Banka e Shqipërisë tërheq propozimin që kufizonte investimin e individëve në obligacionet e bankave

Banka e Shqipërisë është tërhequr nga disa ndryshime rregullatore, që mund të vështirësonin ndjeshëm investimin e individëve në obligacionet e bankave tregtare.

Projektrregullorja “Mbi kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara”, në versionin e përgatitur në fillim të këtij viti, përcaktonte se obligacionet e shitura te klientët joprofesionistë do t’iu njiheshin bankave si kapital rregullator i nivelit të dytë, vetëm në rast se vlera nominale e instrumentit do të ishte paktën pesë milionë lekë.

Sipas Bankës Qendrore, rregullorja, përfshi dispozitën në fjalë, reflektonte direktivën europiane Për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka (The Bank Recovery and Resolution Directive).

Me sa duket, një kufizim i tillë kishte qëllim të mbronte investitorët e vegjël, të paspecializuar, nga investimi në borxhin e varur të bankave.

Bankat kanë qenë promotorët kryesorë të instrumenteve të borxhit privat në Shqipëri, përmes obligacioneve me ofertë private. Në shumicën e rasteve, qëllimi i këtyre instrumenteve është përdorimi si kapital rregullator i nivelit të dytë, sipas kërkesave të rregullores përkatëse të Bankës së Shqipërisë.

Ndryshimet rregullatore që propozoi Banka e Shqipërisë e kufizonin mundësinë për të shitur obligacione tek individët. Nga njëra anë, kjo mund të vështirësonte praktikën e përdorimit të borxhit të varur si kapital rregullator për të mbështetur rritjen e bankave; nga ana tjetër, iu hiqte investitorëve të vegjël një alternativë relativisht fitimprurëse investimi dhe bëhej pengesë për zhvillimin e tregut të kapitaleve në vend. Bankat janë ndër subjektet me potenciale më të mëdha për të emetuar tituj në bursë, për shkak të rritjes graduale të kërkesave rregullatore për kapital, por edhe përvojës së krijuar në vitet e fundit me obligacionet me ofertë private.

Pas vërejtjeve të shprehura nga bankat, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndryshime në projektrregullore, duke e hequr vlerën dysheme prej pesë milionë lekësh që do t’iu kufizonte individëve apo investitorëve të tjerë joprofesionistë investimin në obligacione të bankave tregtare.

Me variantin e ri të rregullores që propozon banka qendrore, shitja e instrumenteve të pranuara tek klientët jo profesionistë do të mbështetet në disa kërkesa të ligjit “Për tregjet e kapitalit”.

Më konkretisht, këto instrumente do të pranohen si kapital rregullator vetëm kur banka ka kryer dhe dokumentuar testin e përshtatshmërisë, në bazë të të cilit ka rezultuar se instrumenti është i përshtatshëm për klientin joprofesionist. Kategorizimi i klientëve dhe mënyrat sesi kryhet testi i përshtatshmërisë rregullohen nga dispozitat e seksionit të dytë të ligjit “Për tregjet e kapitalit”.

Veç testit të përshtatshmërisë, rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë kërkon që instrumentet e detyrimeve të pranuara të cilat blihen nga klientët joprofesionistë duhet të përmbajnë dispozita kontraktore detyruese, me anë të së cilave kreditorët bien dakord që të pranojnë çdo zvogëlim të principalit apo shumës së disbursuar e të papaguar, si dhe çdo konvertim apo anulim që kryhet gjatë ushtrimit të detyrës nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

E thënë ndryshe, blerësit e obligacioneve duhet të jenë të gatshëm të pranojnë humbje, në rast se banka bëhet subjekt i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.

Deri më sot, tre banka tregtare në Shqipëri kanë emetuar obligacione me ofertë private. Credins Bank është emetuesi më i madh dhe më i hershëm, me një portofol prej 6.3 miliardë lekësh në 30 qershor 2020. Fibank dhe Union Bank kanë kryer nga një emetim obligacionesh, për një vlerë prej dy milionë eurosh secila./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor