Pandemia rrit kontributet e qytetarëve në Fondet e Investimit dhe Pensioneve – Konsolidohen Shoqëritë e Administrimit të Fondeve

Në një intervistë për televizionin kombëtar KLAN të datës 07.02.2021, Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, z. Artan Gjergji tha se bazuar në statistikat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për 9-mujorin e vitit 2020, vihet re një konsolidim i dukshëm i pozitës financiare të Shoqërive të Administrimit të fondeve (Asset Management Companies), të cilat kujdesen për kursimet e qytetarëve të investuara në këto produkte financiare.

“Ky fenomen ka ardhur kryesisht për shkak të tre faktorëve – tha z. Gjergji, që kanë të bëjnë me

  1. konsolidim të këtyre institucioneve pas një dekade vështirësish për të mbijetuar në një treg modest si nga pikëpamja e alternativave të investimit aq edhe nga pikëpamja e edukimit financiar tek publiku,
  2. rritjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të numrit të qytetarëve të cilët vazhdojnë të alokojnë një pjesë të kursimeve të tyre në drejtim të fondeve të pensioneve dhe investime si një alternativë me norma kthimi më të larta se depozitat bankare, si dhe
  3. rritjen e vlerave që këta qytetarë vendosin të alokojnë. Një pjesë e këtyre vlerave që alokohen bëhen edhe të nxitura nga përjashtimet fiskale që kanë investimet në skemat e pensioneve”.

Gjithashtu, z. Gjergji tërhoqi vëmendjen drejt kujdesit që duhet të kenë qytetarët në raport me rrezikun e investimeve ku ekspozojnë kursimet e tyre. Depozitat kanë një risk relativisht më të ulët se sa fondet, por nga ana tjetër fondet sjellin një normë kthimi shumë herë më të lartë, ndërkohë që kanë një nivel risku jo të lartë. E megjithatë – shton z. Gjergji – në industrinë e investimeve është shumë e rëndësishme t’u besosh profesionistëve të cilat duhet të jenë të licensuar dhe të mbikëqyrur nga entet rregullatore në vend, për të mos u bërë pre e skemave mashtruese, të cilat me zhvillimin e teknologjisë së informacionit, por dhe rrjeteve sociale na dalin përpara. Në kohën e përdorimit të lartë të internetit, qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm që të verifikojnë licensimin e subjekteve pranë enteve rregullatore siç është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri.

Për të parë videon e intervistës klikoni këtu.