Gjatë datës 16.06.2020 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutuan 3 transaksione në 1 titull;
  • Transaksionet u ekzekutuan jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksionet e ekzekutuara ishin në Obligacion Thesari 2 Vjecar në EURO;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 168 njësi Obligacion Thesari 2 Vjecar në EURO;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 2 Vjecar në EURO ishte 21,072,035 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 19.06.2020 klikoni

këtu

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete, zhvilloi sot një takim me drejtues të shoqërive administruese të fondeve të investimit, pensioneve private vullnetare dhe përfaqësues të tregut të kapitaleve. Në takim u diskutua mbi ecurinë e këtyre tregjeve, efektet e pandemisë COVID-19 dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

Në fjalën e tij, z. Mete vuri në dukje se në përgjithësi situata e pandemisë është menaxhuar mirë nga tregu, edhe pse në anën tjetër ajo nxori në pah nevojën për plane solide të vazhdimësisë së biznesit. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me të gjithë aktorët për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.

Është shumë e rëndësishme të punojmë për hartimin e një strategjie kombëtare për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, me pjesëmarrjen e Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë apo aktorëve të tjerë. Autoriteti është i gatshëm për ta avancuar këtë nismë, duke propozuar krijimin e një Komiteti për hartimin e strategjisë kombëtare, – u shpreh z. Mete.

Duke vlërësuar digjitalizimin si një element thelbësor, si në funksion të mbikëqyrjes, ashtu edhe në kuadër të rritjes së efiçencës dhe reduktimit të burokracive, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv kërkoi që ekspertiza e aktorëve të tregut në teknologjinë e informacionit të përdoret në funksion të zhvillimit dhe mirërregullimit të tregjeve.

Z. Mete shprehu gadishmërinë për t’u përfshirë në një proces konsultues me aktorët e tregut në funksion të hartimit të akteve nënligjore për plotësimin e kuadrit ligjor për sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe tregjet e kapitalit.

Burimi : Autoriteti Mbikeqyrjes Financiare

Gjatë datës 16.06.2020 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutuan 3 transaksione në 3 tituj;
  • Transaksionet u ekzekutuan jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksionet e ekzekutuara ishin në Obligacion Thesari 7 Vjecar në LEK dhe Bono Thesari 12 Mujore ne LEK;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 9 njësi Obligacion Thesari 7 Vjecar në LEK dhe 206 njesi Bono Thesari 12 Mujore ne LEK;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 7 Vjecar në LEK ishte 904,140 LEK dhe ne Bono Thesari 12 Mujore ne LEK ishte 2,031,572;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 16.06.2020 klikoni

këtu

Gjatë datës 15.06.2020 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Obligacion Thesari 7 Vjecar në LEK;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 10 njësi Obligacion Thesari 7 Vjecar në LEK;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 7 Vjecar në LEK ishte 1,002,500 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 15.06.2020 klikoni

këtu

Blodin Çuçi, President, Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri

Dy vitet e fundit kanë pasur zhvillime të rëndësishme për tregjet financiare, shoqëruar me rritjen e kërkesës së korporatave me pozicion të konsoliduar, për të emetuar obligacione me ofertë private, rritje të kërkesës së investitorëve për t’u bërë pjesë e investimeve të tilla si dhe plotësimi i kuadrit ligjor në disa aspekte.

Blodin Çuçi, President i Shoqatës së Tregtimit të Titujve nënvizon se janë pikërisht këto elemente, ashtu sikurse shtimi i lojtarëve të rinj në treg dhe hapja e Bursës Shqiptare që tregojnë për përmirësim të infrastrukturës së tregtimit dhe që shtrojnë rrugën për në vazhdim.

Ai nënvizon se ndoshta stimuli praktik i nxitjes së këtij tregu është futja në lojë e kompanive publike, duke i bërë aktive në listime në bursë apo emetime obligacionesh dhe që financimi i projekteve të tyre të zhvillimit do të ishte një bazë e mirë për zhvillimin e tregjeve financiare.

 

Si shfaqet aktualisht dinamika e tregut të kapitaleve në vend në këndvështrimin tuaj? A flasim dot për një treg të mirëfilltë kapitalesh?

Ndonëse në dy vitet e fundit, tregu i kapitaleve në vend ka pësuar ndryshime të rëndësishme në këndvështrimin e risive institucionale dhe pjesëmarrësve në të, me plot bindje mund të themi që tregu financiar në Shqipëri është ende në një fazë embrionale dhe ende prapa tregjeve të kapitaleve në rajon. Për ta bërë më të qartë për lexuesin, në këndvështrimin e risive të tregjeve financiare kanë ndodhur një sërë ndryshimesh në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së tregtimit.

Së pari, nëpërmjet hapjes së ALSE – Bursa Shqiptare e Titujve, korporatat shqiptare mund të fillojnë të drejtohen drejt formave alternative të financimit nëpërmjet emetimit të obligacioneve ose aksioneve. Në këndvështrimin e zhvillimit të tregut, plotësimi i kuadrit legjislativ për hapjen e Bursës dhe fillimin e operacioneve të saj përbën një hap tejet të rëndësishëm drejt ofrimit të shërbimeve të emetimit dhe tregtimit të titujve në tregun shqiptar. Korporatat shqiptare tashmë kanë një platformë të plotë ku mund të drejtohen për të financuar operacionet ose investimet e tyre.

Së dyti, në tregjet financiare në vend po vihet re, jo vetëm një kërkesë e rritur e korporatave të shëndosha për të emetuar obligacione me ofertë private, por kjo kërkesë është edhe materializuar nëpërmjet emetimeve të tyre. Vetëm në 5-mujorin e parë të vitit, ndonëse impakti i COVID-19 ka ngadalësuar proceset, kanë emetuar me sukses obligacione apo janë në proces emetimi 3 institucione të rëndësishme financiare në vend, si Union Bank, Banka Credins dhe Fibank Albania.

Në të tria këto emetime vihet re një kërkesë në rritje e investitorëve, çka tregon për një ekses likuiditeti në treg dhe një mungesë e alternativave të investimit. Në total, vlera e obligacione të emetuara me ofertë private nga institucione financiare apo korporata ka arritur në rreth 65 milionë euro.

Së treti, në tregun e shërbimeve financiare janë shtuar edhe disa lojtarë të rinj, çka tregon një interes të shtuar nga publiku për shërbime financiare të investimit dhe tregtimit të titujve. Tregut të fondeve të investimeve dhe pensioneve i është shtuar shoqëria e re e administrimit të fondeve të pensioneve vullnetare dhe fondeve të investimeve Albsig Invest, duke e çuar në 4 numrin e shoqërive të administrimit të tyre. Në treg aktualisht në këtë fushë po operon edhe Sigal. Ndërkohë është rritur edhe numri i shoqërive komisionere që po operojnë në bursë, si tregtarë të titujve.

Së katërti, në aspektin e legjislacionit ky vit është shoqëruar me miratimin nga Parlamenti të një pakete prej 3 ligjesh shumë të rëndësishëm për zhvillimin e tregjeve financiare. “Për shërbimet e pagesave”, ligji për “Sipërmarrjet e investimeve kolektive” dhe Ligji për “Tregjet e Kapitaleve”. Të tre këto ligje shënojnë një hap të rëndësishëm përpara drejt zhvillimit të tregjeve financiare.

Ndonëse këto hapa legjislative, të ndërmarra nga autoritetet përkatëse mbikëqyrëse dhe përpjekjet e institucioneve financiare ose korporatave private janë të rëndësishëm drejt zhvillimit të tregjeve financiare, ky treg aktualisht nuk po ofron potencialin e duhur në mbështetje të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

Çfarë pritet të sjellë ligji i ri i miratuar mbi tregun e kapitaleve, si e vlerësoni atë në kontekstin risive që sjell dhe hallkave që shton?

Në radhë të parë, kjo nismë ligjore, më se e domosdoshme, është një hap shumë i rëndësishëm përpara në këndvështrimin e rregullimit të funksioneve të lojtarëve të tregut financiar, plotësimin e gjithë kuadrit funksional të operatorëve të tregut. Nga ana tjetër, ligji adreson duke përafruar standardet europiane në drejtim të mbrojtjes së investitorit.

Nëse do ta analizonim fokusin e këtij ligji do të theksonim, ndër të tjera, tre elemente lehtësuese dhe stimuluese të zhvillimit të tregjeve financiare.

i. përafrimi i legjislacionit komunitar, i cili nga njëra anë përmban standardet dhe praktikat më të mira komunitare në këtë fushë, sidomos për sa i përket mbrojtjes së investitorit.

ii. plotësimin e kuadrit të plotë të aktiviteteve të tregjeve financiare nëpërmjet përfshirjes dhe rregullimit të operatorëve të rinj si: Agjencitë e renditjes, platformat multilaterale të tregtimit dhe Platformat e organizuara të tregtimit.

iii. lehtësimin e procedurave të emetimit për obligacione dhe aksione duke përshtatur direktivën komunitare të prospektusit.

Vlen për t’u theksuar se lehtësimet e parashikuara në ligj në këndvështrimin e përgatitjes së prospektusit të plotë apo përjashtimi nga ky prospektus i plotë dhe bërja e akt-ofertës për disa kategori të caktuara emetimesh është një faktor me impakt të drejtpërdrejtë në lehtësimin e qasjes së emetuesve në tregjet e kapitaleve.

Si mund të nxitet më tej zhvillimi i këtij tregu dhe rritja e pjesëmarrësve në të?

Duke analizuar hapat e zhvillimit të tregjeve financiare në rajon dhe botë dhe duke i krahasuar ato sipas fazës ku ndodhet Shqipëria, për zhvillimin e shëndoshë të tyre do të duhet të fillojë përfshirja e kompanive publike në tregjet financiare, nëpërmjet emetimit të obligacione apo listimit të tyre dhe emetimit të aksioneve.
Si vendet e rajonit, ashtu edhe përvoja ndërkombëtare ka treguar se për ekonomitë në zhvillim është e përshtatshme që stimuli praktik i zhvillimit të tregjeve financiare të nisë nga kompanitë publike, ku dhe besimi i publikut është në nivele më të larta.

Për të bërë një shembull potencial të politikave konkrete në kuadër të zhvillimit të tregjeve financiare në ambientin shqiptar, një ndër kompanitë me potencial për t’u përfshirë në tregjet financiare është KESH-Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Nga njëra anë, benefiti për publikun nga emetimi i obligacioneve të kësaj korporate do të ishte diversifikimi i portofolit të tyre, nëpërmjet investimit në këtë korporatë publike, ndërsa nga ana tjetër, për vetë korporatën do të sillte benefite imediate në financimin e projekteve afatgjata të saj me norma më të ulëta interesi. Do të ishte pikërisht publiku, i cili do të krijonte një spirale rritëse dhe mbështetëse për financimin e korporatës, duke ulur koston e saj të financimit.

Korporatat e shëndosha publike, të zotëruara nga shteti janë ende të shumta dhe financimi projekteve të zhvillimit të tyre nëpërmjet emetimit të obligacioneve ose aksioneve, do të përbënte një bazë të mirë për pikënisjen konkrete të zhvillimit të tregjeve financiare.

Cilët janë faktorët frenues të këtij tregu aktualisht?

Një ndër faktorët frenues më të rëndësishëm është mungesa e edukimit financiar. Sondazhet tregojnë se penetrimi i pamjaftueshëm i njohurive financiare në publikun e gjerë është shqetësues.
Shoqata e Tregtimit të Titujve, së bashku me Shoqatën e Bankave, Shoqatën e Fondeve të Pensioneve Vullnetare dhe Fondeve të Investimeve, Shoqatën e Siguruesve, Shoqatën e Mikrofinancës, Junior Achievemnet Albania, Partners Albania, etj., në një grupim prej më shumë se 13 shoqatash ka krijuar 2 vite më parë Rrjetin Kombëtar të Edukimit Financiar (ANFE) duke njësuar përpjekjet për një edukim financiar të shëndoshë të publikut të gjerë.

Një ndër objektivat kryesorë të ASTA dhe ANFE mbetet krijimi i një strategjie kombëtare të edukimit financiar, e cila do të adresonte në mënyrë të strukturuar dhe afatgjatë problematikat e shumta të publikut shqiptar.
Një tjetër faktor frenues në zhvillimin e shëndoshë të tregjeve financiare është edhe mungesa e transparencës financiare të korporatave shqiptare dhe informaliteti i lartë në ekonomi.

Ndonëse disa nga korporatat e shëndosha financiare shqiptare kanë kuptuar benefitet afatgjata të tregjeve financiare dhe po krijojnë standarde të qeverisjes së korporatave me transparencë të lartë, ende mungon një perceptim i gjerë në ambientin shqiptar se informaliteti është një faktor pengues në zhvillimin e qëndrueshëm të vetë korporatave.

Pra ndonëse kuadri legjislativ është i plotë dhe operatorët e tregut janë të mirëmbikëqyrur dhe funksionalë, si edukimi financiar i pamjaftueshëm ashtu edhe informaliteti i lartë, janë faktorë pengues në zhvillimin e qëndrueshëm të tregjeve financiare në Shqipëri.

Në strategjitë afatgjata të zhvillimit të tregjeve financiare duhen padyshim adresuar këto problematika, në mënyrë të strukturuar. Ndërkohë, në strategjitë afatshkurtra të zhvillimit duhen konceptuar politika qeveritare të përfshirjes së korporatave publike në tregjet financiare nëpërmjet emetimit të obligacioneve ose aksioneve. Kjo qasje strategjike afatshkurtër do të japë impaktin e saj, si në rritjen e njohurive financiare nëpërmjet njohjes së publikut të gjerë me këto instrumente, krijimit dhe konsolidimit të besimit të publikut në tregjet financiare dhe zhvillimin e shëndoshë të tyre.

Kompanitë publike

Për të bërë një shembull potencial të politikave konkrete në kuadër të zhvillimit të tregjeve financiare në ambientin shqiptar, një ndër kompanitë me potencial për t’u përfshirë në tregjet financiare është KESH-Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Nga njëra anë, benefiti për publikun nga emetimi i obligacioneve të kësaj korporate do të ishte diversifikimi i portofolit të tyre, nëpërmjet investimit në këtë korporatë publike, ndërsa nga ana tjetër, për vetë korporatën do të sillte benefite imediate në financimin e projekteve afatgjata të saj, me norma më të ulëta interesi.

 

Burimi: Revista Monitor

Një ligj i ri për tregjet e kapitalit synon që të plotësojë boshllëqet e hasura në tregun shqiptar, si dhe plotësimin e tij me të gjithë hallkat e nevojshme të funksionimit dhe mbikëqyrjes.
Por, teksa është bërë plotësimi i gjithë elementeve të zhvillimit në letër dhe ka një rritje të interesit edhe nga brokera, këshillues e fonde investimi që licencohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ajo që mungon janë stimujt konkretë ligjorë dhe fiskalë. Aktorë të tregut shprehen se Shqipëria mund të marrë modele të gatshëm të provuar të suksesshëm, për t’i zbatuar në praktikë, ashtu sikurse duhet të nxisë së pari listimin e kompanive publike. Tregu i kapitalit dominohet nga tregu primar i letrave me vlerë të qeverisë dhe segmente të tjera të tij, si tregu sekondar, fondet e investimit dhe fondet e pensioneve vullnetare, që kanë ende ecuri modeste, çka do të thotë se potenciali i pashfrytëzuar mbetet i lartë.

Nga Nertila Maho

Për vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ka një “përpëlitje” të vazhdueshme për të gjetur burime të reja ku të mbështesin rritjen. Kjo nuk vlen vetëm në panoramën e gjerë të mbulimit të deficiteve buxhetore, por zgjatet në të gjitha hallkat e institucionale, kompanitë publike, ato private, e deri tek individët.

Mungesa e një tregu të mirëfilltë kapitali, plotësuar me të gjithë elementet përbërëse të tij, e bën më të vështirë zgjedhjen për të dyja palët, si për ata që duan të investojnë dhe të përfitojnë nga instrumente financiare më të diversifikuara, ashtu edhe për ata që duan të financohen përmes tyre për t’u rritur e për t’u përmirësuar. Dy vitet e fundit kanë qenë domethënës për hapat që janë hedhur dhe kjo shihet në disa aspekte.

Së pari, në plotësimin e kuadrit ligjor me elementet dhe hallkat e nevojshme për të pasur një treg kapitali të mirëfilltë.
Së dyti, ka investime në platforma në shërbim të tij.
Së treti, ka rritje të numrit të aktorëve përbërës që do të thotë se potenciali është aty, edhe pse i shfrytëzuar në minimum.
Së katërti, është pjekuria e disa kompanive private që kanë konsoliduar pozicionin e tyre në treg dhe kanë përputhur standardet e tyre të raportimit financiar, duke ofruar më shumë transparencë.

Pjesa finale që mbetet për t’u plotësuar është gjetja e mënyrave për ta nxitur pjesëmarrjen në këtë treg dhe testi i parë, sipas ekspertëve, duhet të jetë pjesëmarrja e aktive e kompanive publike për t’u ndjekur më pas nga privatët. Paralelisht me këtë, nënvizohet se duhet të vijohet me edukimin financiar që mbetet ende i vakët e për rrjedhojë, frenues.

Plotësohet kuadri ligjor, çfarë sjell ligji i ri

Pas raundesh të tëra konsultimesh, Ministria e Financave dhe Ekonomisë propozoi një projektligj “Për tregjet e kapitalit”, që tashmë ka kaluar disa hallka miratimi dhe mbetet për t’u dekretuar nga Presidenti.
Por çfarë sjell në fakt miratimi i këtij ligji? Në thelb, qeveria ka argumentuar se miratimi i tij synon rritjen e potencialit për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, pasi rritet mundësia që emetuesit të gjejnë kapital dhe të financojnë ekonominë, rriten mundësitë për investitorët për fitime më të mira, rriten mundësitë për ndërmjetësit, rritet rentabiliteti i infrastrukturës së tregjeve të kapitalit.

Ky ligj zëvendëson atë “Për titujt” të vitit 2008, që paraqiste boshllëqe sa i takon formës që kishte marrë tregu dhe nevojës për ta rregulluar dhe për ta nxitur atë. Ashtu si një pjesë e mirë e kuadrit ligjor shqiptar, ai është i përputhur me direktivat europiane dhe standardet ndërkombëtare. Paralelisht me kërkesat për tregun, saktësimin e instrumenteve financiarë, mbrojtjen e investitorëve, ligji i jep atribute të reja Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, duke ia përshtatur kompetencat sipas kërkesave të kohës.

Tregu plotësohet me hallka të reja, si platforma shumëpalëshe të tregtimit apo MFT, platforma e organizuar e tregtimit OTF, Depozitarin Qendror të Titujve, si dhe Agjencinë e Vlerësimit të Rrezikut të Kreditit.
“Kjo iniciativë ligjore, më se e domosdoshme, është një hap shumë i rëndësishëm përpara në këndvështrimin e rregullimit të funksioneve të lojtarëve të tregut financiar, plotësimin e gjithë kuadrit funksional të operatorëve të tregut.

Nga ana tjetër, ligji adreson duke përafruar standardet europiane në drejtim të mbrojtjes së investitorit” shprehet Blodin Çuçi, President i Shoqatës së Tregtimit të Titujve në Shqipëri (ASTA). “Krijimi i një tregu kapitalesh funksional, është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi. Ai është një burim financimi për kompanitë me kapital privat dhe ato me kapital shtetëror si dhe një mënyrë e mirë për të tërhequr investimet e huaja në vend”, thotë ministrja e financave dhe ekonomisë, Anila Denaj.

Ecuria nga tregu i letrave me vlerë te pensionet vullnetare

Ankandet e letrave me vlerë të qeverisë janë pjesa më e rëndësishme e tregut të kapitalit sot në vend. Bëhet fjalë për tregun primar ku, sipas kalendarit të emetimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ishin llogaritur që vetëm në tremujorin e parë të këtij viti të zhvilloheshin ankande për të marrë hua 94 miliardë lekë. Instrumentet dominues të ankandeve janë bonot e thesarit dhe obligacionet.

Por teksa në tregun primar, ecuria është gjithmonë dinamike e nxitur nga kërkesa e vazhdueshme e qeverisë, tregu sekondar i letrave me vlerë, një hallkë tjetër e rëndësishme e tregut të kapitalit, ka një ecuri me luhatje dukshëm më të theksuara. Referuar shifrave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vlera e transaksioneve nga personat juridikë u tkurr me 93% në 3-mujorin e parë të këtij viti në raport me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Në vlerë, transaksionet e kategorisë B që kryhen nga ndërmjetësit persona juridikë, ishin vetëm 135 milionë lekë, kur një vit më parë ishin 2.1 miliardë lekë. Individët, nga ana tjetër, kanë qenë pjesëmarrës në tregun sekondar për shitjet nga portofoli i ndërmjetësit financiar me transaksione në vlerën 937 milionë lekë, me një rënie të lehtë prej 0.42 pikë përqindje në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Fondet e investimit, si një tjetër pjesë e këtij tregu shënuan rritje të lehtë në vitin 2019 sa i takon vlerës së aseteve. Kjo rritje ishte vetëm 1.06% në raport me 2018. Në total, vlera e aseteve ishte rreth 543 milionë euro.
Edhe më modeste është pjesëmarrja e fondeve të pensioneve që në fund të 2019-s kishte një vlerë neto të aseteve rreth 23 milionë euro, me një rritje 26.8% në raport me vitin 2018.

Si mund të nxitet zhvillimi i tregut, listimi i kompanive publike

Nxitja dhe zhvillimi i tregut të kapitalit në vend është në dorë të politikëbërjes dhe në këtë kontekst, Shqipërisë nuk i duhet të shpikë por të marrë të gatshëm modelet që kanë funksionuar, duke i përshtatur në realitetin Shqiptar.

Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE sh.a., shprehet se dy janë praktikat që janë vënë re. “Incentivat ligjore kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës së tregut financiar, apo me lehtësimin e burokracive, për të lehtësuar një listim sa më të shpejtë të biznesit në bursë. Kurse incentivat fiskale kanë të bëjnë me reduktimin ose heqjen fare të taksave të ndryshme për subjektet që listohen (bizneset), apo për qytetarët që gjenerojnë të ardhura nga investimi në tituj” – pohon Gjergji.

Për Blodin Çuçin nga ASTA është e rëndësishme që të shihet përfshirja e kompanive publike nëpërmjet emetimit të obligacioneve apo listimit të tyre dhe emetimit të aksioneve. “Duke analizuar hapat e zhvillimit të tregjeve financiare në rajon dhe botë dhe krahasuar ato sipas fazës ku ndodhet Shqipëria, për zhvillimin e shëndoshë të tyre do të duhet të fillojë përfshirja e kompanive publike në tregjet financiare nëpërmjet emetimit të obligacione apo listimit të tyre dhe emetimit të aksioneve.

Si vendet e rajonit, ashtu edhe eksperienca ndërkombëtare, ka treguar se për ekonomitë në zhvillim është e përshtatshme që stimuli praktik i zhvillimit të tregjeve financiare të nisë nga kompanitë publike, ku edhe besimi i publikut është në nivele më të larta” nënvizon Çuçi.

Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv Bursa Shqiptare e Titujve ALSE sh.a

“Faktorët që frenojnë zhvillimin nga burokracia tek edukimi financiar”

Tregjet financiare në vend janë ndeshur përherë me sfidën e edukimit të vakët financiar që kthehet në faktor frenues për zhvillimin e tyre. Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve, shprehet se përveç këtij faktori, edhe burokracia dhe kohëzgjatja e procedurave është një tjetër element frenues për biznesin në kërkim të fondeve afatgjatë.

Lidhur me evazionin, si një tjetër aspekt frenues, Gjergji pohon se situata ka ndryshuar pozitivisht viteve të fundit, si efekt i evoluimit të tregut, rritjes së kërkesave standarde nga sektori bankar, aq edhe për shkak të partneriteteve që këto kompani kanë me biznese të huaja apo me donatorë të ndryshëm.

Si shfaqet aktualisht dinamika e tregut të kapitaleve në vend në këndvështrimin tuaj?

Tregu i kapitaleve në vend ka hyrë në një fazë intensive zhvillimi, si në aspektin e përmirësimit të infrastrukturës institucionale e ligjore, ashtu edhe në drejtim të shtimit të operatorëve e të shërbimeve financiare të ofruara. Kështu gjatë vitit 2019, në treg u përmirësua kuadri rregullativ që i hap rrugë funksionimit të institucioneve të rëndësisë së veçantë në pjesën e klerimit dhe shlyerjes së pagesave dhe titujve për transaksionet në Bursë.

Gjithashtu, është punuar në mënyrë intensive për përmirësimin e projektligjeve bazë të tregut që mbulojnë aktivitetin e sipërmarrjeve kolektive (fondet e pensionit dhe investimit) si dhe projektligjin për tregun e kapitaleve, i cili mbulon të gjithë aktivitetin e operatorëve në industrinë e titujve si bursa, shoqëritë e brokerimit dhe shërbimet e tjera të investimit. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, gjatë 2019 kemi një shtim të operatorëve aktivë në tregun e kapitaleve siç janë:

• shoqëritë e administrimit të fondeve të investimeve dhe fondeve të pensioneve,
• shoqëritë e brokerimit
• regjistrari i titujve, si dhe
• shtim licence të operatorëve ekzistues për të ofruar shërbime shtesë në tregje.

Si ka qenë ecuria e Bursës ALSE për vitin 2019?

Në një këndvështrim të përgjithshëm, gjatë vitit 2019 vlera e tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE arriti në nivelin e 2.46 miliardë LEK, ose rreth 20.23 milionë EUR, me një sasi (volum) prej më shumë se 52,350 njësi titujsh të tregtuar dhe një numër total prej 101 transaksionesh. Rënia e lehtë prej rreth 4% krahasuar me vitin paraardhës në vlerën e tregtimit, erdhi kryesisht për shkak të uljes së numrit të anëtarëve në 6-mujorin e parë të vitit 2019, por edhe me ndikimin psikologjik që pati në tregje kriza e shkaktuar në ekonominë e vendit nga tërmeti i nëntorit 2019.

Në një analizë të përgjithshme të karakteristikave të zhvillimit të tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve për vitin 2019, vërehet se kanë dominuar:

• Transaksionet për Klientët,
• Transaksionet brenda Orareve Zyrtare (On-Exchange),
• Transaksionet në Obligacione Thesari,
• Transaksionet në valutën LEK.

Në mënyrë më të detajuar, ecuria e zhvillimit të tregut në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE analizohet në katër këndvështrime:

Sipas Llojit të Transaksionit

Pjesa më e madhe e tyre janë transaksione në tregun me pakicë (retail), që janë transaksionet bankë-klient, apo klient-klient, krahasuar me transaksionet përmes bankave (tregu ndërbankar). Transaksionet për klientët të realizuara në Bursë janë dominuese në vlerën e tregut (76.7% e totalit), dhe në numrin e transaksioneve të tregtuara (82.2% e totalit), ndërsa si volum të tregtuar në njësi titujsh kemi një volum më të madh në transaksionet nëpërmjet bankave (64.4% e totalit).

Sipas Llojit të Titullit

Pjesa më e madhe e transaksioneve janë të ekzekutuara në Obligacione Thesari, krahasuar me transaksionet në Bono Thesari, kryesisht sa i përket vlerës së transaksioneve (86.7% e totalit). Gjithashtu dhe si numër transaksionesh, ai në Obligacione Thesari është më i lartë (75.3% e totalit).

Sipas Orareve të Ekzekutimit të Transaksioneve

Pjesa më e madhe e numrit të transaksioneve janë të ekzekutuara në Oraret Jo-Zyrtare (Off-Exchange). Transaksionet e ekzekutuara në oraret zyrtare (On-Exchange) mbizotërojnë në drejtim të vlerës së tregut (59.8% e totalit), sasisë së tregtuar të titujve (80.5% e totalit). Transaksionet e realizuara në oraret zyrtare (On-Exchange) janë transaksione që kanë një nivel shumë herë më të lartë transparence dhe informacioni rreth tyre është lehtësisht më i aksesueshëm nga investuesit.

Sipas Maturimit të Titujve

Parë në këndvështrimin e maturimit nga bonot e thesarit, titujt më aktivë janë ata me maturim 12-mujor të ndjekura nga BTH 6- mujore. Ndërkohë që parë në këndvështrimin e maturimit nga obligacionet e thesarit, titujt më aktivë në tregtim janë ata me maturim 10-vjeçar dhe 5-vjeçar, të ndjekur nga 3-vjeçarët.

Çfarë pritet të sjellë ligji i ri i miratuar mbi Tregun e Kapitaleve?

E kemi ndjekur me shumë vëmendje evoluimin e projektligjit “Për Tregun e Kapitaleve” dhe kemi bashkëpunuar mjaft ngushtësisht si me ekspertët e SECO-Bankës Botërore, ashtu edhe me ekspertët e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Këtë e kemi bërë duke u bazuar në ekspertizën shumëvjeçare, jo vetëm të stafit të Bursës ALSE, por duke marrë edhe konsulencën e disa prej ekspertëve më të mirë të tregut të kapitaleve në rajon, të cilët na kanë asistuar sidomos në pjesën e përputhshmërisë me Direktivat e BE-së.

Projektligji i ri sjell një frymë pozitive (krahasuar me bazën ligjore aktuale), kryesisht në drejtim të:

• Mbledhjes nën të njëjtën ombrellë të të gjithë kuadrit ligjor për tregun e kapitaleve në vend,
• Harmonizimit më të mirë të kuadrit ligjor me Direktivat e BE-së që mbulojnë industrinë financiare,
• Përcaktimit më të mirë të rolit dhe aktivitetit të disa tregjeve dhe ndërmjetësve financiarë,
• Sjelljes për herë të parë disa koncepte dhe institucione të reja në tregjet financiare, të cilat mungonin në ligjin aktual si p.sh., depozitari qendror i titujve, agjencitë e vlerësimit të rrezikut të kreditit etj.),
• Standardizimit të kritereve të përshtatshmërisë “fit & proper” për organet e larta drejtuese të institucioneve financiare në tregun e kapitaleve.

Si mund të nxitet më tej zhvillimi i këtij tregu dhe rritja e pjesëmarrësve në të?

Eksperiencat më të mira ndërkombëtare kanë treguar që zhvillimi i tregut të kapitaleve në mënyrë evolutive ka kërkuar disa shekuj (vendet që kanë sot bursa të zhvilluara kanë një historik 5-shekullor). Ndërsa në vende me një histori modeste të zhvillimit të tregut të kapitaleve, janë aplikuar incentiva të ndryshme ligjore dhe fiskale për të nxitur biznesin të përdorë tregun e kapitaleve, si një alternativë më të favorshme për financimin e aktivitetit. Incentivat ligjore kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës së tregut financiar apo me lehtësimin e burokracive, për të lehtësuar një listim sa më të shpejtë të biznesit në bursë.

Kurse incentivat fiskale kanë të bëjnë me reduktimin ose heqjen fare të taksave të ndryshme për subjektet që listohen (bizneset) apo për qytetarët që gjenerojnë të ardhura nga investimi në tituj. Shembujt janë të pafund, edhe në vendet e rajonit, duke filluar nga Maqedonia, Kroacia, Hungaria, Serbia, Rumania, Bullgaria etj. Duhet vetëm vullneti pozitiv i grupeve të interesit dhe kryesisht politikëbërësve.

Pavarësisht kësaj qasjeje, nëse duam të zhvillohet tregu i kapitaleve në vend, duhet të ketë një qasje më proaktive të operatorëve në treg, sidomos bankave të nivelit të dytë. Duke marrë të mirëqenë nivelin relativisht të shëndetshëm të zhvillimit dhe nivelin e lartë të ekspertizës, bankat tregtare në vend mund dhe duhet ta orientojnë aktivitetin e tyre edhe përtej shërbimeve të bankingut tradicional.

Kështu, në botën e zhvilluar, bankat janë po aq aktive edhe në industrinë e titujve nëpërmjet ofrimit për klientët e tyre të mjaft shërbimeve të investimit, siç janë shërbimet e brokerimit, kujdestarisë, nënshkrimit të titujve (underwriting), menaxhimit të portofolit etj.

E fundit, por jo për nga rëndësia, tregut të kapitaleve në vend i duhen “shembuj të mirë” të kompanive të para të listuara në bursë. Këto padyshim mund të jenë kompani prestigjioze me kapital privat, por nisur nga ngurrimi i një tregu të panjohur mund të shihet me vend që hapin e parë në këtë drejtim ta hedhë vetë Qeveria. Kjo e fundit, ka në portofolin e saj ende disa kompani të suksesshme, të cilat nuk kanë kaluar në procesin e privatizimit.

Eksperienca e vendeve të rajonit, por dhe më gjerë, ka treguar që listimi i kompanive shtetërore, jo vetëm është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga kompanitë private, por përmirëson edhe eficencën e këtyre kompanive shtetërore si dhe jep mesazhin e qartë të Qeverisë në luftën kundër evazionit fiskal. Të mos harrojmë që Raporti i Bankës Botërore “Doing Business”, e uli Shqipërinë mjaft shkallë në renditje vetëm për faktin se nuk kishte një treg kapitalesh të zhvilluar dhe nuk kishte kompani të listuara. Gjykojmë që vëmendja e autoriteteve për të adresuar këtë çështje duhet të jetë jo vetëm e lartë, por edhe mjaft e shpejtë.

Cilët janë faktorët frenues të këtij tregu aktualisht?

Në kuadër të punës që po bëjmë për të qasur biznesin drejt shfrytëzimit të tregut të kapitaleve, si një alternativë më e favorshme financimi, na rezulton se edukimi financiar sidomos në drejtim të industrisë së titujve dhe përfitimeve që ato sjellin, lë shumë për të dëshiruar. Deri para disa viteve, edhe evazioni fiskal konsiderohej një problem. Megjithatë, duhet pranuar që tashmë bizneset e mëdha e serioze janë maturuar në drejtim të një raportimi financiar sa më rigoroz. Kjo vjen sa për shkak të evoluimit të tregut dhe rritjes së kërkesave standarde nga sektori bankar, aq edhe për shkak të partneriteteve që këto kompani kanë me biznese të huaja apo me donatorë të ndryshëm.

Një tjetër element që në gjykimin tonë është frenues për biznesin në kërkim të fondeve afatgjatë, është burokracia dhe kohëzgjatja e procesit. Për shkak se bankat tregtare në vend kanë likuiditet të bollshëm, kjo u jep mundësinë që të marrin shumë herë më pak kohë (zakonisht 1 muaj) në përmbushjen e nevojave të biznesit me kredi. Ndërkohë që procesi i emetimit të titujve dhe listimi në bursë, edhe pse më pak i kushtueshëm, është një proces që i kërkon biznesit nga 6-12 muaj duke i shtyrë ata më shumë drejt sektorit bankar. Kjo është arsyeja pse e shohim si një faktor mjaft të rëndësishëm orientimin e bankave të nivelit të dytë drejt shërbimeve të investimit.

Kjo jo vetëm që nuk do t’u krijonte këtyre institucioneve financiare konkurrencë me vetveten (në vend të një kredie, do jepnin hua duke blerë obligacionin e një korporate), por do të nxisnin zhvillimin e shpejtë të tregut të kapitaleve duke rritur volumin e biznesit. Nëse marrim në konsideratë faktin që pjesa më e madhe e bankave kanë krijuar edhe fonde investimi e fonde pensioni, rëndësia e zhvillimit të tregut të kapitaleve për sektorin bankar bëhet disa herë më e madhe.

Aktualisht, fondet e investimeve dhe fondet e pensioneve nuk po zhvillohen me shpejtësinë që duhet për të vetmin shkak se mungojnë instrumentet për të investuar dhe për të diversifikuar portofolin në bursa dhe tregjet e organizuara. Konvertimi i kredive të korporatave në obligacione të emetuara nga korporatat dhe investuara nga bankat e publiku, do të sillte një zhvillim më të shpejtë e më të qëndrueshëm, jo vetëm të tregut të kapitaleve në vend, por të të gjithë sektorit financiar në tërësi.

Milbana Tole, Drejtore Ekzekutive e Regjistrit Shqiptar të Titujve ALREG

“Regjistri Shqiptar i Titujve, si garantohet procesi nga regjistrimi te shlyerja”

Regjistri Shqiptar i Titujve (ALREG) u licencua vitin e shkuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si një tjetër hallkë e rëndësishme në tregun e kapitalit në vend. Legjislacioni aktual nuk e ka të sanksionuar këtë hallkë, por ligji i ri për tregun e kapitaleve, që pritet të dekretohet, përcakton qartë detyrimet e Depozitarit. Në një intervistë për “Monitor”, Drejtoresha Ekzekutive e ALREG, Milbana Tole, sqaron se çfarë roli luan sot në treg ky institucion dhe cilat janë shërbimet që ofrohen duke nisur nga regjistrimi i titujve e deri te shlyerja e tyre.

Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG është një institucion i ri, i licencuar në vitin 2019 si nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ashtu edhe Banka e Shqipërisë. Cili do të jetë roli i ALREG në industrinë e titujve në vend?

ALREG është depozitari i titujve joqeveritarë, me rolin e tij specifik për të ushtruar veprimtarinë e administrimit të të dhënave të titujve, si dhe të klerimit dhe shlyerjes së tyre. Funksionet e ALREG në industrinë e titujve janë regjistrimi fillestar i titujve, ofrimi dhe mbajtja e llogarive të titujve në nivel qendror, si dhe shërbimi i klerim -shlyerjes së titujve. Për herë të parë në vend, nëpërmjet ALREG sigurohen shërbimet për operacionet pas tregtimit për titujt joqeveritarë post trade operations). Këto operacione janë vendimtare në infrastrukturën e tregut të kapitaleve dhe ALREG si një CSD (Depozitar Qendror Titujsh) ka rol të rëndësishëm për të garantuar kryerjen me sukses të tyre.

Cili është ndryshimi i shërbimeve që ofron ALREG nga ato që ofron Qendra Kombëtare e Biznesit për kompanitë shqiptare?

QKB është institucioni që administron regjistrin tregtar, i cili është një bazë të dhënash e subjekteve që ushtrojnë veprimtari ekonomike dhe tregtare. Në regjistrin tregtar regjistrohen të dhënat e subjektit në momentin e themelimit, si dhe më pas të veprimtarisë së tyre apo të çregjistrimit të subjekteve, duke pasqyruar çdo ndryshim në status dhe organizimin e subjektit tregtar.

Ndërkohë, si element i rëndësishëm i themelimit të shoqërisë, regjistrohen edhe të dhëna për vlerën e kapitalit themeltar të nënshkruar, numrin, formën dhe vlerën e aksioneve të nënshkruara. Por informacioni për aksionet në QKB ka vetëm natyrë deklarative dhe nuk ka detyrim të njoftohet çdo transferim i tyre. Shoqëria mund ta japë këtë informacion për aksionet vetëm një herë në vit së bashku me raportimin për bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit…

ALREG është institucioni që organizon dhe administron të dhënat mbi titujt, duke dhënë informacion të nevojshëm për mbajtjen dhe lëvizjen e tyre në kohë reale. Pra pikëpamja e fokusimit në këtë rast janë instrumentet e borxhit dhe titujt e kapitalit, mirëmbajtja dhe raportimi i gjendjes dhe lëvizjes së tyre.

-Sa më sipër, kuptohet që ALREG ofron shërbime që janë të orientuara për titujt dhe klientët investitorë, të cilët janë mbajtës të titujve dhe pronarë të tyre. Lëvizja e titujve, transferimi, klerimi dhe shlyerja e tyre janë transaksione që realizohen vetëm nëpërmjet institucioneve të Depozitarit Qendror, të quajtura në botë CSD(Central securities Depositories).

ALREG është pikërisht një institucion i tillë (CSD) i cili kryen këto shërbime në kohën e duhur dhe mënyrën e duhur për tregjet financiare. Por natyrisht, duke qenë ndërmjet emetuesve dhe investitorëve, ALREG është në gjendje të ofrojë shërbime edhe për kompanitë emetuese për të informuar lidhur me regjistrin e aksioneve dhe mbajtësit e tyre në kohë reale dhe të vazhdueshme për çdo ndryshim të tyre.

A do të ofrojë ALREG shërbime financiare vetëm për kompanitë që do të kenë titujt e tyre të listuara në bursë, apo do të ofrojë edhe shërbime të tjera?

ALREG ofron shërbime të regjistrimit të titujve për mirëmbajtjen e titujve të dematerializuar në emër të investitorëve (nëpërmjet anëtarëve të tyre) si dhe në emër të emetuesve përkatës. ALREG, nëpërmjet sistemit të tij dhe zhvillimeve që ka bërë nga pikëpamja teknike dhe ligjore, është në gjendje të shërbejë për të gjitha llojet e titujve, si dhe formave të tyre të emetuara në mënyrë publike apo private.
ALREG do të orientohet kryesisht në dy drejtime kryesore në tregun e titujve në vend:

1. Transaksionet në bursë (on exchange). ALREG do të ofrojë për Bursën Shqiptare të Titujve ALSE, shërbimin e klerimit dhe të shlyerjes për transaksionet në tituj joqeveritarë të ekzekutuar në këtë treg të organizuar

2. Transaksionet jashtë burse (off exchange). ALREG do të ofrojë shërbime edhe për tregun e titujve të pakuotuara në Bursë. Në këtë drejtim, një grup klientësh i synuar dhe potencialë për të përfituar shërbimet e ALREG do të jenë:

– shoqëritë aksionere, të cilat kanë ofruar apo do të ofrojnë tituj të borxhit privat afatshkurtër dhe afatgjatë në tregun vendas nëpërmjet ofertës private,
– klientët dhe ndërmjetësit e tyre për transfertat apo vendosjen e pengut (transferimi, trashëgimia, dhurimi apo lënia si kolateral të titujve).

Licenca e marrë aktualisht nga AMF i lejon ALREG të ofrojë shërbime financiare për titujt e borxhit me ofertë publike dhe private, si dhe për titujt e kapitalit që tregtohen në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE sh.a.

Sa e nxit ligji i ri për Tregun e Kapitaleve në Shqipëri industrinë e titujve e sidomos institucionet, që ofrojnë shërbime mbështetëse për tregjet financiare, siç është edhe depozitari qendror i titujve?

Koncepti i Depozitarit Qendror të Titujve nuk ekziston në kornizën ligjore prezente. Ligji i ri i Titujve, për herë të parë, përcakton institucionin e depozitarit qendror të titujve, si dhe funksionet e tij. Në këtë kuptim ligji i ri, nëpërmjet përcaktimeve ligjore të institucioneve post trade, i jep tregut qartësi dhe siguri në funksionimin e gjithë zinxhirit të tij. Depozitarët Qendrorë kanë një funksion publik, nëpërmjet emetimit, ruajtjes dhe mirëmbajtjes së titujve të investitorëve private.

Për këtë qëllim, Autoritet ligjvënëse dhe ligjzbatuese janë të interesuar për të pasur veprimtari të sigurta dhe eficente të këtyre institucioneve, duke adresuar interesin e publikut. Ligji i ri i titujve siguron pikërisht një mjedis të qartë dhe të favorshëm për licencimin e këtyre institucioneve, kërkesa rregullatore për funksionimin dhe mbikëqyrjen e tyre, duke i shërbyer drejtpërdrejt në këtë mënyrë një tregu të mirërregulluar institucionalisht dhe funksionimit të rregullt në të gjithë hallkat e tij.

Kërkesat për licencimin e CSD me sisteme të sigurt dhe të besueshëm, të vendosura ligjërisht, janë domosdoshmëri për institucionet e tregut. Këto sisteme sigurojnë konfidencialitetin, integritetin dhe disponueshmërinë në kohë reale dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për sigurinë e informacionit dhe vazhdimësinë e operacioneve të biznesit.

Përfitimet kryesore në vizion të përgjithshëm për tregun vendas të titujve dhe operatorët e tij në kushtet e shërbimeve mbështetëse të rregulluara me ligj (përfshirë ngritja dhe funksionimi i CSD), i vlerësojmë si më poshtë:

  • Procese të shpejta dhe transparente të regjistrimit të pronësisë së titujve dhe ekzekutimit të transferimit në tituj dhe pagesa;
  • Ngritje e kapacitetit të infrastrukturës së tregut dhe e njohurive të tij;
  • Mbështetje e operatorëve të tregut me njohuritë dhe zhvillimet e fundit të tij;
  • Akses online për referenca të të dhënave të ndryshme.

Burimi: Revista Monitor

Flet Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë

Ligji i ri për tregjet e kapitalit zgjeron mundësitë e investimit të investitorëve në platforma të tjera përveç Bursës, garanton mbrojtje më të mirë të investitorëve si dhe rregullon më mbikëqyrjen e tij, duke rritur kapacitetet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, shprehet se parashikohen kërkesa më rigoroze në drejtim të standardeve që duhet të plotësojnë shoqëritë e investimit ashtu sikurse kritere strikte për mjaftueshmërinë e kapitalit. Denaj vlerëson se zgjerimi i mënyrës së tregtimit të instrumenteve të borxhit dhe të kapitalit, është një mundësi e mirë për zhvillimin e bizneseve Fintech.

Shqipëria ka tashmë një kuadër ligjor të rifreskuar sipas kërkesave të kohës dhe direktivave sa i takon tregut të kapitaleve. Cilat janë risitë që sjell ky ligj për Shqipërinë?

Ligji “Mbi Tregjet e Kapitalit” sjell risi në disa drejtime, si: në drejtim të licencimit të shoqërive të titujve, mbrojtjes së konsumatorit/investitorit, jep më tepër mundësi për zhvillimin e infrastrukturës së tregut, si dhe në drejtim të kompetencave të AMF.

Ky ligj parashikon kërkesa më rigoroze në drejtim të standardeve që duhet të plotësojnë firmat e investimit, si dhe kërkesa më rigoroze lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit. Me qëllim mbrojtjen e integritetit të tregut, ligji parashikon kërkesa për transparencën e emetuesve dhe për shoqëritë e listuara në bursë. Krahas kërkesave për kapital fillestar të kompanive që operojnë në fushën e investimeve, janë shtuar edhe kërkesat për përshtatshmëri dhe aftësitë e drejtuesve dhe të stafit që punon në këto shoqëri, si dhe sanksionet në rast abuzimi me tregun.

Ligji i ri jep më tepër mundësi për zhvillimin e infrastrukturës së tregut ku krahas Bursës, parashikon edhe tregtimin nëpërmjet platformave online, si ato të Tregtimit shumëpalëshe ashtu edhe Platformat e Organizuara të Tregtimit, si edhe Internalizuesit Sistematik. Ligji parashikon krijimin e depozitarit qendror të titujve ose regjistrarit. Risitë e tjera në këtë ligj lidhen gjithashtu me kompetencat më të plota të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ashtu edhe me mbrojtjen e investitorit, ku për herë të parë, futet koncepti i Fondit të Kompensimit të Investitorëve.

Si synohet të stimulohet zhvillimi i tregut të kapitaleve në vend që, le të themi, ende mbetet në nivele embrionike?

Krijimi i një tregu kapitalesh funksional, është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi. Ai është një burim financimi për kompanitë me kapital privat dhe ato me kapital shtetëror si dhe një mënyrë e mirë për të tërhequr investimet e huaja në vend.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon së bashku me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe bizneset private me qëllim, hartimin e një plani lidhur me masat e nevojshme ligjore dhe mbështetëse që duhen ndërmarrë me qëllim të bërjes funksionale të Bursës.

Nga ana tjetër, ligji i ri, veç operimit në Bursë, parasheh edhe platforma të tjera tregtimi online, siç janë
Platformat Shumëpalëshe të Tregtimit dhe Platformat e Organizuara të Tregtimit

Zgjerimi i mënyrës së tregtimit të instrumenteve të borxhit dhe të kapitalit, është një mundësi e mirë për zhvillimin e bizneseve Fintech.

Ne ftojmë të gjitha bizneset e interesuara për këto lloje aktivitetesh që të investojnë në këtë drejtim, në mënyrë që edhe Shqipëria më në fund të ketë një treg kapitalesh funksional.

Ftesa

Ne ftojmë të gjitha bizneset e interesuara për këto lloje aktivitetesh që të investojnë në këtë drejtim, në mënyrë që edhe Shqipëria më në fund të ketë një treg kapitalesh funksional

Si garantohet në këtë ligj mbrojtja e investitorit, qoftë persona juridikë qofte ata individë?

Një vend të posaçëm në ligj zë edhe mbrojtja e investitorit. Në tërësinë e tij, ky ligj përshkohet nga kjo frymë, duke garantuar një trajtim më të drejte të klientëve, kategorizim të investitorëve sipas njohurive të tyre në fushën e investimeve në mënyrë qe ata të lejohen të investojnë, pra të marrin një rrezik përsipër në përpjesëtim me njohuritë që kanë për investimin.

Sipas nenit 319 të këtij ligji, “Autoriteti mund të marrë një ose më shumë prej masave të mëposhtme, kur shoqëria e titujve që mban, ose së cilës i janë besuar paratë, ose aktivet e klientëve në rrjedhën e veprimtarisë së saj tregtare, bie ndesh me ndonjë dispozitë të këtij ligji, të akteve nënligjore ose të urdhrave të nxjerra në zbatim të këtij ligji dhe kur Autoriteti çmon se rrezikohen, ose ka të ngjarë të rrezikohen, interesat e investitorëve, klientëve të shoqërisë së titujve ose të zotëruesve të kuotave të sipërmarrjeve të investimeve kolektive:

a) mund të urdhërojë shoqërinë e titujve të mos tregtojë më paratë ose aktivet e investitorëve ose klientëve, në atë mënyrë që e konsideron të përshtatshme Autoriteti ose të transferojë paratë ose pasuritë e investitorëve ose klientëve të tillë, apo dokumentet ose evidencat elektronike në lidhje me këto para, ose pasuri tek një person tjetër i përcaktuar në njoftim nga Autoriteti;

b) mund t’i ndalojë shoqërisë së titujve kryerjen e transaksioneve, kërkimin e shërbimeve nga të tretë ose t’i kërkojë shoqërisë së titujve të ushtrojë veprimtarinë tregtare në mënyrën që mund të përcaktojë Autoriteti; ose

c) t’i kërkojë shoqërisë së titujve të mbajë pasuri në territorin e Republikës së Shqipërisë, në një vendndodhje që e përcakton Autoriteti.

Në interes të mbrojtjes së klientëve, Autoriteti mund të japë urdhër për ngrirjen e aktiveve të çdo personi që bie ndesh me ndonjë dispozitë të këtij ligji apo të akteve nënligjore ose urdhrave, të cilat cenojnë të drejtën e investitorit.

Për herë të parë, përfshihet Fondi i Kompensimit të Investitorëve. Në Kapitullin e X, Skema e kompensimit të investitorëve, nga neni 353-357, bëhet fjalë për krijimin e këtyre skemave, emërimin e komitetit të kompensimit, kërkesat për kompensim, si dhe pagesat e kompensimit.
Mund të themi se nga pikëpamja e kuadrit ligjor, mbrojtjes së investitorit i është kushtuar një kujdes i posaçëm në këtë ligj.

Si parashikohet të përshtaten kapacitetet mbikëqyrëse të rregullatorit në funksion të zgjerimit të këtij tregu, futjes së hallkave të reja funksionale të tij, si dhe elemente të tjerë përbërës?

Vetë procesi i hartimit të këtij ligji, i cili është bërë me asistencën e Bankës Botërore, ka qenë një proces trajnimi për stafin e AMF, të cilët kanë treguar një nivel të lartë përgatitje në hartimin e ligjit.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka miratuar në planet e saj, vazhdimin e asistencës kundrejt Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme.

Megjithatë, si i thonë fjalës, noti mësohet në det, prandaj një Treg Funksional i Kapitaleve, zbatimi në praktikë i të gjitha elementeve të këtij ligji, do të jetë mësuesi më i mirë si për Autoritetin ashtu edhe për firmat e investimit apo edhe vetë investitorët.

Burimi: Monitor

Monedha e përbashkët ka shënuar një rritje të lehtë vazhdueshme në tregun e brendshëm gjatë dy javëve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.3 lekë, me një mbiçmim prej 0.3 lekësh që nga fillimi i këtij muaji.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja lidhet me interesin e lartë që bankat vendase kishin për të marrë pjesë në emetimin e eurobondit shqiptar prej 650 milionë eurosh, që u finalizua me sukses dy ditë më parë. Nuk ka ende një informacion zyrtar se sa ka qenë pjesa e këtij borxhi, që u ble nga bankat vendase. Burime pohojnë se bankat vendase mund të kenë blerë rreth 25% të totalit të eurobondit.

Për të siguruar fondet në valutë, bankat kanë qenë kryesisht në pozicion blerës, në mënyrë që të kishin valutë gjendje për eurobondin (duke mos çuar dot euro jashtë, pasi ende avionët nuk lëvizin ende, një mënyrë është të bëhen marrëveshje këmbimi, duke blerë euro, të cilat shkojnë në bankën korrespondente nga shitësi i tyre, ndërsa banka ia dërkon korrespondentit në momentin që blen eurobondin).

Kursi mesatar i këmbimit të euros deri tani gjatë këtij viti ka qenë 123.6 lekë, nga 123 lekë që ishte mesatarja e një viti më parë. Monedha e përbashkët shfaqi shenja të forta forcimi pas bllokimit të ekonomisë nga Covid-19 nga mesi i marsit, pasi ndalimi i lëvizjeve kufizoi hyrjen e valutës, çka bëri që euro të kërcente deri në 131 lekë. Më pas kursi u stabilizuar në nivelin e 123-124 lekëve. Ndonëse transporti vijon të mbetet i mbyllur, tregu ka arritur një lloj ekuilibri, duke qarkulluar valutën që ndodhet në vend, pasi dhe volumi i këmbimeve nuk është shumë i lartë.

 

Eurobondi

Shqipëria emetoi pak ditë më parë eurobondin prej 650 mln euro. Eurobondi u emetua në një momnet mjaft të favorshëm, pasi likuiditeti dhe si rrjedhojë kërkesa në tregjet ishte mjaft e lartë, duke i kaluar 3 miliardë, apo mbi 4.8 herë mbi shumën e kërkuar. Interes shfaqën rreth 190 investitorëve nga Europa dhe SHBA.

Kuponi për Eurobondin ka rezultuar 3.5 % ndërsa norma e interesit 3.625%

Burimi: Monitor

Zhvillohet leksioni online nga Albanian University me temë “Sfidat e Bursës Shqiptare” me të ftuar Drejtorin Ekzekutiv të Bursës Shqiptare të Titujve ALSE

Sot më 10.06.2020, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE mori pjesë në leksionin e hapur online me temë “Sfidat e Bursës Shqiptare” të zhvilluar nga Albanian University. Gjatë këtij webinari, Drejtori Ekzekutiv i Bursës ALSE, Z. Artan Gjergji, njohu pjesmarrësit me strukturën e tregut financiar duke u fokusuar më në detaje në tregun e kapitalit dhe duke shpjeguar rreth funksionimit të ketij tregu dhe aktorëve kryesor.

Gjithashtu një interes të veçantë kishte për teoritë e procesit të investimit, ku Z. Gjergji shpjegoji në detaje llojet e menaxhimit të portofolit, risqet e mundshme që mbartin investitorët si dhe llojet e tregjeve të investimit aktual dhe potencial në Shqipëri.

Në përfundim të këtij leksioni, Z. Gjergji analizoj ndikimin e virusit COVID-19 në Bursat botërore, efektet në çmimet e titujve të ndryshëm, masat e marra lidhur me rënien drastike të çmimeve në muajin Mars, si dhe sfidat e një skenari të mundshëm të situatës financiare Post – Covid-19.

Lëvizje te postimet