Yield-et e bonove shënojnë tjetër rritje të lehtë

Yield-et e bonove të thesarit shënuan një tjetër rritje të lehtë në ankandet e së martës. Sipas Bankës së Shqipërisë, për bonot me maturim 12-mujor, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 2.14%, nga 1.99% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Ndërsa bonot me maturim 3-mujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.29%, nga 1.09% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Rritja e yield-ve duket se ka ardhur kryesisht nga kërkesa më e ulët në tregun financiar për të investuar në këto instrumente. Për bonot 12-mujore, ndryshimi mes kërkesës dhe ofertës u ngushtua shumë dhe në ankand u paraqitën kërkesa totale prej më pak se 11 miliardë lekësh, nga 10.7 miliardë lekë që ishin shpallur për financim nga Ministria e Financave.

Ndërkohë, për bonot 3-mujore, kërkesat e paraqitura në ankand ishin më pak se gjysma e shumës së shpallur për financim prej 3 miliardë lekësh. Interesi i tregut për instrumentet me afat më të shkurtër maturimi në vitet e fundit ka qenë i dobët, për shkak të kthimeve të ulëta.

Korrigjimi në rritje i yield-eve të bonove qeveritare ishte një zhvillim i pritshëm, për shkak të rritjes së huamarrjes së planifikuar të qeverisë shqiptare krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm. Për tremujorin e parë të këtij viti, Ministria e Financave ka planifikuar një rritje me 23% të huamarrjes në tregun e brendshëm financiar në raport me tremujorin e fundit 2020.

Ulja e huamarrjes në gjysmën e dytë të vitit 2020 erdhi për shkak të përdorimit të huamarrjes së jashtme, me emetimin e eurobondit. Kjo shtoi likuiditetin e lirë në tregun e brendshëm financiar, duke ndikuar edhe në uljen e yield-eve të instrumenteve të reja të emetuara gjatë periudhës në fjalë.

Për këtë vit, kostoja e huamarrjes së qeverisë shqiptare po shënon një rritje të lehtë, megjithatë, pritshmëritë janë që kjo rritje të jetë e kufizuar. Tregu financiar është likuid, e mbështetur nga rritja e vazhdueshme e depozitave dhe politika monetare më nxitëse se kurrë e ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Pas mbledhjes së fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë paralajmëroi se stimuli monetar në formën aktuale të injektimit të likuiditetit me çmim fiks dhe sasi të pakufizuara në sektorin bankar do të vazhdojë të paktën dhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Yield-et e bonove janë treguesi kryesor benchmark në tregun e brendshëm të huadhënies në lekë. Rritja e tyre ndikon në rritjen e interesave totale të kredive që janë të ndërtuara mbështetur në yield-et e bonove./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor