“S&P” për Shqipërinë – MFE: Mban të pandryshuar notën e borxhit, rritja në 4.5% këtë vit

“Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Standard & Poor’s (S&P), në rishikimin më të fundit të saj (1 shkurt 2021), konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”, njofton Ministria e Financave dhe ekonomisë. S&P parashikon që në vitin 2021 ekonomia do të rritet me rreth 4.5%, me supozimin që nuk do të ketë një valë tjetër të fortë të infektimeve, e cila mund të çonte në një mbyllje tjetër të fortë, si dhe vlerëson që Pandemia COVID-19 dhe kufizimet e lidhura me lëvizjen e njerëzve, bënë që ekonomia e Shqipërisë të kontraktohej me rreth 5% në vitin 2020.

“Pandemia ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë veçanërisht në sektorin e turizmit. Impakti i këtij sektori në ekonominë shqiptare sipas vlerësimit të Standard & Poor’s mund të jetë edhe më i theksuar se në vendet e rajonit për shkak të peshës më të lartë që zë ky sektor në Shqipëri”.

“S&P shprehet se, humbjet në të ardhura, shpenzimet shtesë të lidhura me pandeminë, si dhe shpenzimet kapitale të rritura bënë që deficiti në 2020 të zgjerohej në rreth 6.7% të PBB-së, nga 1.9% në 2019.  Agjencia e konsideron të lartë këtë nivelin aktual të borxhit  dhe vlerëson ekspozimin ndaj rreziqeve të mundshme fiskale. Agjencia projekton që raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së pasi të arrijë në rreth 77% në vitin 2021, pritet të bjerë nga viti 2022 e më tej, ndërkohë që ekonomia rikuperohet, shuhet gradualisht efekti i masave suportuese”-citon më tej Ministria e financave dhe ekonomisë raportin e Standard and Poor`s.

S&P  shprehet se për të rivendosur disiplinën fiskale, amendimet e fundit të bëra nga autoritetet në ligjin organik të buxhetit sanksionojnë që qeveria duhet të arrijë dhe të mbajë një balancë primare pozitive prej vitit 2023 e në vijim.

Ky sugjerim i shtohet rregullit ekzistues të uljes së borxhit, i cili kërkon një rënie në raportin e borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së deri sa ai të arrijë në nivelin 45%.

Roel Korkuti / SCAN

Burimi: SCAN