Denaj: Bizneset kanë mundësi të reja për investime

Flet Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë

Ligji i ri për tregjet e kapitalit zgjeron mundësitë e investimit të investitorëve në platforma të tjera përveç Bursës, garanton mbrojtje më të mirë të investitorëve si dhe rregullon më mbikëqyrjen e tij, duke rritur kapacitetet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, shprehet se parashikohen kërkesa më rigoroze në drejtim të standardeve që duhet të plotësojnë shoqëritë e investimit ashtu sikurse kritere strikte për mjaftueshmërinë e kapitalit. Denaj vlerëson se zgjerimi i mënyrës së tregtimit të instrumenteve të borxhit dhe të kapitalit, është një mundësi e mirë për zhvillimin e bizneseve Fintech.

Shqipëria ka tashmë një kuadër ligjor të rifreskuar sipas kërkesave të kohës dhe direktivave sa i takon tregut të kapitaleve. Cilat janë risitë që sjell ky ligj për Shqipërinë?

Ligji “Mbi Tregjet e Kapitalit” sjell risi në disa drejtime, si: në drejtim të licencimit të shoqërive të titujve, mbrojtjes së konsumatorit/investitorit, jep më tepër mundësi për zhvillimin e infrastrukturës së tregut, si dhe në drejtim të kompetencave të AMF.

Ky ligj parashikon kërkesa më rigoroze në drejtim të standardeve që duhet të plotësojnë firmat e investimit, si dhe kërkesa më rigoroze lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit. Me qëllim mbrojtjen e integritetit të tregut, ligji parashikon kërkesa për transparencën e emetuesve dhe për shoqëritë e listuara në bursë. Krahas kërkesave për kapital fillestar të kompanive që operojnë në fushën e investimeve, janë shtuar edhe kërkesat për përshtatshmëri dhe aftësitë e drejtuesve dhe të stafit që punon në këto shoqëri, si dhe sanksionet në rast abuzimi me tregun.

Ligji i ri jep më tepër mundësi për zhvillimin e infrastrukturës së tregut ku krahas Bursës, parashikon edhe tregtimin nëpërmjet platformave online, si ato të Tregtimit shumëpalëshe ashtu edhe Platformat e Organizuara të Tregtimit, si edhe Internalizuesit Sistematik. Ligji parashikon krijimin e depozitarit qendror të titujve ose regjistrarit. Risitë e tjera në këtë ligj lidhen gjithashtu me kompetencat më të plota të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ashtu edhe me mbrojtjen e investitorit, ku për herë të parë, futet koncepti i Fondit të Kompensimit të Investitorëve.

Si synohet të stimulohet zhvillimi i tregut të kapitaleve në vend që, le të themi, ende mbetet në nivele embrionike?

Krijimi i një tregu kapitalesh funksional, është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi. Ai është një burim financimi për kompanitë me kapital privat dhe ato me kapital shtetëror si dhe një mënyrë e mirë për të tërhequr investimet e huaja në vend.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon së bashku me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe bizneset private me qëllim, hartimin e një plani lidhur me masat e nevojshme ligjore dhe mbështetëse që duhen ndërmarrë me qëllim të bërjes funksionale të Bursës.

Nga ana tjetër, ligji i ri, veç operimit në Bursë, parasheh edhe platforma të tjera tregtimi online, siç janë
Platformat Shumëpalëshe të Tregtimit dhe Platformat e Organizuara të Tregtimit

Zgjerimi i mënyrës së tregtimit të instrumenteve të borxhit dhe të kapitalit, është një mundësi e mirë për zhvillimin e bizneseve Fintech.

Ne ftojmë të gjitha bizneset e interesuara për këto lloje aktivitetesh që të investojnë në këtë drejtim, në mënyrë që edhe Shqipëria më në fund të ketë një treg kapitalesh funksional.

Ftesa

Ne ftojmë të gjitha bizneset e interesuara për këto lloje aktivitetesh që të investojnë në këtë drejtim, në mënyrë që edhe Shqipëria më në fund të ketë një treg kapitalesh funksional

Si garantohet në këtë ligj mbrojtja e investitorit, qoftë persona juridikë qofte ata individë?

Një vend të posaçëm në ligj zë edhe mbrojtja e investitorit. Në tërësinë e tij, ky ligj përshkohet nga kjo frymë, duke garantuar një trajtim më të drejte të klientëve, kategorizim të investitorëve sipas njohurive të tyre në fushën e investimeve në mënyrë qe ata të lejohen të investojnë, pra të marrin një rrezik përsipër në përpjesëtim me njohuritë që kanë për investimin.

Sipas nenit 319 të këtij ligji, “Autoriteti mund të marrë një ose më shumë prej masave të mëposhtme, kur shoqëria e titujve që mban, ose së cilës i janë besuar paratë, ose aktivet e klientëve në rrjedhën e veprimtarisë së saj tregtare, bie ndesh me ndonjë dispozitë të këtij ligji, të akteve nënligjore ose të urdhrave të nxjerra në zbatim të këtij ligji dhe kur Autoriteti çmon se rrezikohen, ose ka të ngjarë të rrezikohen, interesat e investitorëve, klientëve të shoqërisë së titujve ose të zotëruesve të kuotave të sipërmarrjeve të investimeve kolektive:

a) mund të urdhërojë shoqërinë e titujve të mos tregtojë më paratë ose aktivet e investitorëve ose klientëve, në atë mënyrë që e konsideron të përshtatshme Autoriteti ose të transferojë paratë ose pasuritë e investitorëve ose klientëve të tillë, apo dokumentet ose evidencat elektronike në lidhje me këto para, ose pasuri tek një person tjetër i përcaktuar në njoftim nga Autoriteti;

b) mund t’i ndalojë shoqërisë së titujve kryerjen e transaksioneve, kërkimin e shërbimeve nga të tretë ose t’i kërkojë shoqërisë së titujve të ushtrojë veprimtarinë tregtare në mënyrën që mund të përcaktojë Autoriteti; ose

c) t’i kërkojë shoqërisë së titujve të mbajë pasuri në territorin e Republikës së Shqipërisë, në një vendndodhje që e përcakton Autoriteti.

Në interes të mbrojtjes së klientëve, Autoriteti mund të japë urdhër për ngrirjen e aktiveve të çdo personi që bie ndesh me ndonjë dispozitë të këtij ligji apo të akteve nënligjore ose urdhrave, të cilat cenojnë të drejtën e investitorit.

Për herë të parë, përfshihet Fondi i Kompensimit të Investitorëve. Në Kapitullin e X, Skema e kompensimit të investitorëve, nga neni 353-357, bëhet fjalë për krijimin e këtyre skemave, emërimin e komitetit të kompensimit, kërkesat për kompensim, si dhe pagesat e kompensimit.
Mund të themi se nga pikëpamja e kuadrit ligjor, mbrojtjes së investitorit i është kushtuar një kujdes i posaçëm në këtë ligj.

Si parashikohet të përshtaten kapacitetet mbikëqyrëse të rregullatorit në funksion të zgjerimit të këtij tregu, futjes së hallkave të reja funksionale të tij, si dhe elemente të tjerë përbërës?

Vetë procesi i hartimit të këtij ligji, i cili është bërë me asistencën e Bankës Botërore, ka qenë një proces trajnimi për stafin e AMF, të cilët kanë treguar një nivel të lartë përgatitje në hartimin e ligjit.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka miratuar në planet e saj, vazhdimin e asistencës kundrejt Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme.

Megjithatë, si i thonë fjalës, noti mësohet në det, prandaj një Treg Funksional i Kapitaleve, zbatimi në praktikë i të gjitha elementeve të këtij ligji, do të jetë mësuesi më i mirë si për Autoritetin ashtu edhe për firmat e investimit apo edhe vetë investitorët.

Burimi: Monitor