Interesat e borxhit të brendshëm u rriten për instrumentet afatshkurtër në 3-mujor, cenojnë stabilitetin fiskal

Shërbimi i borxhit këtë vit u vu nën presion prej stokut të lartë dhe rritjes së interesave në tregun e brendshëm për instrumentet afatshkurtra.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në tremujorin e parë të vitit normat e interesit u rriten për bonot e thesarit te të gjitha maturimeve dhe obligacioneve dy dhe tre vjeçare në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Rritja më e madhe e normës së interesit u vu re në obligacionet dyvjeçare, të cilat u maturuan gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 me një interes mesatarisht 0.37 pikë përqindje më e lartë se e njëjta periudhe e një viti më parë.

Rritja ishte e ngjashme edhe për obligacionet tre vjeçare. Gjatë janar-mars 2021 ato u emetuan me një normë interesi mesatare 3.04 për qind, e cila ishte 0.36 pikë përqindje më lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Bonot e thesarit 12 mujore u emetuan me një normë interesi 0.18 pikë përqindje më të lartë se e njëjta periudhe e vitit 2020 dhe ato me maturim 6 mujor me një normë interesi 0.34 pikë përqindje më të lartë se tremujori i parë 2020. Rritja ishte më e lehtë për maturimin tremujor me vetëm 1.16 pikë përqindje. Ky instrument nisi riemetimin gjatë vitit të kaluar pas disa vitesh mospërdorimi, për shkak të nevojave që gjeneroi për likuiditet kriza pandemike.

Rritja e interesave në tregun e brendshëm këtë vit u nxit nga financimi i deficitit buxhetor me të brendshëm.

Financimi i deficitit nga burimet e brendshme ishte në vlerën e 17 miliardë lekëve nga vetëm 10 miliardë lekë që ishte financimi në vitin 2020.

Efektet negative të rritjes së borxhit vitet e fundit u amortizuan nga interesat e ulëta dhe nga kursi favorizues i këmbimit. Në se këto dy elementë shfaqin ndryshime me tendence rritje kostot e shërbimit të borxhit do të ishin një “termet” për financat shqiptare.

Borxhi publik i vendit pësoi një rritje jo të zakonte në tremujorin e parë të vitit 2021. Sipas të dhënave të zyrtare stoku i borxhit publik u rrit ne janar-mars me 45,7 miliardë lekë ose rreth 372 milionë euro. Kjo ishte rritja më e fortë për një periudhe kaq të shkurtër dhe është rreth 41 për qind të gjithë borxhit të ri që qeveria mori gjatë vitit pandemik 2020.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se, rritja e borxhit në këtë periudhe është stimuluar nga dy kredia të mëdha. Njëra me vlerë 90 milionë euro nga Komisioni Europian për zbutjen e pasojave të rënda ekonomiko-sociale që krijoi pandemia Covid -19 dhe tjetra kredi prej 82 milionë euro e IBRD për mbështetjen e turizmit dhe infrastrukturës./ B.Hoxha

Burimi: Revista Monitor