Të hiqet tatimfitimi për kthimin nga investimet afatgjata në tregjet e kapitalit

Flet Arton Lena, drejtor i përgjithshëm i WVP Fund Management Tirana

WVP Top Invest ofron një profil investimi të ndryshëm nga fondet e tjera që veprojnë në Shqipëri, sepse i investon kuotat e anëtarëve në aksione të korporatave.

Drejtori i shoqërisë administruese, Arton Lena, thotë se efekti i krizës në tregun e aksioneve u reflektua në mënyrë të pashmangshme në luhatje të forta të kthimeve nga fondi. Ndonëse kthimet ngelen në vlera negative, z. Lena shprehet se në tre muajt e fundit, kthimet kanë një tendencë rikuperimi.

Z. Lena sugjeron se nxitja e tregut duhet bërë duke punuar më shumë me edukimin financiar, por edhe nëpërmjet incentivave direkte fiskale, sidomos për investimet afatgjata.

 

Si është ndikuar tregu i fondeve të investimit nga kriza e lidhur me pandeminë e Covid-19?

Si të gjithë industritë, edhe tregu i fondeve të investimit pati një ndikim negativ nga pandemia e Covid-19. Shoqëria jonë, e cila administron një fond investues – WVP Top Invest, që investon në aksione të kompanive më të mëdha në botë (Microsoft, Nestle, Apple, Berkshire Hathaway – kompania e Warren Buffet – Allianz, Bayer, Roche AG, Novartis etj.) ndikimin më të madh e pati nga rënia e çmimit të aksioneve të këtyre kompanive në bursat ndërkombëtare dhe kjo u reflektua në rënien e çmimit të kuotës sonë. Megjithatë, kjo rënie nuk zgjati shumë dhe brenda tre muajve, u rikuperua.

Cila ka qenë ecuria e vlerës së aseteve neto të fondeve nga muaji mars e në vazhdim? Keni pasur rënie të blerjes së kuotave ose rritje të shitjes së tyre nga anëtarët?

Në Shqipëri, edhe pse jemi ende të vegjël, me një numër të vogël të investitorëve, gati të gjithë u treguan vigjilentë ose financiarisht të edukuar, duke shfrytëzuar rastin e rënies së çmimit të kuotës së WVP Top Invest për të investuar dhe për të akumuluar më shumë asete me çmime më të lira. Kjo erdhi si rezultat i disa faktorëve:

  1. Investitorëve iu është bërë e qartë se investimi në fondin tonë është një investim afatgjatë dhe ekziston mundësia e luhatjes së çmimit – volatiliteti.
  2. Shumica e investitorëve tanë kanë plane investimi afatgjata. Pra, bëjnë një plan investimi të themi 20.000 euro, për një afat 20 vjet dhe këtë e mbushin në bazë mujore, gjysmëvjetore, vjetore, ose në varësi të mundësive të tyre, sepse dinamika e pagesave është fleksibël. Ne ekzistojmë si fond i licencuar prej dy vitesh e gjysmë, ndaj shumica janë në fillimet e përmbushjes së planeve të tyre dhe kjo rezultoi që ato t’u përmbahen planeve dhe patëm efektin pozitiv që disa nga investitorët, të blejnë kuota edhe me shuma më të larta nga dinamika e parashikuar.
  3. Punës sonë intensive, duke komunikuar edhe nga dy herë në javë me investitorët për të sqaruar situatën, për të hapur vizionin për mundësinë që të blejnë tani kur aksionet e kompanive janë në ulje.

Si e ka prekur situata e krijuar kthimin mesatar nga investimi në fondet tuaja? 

Patjetër, që kthimi i investimit është ndikuar për këto vite. Nëse vitin e kaluar, për 12 muaj, fondi WVP Top Invest pati një performancë prej 20.61%, deri tani, këtë vit jemi me një performancë negative prej -6.84%.

Por, si fond që investon në aksione (Equity fund) nuk duhet të bazohemi as në performancën e vitit të kaluar e as të 12-mujorit të parë, pasi afati është shumë i shkurtër. Investitorët e WVP Top Invest janë indirekt aksionerë të kompanive më të mëdha në botë, lider në industritë e tyre dhe, në një afat mbi 10 vite, mund të presim kthime të kënaqshme të investimeve të tyre.

A keni ndërmarrë ndryshime domethënëse në politikat e investimit pas shpërthimit të krizës?

Ndryshimi që ne praktikojmë është i ashtuquajtur Sector Rotation, rotacion i sektorëve dhe industrive ku ne investojmë, në bazë të evenimenteve që ndodhin dhe ciklit të ekonomisë. Para fillimit të pandemisë, industritë me përqindje më të lartë në WVP Top Invest ishin – industria financiare, industria e rëndë, konsumi i luksit, etj.

Kurse pas pandemisë, WVP Top Invest u përqendrua më shumë në industrinë shëndetësore dhe farmaceutike (Roche AG, Novartis, Sanofi), Teknologjinë IT (Microsoft, Apple, Facebook), industrinë e konsumit të përditshëm (Nestle, Unilever, Procter and Gamble). Në këtë mënyrë, investitorët e WVP Top Invest përfitojnë nga rritjet e këtyre kompanive, që dolën me fitime nga e gjithë kjo krizë e shkaktuar nga pandemia.

Si do të ndikojë kriza në perspektivat e zhvillimit të tregut të fondeve të investimit në Shqipëri? Mund të sugjeroni ndërhyrje në nivel ligjor dhe rregullator që do t’i bënin fondet një alternativë më atraktive investimi për publikun shqiptar?

Mendimi im personal, por edhe i bordit tonë austriak, është se krizat gjithmonë kanë qenë shans për të bërë diçka më të madhe. Ne, si fond i vetëm në Shqipëri, i cili investon në aksione të kompanive, patëm efekt pozitiv nga kjo krizë, pasi publiku shqiptar filloi të marrë informacion që ekziston një fond i tillë edhe në vend dhe se kanë një mundësi ose alternativë, me një investim të bërë në Lek nga një llogari bankare mund të marrin pjesë në zhvillimin e ekonomisë botërore.

Baza ligjore pati një ndryshim të madh kohët e fundit dhe tani mendoj se shteti shqiptar ka legjislacionin më të avancuar se sa është tregu në këtë moment. Kjo është pozitive, sepse lënë hapësirë për të rritur dhe për të shpalosur produkte të reja inovative financiare, që do të jenë një alternativë për publikun shqiptar.

Mendoj se ajo që mungon është njohuria dhe ndërgjegjësimi i publikut për këto alternativa investimesh. Si anëtar i grupit të përbashkët “Për hartimin e strategjisë për zhvillimin e tregjeve të kapitalit”, ngritur nga AMF dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kam bërë disa sugjerime, duke marrë si shembull praktikën e vendeve në rajon (ku edhe jam aktiv). Disa nga pikat janë:

  • Edukimi financiar i publikut – të gjithë aktorët e subjekteve të japin kontribut për edukimin financiar të publikut.
  • Lehtësim fiskal, 0% tatim në fitim të investimeve afatgjata mbi 10 vjet të bëra në tregun e kapitaleve për një afat 2020 – 2022. Kjo stimulon investitorët dhe nxit investimet.

Burimi: Revista Monitor