Gjatë datës 31.01.2019 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutua 1 transaksion ne 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua gjatë orarit zyrtar të Bursës (on-exchange);
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Obligacion Thesari 5 Vjecar;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 260 njësi Obligacione Thesari;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 5 Vjecar ishte 28,054,000 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 31.01.2019 klikoni këtu

Tregu financiar në vend ka shumë para të lirë dhe investitorët po dynden të investojnë në instrumentet e borxhit qeveritar. Në ankandin e obligacioneve pesëvjeçare u paraqitën kërkesa për afro 11 miliardë lekë, kundrejt një shume të shpallur të shpallur për financim prej katër miliardë lekësh.

Një raport i tillë mes kërkesës dhe ofertës bëri që kuponi i obligacioneve pesëvjeçare të bjerë në 4.2%. Ky është niveli më i ulët i regjistruar në historinë e emetimit primar të obligacioneve pesëvjeçare.

Kjo tendencë po reflektohet edhe në normat e tregut sekondar. Prej korrikut 2018, obligacionet 5-vjeçare janë përcaktuar si tituj referencë, në një projekt të përbashkët me pesë banka zhvilluese të tregut.

Titujt referencë gëzojnë likuiditet më të lartë se emetimet e zakonshme, për shkak të detyrimit që kanë zhvilluesit e tregut për të kuotuar çmimet në tregun sekondar, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i fiks i tregtimit të obligacioneve pesëvjeçare në tregun sekondar ra në 3.54% të mërkurën. Ky është niveli më i ulët i regjistruar që nga nisja e kuotimeve, në korrik të vitit të kaluar.

Interesat e borxhit qeveritar kanë zbritur në nivele të papritura në fundin e vitit të kaluar dhe gjatë fillimit të këtij viti, praktikisht për të gjitha emetimet. Arsyeja kryesore duket të jetë sasia shumë e lartë e likuiditetit të lirë në treg.

Banka e Shqipërisë ka injektuar sasi të lartë paraje vitin e kaluar, jo vetëm përmes instrumenteve të politikës monetare, por edhe nëpërmjet ndërhyrjeve në kursin e këmbimit, duke blerë euro dhe duke shitur lekë. Por, një ndikim ka dhënë edhe qeveria shqiptare.

Emetimi i eurobondit në tetor të vitit të kaluar u përdor pjesërisht për të zëvendësuar ose rifinancuar borxhin e brendshëm. Kjo la sasi të mëdha paraje në duart e investitorëve dhe sidomos të bankave. Në kushtet e një kreditimi ende të dobët të ekonomisë, gjendja likuide e tregut financiar ka sjellë kërkesë të lartë për të investuar në bono dhe ka ulur normat e interesit.

Ersuin Shehu/SCAN

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE ka ekzekutuar 2 transaksione në sesionin tregtar të datës 29 Janar. Transaksionet e ekzekutuara ishin në 2 tituj,  në Obligacion Thesari 5 vjeçarë dhe Obligacion Thesari 10 vjeçarë, me një volum total tregtimi prej 496 njësi.

Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 5-vjeçar ishte 43.3 milionë lekë, ndërsa në titujt 10-vjeçarë,  arriti në 10.15 milionë.

Sipas të dhënave të tregtimit të Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, një nga transaksionet u ekzekutua në orarin zyrtar të bursës, ndërsa tjetri, jashtë orarit zyrtar, në tregun me pakicë (OTC).

Transaksionet e ekzekutuara në oraret zyrtare dominojnë në raport me vlerën e tregut, në 64.3% të totalit. Këto të fundit janë transaksione që kanë një nivel të lartë transparence dhe informacioni mbi to është lehtësisht i aksesueshëm nga investitorët.

Bursa Shqiptare e titujve ALSE ka nisur aktivitetin në Shkurt 2018 dhe pavarësisht se ka pasur kufizim vetëm në titujt e borxhit të Qeverisë për vitin e parë,  volumet dhe vlerat e tregtimit të titujve kanë qenë të kënaqshme.

Gjatë 10 muajve të vitit 2018, vlera e tregtimit arriti në rreth 20.8 milionë euro, me një volum prej rreth 107.000 njësi të tregtuara dhe 127 transaksione të ekzekutuara.

Klevis Llaha/SCAN

Sektori bankar shqiptar është i mirë-kapitalizuar, likuid dhe me fitueshmëri”-thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin më të fundit për vendin tonë, duke shtuar se, pavarësisht këtyre pikave të forta duhen më shumë përpjekje për të përmirësuar elasticitetin.

Indikatorët e stabilitetit financiar janë përmirësuar, me normat mesatare të kapitalit dhe aseteve që kanë tejkaluar minimumet e rregullatorëve të vetë bankave”-thuhet më tej mes rreshtave. Likujditeti i sektorit bankar vlerësohet si shumë i lartë, por që vjen edhe si pasojë e dobësisë në kreditim.

FMN nënvizon edhe sfidat e sektorit bankar. Një ndër to është sfidë e re, pasi i referohet largimit të disa bankave europiane nga tregu vendas. Kjo gjë shton sfidat sa i përket supervizimit, thotë institucioni me bazë në Washington. FMN sqaron se, largimi ose plani për t`u larguar i tre bankave europiane nga Shqipëria në 2 vitet e fundit është rrjedhojë e strategjisë së tyre për t`u larguar nga rajoni i Europës jug-lindore dhe Ballkani.

Pronësia e bankave po kalon te vendasit si dhe te grupet jo-europiane, nënvizon institucioni.

FMN fokusohet edhe te bursa shqiptare. Zhvillimi i tregjeve të kapitalit do të forconte ndërmjetësimin financiar dhe mbështeste rritjen ekonomike të vendit.

Tregjet kapitale në Shqipëri po zgjerohen, por janë të limituara vetëm në tituj qeveritarë dhe për tregti të brendshme.

Roel Korkuti/SCAN

Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë për vitin 2018 u dominua në masën 70.60% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 29.40% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Përsa i përket numrit të transaksioneve, 87.80% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari. 

Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë për vitin 2018 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 48.55% dhe 34.56% kundrejt volumit të përgjithshëm.

Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë për vitin 2018, dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 98.85% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Grafik: Letra me vlerë të Qeverisë për vitin 2018     

*

  1. Blerje në tregun primar
  2. Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar
  3. Blerje para afatit të maturimit
  4. Vendosje e bonos si kolateral
  5. Shlyerje e vlerës nominale në maturim

Dy grupet e transaksioneve B dhe C

Transaksioni i llojit Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë vitit 2018, ka pasur një rritje prej 484 milionë lekë ose 10.32% krahasuar me vitin 2017. Ndërkohë edhe numri i transaksioneve është rritur në masën 0.68%. 

Transaksioni i llojit Blerje para afatit të maturimit” gjatë vitit 2018, ka pasur një rritje prej 694 milionë lekë ose 27.00% dhe gjithashtu, një rritje në numrin e transaksioneve në masën 0.10%, krahasuar me vitin 2017.

Vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 1,177 milionë lekë, krahasuar me vitin 2017.

AMF

Gjatë datës 29.01.2019 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE rezultuan këto të dhëna:

  • U ekzekutuan 2 transaksione ne 2 tituj;
  • Nje transaksion u ekzekutua gjatë orarit zyrtar të Bursës (on-exchange) dhe transaksioni tjetër u ekzekutua jashtë orarit zyrtar të Bursës (on-exchange);
  • Transaksionet e ekzekutuara ishin në Obligacion Thesari 5 Vjecar dhe Obligacion Thesari 10 Vjecar;
  • U tregtuan gjithsej një numër prej 496 njësi Obligacione Thesari;
  • Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 5 Vjecar ishte 43,302,600 LEK dhe në Obligacion Thesari 10 Vjecar ishte 10,150,000 LEK ;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 29.01.2019 klikoni këtu

Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve Z. Artan Gjergji në një intervistë në Radio Televizionin Shqiptar flet rreth ecurisë së Bursës ALSE për vitin 2018.

Për të ndjekur intervistën e plotë klikoni këtu

Gjatë ditës së tregtimit të datës 25.01.2019 në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE u raportuan këto të dhëna:

  • U raportua 1 transaksion në 1 titull;
  • Transaksioni u ekzekutua në datë 24.01.2019 dhe u raportua ditën e sotme në sistemin ETS të Bursës ALSE;
  • Transaksioni i ekzekutuar ishte në Obligacione Thesari 10 Vjecar;
  • U tregtua një numër prej 457 njësi Obligacione Thesari 10 Vjecar;
  • Vlera totale e tregtimit në Obligacione Thesari ishte 47,953,010 LEK;

Për informacion statistikor më të detajuar në lidhje me të dhënat e tregtimit të datës 25.01.2019 klikoni këtu

Prof. dr. Hysen Çela, president i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA)

Flet prof. dr. Hysen Çela, president i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) dhe Managing Partner në Crowe AL sh.p.k., anëtar i rrjetit Crowe Global International

Duke nisur nga 1 janari 2019, ndryshime të reja do të vijnë në fushën e kontabilitetit, pas miratimit të ligjit nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.

Prof. dr. Hysen Çela, president i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) pohon në një intervistë për Monitor se ka shumë pak biznese që janë në dijeni me ndryshimet e bëra në ligj dhe me obligimet përkatëse për raportim.

Ai shton se, me përjashtim të informimit të bizneseve nga konsulentët e tyre, kontabilistët dhe audituesit, nuk janë realizuar aktivitete të tjera informuese apo sensibilizuese në këtë drejtim.
“Jemi ende në kohë për të nisur një fushatë sensibilizuese për biznesin dhe për të përgatitur standardet dhe modelet e raportimit, bazuar në standardet përkatëse ndërkombëtare dhe në praktikën më të mirë në këtë fushë.

Përveç raportimit financiar për qëllime të përgjithshme, për një numër entitetesh bëhen të detyrueshme të hartohen dhe publikohen: raportet për ecurinë e veprimtarisë, ku entitetet e mëdha dhe me interes publik kërkohen të përfshijnë një raport jofinanciar, që ndihmon për një kuptim më të mirë të zhvillimit të entitetit, performancës, pozicionit të tij financiar, për të vlerësuar ndikimin e aktivitetit të biznesit në mjedis, çështjet sociale dhe ato të punësimit, të drejtat e njeriut, korrupsionin, etj., dhe një raport për drejtimin e brendshëm që analizon rregullat/kodet që zbatohen për drejtimin e brendshëm.

Kjo kategori e entiteteve kërkohet gjithashtu të përgatitë dhe të publikojë edhe raport për pagesat që ju bëhen institucioneve shtetërore” – shton drejtuesi i IEKA. Z. Çela, nga ana tjetër, flet për një parashikim të shërbimit të konsulencës kontabël apo audit në vitin 2019, duke përmendur këtu nivelin e lartë të ekonomisë informale që pengon që sektori të ketë shërbime më cilësore apo kërkesa në rritje.

Cilat mendoni se mund të jenë disa nga efektet dhe problematikat që lidhen me zbatimin e ligjit të ri për kontabilitetin?

Miratimi i ligjit nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” kishte si qëllim kryesor përafrimin e legjislacionit tonë të raportimit financiar me direktivën e Parlamentit Europian dhe të Këshillit, 2013/34/BE “Mbi pasqyrat financiare vjetore, pasqyrat financiare të konsoliduara dhe raportet përkatëse të llojeve të caktuara të ndërmarrjeve”, në kuadrin e parapërgatitjes së vendit tonë drejt anëtarësimit në BE.

Nga këndvështrimi i zbatimit, ende nuk mund të thuhet se njihen efektet, pasi ligji parashikohet të zbatohet duke nisur nga data 1 janar 2019. Megjithatë, nga këndvështrimi i përgatitjes së bizneseve për zbatimin e këtij ligji mund të them, se ka pak sensibilizim dhe njohje të bizneseve me ndryshimet e bëra në ligj dhe me obligimet përkatëse për raportim. Me përjashtim të informimit të bizneseve nga konsulentët e tyre, kontabilistët dhe audituesit, nuk di të jetë bërë ndonjë aktivitet tjetër informues apo sensibilizues në këtë drejtim.

Edhe pse IEKA i ka trajtuar ndryshimet ligjore në kuadrin e raportimit financiar në RSH, në sesionet e kualifikimit të vijueshëm profesional të anëtarëve të vet, kjo nuk mjafton, pasi për të garantuar zbatimin në praktikë, duhet që ligji të njihet dhe të kuptohet në tërësinë e tij.
Del domosdoshmëri adresimi sa më i shpejtë i kërkesave që parashikohen në këtë ligj. Këtu kam parasysh, jo thjesht sensibilizimin e bizneseve, trajnimin e hartuesve të pasqyrave financiare dhe të raporteve të tjera, por edhe hartimi i standardeve dhe formateve përkatëse të raportimit. Në të kundërt, do të ndodheshim në kushtet e moszbatimit të këtij ligji, duke bërë që përafrimet ligjore me legjislacionin e BE-së të mbeteshin thjesht në letër.
Mendoj se në këtë drejtim, përveç Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, që ka rolin kryesor në monitorimin e zbatimit të standardeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar, një rol të madh duhet të luajë IEKA, anëtarët e së cilës shprehin opinion mbi zbatimin e kërkesave ligjore dhe rregullatore dhe për besueshmërinë e raportimit financiar. Një rol jo të vogël kanë edhe organizatat e tjera të profesioneve në fushën kontabël, si dhe Bordi i Mbikëqyrjes Publike, në rolin e tij si autoritet mbikëqyrës dhe rregullator.

Jemi ende në kohë për të nisur një fushatë sensibilizuese për biznesin dhe për të përgatitur standardet dhe modelet e raportimit, bazuar në standardet përkatëse ndërkombëtare dhe në praktikën më të mirë në këtë fushë. Përveç raportimit financiar për qëllime të përgjithshme, për një numër entitetesh bëhen të detyrueshme të hartohen dhe publikohen: raportet për ecurinë e veprimtarisë, ku entitetet e mëdha dhe me interes publik kërkohen të përfshijnë një raport jofinanciar, që ndihmon për një kuptim më të mirë të zhvillimit të entitetit, performancës, pozicionit të tij financiar, për të vlerësuar ndikimin e aktivitetit të biznesit në mjedis, çështjet sociale dhe ato të punësimit, të drejtat e njeriut, korrupsionin, etj., dhe një raport për drejtimin e brendshëm që analizon rregullat/kodet që zbatohen për drejtimin e brendshëm. Kjo kategori e entiteteve kërkohet të përgatitë dhe publikojë edhe raport për pagesat që ju bëhen institucioneve shtetërore.

Megjithëse ende nuk i kemi parë efektet e zbatimit të ligjit të ri për kontabilitetin, a mendoni se ka vend për përmirësime?

Natyrisht, gjithnjë ka nevojë për të bërë përmirësime. Ne jetojmë në një kohë kur gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Megjithatë, për t’i adresuar si duhet nevojat për përmirësime, fillimisht duhet të shihet si zbatohen në praktikë ndryshimet e bëra. Ligji i ri për kontabilitetin, siç e theksova më sipër, parashikon në tërësinë e tij, zgjerim të formateve të raportimit të biznesit, me qëllim rritjen e transparencës. Ai i riklasifikon bizneset dhe shkallëzon në vite klasifikimin, me qëllim që brenda një periudhe dhjetëvjeçare, klasifikimet në Shqipëri të jenë të njëjta me ato të BE-së.

Një klasifikim i tillë rrit përgjegjësinë për entitetet e biznesit, jo thjesht për të raportuar, por mbi të gjitha, për më shumë transparencë, e cila potencialisht do të prodhojë më shumë mundësi për financime dhe zgjerim e rritje të bizneseve. Sidoqoftë, përpara se të flasim për përmirësime ligjore në fushën e raportimit financiar, unë mendoj se çështje prioritare është formalizimi dhe lufta ndaj ekonomisë informale. Është kjo e fundit, pra një ekonomi informale e gjithëpërhapur, e cila jo vetëm nuk inkurajon, por përkundrazi stimulon një raportim financiar dhe raporte të tjera të deformuara, të cilat çorientojnë përdoruesit dhe investitorët.

Prandaj, për të garantuar qëllimet kryesore të ligjit të ri të kontabilitetit del domosdoshmëri një përfshirje në bllok e disa aktorëve e faktorëve, për të luftuar ekonominë informale. Rrugët janë të shumta, por nuk është vendi për të folur gjatë këtu për këtë çështje. Sidoqoftë, profesioni kontabël ka një rol jo të vogël për të luajtur në luftën ndaj ekonomisë informale, evazionit dhe korrupsionit. Por, që të realizohet kjo, është e nevojshme që aktorët të bashkërendojnë punën midis tyre dhe agjencive të tjera ligjore e rregullatore.

Vitin e shkuar keni shprehur shqetësime lidhur me projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”. A vijoni të keni të njëjtin qëndrim?

Meqenëse më duhet të jap përgjigje për një çështje tjetër po kaq sensitive siç është profesioni i ekspertit fiskal, dëshiroj të sqaroj se shqetësimet e mia nuk kanë pasur e nuk kanë të bëjnë aspak me faktin nëse duhet apo nuk duhet një profesion për ekspertët fiskalë. Në parim jam plotësisht dakord për çfarëdo lloj organizimi profesional që garanton cilësi dhe shërbim me interes publik.

Një ekonomi moderne karakterizohet nga specializimi i ngushtë, dhe këtu nuk bën përjashtim as specializimi profesional për fushën e taksave e tatimeve apo krijimi i profesionit të ekspertit fiskal. Por, problemi për të cilin unë kam shprehur shqetësim dhe e kam adresuar pranë autoriteteve përkatëse, qëndron tek parcializimi i profesionit me synim krijimin e pozitave monopol për segmente të caktuara të tij, dhe përjashtimin me ligj të aktorëve të tjerë, çështje që nuk i shkojnë aspak për shtat konkurrencës së lirë, tipike për një ekonomi tregu. Për ta thënë më qartë, nuk mundet që shërbimet tatimore të jenë e drejtë apo “domain” vetëm e fiskalistëve, apo shërbimet kontabël vetëm “domain” i kontabilistëve, kur këto mund të kryhen edhe nga profesionistë të tjerë.

Zotërimi i njohurive dhe aftësive profesionale mendoj se duhet të jetë kriteri bazë për kryerjen cilësore dhe etike të një shërbimi, i cili nuk ka arsye të jetë i rregulluar dhe monopol vetëm për disa e të mos lejohet për të tjerët. Për më tepër, shërbimet tatimore të pajtueshmërisë (deklarimet për tatimet), të cilat janë përgjegjësi e administrimit të entiteteve të biznesit, sot realizohen online nëpërmjet platformave elektronike. Ato mund të kryhen nga vetë bizneset, por edhe të tretët, lidhja me të cilët po bëhet gjithnjë e më e padukshme.

Qe të saktësoj më mirë përgjigjen për pyetjen tuaj, dëshiroj të nënvizoj se nuk jam kundër organizimit sipas fushave të ndryshme profesionale, por jam kundër rezervimit të së drejtës për disa shërbime vetëm te disa kategori të caktuara të profesioneve. Përfshirja e profesionistëve në kryerjen e shërbimeve profesionale është e drejtë e klientit. Ky i fundit do të zgjedhë atë individ apo entitet që i shërben më mirë, dhe kjo varet jo vetëm nga njohuritë, zotësitë dhe përvojat e individëve të caktuar, por edhe nga reputacioni i organizmit profesional ku këta individë janë anëtarësuar.

Mendoni se futja në skemën e TVSH të biznesit të vogël i ka shtuar barrën këtij të fundit?

Mendimin tim për këtë çështje, e kam parashtruar që në fillim të vitit 2017. Nuk mendoj se biznesit të vogël i shtohet barra po qe se ai futet në skemën e TVSH-së. Barra vërtet shtohet, nëse krahas me futjen në skemë, nuk punohet për formalizimin e biznesit. TVSH duhet të jetë vërtet ashtu siç konceptohet, neutrale, pasi në analizë të fundit, ajo do të paguhet nga konsumatori final. Personalisht jam dakord me qëndrimin e ministrit të Financave se çdo biznes që blen inpute nga shitësit me shumicë, për t’i përpunuar, apo edhe për t’i shitur në tregun me pakicë, duhet të jetë i përfshirë në skemën e TVSh-së, me qëllim që cikli të mbyllet plotësisht.

Megjithatë, në kushtet kur ende niveli i ekonomisë informale është i lartë dhe i përhapur, mendoj se në ndihmë do të vinte ulja dhe shkallëzimi i TVSH për disa kategori të produkteve bazë, siç janë ushqimet, për shembull me 5 apo 10%. Pavarësisht kësaj, që një reformë e tillë të kishte efektin e dëshiruar, ajo duhet të ishte shoqëruar me një përgatitje paraprake, me një sensibilizim dhe shpjegim në detaje të efekteve si pozitive ashtu edhe negative. Nuk ndaj të njëjtin mendim me ata që e kundërshtojnë shtrirjen e TVSH-së, duke e justifikuar me mungesën e kapaciteteve të administrimit, pasi ndryshe nga një dekadë më parë, administrimi sot bëhet në rrugë elektronike. Mendoj se del domosdoshmëri një investim i shtuar në burimet njerëzore, me qëllim që të përdoren me eficencë mundësitë që krijohen nga përdorimi i teknologjisë.

Me qëllim që skema me TVSh, të jetë sa më efektive dhe funksionale, jam i mendimit se duhet që nga ajo të përjashtohen disa kategori të mikroentiteteve dhe bizneseve të vogla, të cilat përdorin shumë pak inpute, siç janë tregtarët e fruta-perimeve në tregjet e qyteteve që tregtojnë produktet e tyre, zanatçinjtë, ambulantët, etj.

Si e parashikoni vitin 2019, sa i përket fushës së kontabilitetit?

Nuk besoj se për vitin 2019 do të ketë ndryshime të mëdha apo surpriza. Në këtë çështje nuk kam arsye të jem pesimist, por në të njëjtën kohë, nuk mund të them që jam shumë optimist. Po të nisemi nga përgatitjet e bëra, mendoj se situata do të vijojë të jetë pak a shumë njëlloj. Për mendimin tim, do duhet të kalojë shumë kohë që ndryshimet ligjore të kenë efektin e duhur e të përkthehen në një rritje të kërkesës për shërbimet profesionale të lidhura me kontabilitetin.

Gjysmën e parë të vitit 2019 do ta karakterizoja me një ecuri normale, me shpresë që për gjysmën e dytë të shohim rritje pak më intensive. Arsyeja kryesore për mua vijon të mbetet niveli ende i lartë i ekonomisë informale, e cila nuk e stimulon nevojën për një shërbim cilësor këshillimor apo të sigurisë në fushën kontabël. Përkundrazi, edhe shërbimet e pajtueshmërisë, mund të vazhdojnë të zgjidhen duke përdorur kanalet informale.

Megjithatë, mendoj se jemi ende në kohë për të luftuar ekonominë informale. Qeveria duhet të rikonsiderojë përpjekjet e saj dhe të adresojë në mënyrën e duhur çështjen e luftës ndaj informalitetit dhe formalizimit të biznesit. Kjo nuk është një çështje që zgjidhet me fushata, përkundrazi ajo kërkon qëndrueshmëri dhe kombinim adekuat midis edukimit, sensibilizimit dhe ndëshkimit.

Por që të arrihet niveli i dëshiruar i formalizimit, ai duhet të shoqërohet me një program të qartë dhe strategji zhvillimore për sektorët bazë të ekonomisë. Megjithëse qeveria ka më shumë në fokus mbledhjen e të ardhurave nga taksat e tatimet për të mundësuar kryerjen e shërbimeve publike, qëndrueshmëria e tyre lidhet shumë me politikat e qarta që stimulojnë zhvillimin e atyre sektorëve të biznesit dhe të ekonomisë, që vërtet prodhojnë të ardhura për qeverinë dhe individët.

Në këtë drejtim, transparenca e raportimit dhe besueshmëria e treguesve financiarë rrit besueshmërinë dhe mundëson më shumë investime vendase e të huaja. Konsiderimi prioritet i raportimit financiar të besueshëm, mundëson zhvillime shumëdimensionale, të cilat ndikojnë në rritjen e bizneseve, shtimin e punësimit, krijimin e një klime besimi, rritjen e të ardhurave për qeverinë, etj.

REVISTA MONITOR nr.865, datë 25.01.2019

Lëvizje te postimet