Kriza solli në stanjacion tregun financiar jobankar

Sektori financiar jobankar në vend i ka ndjerë më shumë efektet e krizës krahasuar me atë bankar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e sektorit është frenuar gjatë vitit 2020 dhe në fund të tremujorit të tretë, totali i aktiveve arrit vlerën e 178.3 miliardë lekëve ose rreth 1.44 miliardë eurove.

Që nga fillimi i vitit, totali i aktiveve të tregut financiar jobankar është rritur me vetëm 0.3%. Tregu financiar jobankar përfshin fondet e investimit dhe pensioneve, kompanitë e sigurimeve, si edhe institucionet e tjera financiare, përfshi ato të kredidhënies, qirasë financiare, të dërgimit të parave, të këmbimit valutor, etj.

Grupet kryesore të aseteve të institucioneve financiare jobankare janë letrat me vlerë të borxhit, për një total prej 64 miliardë lekësh, të ndjekura nga huatë me rreth 37 miliardë lekë dhe depozitat e mbajtura në banka, me një vlerë prej rreth 35 miliardë lekësh.

Grupi i aseteve që është prekur më shumë nga kriza janë pikërisht huatë, që kanë pësuar rënie me rreth 5% që nga fillimi i vitit. Huaja në sektorin financiar jobankar lidhet kryesisht me sektorin e mikrofinancës në vend, që i vuajti më shumë efektet e krizës në raport me bankat. Këto institucione nuk pranojnë depozita dhe nuk kanë akses në instrumentet e likuiditetit të Bankës së Shqipërisë. Kjo bëri që një pjesë e tyre të përballeshin me probleme likuiditeti, për shkak të shtyrjes së kredive, por edhe shtrëngimit të aksesit në financim. Një situatë e tillë solli frenim të ndjeshëm të ofertës për kredi, gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit. Gjithashtu, mund të supozohet se ky sektor ka vuajtur më shumë edhe nga rënia e kërkesës, sepse në përgjithësi financon pjesën më pak të konsoliduar dhe të formalizuar të ekonomisë.

Investimi i sektorit financiar në bono dhe obligacione gjithashtu ngeli në stanjacion, me një rritje prej vetëm 0.8% që nga fillimi i vitit. Këto instrumente në pjesën dërrmuese zotërohen nga fondet e pensionit dhe ato të investimeve, dhe më pak nga kompanitë e sigurimeve dhe institucionet e tjera financiare. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të fondeve të investimit në fund të shtatorit ishin 66.8 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me fillim e vitit. Fondet e investimit ngelen segmenti kryesor për nga madhësia në tregun financiar jobankar. Ndërkohë, tregu i pensioneve private vazhdoi rritjen me ritme të kënaqshme, me 18.5% që prej fillimit të vitit. Megjithatë, tregu i pensioneve private ka përmasa mjaft të vogla, me vetëm 3.4 miliardë lekë asete neto.

Kriza e frenoi rritjen edhe në tregun e sigurimeve, ku sipas AMF në fund të shtatorit 2020 totali i aktiveve ra në 34.3 miliardë lekë, 1.1% më pak krahasuar me fillimin e vitit. Për të gjithë vitin 2020, primet e shkruara pësuan rënie me rreth 5.7%. Tregu u godit ndjeshëm te produktet e lidhura me lëvizjen ndërkufitare të njerëzve, por edhe nga pezullimi i punës në disa sektorë të industrisë. / E.Shehu

Burimi: Revista Monitor