Në mbledhjen e datës 30 Mars 2021, Bordi Drejtues i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri (AmCham), ka miratuar kërkesën e Bursës Shqiptare të Titujve ALSE për aderimin si Anëtar i Asociuar i këtij organizmi të rëndësishëm në fushën e mbrotjes së interesave të komunitetit të biznesit në vend.

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE është i vetmi treg i rregulluar i titujve në Shqipëri i licensuar në vitin 2017 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili në thelb të aktivitetit të saj ka mundësimin e përputhjes së kërkesës me ofertën për kapitale afatgjate në tregun vendas. Ajo do t’i shërbejë biznesit në përgjithësi dhe korporatave të mëdha në veçanti, si një alternativë serioze dhe më pak e kushtueshme për rritjen e kaptialit dhe financimin e aktivitetit të tyre, nëpërmjet listimit të titujve në bursë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) është një organizatë biznesi që operon prej 20 vitesh dhe gëzon reputacion të mirë në komunitetin e biznesit, falë punës dhe bashkëpunimit me anëtarët e saj. AmCham është në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët dhe punon fort për identifikimin dhe adresimin e problematikave të tyre, duke i bërë rekomandimet e duhura institucioneve shtetërore dhe Qeverisë Shqiptare. Gjithashtu, AmCham është mjaft aktive në proceset lobuese që prekin çështjet fiskale dhe ligjet e reja të cilat rregullojnë veprimtarinë e biznesit, duke qenë një avokat i fortë i bizneseve të saj anëtare, por edhe faktor në proceset rregullative të ekonomisë së tregut dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Nëpërmjet anëtarësimit në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Bursa ALSE synon të jetë më afër bizneseve korporatë të cilat plotësojnë kriteret e listimit në tregun zyrtar. Si pjesë e aktivitetit të përvitshëm në funksion të trajnimeve profesionale që AmCham organizon për anëtarët e saj, Bursa ALSE do të organizojë takime informuese në lidhje mbi mundësitë që ofron tregu i kapitaleve për financimin afatgjatë të biznesit, si dhe do të ofrojë asistencën e saj teknike për t’ia lehtësuar sa më shumë këtë proces korporatave më të mëdha në vend.

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE ka kënaqësinë t’ju njoftojë mbi publikimin e Raportit Statistikor 3-mujor për periudhën Janar – Mars 2021 (T1-2021).

Për informacion më të detajuar rreth raportit, ju lutem klikoni këtu

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kanë zhvilluar një  takim virtual me Anna Bjerde, Zv Presidente e Bankës Botërore për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore.

Sipas njoftimit gjatë këtij takimi Ministrja Denaj, ka bërë një përmbledhje të  gjithë masave të marra nga Qeveria për përballimin e  dy krizave që kaloi ekonomia shqiptare, si tërmeti i 2019 dhe pandemia e Covid-19.

“Anna Bjerde shprehu mbështetjen e Bankës Botërore ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për ekonomi gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme dhe jetesë më të mirë për të gjithë”, shkruhet në njoftim.

Referuar informacionit të publikuar nga Ministria e Financave të dy palët ndanë opinionin e përbashkët  mbi mbështetjen për iniciativat e ekonomisë blu, si dhe më gjerë për programin e Bankës Botërore në vend.

Burimi: SCAN

Rënia e normave të interesit në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë vijoi të mërkurën edhe në ankandin e obligacioneve dyvjeçare.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, obligacionet me maturim dyvjeçar u shitën në ankand me një normë interesi fiks apo kupon prej 2.58%, në rënie nga niveli 2.65% i shënuar në ankandin e muajit të kaluar.

Kërkesa e tregut për këto instrumente ngelet e lartë, me një shumë totale kërkesash të paraqitura në ankand prej afro 8.8 miliardë lekësh, nga 6.9 miliardë lekë obligacione të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave.

Kërkesa e lartë për të investuar në letrat e borxhit të qeverisë këtë vit po mbështetet nga gjendja mjaft likuide e tregut financiar, sidomos në monedhën vendase. Agregati monetar M2, që shpreh ofertën monetare në lekë arriti në fund të muajit shkurt vlerën e afro 862 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky agregat është rritur me rreth 100 miliardë lekë apo afërsisht 13%. Një zgjerim i tillë i ofertës monetare është favorizuar nga politikat monetare më stimuluese se kurrë të bankës së Shqipërisë, që ka ulur normat bazë në nivelet minimale historike dhe prej një viti po iu siguron furnizim të pakufizuar me likuiditet bankave tregtare.

Likuiditeti i lartë në lekë po favorizon njëkohësisht edhe më shumë kreditim në monedhën vendase. Leku tashmë është monedha dominuese në portofolin e kredisë për ekonominë. Për dy muajt e parë të këtij viti, statistikat treguan se 57% e kredisë së re ishte në lekë.

Individët janë gjithashtu një segment gjithnjë e më i interesuar për të blerë obligacionet e qeverisë shqiptare. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e obligacioneve në tregun primar nga individët u rritën me 51% gjatë vitit 2020. Rritja e kërkesës për blerë obligacione nga individët është nxitur sidomos nga normat më të mia të interesit krahasuar me depozitat bankare.

Premisë tjetër për ruajtjen e nivelit të ulët të yield-eve është edhe ulja e huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm. Sipas kalendarit të huamarrjes të Ministrisë së Financave, gjatë tremujorit të dytë volumi total i huamarrjes së brendshme pritet të ulet me rreth 7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Shuma e huamarrjes paraqitet gjithashtu më e ulët edhe në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2020, kur qeveria pati financiar në tregun e brendshëm borxh rreth 111 miliardë lekë./ E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Ministria e Financave njofton se më 08 prill 2021 do të mbahet ankandi i pestë i letrave me vlerë për vitin 2021.

Në këtë ankand, do të emetohen obligacione me maturitet 3 vjeçar në shumën prej 25 milionë euro.

“Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Publik, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (3 vite) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Ministria thotë se për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë duhet të kontaktohet ndonjërën nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë.

Burimi: Revista Monitor

Gjatë datës 31.03.2021 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua jashtë orarit zyrtar të Bursës (off-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishter në Obligacion Thesari 5 Vjecar në LEK;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 150 njësi Obligacion Thesari 5 Vjecar në LEK;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 5 Vjecar ishte 15,273,000 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me te dhenat e tregtimit të datës 31.03.2021 klikoni këtu

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi së fundmi regjistrimin e fondit të parë të investimeve alternative në Shqipëri.

Bëhet fjalë për Sea Land Investment, fond i themeluar në fund të vitit të kaluar me aksioner kryesor Credins Bank. Fondi do të administrohet nga Credins Invest, që në Dhjetor 2020 u bë shoqëria e parë e licencuar për të administruar fonde të këtij lloji. Depozitar i fondit pritet të jetë Banka Amerikane e Investimeve.

Ligji i ri për sipërmarrjen e investimeve kolektive, që hyri në fuqi në Qershor 2020, krijoi bazën ligjore edhe për Fondet e Investimit Alternative, ku mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar. Ai përcakton si klientë profesionistë subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj. Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë. Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.

Fondet e Investimeve Alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme.

Licencimi i fondeve të invstimeve alternative këtij lloji përbën një diversifikim të mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri, duke krijuar mundësi për alternativa të reja për investitorët profesionistë.

Deri tani, në Shqipëri kanë vepruar vetëm shoqëri që ofrojnë fonde investimi në instrumente financiare. Tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive ka aktualisht pesë shoqëri dhe nëntë fonde investimi të licencuara, ndërsa së shpejti pritet të licencohet edhe një shoqëri e re administruese, së bashku me fondin e vet të investimeve.

Mbështetur në statistikat e AMF, në fund të vitit 2020, tregu i fondeve të investimeve kishte një vlerë neto të aseteve prej rreth 67.4 miliardë lekësh ose rreth 545 milionë eurove. Vlera e aseteve neto të fondeve vitin e kaluar u rrit me vetëm 0.92%, ecuri e ndikuar pjesërisht edhe nga kthimet negative të fondeve të të investimit në euro, që çuan në uljen e vlerës së aseteve për këtë segment të tregut. Numri i anëtarëve në fund të vitit 2020 arriti në afërsisht 32,700, me një rritje vjetore prej 11.7%. Në monedhën vendase, tregu nuk ofron alternativa të tjera investimi, veç bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Mungesa e tregut të kapitalit pengon diversifikimin e portofolit të investimit dhe nuk krijon shumë hapësira për sigurimin e kthimeve më tërheqëse për investitorët./ E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Miratimi nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Finanicare (AMF), në mbledhjen e datës 26 mars 2021, të rregullores së shoqërisë “Regjistri Shqiptar i Titujve – ALREG” sh.a. “Për fondin e garancisë” e bën atë tërësisht funksionale. Rregullorja, sipas AMF-së, shënon plotësimin e bazës rregullative për funksionimin e infrastrukturës së procesit të pastregtimit, të transaksioneve të realizuara në Bursën e Titujve.

Nga data 1 mars 2021, shoqëria ALREG është e gatshme të kryejë praktikisht funksionin e saj të klerimit dhe të shlyerjes së transaksioneve në tituj si rezultat i anëtarësimit të saj në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS. Operimi i sistemit të shlyerjes së titujve nga shoqëria ALREG është i lidhur domosdoshmërisht me nevojën e krijimit të Fondit të Garancisë, i cili financohet nga pjesëmarrësit e sistemit të shlyerjes së titujve.

Krijimi i Fondit të Garancisë ka për qëllim sigurimin apo garantimin e transaksioneve të kryera në Bursën e Titujve, të cilat dështojnë të shlyhen për arsye të mungesës së vlerave monetare dhe/ose të titujve nga pjesëmarrësit në transaksion.

Transaksionet e ekzekutuara në Bursën e Titujve finalizohen përmes procesit të shlyerjes së titujve, si proces pastregtimi, i cili ka të bëjë me transferimin e titujve përkundrejt pagesës midis palëve të përfshira në transaksion. Mospërmbushja e detyrimeve nga pjesëmarrësit për të finalizuar transaksionin në tituj, kërkon marrjen e masave për parandalimin e rasteve të tilla nga ALREG. Vijueshmëria e shlyerjes së transaksioneve, edhe në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve sigurohet nëpërmjet përdorimit të fondit të garancisë për llogari të palës që dështon të përmbushë detyrimin. Kështu, fondi i garancisë siguron përmbushjen e detyrimeve të pjesëmarrësve në transaksion.

Burimi: Revista Monitor

Vlera e obligacioneve me ofertë private të kompanive shqiptare në fund të vitit 2020 arriti në mbi 8 miliardë lekë ose rreth 65 milionë euro.

Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i këtyre instrumenteve (vlera e emetuar dhe ende e pashlyer) u rrit me 575 milionë lekë ose rreth 7.7% për vitin e kaluar.

Pak më shumë se gjysma e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj, nga të cilat 43.3% në euro dhe 7.2% në dollarë amerikanë. Gjatë vitit 2020 u konstatua një rritje e peshës së obligacioneve në valutë, që arritën në 50.5% të totalit, nga 46.8% që përbënin një vit më parë. Obligacionet në lekë pësuan një rënie të peshës së tyre specifike në 49.5%, nga 53.2% që zinin në fund të vitit 2019.

Ligjërisht, obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionere dhe të ofrohen për shitje te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri ato kanë nisur të përdoren në fund të vitit 2011 dhe emetuesit kryesorë kanë qenë bankat dhe institucionet financiare. Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator. Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur të bankave si kapital rregullator i nivelit të dytë, deri në një masë të caktuar. Ndërsa institucionet e tjera financiare e kanë aplikuar emetimin e obligacioneve si një formë për të siguruar financime për të mbështetur aktivitetin e tyre kreditues.

Blerësit e këtyre instrumenteve kanë qenë zakonisht individët, por nuk kanë munguar edhe investitorë institucionalë, si për shembull kompani të sigurimeve. Interes të madh për të investuar në obligacionet e shoqërive private kanë shfaqur edhe fondet e investimeve, por deri më sot kjo formë investimi nuk është lejuar nga AMF, sepse për obligacionet me ofertë private nuk ekziston një treg i mirëfilltë dhe për këtë arsye nuk mund të bëhet një kuotim ditor i vlerës tyre mbështetur në çmimin e tregut.

Deri tani, në tregun shqiptar të kapitaleve emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private, edhe për shkak të mungesës së një tregu të titujve. Oferta publike do t’i bënte këto instrumente të tregtueshme dhe likuide, duke krijuar mundësinë e shitjes në çdo kohë ose përdorimin e tyre si kolateral financiar për marrjen e huave.

Që nga fillimi i muajit mars, depozitari ALREG nisi operimin në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe (AIPS) të Bankës së Shqipërisë. Ky hap shënon tejkalimin e pengesës së fundit teknike për tregtimin e letrave me vlerë të kompanive private në Bursën Shqiptare të Titujve, ALSE. Bursa është operative prej tre vjetësh, por aktiviteti i saj deri tani ka qenë i kufizuar në tregtimin e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare.

Institucioni financiar NOA është e vetmja shoqëri tregtare që ka pranuar publikisht qëllimin për të hyrë në Bursë, me qëllim emetimin e obligacioneve. NOA është një nga institucionet financiare që ka emetuar në të shkuarën obligacione me ofertë private, siç kanë bërë edhe kompani të tjera të sektorit të mikrofinancës, si Fondi Besa apo IuteCredit. / E.Shehu

Burimi: Revista Monitor

Lëvizje te postimet