Në intervistën e dhënë me datë 04.02.2021 për televizionin kombëtar Top Channel, z. Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv i Bursës Shqiptare ALSE bëri një analizë përmbledhëse të alternativave të mundshme të investimit që kanë investitorët në tregun vendas. Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e investitoreve i kanë alokuar fondet e tyre të lira në pasuri të patundshme dhe depozita, tashmë në dhjetëvjecarin e fundit kanë filluar të lulëzojnë alternativa të tjera ku qytetarët mund të investojnë kursimet siç janë fondet e pensioneve vullnetare, fondet e investimeve, letrat me vlerë të borxhit të korporatave apo edhe alternativa të tjera më të strukturuara siç janë produktet e parasë digjitale dhe kriptovalutat. Preferenca e qytetarëve për pasuri të patundshme vjen kryesisht edhe nga mungesa prej shumë vitesh e një burse letrash me vlerë të zhvilluar. Nëse bursa do të kishte shumë kompani të listura ku qytetarët mund të investonin, atëherë ekspozimi i qytetarëve vetëm në pasuri të patundshme do kishte qenë më i vogël – tha z. Gjergji.
Sa i përket pyetjes në lidhje me tipologjinë dhe preferencat e investitorëve ndaj riskut dhe alternativave jo-klasike të investimit, z. Gjergji tha se sa më afer pensionit dhe moshat e mesme preferojnë produkte financiare klasike me një risk të moderuar ose të vogel siç janë pasuritë e patundshme dhe depozitat e garantuara nga Agjensia e Sigurimit të Depozitave. Ndërsa për shkak edhe të zhvillimit të teknologjisë së informacionit, moshat e reja universitare e deri ne 30 vjeç janë më të hapur ndaj formave bashkëkohore të investimit të kursimeve që sjellin norma më të larta kthimi siç janë fondet e pensioneve e investimeve. Gjithashtu, për shkak se këto breza kanë një përdorim më të gjerë të aplikacioneve kompjuterike, ata ekspozohen më shumë drejt instrumentave të strukturuar siç janë kriptovalutat apo instrumentet e tjera të industrisë blockchain.
Për të dëgjuar një përmbledhje të intervistës, kliko këtu.
Burimi: Top Channel Albania
