
Yield-et e Bonove të Thesarit shënuan një rritje të lehtë në ankandet e kësaj jave.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Bonot me maturim 12-mujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.71%, nga 1.67% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm. Kërkesa për këto instrumente në tërësi rezultoi e lartë, për një shumë totale prej pak më shumë se 8 miliardë lekësh, ndërsa Ministria e Financave pranoi të shiste bono për 4.6 miliardë lekë, shumë kjo pak më e ulët se vlera e shpallur në ankand prej 5 miliardë lekësh.
Ndërkohë, Bonot me maturim tremujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 0.82%, nga 1% që kishte qenë i njëjti tregues në ankandin e fundit për të njëjtat instrumente. Ministria e Financave shiti rreth 850 milionë lekë Bono 3-mujore, përkundrejt një kërkese totale në vlerën e 1.2 miliardë lekëve. Edhe këto ankande konfirmuan se tregu shfaqet likuid dhe interesi për të investuar në instrumentet e borxhit qeveritar është në nivele të larta.
Rritja e lehtë e yield-eve për bonot 12 mujore, megjithatë, mund të interpretohet si një sinjal i parë se tregu po fillon të ndjekë orientimet e politikës monetare të dhëna nga Banka e Shqipërisë këtë muaj. Pas mbledhjes së datës 3 nëntor, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ndryshimin e formës aktuale të ankandeve për marrëveshjet e riblerjes që nga fillimi i vitit të ardhshëm. Forma aktuale e ankandeve garanton injektimin e likuiditetit në sasi të pakufizuar dhe u adoptua në mars 2020, menjëherë pas fillimit të pandemisë. Gjithashtu, për herë të pare, Këshilli Mbikëqyrës në orientimin për tregjet paralajmëroi një tërheqje të stimulit monetar ose rritje të normave të interesit duke filluar nga viti 2022.
Rritja e papritur e çmimeve në tregjet ndërkombëtare në muajt e fundit e ka vendosur ekonominë përballë rrezikut të një vale të fortë inflacioniste. Në Eurozonë, inflacioni ka arritur nivelin 4.1%, ndërsa në SHBA ka kaluar nivelin e 5%. Në Shqipëri, për momentin, ndikimi është ende i kufizuar dhe, sipas Instat, inflacioni për muajin tetor ishte 2.4%. Megjithatë, analizat e Bankës së Shqipërisë parashikojnë një rritje të inflacionit gjatë tremujorëve në vazhdim. Pritshmëritë për inflacionin në të ardhmen e afërt maten kryesisht nëpërmjet Treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste, që u rrit me 9.3% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë 2021. Nga analizat historike, është konstatuar se ky tregues paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth 3-5 muaj. Rrjedhimisht, rritja e fortë e tij në tremujorin e tretë pritet të sjellë një kontribut në rritje të inflacionit të importuar sidomos duke filluar nga tremujori i parë i vitit të ardhshëm.
Deri tani, tregjet financiare po shfaqen të kujdesshme kundrejt rrezikut inflacionit. Megjithë rritjen e çmimeve, në përgjithësi normat e interesit në tregjet ndërkombëtare nuk kanë pësuar rritje domethënëse. Tregjet ende besojnë që vala e rritjes së çmimeve do të jetë kalimtare dhe do të stabilizohet vitin e ardhshëm, në përputhje me projeksionet e skenarit bazë të shumicë së bankave qendrore më të rëndësishme. Megjithatë, kjo rritje e çmimeve tashmë po reflektohet në orientimet e politikës monetare, ndaj tregjet duket se po përgatiten për afrimin e rritjes së normave të interesit.
Burimi: Revista Monitor




Yield-et e Bonove të Thesarit pësuan sërish një rënie të lehtë, duke konfirmuar edhe njëherë ndikimin e dobët të valës inflacioniste në tregun financiar vendas.
