Në një situatë pandemie, duhet fleksibilitet. Bankat duhet të ofrojnë edhe shërbime financiare jo-tradicionale

Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, Artan Gjergji, ishte i ftuar në emisionin e përjavshëm A2 Business Week në A2, ku foli në lidhje me situatën e kreditimit nga ana e sistemit bankar dhe financimin e biznesit në vend në kushtet e një ekonomie që vuan pasojat e krizës së pandemisë COVID-19.

Të dhënat e fundit, tregojnë se bankat kanë shtuar dhe shtrënguar kushtet për dhënien e huave dhe kjo sipas z. Gjergji është diçka shumë normale në situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

“Shtrëngimi i kushteve është një proces që vjen për shkak të efekteve negative që solli pandemia dhe ngjarjet që pasuan. Institucionet financiare janë të ndërtuara mbi besimin. Shembja e një institucioni financiar do të sillte efekte të jashtëzakonshme në të gjithë tregun. Kjo është arsye që rregullatorët tregohen të kujdesshëm. Edhe politika që ka ndjekur Banka Shqiptare është e logjikshme.

Kreu i Bursës rekomandoi, gjithashtu, një përshtatje më të madhe nga biznesi dhe nga bankat për të përballuar sa më mirë këtë situatë.

“Ajo që do të thoja është që aftësia e ekonomisë për t’iu përshtatur kushteve të ndryshme edhe po të shohësh në histori, i jep asaj një fleksibilitet të jashtëzakonshëm. Struktura të ndryshme, qoftë në aspektin e institucioneve financiare që përbëjnë ofertën në financimin në ekonomi, qoftë në anën e biznesit që duhet të përshtatet me kushtet e reja i japin mundësinë këtyre mikro-mekanizmave të ambientit ekonomik të përshtaten. Ashtu siç i bëjmë thirrje biznesit që të përshtatet më shumë në këtë situatë pandemie, e njëjta gjë duhet të ndodhë dhe me institucionet bankare. Rregullatorët luajnë politikat e tyre siç duhet”, sugjeroi Gjergji.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij drejtori i Bursës ALSE u ndal tek domosdoshmëria e përfshirjes së bankave në shërbime financiare përtej bankingut tradicional, si një mundësi që mund të rivitalizonte financimin e ekonomisë në vend.

“Përfshirja më dinamike e bankave në zhvillimin e tregut financiar, duke dalë nga guacka e bankingut tradicioanl është një element mjaft i rëndësishëm. Bankat nuk duhet të mjaftohen vetëm me shërbimin e ofrimit të shërbimeve të tyre online, por duhet të jenë më akitive në drejtim të ofrimit të produkteve financiare jo-bankare sic janë shërbimet e investimit në letra me vlerë, shërbimet e sigurimeve etj. Kjo jo vetëm do t’i jepte një gjallërim më të madh tregut financiar në vend, por edhe për rregullatorët do të ishte një lëvizje e mirëpritur dhe e qëndrueshme, pasi bankat janë institucione të disiplinuara e solide, me burime financiare e njerëzore të shëndetshme e të afta për të ofruar shërbime të tilla. Për rrjedhojë edhe rreziku në sistem do ishte shumë herë më i vogël” përfundoi z. Gjergji.