Yield-et e bonove 12-mujore shënojnë rritje të lehtë pas më shumë se dy muajsh

Yield-et e bonove me maturim 12-mujor shënuan një rritje të lehtë për herë të parë që nga fillimi i muajit maj.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bonot me maturim 12-mujor u shitën në ankandin e kësaj jave me një yield mesatar të ponderuar prej 1.51%, nga 1.45% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm. Ministria e Financave financoi të gjithë shumën e planifikuar prej 8.2 miliardë lekësh, ndërsa kërkesat në ankand arritën vlerën totale prej 9.7 miliardë lekësh. Pjesa e pranuar e ofertave konkurruese zbriti në 72.4%, nga 90.2% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Edhe në ankandin e bonove me maturim tremujor javën e kaluar yield-i mesatar i ponderuar shënoi një rritje shumë të lehtë në 0.99%, nga 0.96% në ankandin e mëparshëm.

Megjithë rritjen e lehtë, yield-et ngelen sërish pranë niveleve më të ulët të dy viteve të fundit.

Niveli i ulët i yield-eve tregon se mekanizmi i transmetimit të ploitikës monetare pas pandemisë në përgjithësi ka funksionuar mirë. Interesat e titujve qeveritarë janë benchmark kryesor që përdoret edhe në përcaktimin e interesave të huave afatgjatë në lekë edhe për sektorin privat. Kjo është një premisë që edhe normat e interesit të kredisë për sektorin privat të qëndrojnë të ulëta, edhe duke pasur parasysh që kostot e rrezikut duken të kontrolluara dhe raporti i kredive me probleme është në rënie të lehtë.

Banka e Shqipërisë që prej fillimit të pandemisë po injekton sasi të mëdha likuiditeti në treg ka favorizuar ruajtjen e normave të ulëta të interesit në tregjet financiare. Që prej marsit të vitit të kaluar, ajo e ka ulur normën bazë të interesit në nivelin më të ulët historik prej 0.5%, si edhe ka ndryshuar formën e zhvillimit të ankandeve të REPO-ve, duke ofruar akses në likuiditet me çmim fiks dhe sasi të pakufizuar për bankat tregtare.

Në fund të muajit prill, agregati monetar M2, që përfaqëson ofertën monetare në lekë arriti pothuajse 876 miliardë lekë, në rritje vjetore me 10%. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se kjo formë e injektimit të likuiditetit do të vazhdojë të aplikohet të paktën deri në fund të tremujorit të tretë 2021, duke bërë që edhe orientimet për të ardhmen të ndihmojnë ruajtjen e normave shumë të ulëta të interesit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ruajtja e stimulit monetar është e domosdoshme për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë nga efektet e rënda të krizës që solli pandemia.

Sektori bankar, që është edhe financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë deri tani nuk ka vuajtur pasoja shqetësuese nga kriza. Pas pandemisë, depozitat janë rritur me ritme edhe më të larta, duke mbështetur rritjen e sektorit bankar dhe duke ofruar burime shtesë për të investuar në krijimin e aseteve të reja financiare, përfshirë këtu blerjen e instrumenteve të borxhit të qeverisë. Në fund të muajit, rritja vjetore e depozitave ishte afërsisht 8%.

Burimi: Revista MONITOR