Bursa Shqiptare e Titujve ALSE pranohet anëtar i asociuar në Dhomën Amerikane të Tregtise (AmCham)

Në mbledhjen e datës 30 Mars 2021, Bordi Drejtues i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri (AmCham), ka miratuar kërkesën e Bursës Shqiptare të Titujve ALSE për aderimin si Anëtar i Asociuar i këtij organizmi të rëndësishëm në fushën e mbrotjes së interesave të komunitetit të biznesit në vend.

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE është i vetmi treg i rregulluar i titujve në Shqipëri i licensuar në vitin 2017 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili në thelb të aktivitetit të saj ka mundësimin e përputhjes së kërkesës me ofertën për kapitale afatgjate në tregun vendas. Ajo do t’i shërbejë biznesit në përgjithësi dhe korporatave të mëdha në veçanti, si një alternativë serioze dhe më pak e kushtueshme për rritjen e kaptialit dhe financimin e aktivitetit të tyre, nëpërmjet listimit të titujve në bursë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) është një organizatë biznesi që operon prej 20 vitesh dhe gëzon reputacion të mirë në komunitetin e biznesit, falë punës dhe bashkëpunimit me anëtarët e saj. AmCham është në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët dhe punon fort për identifikimin dhe adresimin e problematikave të tyre, duke i bërë rekomandimet e duhura institucioneve shtetërore dhe Qeverisë Shqiptare. Gjithashtu, AmCham është mjaft aktive në proceset lobuese që prekin çështjet fiskale dhe ligjet e reja të cilat rregullojnë veprimtarinë e biznesit, duke qenë një avokat i fortë i bizneseve të saj anëtare, por edhe faktor në proceset rregullative të ekonomisë së tregut dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Nëpërmjet anëtarësimit në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Bursa ALSE synon të jetë më afër bizneseve korporatë të cilat plotësojnë kriteret e listimit në tregun zyrtar. Si pjesë e aktivitetit të përvitshëm në funksion të trajnimeve profesionale që AmCham organizon për anëtarët e saj, Bursa ALSE do të organizojë takime informuese në lidhje mbi mundësitë që ofron tregu i kapitaleve për financimin afatgjatë të biznesit, si dhe do të ofrojë asistencën e saj teknike për t’ia lehtësuar sa më shumë këtë proces korporatave më të mëdha në vend.