Kthimi më i lartë për investimet financiare në lekë mbeten obligacionet 10-vjeçare, kuponi 5.22%

Ministria e Financave organizoi këtë javë një rihapje të ankandit të obligacioneve me maturim 10-vjeçar.

Ankandi me një kupon prej 5.22% tërhoqi interes të konsiderueshëm dhe qeveria financoi të plotë shumën e shpallur prej 3 miliardë lekësh, ndërsa kërkesat për blerje në ankand arritën në pak më shumë se 4 miliardë lekë. Në afatin e gjatë, tendenca e kuponit të obligacioneve 10-vjeçare ngelet në rënie.

Normat e interesit të instrumenteve të borxhit qeveritar mbeten në nivele të qëndrueshme. As kriza dhe rreziqet në rritje për ekonominë, as rritja e fortë e borxhit publik, nuk sollën rritje domethënëse të kostos së huamarrjes për qeverinë. Me sa duket, gjendja likuide e tregut financiar vendas dhe mungesa e alternativave të financimit ka bërë që çmimi i kërkuar për të financuar borxhin qeveritar të ngelet i ulët.

Pas tremujorit të dytë, që u shoqërua me një huamarrje shumë intensive, qeveria shqiptare e ka ulur gradualisht kërkesën për financim në tregun e brendshëm. Në tremujorin e tretë, huamarrja mesatare mujore (përfshi rifinancimet) ra në 26.6 miliardë lekë, nga 30.6 miliardë lekë që pati qenë në tremujorin e dytë. Mbështetur në kalendarin e emetimeve të Ministrisë së Financave, sasia e huamarrjes do të pësojë një tjetër ulje të lehtë në tremujorin e katërt të vitit, me 26.1 miliardë lekë në muaj.

Obligacionet 10-vjeçare janë aktualisht instrumenti më afatgjatë i borxhit që emeton qeveria shqiptare dhe aktualisht ofron kthimet më të larta mes gjithë formave të investimit financiar në monedhën vendase. Interesi për këto instrumente përgjithësisht është i lartë, sidomos nga investitorë institucionalë, sidomos fondet e pensioneve, por edhe ato të investimeve.

Vijojnë obligacionet 7-vjeçare, me një kthim 4.38% dhe ato 5-vjeçare, me kupton 3.7% në ankandin e fundit. Depozitat me kthimin më të lartë në sektorin bankar, ato me maturitet 60-mujor (5-vjeçar), kishin në gusht një interes mesatar prej 3.23%, ndërsa depozitat me afat më të shkurtër kanë kthime ndjeshëm më të ulëta. Fondet e investimit, sipas raporteve më të fundit të shoqërive administruese, arrijnë në pranë një kthimi vjetor 2.7%. Megjithatë, fondet e investimit zakonisht kanë avantazhin e të qenit investime më likuide. Investitori mund t’i shesë kuotat në çdo moment, pa penalitete./Ersuin Shehu

Burimi: Revista Monitor