatë në monedhën e përbashkët europiane. Titujt e huamarrjes në euro janë instrumente likuide, që investitorët të cilët i zotërojnë mund t’i tregtojnë lirshëm në bursa. Një tregtim i tillë pothuajse nuk ekziston për obligacionet në lekë, për arsyen e vetme se tregu dytësor dhe bursa në Shqipëri ende janë të pazhvilluara. Tregtimi dytësor, në fakt, përbën një lloj barometri në kohë për vlerën reale të tregut të këtyre instrumenteve dhe besimin që emetuesi gëzon në tregje.

SCAN

Qeveria shqiptare ka realizuar me sukses eurobondin e tretë në tregjet ndërkombëtare.

Referuar të dhënave të Thomson Reuters, oferta ka qenë mjaft e lartë, në rreth 1.25 miliardë euro, nga 500 milionë euro që kërkonte qeveria shqiptare.

Yieldi përfundimtar i këtij eurobondi është 3.55%, shumë më i ulët krahasuar me interesin prej 5.75% të paguar për eurobondin 450 milionë euro, të emetuar në vitin 2015. Përpara se ankandi të mbyllej interesi i pritshëm ishte nga 3.6%-3.7%.

Data e maturimit të këtij eurobondi të tretë prej 500 milionë euro, është 9 nëntori i vitit 2025. Huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer përpara kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.

SCAN

Monitor

Mbiçmimi i lekut ndaj valutave kryesore ka dhënë një efekt pakësues prej 31 miliardë lekësh te depozitat gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, dhe prej rreth 33 miliardë lekësh në terma vjetorë, raportoi së fundmi Banka e Shqipërisë në një nga publikimet periodikë të saj.

Pa efektin e kursit të këmbimit, depozitat në valutë do të ishin rritur me 16 miliardë lekë gjatë 6-mujorit të parë dhe me 36 miliardë lekë ndaj një viti më parë. Ndërkohë, në monedhë origjinale, depozitat në euro, të cilat përbëjnë rreth 85% të depozitave në valutë, janë rritur me 110 milionë euro gjatë periudhës, dhe me 210 milionë euro ndaj një viti më parë ose me përkatësisht 2.9% dhe 5.6%, raportoi Banka e Shqipërisë.

Pesha e depozitave në valutë në totalin e depozitave qëndroi e pandryshuar gjatë periudhës, duke shënuar nivelin 52.9% në fund të muajit qershor. Mosndryshimi i peshës tregon për rritjen e depozitave në valutat, pavarësisht ndikimit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut në kundërvlerën totale të depozitave në valutë.

Gjatë 6-mujorit të parë të vitit depozitat në sistemin bankar ranë me 1.7% ose rreth 20 miliardë lekë në krahasim me fundin e vitit. Rënie është raportuar në të gjitha llojet e depozitave, sipas monedhës, sektorit dhe produktit, përveç depozitave pa afat, të cilat u rritën me rreth 3%. Në krahasim me një vit më parë rritje të dukshme kanë shënuar depozitat e bizneseve (me 4.7%), llogaritë rrjedhëse (me 2.7%) dhe depozitat pa afat (me 16%), ndërsa depozitat e individëve kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.

Banka e Shqipërisë sqaroi se, kjo ecuri është e lidhur ngushtë me strukturën e maturimit të kursimeve, pasi rënia e depozitave me afat, të preferuara nga individët, në kushtet e normave më të ulëta të interesit, është shoqëruar me rritjen e depozitave pa afat dhe të llogarive rrjedhëse, të preferuara nga bizneset.

Rritja vjetore e llogarive rrjedhëse, depozitave pa afat dhe depozitave të përgjithshme, vijon të mbetet pozitive, por ka ardhur duke rënë gjatë dy viteve të fundit.

Për shkak të kontributit negativ të depozitave me afat në ecurinë e depozitave totale dhe të kontributit pozitiv të depozitave pa afat dhe të llogarive rrjedhëse, gjatë 2 viteve të fundit, në strukturën e depozitave sipas afatit të maturimit, pesha e depozitave me afat ka zbritur me 2 pikë përqindje në nivelin 57%, pesha e depozitave pa afat është rritur me 2 pikë përqindje në nivelin 10%, ndërsa pesha e llogarive rrjedhëse ka mbetur e pandryshuar në 33%.

Moody`s vijon ta vlerësojë sektorin bankar mbi nivelin e ekonomisë shqiptare, në B2, nga B1 që vlerësohet ekonomia shqiptare në tërësi.

“Sektori bankar i Shqipërisë po përjeton një konsolidim thelbësor”, thuhet në raportin më të fundit të Moody`s të analizës vjetore të ekonomisë shqiptare.

Pjesë e strategjisë së konsolidimit theksohet edhe plani i shprehur tashmë i disa bankave për t`u larguar nga tregu vendas.

Moody`s vë theksin edhe te fakti se, duke pasur parasysh masën e tregut bankar të vendit, potenciali i hyrjes në këtë treg i një kompanie që nuk vjen nga ky sektor, pra pa eksperiencë, do të përbënte një burim rreziku.

Në raport nënvizohet dhe numri i lartë  i kredive me probleme, por edhe përmirësimi i cilësisë së aseteve, si pasojë e përmirësimit të kushteve ekonomike, ristrukturimit të kredive dhe fshirjes nga bilancet e bankave të kredive jo performuese.

Në tërësinë e tij, sistemi bankar vlerësohet si i mirëkapitalizuar dhe likuidit, ndërkohë që rritja e ngadaltë e kreditimit bie në sy.

Roel Korkuti/SCAN

Kreditë me probleme të sistemit bankar jashtë vendit janë rritur në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit raporti i kredive me probleme për portofolin e jo rezidentëve ka arritur në 5.6%, nga 3.9% që ishte në fund të vitit të kaluar.

Megjithëse ky raport ngelet më i ulët krahasuar me kredinë për rezidentët në Shqipëri, tendenca e kredive me probleme është e kundërt. Ndërsa raporti i kredive me probleme për rezidentët është në rënie, ai për jo rezidentët është në rritje. Kjo tendencë duket se ka ndikuar edhe qasjen e bankave, që e kanë frenuar kreditimin në këtë segment të tregut.

Në fund të gjashtëmujorit të parë, kredia për jo rezidentët ra me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e kredive me probleme për jo rezidentët mund të jetë pjesërisht pjesë e një cikli normal.

Kredia për jorezidentët ka njohur rritje gjatë katër viteve të fundit dhe përfaqëson një zhvillim relativisht të ri për sistemin bankar. Pjesërisht, ajo lidhet me zgjerimin e shpejtë të filialit të Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë.

Duke qenë kredi më e re në kohë, është e kuptueshme që edhe përkeqësimi i cilësisë të ndodhë më me vonesë, në raport me kredinë për rezidentët, që në vitet e fundit është spastruar ndjeshëm, përmes fshirjeve dhe formave të tjera.

Kredia për joreziedentët është kryesisht e përqendruara në pak banka të mëdha, që, gjatë viteve të fundit kanë kërkuar alternativa financimi në vendet e rajonit, duke pasur parasysh edhe kërkesën e dobët dhe problemet specifike të kreditimit të biznesit në Shqipëri.

Ersuin Shehu/SCAN

Në raportin e plotë të Moody`s mbi analizën vjetore të ekonomisë shqiptare, të siguruar ekskluzivisht nga `Scan`, agjencia prestigjioze e vlerësimit të kreditit flet edhe për eurobondin dhe daljen e qeverisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Sipas agjencisë, eurobondet e kaluara, dhe sidomos ai i vitit 2015, prej 700 milionë eurosh ka ndihmuar tej mase, sidomos në forcimin e strukturës së borxhit. Kjo ka ardhur edhe për shkak të normave më të favorshme të interesit.

Eurobondi i vitit 2015 ka ndihmuar edhe në zgjatjen e profilit të maturimit të borxhit të Shqipërisë thotë më tej Moody`s. Por, agjencia e vlerësimti të kreditit, nuk ngurron të cekë edhe eurobondin më të ri të qeverisë shqiptare, atë prej 500 milionë eurosh.

Eurobondi i ri i qeverisë do të ndihmonte në krijimin e një muri mbrojtës për ekonominë dhe financat, si dhe për para-financimin e pagesave të vjetra të borxhit, thuhet më tej në njoftimin e agjencisë prestigjioze të vlerësimit të kreditit, Moody`s.  Borxhi i ri i qeverisë shqiptare nga tregjet ndërkombëtare do të jetë mëse i mjaftueshëm për të siguruar likuiditet të mjaftueshëm.

SCAN

Ndërsa qeveria po punon për paketën fiskale të vitit 2019 dhe në fund të muajit do të dalë me një draft final, një nga taksat që pritet të preken është ajo mbi dividentin, për të cilën aktualisht janë menduar dy variante, ulje në 8 ose në 10 për qind.

Po cili është propozimi i bizneseve?

Në një intervistë për TV SCAN, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, shprehet se sipërmarrja është rakorduar dhe kërkon që tatimi mbi dividentin të ulet në 9 për qind.

Nga ana tjetër, bizneset amerikane kërkojnë që qeveria të mendojë edhe zerimin e kësaj takse, për ti dhënë mundësi sipërmarrjeve që të rrisin investimet dhe të hapin më shumë vende pune.

Aktualisht, norma e tatimit mbi dividentin është 15 për qind. Tatimi mbi dividentin është rritur po nga qeveria “Rama” në vitin 2014 nga 10 në 15 për qind, ndërsa aktualisht por mendohet një ulje nën këtë prag edhe si një formë “kompensimi’ për sipërmarrjet.

Dividenti është fitimi që një korporatë u shpërndan aksionerëve të saj.

Lëvizje te postimet