Kuponi i obligacioneve 7-vjeçare rritet në 4.23%

Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë po japin sinjale domethënëse rritjeje edhe në për afatet më të gjata të maturimit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, obligacionet 7-vjeçare u emetuan javën e fundit me një kupon prej 4.23%. Kjo vlerë ishte ndjeshëm më e lartë krahasuar me kuponin e ankandit të fundit të këtyre instrumenteve, prej 4.01%, në shtator të vitit të kaluar.

Edhe ankandi i obligacioneve 7-vjeçare dha shenja të qarta të një kërkese më të vogël nga tregu për të investuar në instrumentet e borxhit të qeverisë.

Nga 5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, shuma e kërkuar rezultoi më pak se katër miliardë lekë, ndërsa në fund u pranuan kërkesa për më pak se 3.5 miliardë lekë. Këtë muaj, qeveria po has vështirësi në financimin e plotë të shumave të planifikuara të huamarrjes. Një tendencë e tillë ishte vërejtur qartë më herët gjatë këtij muaji edhe në ankandet e bonove 3-mujore dhe 12-mujore. Megjithatë, për momentin financimet më të ulët se planifikimi në emetimet e fundit nuk ka ende përmasa shqetësuese, duke pasur parasysh edhe zgjerimin e të ardhurave buxhetore, falë rritjes së çmimeve.

Rritja e yield-eve në pjesën e parë të këtij viti ishte një zhvillim i pritshëm, duke pasur parasysh prirjet inflacioniste dhe pritjet e përgjithshme për një rritje të normave të interesit, por edhe një kërkesë në rritje për borxh në tregun e brendshëm nga qeveria shqiptare. Megjithatë, kjo pritshmëri po materializohet vetëm në javët e fundit. Lufta në Ukrainë i ka forcuar më tej presionet inflacioniste dhe pasiguritë në tregje, faktorë që kanë rritur trysnitë në drejtim të rritjes së normave të interesit. Kuadri aktual ka bërë që prishmëritë për interesa më të larta në të ardhmen mes investitorëve të forcohen.

Nga ana tjetër, këtë vit Banka e Shqipërisë ka nisur edhe tërheqjen e pjesshme të stimulit monetar. Hapi i parë ka qenë ndryshimi i formulës së ankandeve të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes, prej muajit janar. Kjo ka ulur ndjeshëm huanë afatshkurtër të bankave tregtare prej Bankës së Shqipërisë, në nivelet më të ulëta që prej fillimit të pandemisë.

Në vazhdim gjatë këtij viti, është e pritshme që normalizimi i politikës monetare të vazhdojë edhe nëpërmjet rritjes graduale të normave të interesit. Megjithë sinjalet inflacioniste në muajt e fundit, Banka e Shqipërisë ka preferuar të marrë më shumë kohë për të ndërhyrë, duke ndjekur linjën e Bankës Qendrore Europiane.

Rritja e normave të interesit do të sjellë gradualisht mundësi për kthime më të larta nominale nga investimi, në kushtet kur nivelet në rritje të inflacionit po ndikojnë në kthime më të ulëta reale nga instrumentet e investimit financiar. Rritja e normave të interesit do të mundësojë kthime më të larta nga kursimet, por nga ana tjetër do ta bëjë më shtrenjtë huamarrjen./E.Shehu

Burimi: Revista Monitor