Në vitet e fundit, bankat kanë rritur ndjeshëm investimet në letra me vlerë jashtë vendit.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të nëntorit 2020, vlera e titujve të jorezidentëve në bilancin e bankave arritën vlerën e 136.2 miliardë lekëve, ose rreth 1.1 miliardë eurove.

Që nga fillimi i vitit, këto investime janë zgjeruar me 30% ose afërisht 32 miliardë lekë. Por, rritja e investimeve të bankave në tituj jashtë vendit është një tendencë edhe më e hershme.

Krahasuar me fundin e vitit 2018, këto investime janë rritur me 56%, ndërsa krahasuar me fundin e vitit 2017 kjo rritje është 86%. Statistikat nuk ofrojnë detajim të mëtejshëm për llojin e titujve, megjithatë sipas ekspertëve të sektorit bankar këto investime konsistojnë kryesisht në obligacione me të ardhura fikse dhe me rrezik të ulët.

Rritja e investimit të bankave në tituj jashtë vendit është ndikuar nga disa faktorë, duke filluar nga rritja e qëndrueshme e depozitave në valutë të huaj, që përbëjnë 54% të depozitave totale të sektorit bankar shqiptar. Por, ndërkohë që depozitat në valutë janë rritur, kredia në valutë të huaj vitet e fundit është ngadalësuar, sepse bankat po japin më shumë hua në lekë. Gjatë vitit 2020, pesha specifike e kredisë në lekë u rrit me rreth 2.2 pikë përqindje dhe ajo përbënte më shumë se 52% të portofolit total të huasë për ekonominë.

Kjo tendencë ka shtuar fondet e lira në valutë të huaj dhe tregu shqiptar nuk ofron alternativa të tjera investimi për këto fonde. Në këto kushte, rritja e depozitave në valutë ka shkuar kryesisht për të mbështetur zgjerimin e investimit në letra me vlerë nga emetues të huaj.

Një faktor tjetër me ndikim janë normat e ulëta historike të interesit, që po ndikojnë në zhvendosjen e fondeve në valutë prej vendosjeve (depozitave) në banka të huaja drejt investimit në tituj. Në fund të nëntorit 2020, depozitat në valutë që bankat i mbajnë jashtë vendit ranë në rreth 170 miliardë lekë, nga pothuajse 205 miliardë lekë që kishin qenë në fillim të vitit. Kjo vlerë është më e ulët krahasuar me fundin e vitit 2018 dhe pothuajse në të njëjtat nivele me fundin e vitit 2017.

Në prani të normave reale negative të interesit për mbajtjen e depozitave, bankat kanë preferuar që të tentojnë rritjen e përfitimeve duke investuar më shumë prej fondeve të tyre të lira në tituj. Rritja e investimit në letra me vlerë është favorizuar edhe frenimi afatgjatë i tendencës së kreditimit jashtë vendit. Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, portofoli i kredisë jashtë vendit ishte rreth 48 miliardë lekë.

Megjithëse në rritje gjatë vitit 2020, ky portofol ishte larg nivelit prej 84 miliardë lekësh të vitit 2017. Rënia në pjesën më të madhe u ndikua nga ndarja e degës së BKT-së në Kosovë, por edhe nga një ngadalësim i ndjeshëm i tendencës rritëse të periudhës 2015-2017.

Duke filluar nga ky vit, Banka e Shqipërisë do të nisë punën për të ndërtuar një bazë të mirëfilltë të dhënash për titujt e mbajtur nga bankat dhe institucionet e tjera kredituese. Sipas Bankës Qendrore, kjo do të mundësojë të dhëna më të detajuara dhe cilësore për titujt, duke thelluar ekspertizën në zbatim të objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar. Krijimi i bazës së të dhënave dhe shfrytëzimi i saj do të mbështetet në rregulloren e Bankës Qendrore Europiane mbi statistikat e titujve. Përshtatja e kësaj rregulloreje pritet të bëhet brenda vitit 2021./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Shoqëritë administruese të fondeve të investimeve kanë përmirësuar performancën e tyre financiare gjatë vitit 2020.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se kompania më e madhe, Raiffeisen Invest për 9-mujorin e vitit 2020 arriti një fitim neto prej 153 milionë lekësh, në rritje me 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shoqëria tjetër, Credins Invest, këtë vit ka kaluar në rezultat financiar pozitiv prej 15 milionë lekësh, nga një humbje e lehtë prej 787 mijë lekësh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kompania e tretë, WVP Fund Management Tirana, ka reduktuar humbjet në rreth 350 mijë lekë, nga 1.3 milionë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shoqëria më e re në treg, Albsig Invest, është me humbje në vlerën e 12.6 milionë lekëve, por kjo kompani e nisi aktivitetin vetëm në fund të vitit të kaluar dhe humbja është pjesë normale e ciklit të aktivitetit në vitet e para.

Performanca e shoqërive administruese është përmirësuar, pavarësisht se kriza ka ndikuar negativisht tregun, duke sjellë një rënie të normave të kthimit dhe stanjacion të vlerës së aktiveve neto nën administrimin e fondeve.

Burimi kryesor i të ardhurave të këtyre shoqërive janë tarifat e administrimit të fondeve të pensionit dhe investimit, që konsistojnë në një përqindje fikse kundrejt totalit të aktiveve. Gjatë vitit 2020, të ardhurat e shoqërive administruese janë tkurrur, për shkak të ecurisë në rënie të fondeve. Megjithatë, në vitin e krizës shoqëritë administruese kanë ulur shpenzimet, me rezultat përmirësimin e performancës financiare.

Mbështetur në të dhënat e AMF, në fund të shtatorit 2020, këto kompani administronin rreth 70 miliardë lekë asete të fondeve të investimit dhe pensioneve. Vitin e kaluar, në këtë treg u licencua edhe një shoqëri e re, ABI Invest, që pritet të nisë aktivitetin gjatë vitit 2021, me administrimin e fondit të investimeve ABI EIA. Rritja e numrit të shoqërive administruese dhe fondeve të investimit në vitet e fundit krijon premisa për zhvillim dhe diversifikim të mëtejshëm të tregut.

Deri tani, fondet në lekë investohen kryesisht në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare. Në dhjetor 2020, shoqëria Credins Invest është e para që u licencua edhe për menaxhimin e fondeve alternative të investimit, që mund të përfshijë edhe investime me rrezik më të lartë ose më pak likuide, si për shembull pasuritë e paluajtshme. Megjithatë, kuadri ligjor lejon që investimet alternative të mund t’iu ofrohen vetëm investitorëve të specializuar./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi në mbledhjen e datës 27 janar 2021 Rregulloren “Për funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive të themeluara në Republikën e Shqipërisë, nga shoqëritë administruese të fondeve dhe depozitarët”.

Rregullorja e re parashikon detyrimin ligjor për të gjitha shoqëritë administruese të cilat tregtojnë instrumenta financiarë për fondet e investimit, të ekzekutojnë urdhëra të cilat japin rezultatin më të mirë të mundshëm në përfitim të investitorit. Rregullat e atij që njihet si “ekzekutimi më i mirë”, një standard i vendosur nga direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, tashmë do të aplikohen edhe në Shqipëri, në përputhje me kërkesat e ligjit të ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

Në marrjen e rezultatit më të mirë të mundshëm për një sipërmarrje ose nën-fond, faktori “çmim” ka një rëndësi domethënëse. Megjithatë, në disa rrethana, për disa urdhra, për disa instrumente financiare ose tregje, politika e përshtatshme e ekzekutimit të urdhrave mund të përcaktojë faktorë të tjerë të ekzekutimit që janë më të rëndësishëm sesa çmimi në marrjen e rezultatit më të mirë të ekzekutimit. P.sh shpejtësia, mundësia e ekzekutimit dhe shlyerjes, madhësia dhe natyra e urdhrit, marzhi i tregut dhe çdo kosto tjetër e fshehur e transaksionit, mund të kenë përparësi mbi çmimin dhe koston e atij momenti, vetëm nëse ato japin rezultatin më të mirë të mundshëm në lidhje me sipërmarrjen dhe në fund investitorin.

Rregullorja kërkon që shoqëria administruese e fondeve jo vetëm të krijojë dhe zbatojë një politikë të ekzekutimit të urdhrave që të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm, por edhe të japë informacion të detajuar dhe të qartë në lidhje me të gjitha hapat që ndërmerren.

Rregullorja përcakton gjithashtu kriteret për përcaktimin e konfliktit të interesit, që mund të bëhet pengesë për arritjen e ekzekutimit më të mirë në favor të investitorit. Kjo rregullore është hartuar nga Autoriteti me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore, si edhe është konsultuar me të gjithë aktorët e tregut të fondeve të investimeve.

Burimi: Revista Monitor

Banka e Shqipërisë parashikon të investojë rezervën valutore dhe në instrumente të reja financiare.

Sipas strategjisë afatmesme të zhvillimit 2021-2023, Banka e Shqipërisë planifikon që të shtojë gamën e instrumenteve ku kjo rezervë investohet, si për shembull tituj borxhi të mbuluar me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme, obligacione të lidhura me normën e inflacionit apo kontrata të së ardhmes.

Qëllimi i Bankës së Shqipërisë është diversifikimi i strukturës së investimit të rezervës, por edhe sigurimi i të ardhurave më të larta nga rezerva valutore, në një periudhë kur normat e interesit ngelen në nivelet më të ulëta historike.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se realizimi i objektivit të investimit në instrumente të reja do të kërkojë vijueshmërinë e trajnimit të personelit dhe shkëmbimin e përvojës me institucionet homologe dhe bankat tregtare partnere, si edhe rritjen e kapaciteteve të sistemeve aktuale, ose blerjen e një sistemi të ri, për të mbështetur zgjerimin e klasave të instrumenteve ku rezerva investohet. Aktualisht, rezerva valutore konsiston në pjesën dërrmuese në depozita dhe instrumente borxhi me rrezik të ulët. Një pjesë më e vogël konsiston në ar dhe të drejta tërheqjeje në Fondin Monetar Ndërkombëtar (SDR).

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, rezerva valutore e vendit arriti në 3.87 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 17.2%. Në vlerë absolulte, në harkun e një viti rezerva valutore është zgjeruar me 568 milionë euro. Që nga fundi i vitit 2013, rezerva valutore e Shqipërisë është rritur me rreth 93%.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit. Një shembull i tillë ishte ndërhyrja në fund të Marsit 2020, kur Banka e Shqipërisë shiti mbi 20 milionë euro nga rezervat e saj për të frenuar nënçmimin e shpejtë të lekut në kursin e këmbimit me monedhën europiane.

Sipas Bankës së Shqipërisë, objektivit strategjik i mbajtjes së rezervës valutore përkthehet në sigurimin e një niveli rezervash të mjaftueshëm për të mbuluar të paktën 4 muaj importe dhe në vlerën e 100% të borxhit afatshkurtër të vendit. Banka e Shqipërisë në fund të vitit 2020 publikoi programin e ankandeve për blerje valute në funksion të objektivit të rritjes së rezervës së saj valutore për vitin 2021. Gjatë këtij viti janë parashikuar të organizohen 14 ankande me shumë të shpallur 4-6 milionë euro secili./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Gjatë datës 27.01.2021 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Bono Thesari 12 Mujore në LEK;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 136 njësi Bono Thesari 12 Mujore në LEK;
  • Vlera e tregtimit në Bono Thesari 12 Mujore ishte 1,355,104 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 27.01.2021 klikoni këtu

Së shpejti, Banka e Shqipërisë do të ndërtojë një bazë të dhënash për titujt e mbajtur nga bankat dhe institucionet e tjera kredituese.

Sipas Bankës Qendrore, kjo do të mundësojë të dhëna më të detajuara dhe cilësore për titujt, duke thelluar ekspertizën në zbatim të objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar. Krijimi i bazës së të dhënave dhe shfrytëzimi i saj do të mbështetet në rregulloren e Bankës Qendrore Europiane mbi statistikat e titujve. Përshtatja e kësaj rregulloreje pritet të bëhet brenda vitit 2021.

Një informacion më i hollësishëm rreth titujve është i rëndësishëm, po të kemi parasysh se ato përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme në bilancin e sektorit bankar në vend. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2020, sektori bankar në Shqipëri zotëronte letra me vlerë për shumën totale të 487 miliardë lekëve ose pothuajse katër miliardë eurove. Me bazë vjetore, portofoli i titujve është zgjeruar ndjeshëm, me rreth 27%. Rritja ka ardhur sidomos për shkak të rritjes së ekspozimit të sektorit bankar ndaj qeverisë shqiptare. Në përgjithësi, bëhet fjalë për instrumente borxhi me të ardhura fikse.

Bankat jo vetëm që ngelen financueset më të mëdha të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, por ishin edhe ndër blerësit kryesorë të eurobondit të emetuar nga qeveria shqiptare në qershorin e vitit të kaluar. Aktualisht, letrat me vlerë përbëjnë më shumë se 31% të totalit të aktiveve të sektorit bankar shqiptar dhe së bashku me kredinë janë komponentët kryesorë të bilancit të tyre. Megjithatë, deri tani statistikat nuk ofrojë të dhëna të detajuara për titujt e mbajtura në bilance nga bankat tregtare në Shqipëri. Një informacion i tillë do të ishte shumë i rëndësishëm në radhë të parë për autoritetin mbikëqyrës, për të pasur një informacion të detajuar dhe periodik rreth llojit dhe strukturës së ekspozimit, shkallës së rrezikut, emetuesve të titujve, etj.

Krijimi i bazës së të dhënave për titujt do të pasojë përmirësimet që Banka e Shqipërisë ka bërë në Regjistrin e Kredive, pas rregullores së re të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar. Regjistri i Kredive do të përditësohet brenda vitit 2021. Informacioni i grumbulluar për qëllime mbikëqyrëse e statistikore do të standardizohet, në funksion të politikave makroprudenciale, operacioneve monetare dhe procesit kërkimor në Bankën e Shqipërisë. Edhe në këtë rast do të implementohet rregullorja e Bankës Qendrore Europiane për mbledhjen e të dhënave të detajuara për kredinë dhe rrezikun e kredisë, që do të jetë në funksion të kërkesave të reja raportuese nga sistemi bankar për Regjistrin e Kredive dhe ndërtimit të një bazë të dhënash për kreditë ndaj personave fizikë dhe juridikë. /E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Gjatë datës 25.01.2021 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Bono Thesari 12 Mujore në LEK;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 40 njësi Bono Thesari 12 Mujore në LEK;
  • Vlera e tregtimit në Bono Thesari 12 Mujore ishte 399,320 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 25.01.2021 klikoni këtu

Banka Botërore mori në analizë tregun e kapitaleve në vendin tonë duke vënë theksin tek një seri pengesash që mbajnë këtë treg në nivele ende të papërfillshme.

Sipas BB si tregu primar edhe ai sekondar i letrave me vlerë të korporatave janë të pazhvilluara dhe stoku i obligacioneve është rreth 67.2 milion dollarë, ose 0.5 për qind e PBB-së (krahasuar me 30 për qind të PBB-së vërejtur në mesataren e BE).

“Pengesat kryesore në përmirësimin e funksionimit të tregjeve të borxhit të korporatave përfshijnë (i) likuiditetin e përgjithshëm të tregut për shkak të numrit të kufizuar i investitorëve institucionalë dhe nivelit të tyre të ulët të zhvillimit, që gjithashtu ndalon tregun e letrave me vlerë të qeverisë që të shërbejë si lidhja kryesore e tregjeve më efikase të kapitalit në përgjithësi; (ii) dispozita të papërshtatshme ligjore për emetimin publik të obligacioneve të korporatave; (iii) mungesa e edukimit financiar tek investitorët dhe emetuesit; (iv) nivele të ulëta të kulturës së korporatave kombinuar me nivele të larta të kërkesës për transparencë dhe publikim; (v) mungesa e stimujve në taksa për letrat me vlerë të korporatave; (vi) asnjë agjenci vlerësimi për të vendosur vlerësimin e këtyre letrave me vlerë” vlerën BB.

Kjo e fundit gjykon se tregu i derivateve financiare është shumë i kufizuar për shkak të kërkesës së kufizuar për instrumente mbrojtëse. Në raportin e saj banka sjell në vëmendje se gjatë shtatëve viteve të fundit vetëm dy banka bënë disa këmbime valutore me klientë. “Pengesa shihen edhe në nivelin e ulët të edukimit financiar, tregje të pazhvilluar të likuiditetit dhe kapitalit, mangësitë në infrastrukturën e tregut CCP (një entitet që ndihmon në lehtësimin e tregtisë dhe që operohen nga bankat) që do lehtësonte shlyerjen e derivateve ose lehtësonte shkëmbimet e mallrave” thuhet në raport.

I njëjti nënvizon se sot ka hendeqe në infrastrukturën e tregjeve financiare. “Banka e Shqipërisë operon një sistem të shlyerjes dhe regjistrimit të titujve(AFISaR) për letrat me vlerë të qeverisë. Nuk ka ÇP apo një entitet që në mënyrë qendrore mbledh dhe mban të dhënat për derivatet. Bursa Shqiptare e Titujve ka krijuar një operator të vetin për sistemin e shlyerjes së titujve (ALREG). Gjithsesi, tregu është shumë i vogël për të mbështetur aktivitete të ndara depozitimi dhe ka nevojë për krijimin e një depozitari qendror që do të merret me shlyerjen e të gjithë letrave me vlerë të tregtuara” thuhet në dokument.

Këto vlerësime mbi tregun e kapitaleve u dhanë në raportin e fundit të Bankës Botërore që bënte një diagnozë të financimit për përballimin e dëmit nga katastrofat./N.Maho

Burimi: Revista Monitor

Gjatë datës 21.01.2021 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Obligacion Thesari 10 Vjecar në LEK;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 31 njësi Obligacion Thesari 10 Vjecar në LEK;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 10 Vjecar ishte 3,154,870 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 21.01.2021 klikoni këtu

Gjatë datës 20.01.2021 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutuan 2 transaksione në 1 titull;
  • Transaksionet u ekzekutuan jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksionet e ekzekutuara ishin në Obligacion Thesari 10 Vjecar në LEK;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 49 njësi Obligacion Thesari 10 Vjecar në LEK;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 10 Vjecar ishte 4,987,220 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 20.01.2021 klikoni këtu

Lëvizje te postimet