ALSE, mbi 50 mln lekë transaksione – Sesionin e së Martës tregtohen 496 njësi Obligacione Thesari

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE ka ekzekutuar 2 transaksione në sesionin tregtar të datës 29 Janar. Transaksionet e ekzekutuara ishin në 2 tituj,  në Obligacion Thesari 5 vjeçarë dhe Obligacion Thesari 10 vjeçarë, me një volum total tregtimi prej 496 njësi.

Vlera e tregtimit në Obligacion Thesari 5-vjeçar ishte 43.3 milionë lekë, ndërsa në titujt 10-vjeçarë,  arriti në 10.15 milionë.

Sipas të dhënave të tregtimit të Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, një nga transaksionet u ekzekutua në orarin zyrtar të bursës, ndërsa tjetri, jashtë orarit zyrtar, në tregun me pakicë (OTC).

Transaksionet e ekzekutuara në oraret zyrtare dominojnë në raport me vlerën e tregut, në 64.3% të totalit. Këto të fundit janë transaksione që kanë një nivel të lartë transparence dhe informacioni mbi to është lehtësisht i aksesueshëm nga investitorët.

Bursa Shqiptare e titujve ALSE ka nisur aktivitetin në Shkurt 2018 dhe pavarësisht se ka pasur kufizim vetëm në titujt e borxhit të Qeverisë për vitin e parë,  volumet dhe vlerat e tregtimit të titujve kanë qenë të kënaqshme.

Gjatë 10 muajve të vitit 2018, vlera e tregtimit arriti në rreth 20.8 milionë euro, me një volum prej rreth 107.000 njësi të tregtuara dhe 127 transaksione të ekzekutuara.

Klevis Llaha/SCAN