AMF dhe HANFA nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Agjencia Kroate e Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare (HANFA) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi, në kuadër të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes dy rregullatorëve. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, z. Ervin Mete dhe Presidenti i Bordit të HANFA-s, z. Ante Žigman.

Marrëveshja rregullon shkëmbimin e informacionit në funksion të mbikëqyrjes, si edhe përcakton një kuadër të qartë bashkëpunimi mes dy rregullatorëve. Marrëveshja e re, krahas tregjeve të kapitalit, zgjeron bashkëpunimin edhe në lidhje me tregun e sigurimeve dhe pensioneve private vullnetare.

“Ky Memorandum Mirëkuptimi vendos linja të qarta bashkëpunimi mes AMF dhe HANFA, në kuadër të mbikëqyrjes dhe rregullimit të tregjeve nën mbikëqyrje. Autoriteti do të përfitojë në veçanti nga eksperienca dhe asistenca kroate në ato fusha specifike ku HANFA zotëron një ekspertizë të thelluar si rregullatori i një shteti të BE-së,” u shpreh z. Ervin Mete, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së.

“HANFA i ka dhënë tashmë asistencë teknike kolegëve shqiptarë në disa raste, në funksion të harmonizimit të rregulloreve me kuadrin ligjor evropian. Kjo marrëveshje paraqet një kuadër për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, i cili me siguri do të intensifikohet në momentin kur Shqipëria të nisë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” theksoi Presidenti i Bordit të HANFA-s, z. Ante Žigman.

Në bazë të marrëveshjes, Autoriteti do të përfitojë nga asistenca kroate në kuadër të mbikëqyrjes së grupeve të sigurimeve dhe mbikëqyrjes së konsoliduar të tregjeve, përgatitjes për regjimin Solvency II, digjitalizimin dhe përmirësimin e sistemeve të raportimit dhe analizës, edukimin financiar, etj.

Burimi: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare